e mërkurë, prill 02, 2008

ART-MJESHTËRIA E INTERPRETIMIT POETIK



(Me poezinë e Agron Tufës)

Nga Fatmir Terziu

Prej kohësh më pati tërhequr krijimtaria, mënyra e të shkruarit dhe në vecanti mënyra e prezantimit të poezisë nga Agron Tufa. Them mënyra e prezantimit, sepse sot poezia duket mjaft e ‘populluar’, ndërsa në kuptimin e paraqitjes së saj ajo pak është e dukshme. Është pak e dukshme në kuptimin e saj të vërtetë si poezi, pasi poezia është njohur dhe njihet më së shumti nga gjuha e saj. Agron Tufa është ndër të paktët poetë që e përgatit poezinë në tërë komponentët e saj dhe sjell atë për lexuesin të paraqitshme, e dhuron tek lexuesi si një shportë gjuhësore që bredh viteve dhe këndeve shqiptare për t’u ulur e bëshme në odën e poezisë shqiptare. Poezi e paraqitshme që në gjuhën e Nerudës lidhet me ndërtimin, temën dhe subjektin e poezisë. Në kuptimin bashkëkohor të poezisë kjo lidhet me ekspresionin poetik dhe me përdorimin e gjuhës së vecantë. Në poezinë e Tufës, të dyja këto elemente të rrëndësishme flasin qartë. Le të marrim për shembull poezinë e realizuar në Moskë në vitin 1997, ku këta elementë janë më të dukshëm:

“Shkopsitje. Orën e instiktit të errët rreh
Mesnata. Kapërthimi i hijeve hidhet në short -

Arsyeja. Është dehur dhe fare nuk sheh
Objektet. Trallisja e epshit kalëron pa mort

Tabute. S'ka fill as cak ora e zezë
Delta. Derdh shkumë të bardhë krahnezë

Ndjesia. Ndjek qorraz rrjedhën e nxehtë
Misteri. Rreh krahët me ngërçe si shpend

Shkopsitja. Shkopsitja. Dhe trupat e valë
Zjarrmia. I ndez vetvetiu

Trupat. Pamja cfilitëse, kjo kafshë e gjallë
Derdh. Kafshën që ngjizet në trajtë njeriu.”,

ose le të lexojmë me vëmendje poezinë e tij “TRIPTIK”:

“Si udhën e engjëllit, verë,
Të shoh e trembem...
(Jeronim De Rada)
I
Atë çka pret në beft, ç'ka piqet në hamendje
Truri s'e pranon, s'don t'ia shplojë konturin.
Truri si meduzë shtjellet në vetvete,
Prapton, kutullohet... mëshirojeni trurin!
Lëreni të shkrydhet, dremisë, ëndërrojë
Gjer kjo parandjenj' e mbrame ta shkat'rrojë -

Strukturën e tij mitike në veshtulli e mug!
Si Serafim avioni tash do ta shpjerë në jug,
Ku deti me kjarime qiejsh ultramarin
Si letër lakmusi palosur më dysh
Do lahet në diell, farfurijë-fildish...
Ku zgjyra kujtesash katile thëthijnë
Kujtesën e sprasme që zgjesh kamën prej milli
Të gdhendë ardhmërinë me profil nga qielli…” (vazhdon), është e natyrsmë të shonim një tërësi elementësh që shpjegohen te art-mjeshtëria e interpretimit poetik, e cila në teorinë e Aristotelit shpjegohet: “njeriu që zotëron art-mjeshtërinë e intrepretimit poetik” ka një komandë të ndjeshme mbi poezinë dhe dinstiktin e saj që përmbledh elementët e gjuhës sic janë në këtë poezi si një dukuri e saj deklaruese dhe kërkuese. Që në fillim të bie në sy pikëtakimi me vizionin e Aristotelit, në këto vargje:

“Prej se m'braktisën Atridët zemërgrymët,
Dërmishëm zvarras siujdhesës s' shkretë.
Plaga e malcueme ashtin e kërmeztë,
Kthy ma ka, hem hark e hem shigjetë -

Qi veten shtjen e vret. Tash ka dhet vjet, -
Unë pjellë vdektarësh bredh edhe s'e di,
A jam njaj Filoktet, a jam shajni
Qi shtiret n'Aid vetes vojtjesh tretë?

Po ky krahthatë qi mni e Shlligës poq,
Me hark, kukurë e zhgjet t'Herakul hyjnerit
(Kaq poshtë, medet, i flliqi tuj vra zogj!),

Me kët leshnik qelbash qi orlat tremb për diell
(Droh dordolec i bamë me tekë t' Hefestit) -
Jam unë, mos paça sy për me pa qiell!.”

Por autori shkon më tej. Ai gjen diferencën në këto vargje midis interpretimit dhe krijimit, duke sqaruar atë që vargjet e cituara shprehin në fakt, kur ‘objektet, banorët, bimësia’ janë marrë si karaktere metaforike dhe metafizika e ecjes është një padukshmëri e materies. Më tutje diferenca ndërmjet interpretimit dhe krijimit është një arsye tjetër e pamjes së parë. Metafora si një mekanizëm gjuhësor është përdorur nga Tufa për të aritur kuptimin, madje me një shtysë të fuqishme për të shtuar kuptimin e saj. Po të kemi parasysh, diskutimin e Ëordsëorthit për marrëdhëniet e poetit me materialin e poezisë, natyrshëm kuptojmë edhe njohurinë e thellë që zotëron autori i saj, që në këtë rast është Tufa një autor i kompletuar më së miri. Brenda këtyre paraqitjeve paraprake natyrshëm duket edhe përkimi me Nicen, me diskursin e tij që e karakterizon poezinë si një art të krijuar nga njeriu me njohuri dhe me kulturë, homonimisht pikasim edhe format poetike të Rimbadit, Steinit e Burnsit. Mes këtyre formave është edhe struktura e vargjeve të mëposhtme, që jo vetëm si vazhdim i poezisë, por edhe si një shkëputje e tyre mund të lezohen ndjeshëm, duke siguruar elementin e paraqitjes poetike, brenda një larmie figuracioni që duket qartë tek “SHILARËS:

“Fryma ime e re rend si shtjellë nëpër male.
Fryma ime e vjetër përpëlitet në fushë.
Ah, si po shndrijnë këto shandane!
Si pezull m'u poq ky peng në gushë!

Fryma ime e re turbullohet ndër male.
Në fushë e ndrron Frymën e vjetër vërtik.
Dridhen fantazie harta seksuale,
Një shilarës i trishtë ç'po më kolovit -

Nga fushat e plogështa -
Te malet me re,
Herë në polin ndoshta,
Herë në polin pse.”


Vazhdon… me shume lexo tek revista LETRARE ONLINE "FJALA E LIRE" vetem kliko

Nuk ka komente: