Nga Fatmir Terziu
Aty Prilli është ‘huamarrës’. Një huamarrës që shfrytëzon të bardhën e Janarit, ngjyrën e borës, dhe në këtë huamarrje hyn si një organikë e tërë dhe komplelse të ristrukturojë jetëlidhjen në itinerarin e Admetit mes zyrave, drejtorive, shefave të kuadrit, natyrës, njërëzve, opinioneve, fateve, të shkruarave dhe të thënave gojore, që ikin e vijnë me borën si shkas i mashtrimit të muajve. Një shkak gënjeshtrash që ngjizen tek Prilli, por edhe tek Gushti ‘i vapët’ që mbetet më gënjeshtar se Prilli. Është një Admet, është një endje dhe një dualitet. Një dualitet që hapet e mbyllet nën sigla stigmatike. Stigma që prodhojnë njëjësin dhe alarmojnë shumësin. Një shumës që mund të jetë fati i qindra Admetëve, një simbolikë të cilën, ‘hapja e burimit’ prozatorik e stimulon dhe e shtron si një material letrar prurës dhe lehtësues në lexim. Është ky lexim që bën romanin “Kukullat e Pyllit” të kuadratojë karakteret në mënyrë që të shihen në hapësirën, vendin dhe këndin e tyre të merituar. Është pena e shkrimtarit, Hyqmet Meçaj, që fokuson dhe shtrëngon lentet zmadhuese të së imtës për të ndërtuar një vizion të prekshëm, jetik, origjinal e të pranueshëm për një kohë të gjatë. Koha si faktor është një detaj që shihet më qartë në këtë fokus, ndërsa elementi shtjellues i karakterit shihet si një udhërrëfim pështjellës, në shërbim të elementeve shtjellues. Asgjë në këtë shërbim shtjellues nuk është rutinë. Asgjë nuk është e ftohët, që ngec, por e gjitha shpërngulet enkas. Një shpërngulje që del nga metafizika e lëvizjes, dhe shpërthen kornizat klishe të ploteve e miniploteve standarte. Një fillim, një mes dhe një fund që lëviz. Një lëvizje që gjen lidhje e vazhdimësi. Një lidhje e një vazhdimësi në tërë figurën e karaktereve, në tërë logjikën që prodhon të veçantën. Një e veçantë që fuqizohet tek shprehja. Shprehja që gjen fuqinë e fjalës: “Sepse iu tek një prilli të shastisur të rrëmbente pak borë hua nga janari e ta shtronte nëpër rrugët e qytetit? Ai i pa kur të gjithë u bënë fëmijë të vërtetë, pleqtë e plakat qëlloheshin me topthat e bardhë, të rinjtë rrokeshin, të gjithë kryenin veprime si njerëz të shndërruar në diçka tjetër. Kurse ata të dy, ndryshe nga qyteti, atë ditë pushuan së qëni fëmijë, kryen disa veprime si të rritur, u puthën, jo si më parë në faqe, por në buzë, u shtërnguan fort, pastaj diku u fshehën e nuk donin më të ndaheshin. Por ja që bora shkriu shpejt e bashkë me të iku edhe marrëzia. Ata shikonin se si binte flokë-flokë, si flakët e një zjarri të bardhë, ndërsa Admetin e tundonte një varg “na dogje o prill gënjeshtar”! Kurse tani po e digjte vapa e gushtit, që na qenka më gënjeshtar se prilli.”
SHPËRFILLJA E REZISTENCËS
Në këtë fuqi fjalësh nënkuptohet dhe lind ‘Fuqia’ reale. Fuqia që në teorinë Foucalt, kalon imagjinatën e Panopticon dhe rikthehet në konceptin e Frojdit të vitit 1914 për aparatin psikik, që ishte bazuar tek topografia, që gjthashtu këtu në fjalën e Meçajt përlllogarit një hesap trajtimi indiferent, nga dritëhije hierarkish që mobilizohen nga faktorë rrethformues e nga diktime spontane nën siglën e fuqisë, që rrugën t’a shpie në zyrat e kuadrit. Meçaj gjen dhe mobilizon shpërfilljen si metodë e rezistencës, për një arsye artistike që piqet nga brumi i metaforës dhe sjell fabulën si një e tërë në shërbim të dallesës së fenomeve, si atë negativ, që zbulohet tek emërimi absurd në fshatin e panjohur, po aq tek të qënit shkrimtar dhe i papërfilluar nga hallkat e fuqisë. Koncepti i Frojdit, shtron analizën e Judith Buttler, që në teorinë e saj gjen sekulirzmin, të cilin “Kukullat e pyllit” e kanë në dritëhijen e kohës së tyre, dhe madje pikëtakon Jacque Derridën në elementin e zbrazëtisë, si një detaj kapërcyes dhe plotësues i metaforës. Zbrazëtia e Derridës rikthen mjeshtrinë e kapur nën penën e Meçajt, që na sjell një dialog të kuptueshëm e një sfidë letrare për “Kukullat e Pyllit”:
“Kur hyri në rrugicën e tij, Ladina i doli përpara e skuqur disi nga pritja e lajmit.
-E, ku ? – e pyeti me një frymë.
-Kajat ia thonë emrin, - tha ai dhe ndjeu se brënda tij kërciti diçka e thatë, si gërvima një dere që po mbyllej.
Ladina e vëzhgoi me dyshim.
-S’ka shkollë të mesme me emrin Kajat,-qeshi pak ajo, sikur donte të thoshte “mos u tall me mua”.
-Është fshat i largët,-tha ai dhe ndjeu të bëhej më e thatë kërcitja e derës që po mbyllej brenda tij.
Ladinës i shpëtoi një lot i vogël, si shkrirja e një pikëze dëbore, fshehur aty në cep të syrit që nga ai prill i largët gënjeshtar. E fshiu atë me rrëmbim, si të donte të dëbonte një kujtim të besdisshëm.
-Po ti je shkrimtar,- tha ajo.- Në qytetin tonë ti je i vetmi shkrimtar me emër. Ty të recitohen vjershat në radio.
Tani i erdhi radha Admetit të vinte buzën në gaz.
-As mua nuk më vjen mirë,- tha ai.
-Do shkosh?
-Pa tjetër.
-Para se të nisesh duhet të më takosh. Do të të them diçka që duhet ta bësh patjetër.
-Ma thuaj tani.
Ladina u largua. Ndjeu rrënqethje nga ajo lloj ikje nervoze, e papërmbajtur, pa kthim koke. “Jeta”, tha ai për herë të dytë atë ditë fundgushti, “sa shumë çudira brenda pak orëve. Mos vallë jemi të pafuqishëm para saj”?
Ishte e para herë që i dukej sikur nuk shkelte mbi asfalt, por mbi një shtresë të zezë e të dendur pikëpyetjesh.”
PREZANTIMI I RRETHANAVE ARTISTIKE
Në këtë mobilizim të të gjitha fenomeneve rrethues të karakterit dhe fatit të tij nuk është në fakt vetëm dialogu. Krahas tij si një mjet që siguron zgjatjen e mendimit dhe qartësimin e problemit, po aq edhe prezantimin e rrethanave kritike, është edhe ‘pika e problemit’ që në gjuhën e Elliot është element përshkrimi dhe largimi të komplikimeve që ndërvaren në fatin e karakterit në këtë aparat psikik të shkaktuar sipas Frojdit nga topografia e dytë. Karakteri në fakt nën trysninë e penës së Meçajt duket sfidues, i qetë, por edhe i shtrënguar në një realitet, që sigurohet në gojën dhe në ndërgjegjen e tij, ‘për të mos e nisur punën me trokitje zyrash’. Kjo trokitje është produkt më vete. Është një produkt real i frikës. Një frikë që ka ndrydhur ndërgjegjen njërëzore, një frikë që ka ulur shërbëtorët e saj në zyra dhe të heshturit i dërgon në kënde të panjohura edhe pse vlerat janë krejt ndryshe. Parë edhe në këndvështrime majtiste, nga teoria e Marksit apo edhe nga ndikimi i Ranciere një realitet i tillë ligjëron dështimin e një strukture fizike të cilën pena e Meçajt e kuadraton mirë dhe qartë. Krehja që Meçaj i bën skenave dhe miniskenave lejon që kraftëzimi i fjalëve të zbresë burimor dhe jo problematik, siç ndodh në fakt ku shumë shkrimtarë sjedhin elementë ngjyrues si detaje për të forcuar skenën, kur në fakt ata prodhojnë probleme.
FJALIA SI PËRKUJDESJE DHE GJUHA E TJETRIT
Meçaj s’e mbingarkon fjalinë. Për të në fakt fjalia është një përkujdesje. Një përkujdesje që duket në tërë romanin e tij. Meçaj prezanton këtë përkujdesje tek çdo lloj fjalie. Edhe kur pyet, edhe kur tregon, edhe kur dialogon, edhe kur detajon, madje edhe kur fjalia vjen si momentale, struktura sintaksore e Meçajt ka një linjë. Kjo linjë e bën romanin të jetë në një pozicion të shëndoshë. Kjo linjë zbulon faktin që ndrydh fatet. Fate që u shkruan në hierarkinë e fuqisë dhe shkatërruan përditësinë e njërëzve, jetën e tyre, të ardhmen e tyre. Kështu në fakt shkroi në vitin 1956, John Osborne tek romani tij “Shiko prapa i mërzitur”, kur pasqyroi të riun e mërzitur nga krasitja e fatit të tij nën simptomën e ‘klasës dhe edukimit’, ku i vetmi ndryshim është se romani i Osborne u harrua për një kohë nga kritika, ndërsa romani i Meçajt është gjendur në mesin e kritikës si një ushqim i mirë për të. Një ushqim të cilin e kanë përdorur për të shprehur tërë vlerat e shkrimtarit Hyqmet Meçaj në fakt. Vlera të shprehura nga Dr Ardian Kyçyku, Mustafe Xhemali, Mihallaq Qilleri, Ridvan Dibra, Robert Goro, Marash Mëhilli etj. Stefan Martiko për romanin “Kukullat e Pyllit” shprehet më gjërë: “Romani “Kukullat e pyllit” kumton këto e të tjera, që në të vërtetë nuk janë histori, por esencë, ajo ç’ka mbetur në përpjekjet e gjata të njeriut nëpër mijëravjeçarë. Çdonjeri është produkt i një tjetri të mëparshëm që ka ekzistuar te vetja, thërrmia genesh të transmetuara në gjak, një lumë i madh që përshkon tejpërtej jetën njerëzore. Ne vetëm sa e cekim atë për ta shpjeguar në një shfaqje tepër të vogël të saj. Njerëzit e Kajatit nuk janë pyjorë për shkak të pyjeve, por janë fatet e tyre që pleksen keqas e pazgjidhshmërisht me të njeri-tjetrit. Kajati është një blanjë në hartën e botës, që mund ta vendosësh ku të duash. Në të vërtetë ç’ndodh aty nuk ka kohë, është më e përjetshme se koha. Shahua ose Baxhua, që përherë e përjashtojnë njeri-tjetrin, thërrasin mësuesin e ri si ndërmjetës, jo për t’i pajtuar, po për të zbuluar greminën midis tyre”.
Ndërsa Vasil Vasili e quan ‘për arsye shtëtërore’. Dhe më tej në një shtojcë për këtë shkrim ai shton: “Në fillim të viteve ’70-të lexova tri libra të ndaluara: “Gomari i Babatasit” të Gj. Fishtës, “Letër Kordilianos” të një dinjitari të lartë katolik të pushkatuar pas çlirimit dhe librin e tretë..., s’e mbaj mend titullin dhe autorin, megjithse qe libri më tronditës që kisha lexuar për racën shqiptare deri atëherë, ishte botim i fillimshekullit XX. Shkenca gjermane festonte përvjetorin e një moshe të shtyrë të antropologut më në zë të saj. Pyetjes kush është raca më inteligjente e Europës ai nguroi t’i përgjigjej menjëherë. Ishte shekulli XIX i nacionalizmave dhe raca më inteligjente për oboret gjermane ishte raca e tyre teutone. Profesori e kishte filluar karierën shkencore në ish-perandorinë turke. Në Stamboll, konsulli i vendit të tij, mik i babajt, i bëri të papriturën e parë tronditëse. I vuri në pjatancë një pako dhe i tha antropologut të ri:- merre. Ai e çmbështolli dhe mbeti i befasuar. Ishte një kafkë njeriu. Nuk fliste se ishte nën mbresat e forta të mrekullisë që kishte përpara. “Ç’kafkë e përsosur, ç’përmasa mahnitëse, ç’mundësi inteligjence ka mbartur”! As në një ilustrim shkencor s’kish parë një kafkë të tillë, këto përsiatte. Më në fund doli nga zona e mahnitjes dhe bëri pyetjen joprofesionale: “Nga ç’popull vjen kjo kafkë”? Miku i babajt i tha se ta solla që të ma zbulosh pikërisht ti këtë popull. Antropologu i ri qe dorëzuar se kish përmendur gati gjithë popujt e perandorisë: grekë, sllavë, arabë etj, por s’mundi të thotë asgjë të përpiktë. Atëherë të vërtetën ia zbuloi konsulli. “Është kafka e një ushtari shqiptar”. Ishte koha kur Shqipëria quhej “shprehje gjeografike”. Pyeti ku banonte ky popull, sa banorë kishte, ç’gjuhë fliste. Pastaj bëri ca matje profesionale dhe në fund tha: “Sa keq! Ç’fatkeqësi! Ç’humbje! Një gjeni lind në një milion, edhe një të vetëm që ka patur brezi i këtij... s’e ka ditur... e ka lënë të vritet për Perandorinë. Që atëherë antropologu e zgjoi kërshërinë për këtë racë. Dhe dy herë të tjera konsulli i kishte vënë në pjatancë kafka shqiptarësh. Dhe antropologu tha: “Ç’është ky popull që i ka të gjithë pjestarët e vet gjeni të mundshëm”? Natyrisht në kushte ekonomiko-shoqërore të begata.”
Myslym Maska e sheh tematikën e romanit tek “Kriza e kohës dhe kriza e personalitetit” ku shprehet “Mendoj se me këtë roman, shkrimtari Hiqmet Meçaj, edhe nëqoftëse nuk i hapin udhë, (siç ndodh zakonisht), hyn denjësisht në radhën e parë të prozës moderniste shqipe. Është detyrë e kritikës dhe studiuesve të letërsisë të zbërthejnë e të nxjerrin në dritë vlerat e plota dhe dobësitë, (nëqoftëse ka), të këtij romani (Gazeta e Athinës, 2002).
Për Ardian Kyçykun romani është “Me një stil të thjeshtë e rrjedhimisht të thellë, “Kukullat e pyllit” ofrojnë një krejt tjetër histori të botës shqiptare (në kuptimin: të patrajtuar më parë nga letërsia), por edhe të qënies njerëzore në përgjithësi e që gjendet në një krizë të rëndë identiteti”. Dhe më tej për Arian Lekën “Nuk di si ia ka dalë ai të shkruajë një roman të këtillë, kaq të ngjeshur, të dendur si metalet e rëndë, por që lundron, të merrë me vete? si ka mundur të jetë aq klasik (në ndërhyrjet autoriale dhe fillimkapitujt) e njëherësh aq modern? si ka mundur ta fusë në një shishe të vetme gjithë atë shejtanëri dhe shenjtëri njerëzore që kemi kaluar në ato vite dhe si i ka magjepsur ato personazhe që ti i dashur andi, që edhe pikturon, mund ta kuptosh se si mund të bëhet portreti vetëm me dy penelata. Ai ka krijuar humbëtirën dhe qendrën në të njëjtën pikë, një farë Alephi, qendra e botës në një pikë të vetme dhe ka rrëfyer historinë pa metuar të jetë as moralizues dhe as mësues i kombit, thjesht syri i brendshëm. Shpesh mendoja se shumë nga ato thëngjinj për të cilët flet i janë shuar në lëkurë. Por mbi të tjerat më ka pëlqyer loja që ai ka bërë me kohën, grimcimin e saj, por pa e prishur, ecejaket nëpër kohë, me të shkuara, me të tashme e me paralajmërim të ardhmeje e sidomos me asgjësim të gjithçkaje pas mohimit të Shahos për gjithë sa kanë ndodhur dhe shndërrimit jo të jetës në art, po të artit (pretendimit për një veper gjoja të dështuar, në rrekjet për një roman). Nuk kam lexuar vepër tjetër që kaq shumë llahtarira, makthe e mbrapshti të jepen në aq pak faqe, me të përziera tragjike e komike, me shejtanë pleq Baxhoja e dreqër, i biri thikaxhi dhe djallusha të vogla që e dijnë zanatin pa lerë si mbesa gjoksbukura kërcënuese e rronxhobonxhos Baxho që është një duet donkishotesk bashkë me kokëposhtjen e tij, kushëririn Shaho që ka parë me sy hapur ëndrrën e vet. barku i së keqes. Ai na ka thënë ashtu siç Actekët e dikurshëm që i zhduku Kortesi, se jeta është e keqe dhe kështu duhet të jetë, ëndrra është e mirë. jeta është e shëmtuar ndaj edhe duhet zbukuruar me inxhi të tilla si romani i Kukullave të Pyllit...”
Nuk ka komente:
Posto një koment