e enjte, prill 03, 2008

Duke përkujtuar Hysen Mulosmanajn




Jeta dhe poezia e Hysen Mulosmanajt, testamenti, ku janë hipotekuar dashuria për atdheun, dhe pengu për Kosovën e lirë

Nga Dalip Greca


Më 28 dhjetor të vitit 1995, në Nju Jork pushoi së rrahuri zemra e nacionalistit Hysen Çelë Mulosmanaj.Për të ndjerin u bë një varrim madhështor, ku morën pjesë shqiptarë të mërguar jo vetëm në Amerikë, por edhe nga Evropa. Gazeta “Atdheu” njoftonte ato ditë se qindra telegrame, vinin në adresë të familjes dhe në atë të selisë së Lëvizjes së Legalitetit në Tiranë. Televizioni shtetëror në Tiranë dhe Radio-Tirana e dhanë me pikëllim lajmin. Ishte ndarë nga jeta një prej nacionalistëve më aktiv të mërgatës shqiptare, i cili kishte lënë pas bashkshorten, dy djem dhe tri vajza. Hysen Mulosmanaj pat lindur me 12 shtator 1934 në një familje me tradita atdhedashurie në Bujan të Tropojës. Fëmijëria e Hysenit u përkund në legjendat e trimërisë dhe të heroizmit që kishin treguar të parët e fisit të tij për kombin. Dhe ishte me fat se nëpër legjenda lëviznin trima si Binak Alia e Mic Sokoli, Qerim e Shaban Binaku, Zeqir Halili, luftëtari që tregoi trimëri përkrah Isa Boletinit, Mulosmanët që i treguan gjoksin betejave, ku thërriste atdheu. Por kohët po ndryshonin. Në vitin 1945 për famijen Mulosmanaj, qeveria komuniste e Tiranës e kishte shënuar me rreth të kuq. Asaj i duhej ulur koka sepse shihej si kundërshtare e regjimit. Qeveria e Enver Hoxhës i dogji kullat, dhe iu sekuestroi pasurinë. Dhe kalvari bëhet më i ashpër. Nisin internimet dhe burgimet e pafundme që do ta shoqërojnë familjen për gjysëm shekulli deri në rrëzimin e vetë diktaturës. Në qershor 1945 famlija përplaset në një kamp internimi në Berat, më pas në Kampin-skëterrë të Tepelenës, ku jetën në çdo hap e përgjonte vdekja. Atje do të vdiste vëllai më i vogël i Hysenit, Shemsedini. Kalvari vazhdon edhe në kampet e Lushnjës, ku një pjesë e familjes do të vazhdonte të persekutohej, të demaksohej, internohej e burgosej.
Nga ky kalvar nuk u përjashtu as Hysen Mulosmanaj, edhe pse ishte pothuaj fëmijë. Do të vinte viti 1949 dhe një pjesë e familjes do të merrte rrugën e arratisë. Me ta ishte edhe Hyseni 15 vjeçar. Një kalvar tjetër i gjatë i shoqëruar nga ndjenja e mallit dhe dhimbjes për ata që kishin lënë nën kthetrat e diktaturës. Familja arratiset në Jugosllavi, më pas në Itali, dhe në nëntor të vitit 1967 mbërrijnë në tokën e premtuar, në SHBA.
Hysen Mulosmanaj edhe pse u nda nga jeta shpejt, në moshën 61 vjeçare, ai la pas gjurmët e një jete aktive. Punoi pa u lodhur së bashku me Rasim Sinën për vite të tëra në Radion ”Zani i Adheut”. Ishte aktiv në radhët e Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit, duke qenë i zgjedhur si anëtar në Komitetin Qendror, ka qenë zgjedhur edhe si nënsekretar i përgjithshëm. Ai ka kryesuar disa kongrese të legalistëve në mërgim, si dhe kongresin e 12 në atdhe, që u zhvillua me 1993. Hyseni drejtoi me profesionalizëm gazetën “Atdheu” duke lënë pas shumë komente e analiza, që e ruajnë aktualitetin edhe sot.
Hysen Mulosmanaj ka lënë pas dhe një krijimtari të pasur poetike. Me krijimtarinë e e tij shqiptarët në atdhe janë njëohur pas vdekjes. Ka qenë viti 1998, kur shtëpia botuese ”Dardania” i dha lexuesit poemën – përrallë ”Ujku prej kashte dhe ndodhi të tjera”, një botim i ilustruar, që u prit mirë në qarqet letrare.Vëllimi me poezi ”Gjurmët e shekullit” ishte libri i dytë që “Dardania” u dhuroi shqiptarëve dhe promovimi u ndoq me interes në kryeqytetin shqiptar. Ndërkohë që vëllimi ”Balada e shkrueme për ne” është botim më i hershëm, që përfshin poezi të shkruara gjatë kohëqëndrimit në Kosovë dhe Nju Jork. Në këtë vëllim poetik është përfshirë krijimtaria 20 vjecare që përmban vuajtjet e një shpirti që dhemb. Në të 46 poezitë e këtij vëllimi Hysen Mulosmanaj, ndjehet i braktisur prej atdheut, por ai vetë nuk i zemrohet atdheut të pafajshëm, Veçse ai nuk i kursen fajtorët që i hapin plagë atdheut. Nëpër vargje ndjehet rënkimi që vjen prej dhimbjes për atë çka lënë pas; kuja për të vrarët e pafajshëm, ndjehte malli për vendlindjen-bjeshkët, gurët dhe drurët.
Në parathënien që botuesi dhe gazetari Ramiz Lushaj ka shkruar për librin ”Gjurmët e shekullit” bie në vëmendje të lexuesit këtë shënim: ”Natyrshmëria e vargëzimit, figuracioni artistik i gjetur, frymëzimi i vetëvetishëm, tregojnë se Hysen Mulosmanaj, shkeli i sigurtë në shtigjet e vështira të vjershërimit”.
Krijimtaria e Hysenit kërkon studim, veçanërisht për të parë shtratin se ku rrjedhin subjektet e poezive të tij plot pathos. Duke qenë se krijuesi përfaqëson pararojën e nacionalizmit shqiptar ai bëhet mbrojtës i të pafajshmëve që vuajnë në diktaturën komuniste. Mjafton të lexosh poezinë, që i jep titullin librit të dytë ”Gjurmët e shekullit” dhe bindesh për aftësinë që ka pena e tij për t’u bërë denoncues i vrasësve të pashpirtë të diktaturës:

Por, si n’hijalle,
Në fundin e tij
Shoh fytyra t’venituna,
Sy t’përlotun,
E buzë që dridhen në vaj
Dhe në to lexoj:
Gjurmët e prangave,
Gjurmët e shekullit…

Shoh: rrashta të shpueme
Nga plumbat gjakatarë,
E brijë të thyeme
Nga “dajaku” barbar,
Prej t’ramëve nga ata,
Që nuk ditën kurrë
Të ngopen me krime…

Shoh pra, fytyra të zymta,
T’kacafytuna
Me valët e shekullit…

E gjithë poezia është një tablo dithëruese e realitetit shqiptar të atyre viteve dhe përbën një aktakuzë të fuqishme kundër dhunës dhe sistemeve diktatoriale.
Por poeti nuk di vetëm të ngrerë akt-akuza. Ai di dhe t’i këndojë ëmbël Shqipërisë, ku lindi. Herë –herë e përfytëron Atdheun si një livadh të mbuluar me lule shumëngjyrëshe dhe ai, ashtu si bleta që mbledh nektarin, ia ka ënda që të bredhë nëpër këto bukuri dhe t’i shijojë ato. Herë - herë e përfytëron Shqipërinë e dashur si një qiell pa re, dhe ai do të dëshironte që të shkonte atje dhe të sodiste në muzgun e mbrëmjes vallen e yjeve në gjithësi…Po sikur të ishte liqen i qetë dhe i kthjellët? Dhe ai me barkën e vogël do të deshte të voziste nëpër të,,,Sikur të ishte trëndafil, ai deri vonë në “mbrëmjet prandverore” do të thithte aromën e këndshme..Eh, sikur të ishte mollë, kurrë s’do ta këpuste, por do ta sodiste bukurinë e saj në degë…Por ah, atdheu është livadh i mbushur me ferra, qiell i vranët, që lëshon shi e breshën; është liqen i tërbuar, mollë e venitme e rame për tokë,…Dhe poeti vuan deri në dhimbje.
Ditari poetik i Hysen Mulosmanajt përmban vetë jetën e mërgimtarëve shqiptarë. Motivi i mërgimit është zotërues në krijimtarinë e tij mërgimtare.
Poezia ”Lamtumirë votër” të jep përshtypjen e një testamenti poetik. E shkruar që në vitin 1953 në Kosovë, poezia mbart brengën e mërgimit dhe ndarjes prej votrës, që e lindi dhe e rriti:

Po mërgohem n’dhena t’hueja
Dhe s’e di kur kam me u kthy’
Fort po m’vrasin lotët tuaj
Që do të derdhni nga ata sy….
Ndoshta keni me dëshirue,
Prej këndej unë po largohem,
Se Atdheun uën e due,
Me Enverin nuk pajtohem!
Nuk pajtohem, s’ma do shpirti,
Pse me rusët ai u vllaznue,
Dorës tyne Atdheun ja shiti,
Dhe Shqipninë do me e shkretue…
Ja pra se si e zbulon poeti kunduershtinë e hapur të tij, të familjes dhe fisit të vet me regjimin komunist të Enver Hoxhës.
Edhe pse e di se rruga e hidhur e mërgimit nuk ka kthim, poeti beson se një ditë ai do ta shohë sërish Atdheun:

Ndoshta prapë na kem me u kthye,
Ndër këto kodra dhe lugina,
Por njiherë krandja u thye,
Ju dhe na mbetëm jetima…

Duke qenë se poeti i pa me sytë e tij vuajtjet në kampet e internimit, ai nuk heshti kurrë së denoncuari regjimin. Ai ka qenë vetë i internuar në kampin famkeq të Tepelenës, që u mboll me kufoma të pafajshmish, sidomos fëmijësh dhe pleqsh, që nuk mund të përballonin kushtet e vështira. Ja se si e përshkruan ai tablon e kampit të vdekjes, që ka lënë pas:
Njerëzit janë të shrirë si të vdekun,
Dhe ia kërkojnë mortjen vetit.
Një krismë e prishi qetësinë
E njerëzve të molisun
Brenda telave të gjembëzuem,
Tymi u ngrit në qiell
Si kështjellë
Një fëmi ra viktimë i një terrori!
Po cila është viktima e radhës? Ja sqarimi që vjen përmes vargjeve:

Nji djalë flokverdhë, fëmijë,
Që dallgë e kësaj stuhije
E sollën në këtë vend t’mjerimit,
Për të luejtë lojën e fundit,
Si shumë të tjerë.

Shkopi i diktaturës ra pa mëshirë mbi familjen e madhe Mulosmanaj. Ja disa nga viktimat e diktaturës: Në vitin 1946 vritet nga komunistët major Zenun Ali Mulosmanaj; në burgun e Shkodrës vdes Mal Shaban Mulosmanaj, ndërsa Hazir Sul Mulosmanaj vdes në burgun e Durrësit në vitin 1950. Në vitin 1953 vdes nga torturat në burgun e Kolgecajt-Tropojë, Sulejman Zeqir Mulosmanaj. Në kampin e internimit në Lushnje vdiq Abdyl Qerim Mulosmanaj, i cili ka qenë i burgosur edhe nga austriakët, italianët, gjermanët. Komunistët e dënuan me 101 vjet…
Poeti i vajton plot dhimbje martirët, që ranë pre e diktaturës.
Në poezinë ”Dëshmitari’ ai vajton Zenun Ali Mulosmanajn, që u vra në vitin 1946. Vargjet janë mbështjellë rreth një metafore të ndërtuar bukur:

Dëshmitar
I asaj nate tragjike
Asht guri i ngulun,

Dëshmitare,
Janë edhe fletët;
Kur krisi pushka
Dhe u derdh gjaku.
Ata u drodhën
Nji degë u këput
E një trung u tha…

Ndërsa në Elegjinë ”Vëllaut”, ka një mbyllje – sfiduese:
Nga vuejtja, poetën jeni bamë,
Me këto vargje që keni lanë:
“Tepelena heroike-
Të raftë bomba atomike”!

Gati e gjithë familja Mulsomanaj e ka përshkuar ferrin e diktaturës komuniste në të gjitha labirintet e tij dhe poeti nuk i kursen vargjet për t’i nderuar ata që e sfiduan dhunën. Në poezinë ”Prangat”, që ia kushton Sulejman Zeqir Mulosmanajt, vargu rëndon si një aktakuzë:
Prangat duert mi banë varrë,
Dhe sharrue deri në asht,
Por, jo pse unë jam i marrë,
Vetëm se e dua atdheun me ashk…
Poeti përshkruan torturat e panumërta, por ai, trimi nacionalist, nuk përulet, një fjalë s’e nxjerr ndër torura, por përkundrazi i akuzon torturuesit si shitës të atdheut në Kremlin…
Janë të shumta poezitë kushtuar njerëzve të dashur të fisit, mbi të cilët ra me të gjithë peshën e vet grushti i diktaturës. Plot ndjenjë është shkruar poezia ”As vorrin s’ta dimë”-kushtuar Mal Shaban Mulosmanit, apo “Baladë për ty” kushtuar Zenun Ali Mulosmanajt, ose poema kushtuar Shpend Halit Nezës etj.
Gjithësesi krijimtaria poetike e Hysen Mulosmanajt i ngjan një ditari, ku ngjarjet vëzhgohen me mprehtësi dhe reagimi është i menjëhershëm. Poezitë janë krijuar në Kosovë, në Itali dhe në nju Jork. Ato janë mbartse të jetës që ka kaluar poeti përcjellin hovet e shpirtit, që vuan. Fjala vjen kur është emigrant në itali Itali, ai ndjen mungesën e lirisë dhe i thur një odë të vërtetë asaj që e kërkon e nuk e gjenë:
Si i çmenduni
Endem nëpër shtigjet e jetës:
E kërkund
Dalje nuk gjej.
S ii verb’ti dritën,
E kërkoj atë
Por as zanin s’ia ndiej.
Ndërsa në poezitë që krijon në Nju Jork, ka ndër ato që i kushtohen ”Diellit” me rastin e 60 vjetorit, ku ai egzaltohet nga gazeta më e vjetër e shqiptarëve, ndaj do të shkruante:
S’pati fuqi, që t’i ndaloi rrezet e tua
Dhe ku nuk mbërritën rrezet e tua?
A mbeti dritare pa trokitë rrezet e tua në mëngjeset tona të zymta?
Ndërsa në nëj poezi tjetër do të përjetoi fisnikun e intelektualëve shqiptar të mërgimit, Prof. nexhat Peshkëpia, për ët cilin do ët shkruante:
Kandilin ndeze
N’mërgimin e gjatë,
E me:”Nji zemër në mërgim”
Të çmueshme na le,
Ne e breznive tona
Një dhuratë.
E marrë në tërësi poezia e Hysen Mulosmanit është edhe si një testament i plotë, në të cilin janë hipotekuar dashuria për atdheun, dhe pengu për Kosovën, që ai nuk e pa dot të lirë.

Nuk ka komente: