e shtunë, mars 22, 2008

RETORIKA E KOHES POETIKE

Dhe ndërsa poetët më shumë kanë ‘Pranverën’ shoqe, atëherë prurja juaj është dialektike. Le të mbesin poetet, krijuesit të mënçur e të thjeshtë, ashtu si nusërimi i pranverës larg kamerave të mbajtura në krah e nën krah të dumdumave të ‘gjithgjendshëm’ të historisë. Koha pranverore është gjetja më e mirë e poezisë, është jetëfrymëzimi i saj. Flora Nikolla, kishte gjetur ca minuta pranvere, mes poetit Xhevahir Spahiu, në Tiranë që të sillte domethënien e madhe, ku spikat realiteti poetik. Dikush tjetër gjeti pikëtakimin e vet dhe tha pak fjalë ‘vlerësim-interesi’ për shoqërinë jashtë poezisë dhe ‘ngriti’ lart aq shumë dikë sa që nuk duhej knockout për t’a mbytur krijimin e poetit. Na ngordhën mizanskenat, na ngordhën… “Më thuaj shoqërinë tënde, të të them se çfarë je..” thotë i Madhi Miguel de Servantes “Don Kishoti” (Don Quixote), duke përligjur këto krijime.

A KA MË KOHË POEZIA TË MBETET VETËM TEK BURIMI?

Flora NIKOLLA

"Tani që jam gjallë, vjen poezia tek unë, nesër kur s'do të jem, do të shkoj unë tek poezia ime". Janë fjalët e poetit të mirënjohur shqiptar, Xhevahir Spahiu, njeriu që jeton me poezinë, që e përjeton kur flet me miq dhe shokë, apo edhe me njerëz të rastësishëm. Me një erudicion të jashtëzakonshëm, Spahiu nuk mund të pranojë kurrsesi që poezia ndodhet në udhëkryq në Shqipëri. "Poezia ka filluar të lexohet sidomos dy vitet e fundit", thotë ai. Barometër për pohimin e tij nuk është veneracioni që ai ka për vargun, përkundrazi, janë takimet që ai zhvillon me njerëz të artit dhe kulturës, me njerëz të zakonshëm, por në mënyrë të herëpashershme edhe me të rinj të shkollave të Tiranës, apo të qyteteve të Shqipërisë.
"Më thërrasin t'iu flas për poezinë", thotë me ngazëllim. Kuptoj se e njohin dhe e lexojnë kur më duhet t'u përgjigjem pyetjeve, që nuk janë fare të thjeshta", thotë ai.
Për njeriun që është gjithnjë në lëvizje dhe që ka si mesazh të fjalës së tij sentencën e vargut të tij, duket se poezia është sa shkencë, sa estetikë, sa teori, por mbi të gjitha është përjetësi e qenies, një koshiencë më e thellë se inteligjenca, një besnikëri më puritane se ajo që mund të kontrollohet.
Sepse në fund të fundit, poezia është më shumë se një gjuhë e përcaktuar, është më shumë se estetika, poezia është një këngë që dhemb kur do t'i iki shpirtit…(!) Atë që mban një poezi brenda saj, është vetë realiteti i kuptuar dhe i dhënë në formën më të pastër dhe më të sinqertë.
Pohimi i Spahiut, autor i një sërë vëllimesh të spikatura në poezi brenda dhe jashtë Shqipërisë, fitues i një sërë çmimesh kombëtare dhe ndërkombëtare, vjen kur si fakt mbizotërues në vitet e fundit u vu re një tkurrje në leximin e poezisë. Krahas penave të shquara të kësaj gjinie të letërsisë, buluan mijëra vargje të shkruara nga njerëz që donin "të nxirrnin këngë nga shpirti i tyre". Kështu e shkruara e poezisë vërshoi në mënyrë gati të çuditshme, sa të jepte përshtypjen se poezinë mund ta shkruante dhe ta lexonte kushdo. Atëherw madje u cilësua si risi, botimi i poezive në të gjitha llojet e vargjeve, si vargu i lirë, i rimuar, i alternuar, e gjitha kjo një ndërthurje e papërcaktuar dhe e paevidentuar me ndonjë rrymë letrare botërore. Ndaj shumëkush nga kjo arsye e paragjykoi poezinë, madje dhe shumë poetë, pohuan se, "poezia në Shqipëri nuk po arrin të komunikojë me lexuesin".
"Numri i botimeve në këtë gjini është i konsiderueshëm, por identifikimi i vlerave të saj duket i vakët", pohon poeti i njohur Dritëro Agolli. I spikatur në Shqipëri, por edhe në botë për vargun e tij sa popullor, sintetizues aq dhe filozofik, Agolli cilëson se, "pjesa më e madhe e poezisë shqipe është vetëm produkt i poetëve të mirëfilltë". Pak skeptik për poezinë, ndoshta edhe për sqimën që ka ndaj saj, ai thotë se, "ndonjëherë më duket se poetët janë lexuesit e vetëm të saj". "Poezia buron nga poetët dhe mbetet tek ata", sintetizon Agolli.
Një librashitëse, e cila ka punuar edhe para viteve '90, thotë se, "dikur poezia preferohej nga të gjitha moshat, ndërsa tani janë të paktë lexuesit që interesohen për librat poetikë".
Ka ardhur momenti që poezia shqipe, e cila tek poetët tanë të mirëfilltë karakterizohet nga mendimi ritmik, emocionues dhe figurativ kur ajo në botë nisi të shkruhej nga Homeri, të ketë në bazë selektimin. Nuk duhet të ketë vend më për kaq paragjykime për të, siç u vu re në 15 vitet e fundit. Se, në fund të fundit të gjithë ndihen mirë në këtë vendth parajsë, por vetëm kur këtë vend parajsë ua japin pena si të Spahiut, Agollit apo edhe më të rinjtë, që gjithsesi duhen selektuar dhe çmuar veçanërisht nga shtëpitë botuese aq të panumërta.
Vetëm paskësaj do të ketë ngazëllim, nga binomi poetë- lexues, atë ngazëllim optimist dhe me zemër që e pashë tek Xhevahir Spahiu në një orë dreke të vonuar, pas një takimi të tij me nxënës të një shkolle të mesme në kryeqytet.
Sepse me poezinë e vërtetë, njeriu jeton edhe kur ka trishtim, por edhe gëzim në shpirt. Në të gjen një qoshezë të ngrohtë për veten... por kësaj here në vargje simfoni.

Nuk ka komente: