e diel, mars 30, 2008

LIRIA dhe DEMOKRACIA



Nga Robert Martiko


Filozofët e mëdhenj anglezë Xheremi Bentam e Xhon Stjuart Mill treguan një interes tepër të madh, filozofik, për problemet e shoqërisë njerëzore qysh në shekulljt e XVIII e XIX. Parimi i lumturisë së njerëzve çoi në mënyrë të pashmangshme të gjithë utilitaristët në analizën, se si duhet të lidhet individi me qeveritë. Bentami tregohej mjaft i vendosur në besimin e tij se demokracia përbënte kurën më të mirë për të këqiat shoqërore, përderisa në të interesat e sundimtarëve dhe të të sunduarve janë të njejta. Të paktën teorikisht, sundimtarët janë vetë të sunduarit.
Por, Milli nuk kishte të njëjtin besim për demokracinë. Ndënëse binte dakord se demokracia është forma më e mirë e qeverisjes, ai shkroi, në esenë e tij “Për Lirinë”, rreth disa rreziqeve që pashmangërisht trashëgohen nga forma demokratike e qeverisjes. Paralajmëronte se vullneti i popullit: si vullnet i shumicës bën plotësisht të mundur që shumica të shtypë pakicën.
Përveç kësaj, në demokraci ekziston tirania e opinioneve. Diçka po aq e rrezikëshme sa dhe shtypja. Edhe në demokraci, është e nevojshme të vendosen roje kundra forcave që duan t'ju mohojne njerëzve lirinë e tyre dhe vetëzhvillimin e plotë. Me pak fjalë, Milli duke përkrahur dëshirën e Bentamit për reforma, paraqitej veçanërisht i interesuar që të ruante lirinë duke vendosur kufizime të domosdoshme në veprimet e qeverisë.
Një nga parimet më kryesore të Millit është që fuqia e ushtruar tek shtetasit, të bëjë të mundur parandalimin e dëmit që mund të shkaktohet prej një individi të veçantë ndaj të tjerëve. Sigurisht, këtu gjejnë fushëveprim ligjet. Por asnjë qeveri nuk duhet të ndërhyjë mbi subjektet e veta kur:
1- Veprimet mund të kryhen më mirë prej personave privatë.
2- Megjithëse qeveria mund ti kryejë më mirë veprimet se sa individët privatë, është e dëshërueshme që individët ta bëjnë atë për zhvillimin e tyre.
3- Ka rrezik të ushtrohet fuqi tepër e panevojëshme nga qeveria.

Por MAGJIA e vërtetë e MILLIT qëndron pikërisht këtu: Të lejohet çdo individ të ndjekë lumturinë sipas mënyrës së tij. Në fushën e ideve sejcili të shprehë mendimin e besimin e tij ngaqë e vërteta zbulohet më shpejt në dëm të falsitetit. Përveç kësaj, vetëm në liri zbulohen dhe zhvillohen mundësitë e plota të natyrës njerëzore.
Në vijim Milli u nda përfundimisht prej utilitarizmit të Bentamit.

Duke transferuar problematizimin e filozofit të mësipërm në shek. e XXI, mua veçanërisht sot më preokupon pyetja:
‘’Ç’farë do të ndodhë me ATA që nuk vlerësojnë VLERAT E LARTA?... Arësimi i detyrueshëm të cilin e pranonte edhe Milli si dorë të fuqishme të shtetit nuk mjafton.
Të mos na gënjejë mendja: pikërisht këtu qëndron gjithë çelsi i problemit kur bëhet fjalë rreth cilësive apo shkallëve të Demokracisë apo Lirisë së individit nëpër vende të ndryshme të botës.
Mbi të gjitha është problem kulture, edukate, civilizimi.

1 koment:

Anonim tha...
Komenti u hoq nga administratori i blogut.