e diel, mars 23, 2008

NJË UDHËTIM MES ‘DRURËSH’ DHE FJALËSH



(Me krijimtarinë e poetit Nexhat Peshkëpia; 1908-1970)

Nga Fatmir Terziu


Duke ecur rrugëve të Londrës, kam parë pemë që ngjajnë me pemët tona, me drurët e fëmijërisë dhe rinisë simë. Kam parë rrapa, gështenja, arra dhe ah: dhe poezia ndoshta mund të risjellë këtë ecje mes pemëve, që të emërtojë ata. Kjo poemë ndoshta mund të na tregojë rreth gështenjave të drunjta, që qëndrojnë rreth shtëpive në një natyrë ndryshe, në një natyrë ku makinat krihen e krihen si modëprurëse, ku kënaqësia e shikimit dhe shoqërimit të tyre është shumë afër në vargëzim me “Selvijen” e Peshkëpisë, por shumë larg në kohë e vend. Çuditërisht, edhe “Selvija” ka diçka të hershme dhe të ngjashme me këtë natyrë. “Selvija” e poetit Nexhat Peshkëpia, edhe pse nuk është ajo që do të rrjeshtohej fizikisht mes pemëve që syri im ka rrokur, ajo natyrshëm vjen e sigluar si e tillë. Vjen me pesëmbëdhjetë vargjet e saj. Vjen me gjashtëdhjetë fjalët e saj. Vjen me dhjetë mbiemrat e përzgjedhur. Vjen me firmën e poetit Peshkëpia, që la në një itinerar kohe prej rreth pesëmbëdhjetëvjetësh mendimin e tij letrar tek “Shqiptari i lirë”. Dhe pikërisht është kjo ‘… selvi që dikur e hajthme,/ si shembëll shtati merrej/ e vajzave të lezme të vendit tonë” , selvija që udhëton imagjinatën e kohërave, për të rishkruar ekuivalencën e hapësirës dhe ndryshesës simbolike. Në poezinë e Peshkëpisë ajo që rishkruan këtë është retorika që konfiguron fabulën ‘pse kjo selvi…’ dhe stimulohet tek ‘sot e zhveshur nga vetitë krenare…”. Dhe poezia nis e tregon për dritëhijet njërëzore. Dritëhije që struken mes analogjisë së jetës. Një analogji që buron mbi fakte. Fakte që sillen reale dhe kuptimplote. Shekspiri e bëri këtë, Donne e ka realizuar, Hopkins, Yeats, Dylan Thomas, Cummings, James Merill e kanë krijuar një poezi të tillë, ku mbiemrat flasin më shumë se sa përdorimi i tyre normal.
Mbiemrat e shumtë që sigurojnë lidhjet në vargje ‘dru i lartë dhe i drejtë,/i mermë, gjithmonë i blertë’ nuk janë në fakt vetëm plotësues të kuptimit real. Ata janë një rivalitet i figuratives me realen, një analizë më vete, një filozofi më vete. E gjitha lidhet me njohurinë e autorit. I lindur në vitin 1908 në Vlorë, në një familje me tradita patriotike me origjinë nga Gjirokastra, dhe me arsimim të kryer në qytetin e lidjes, natyrshëm që ndikimi i popullores ka bërë të vetën. Më tej njohuria e autorit duket e përforcuar me studimet e kryera në Leçe të Italisë dhe në Belgjikë. Më tutje puna e tij si mësues në Shkollën Teknike të Tiranës e sqaron më shumë njohurinë e autorit që sjell këtë vjershë të argumentuar e tepër të realizuar.
Në vargjet e tij kjo njohuri vjen si një filozofi më vete, vjen si një proces kodues i mbështetur fuqimisht tek dituria: “vetëm tri fatitë e dinë/që s’janë rreshjet, rungallat, stuhitë’. Në fakt ky nuk është thjesht një devocion njohurish që ka si shtysë rrëfenjën poetike, ku zbulimi i popullores ndihmon ndriçimin e situatës prezantuese, ai është një shpërngulje shpirtërore e poetit në imagjinatën simbolike të shëmbëllimit me njërëzoren, ku bukuria femërore gjen shkas të matet me natyralen, drurin e selvisë. Dhe në këtë udhëtim të autorit duket fuqishëm kriza natyrore, zbulimi i logjikshëm që sjell kuptimin e huajsisë “është e huaj limfa,/është i huaj dheu!”. Në këtë derivat tepër domethënës vargu fle i qetë, dhe poezia shënon forcë. Krijon veçorinë e saj. Në këtë veçori, Peshkëpia natyrshëm mund të quhet një simbolikë shqiptare e viteve gjashtëdhjetë, një arritje në poezinë shqiptare të asaj kohe, që për fatin e keq pati fatin e vet autorit që mërgoi nga vendlindja e tij për të mos e parë më.
Tani që poezia dhe krijimtaria e tij po marrin vlerat e kritikës, itinerari i mërgimit të autorit, fillimisht në Itali dhe Francë dhe në vitin 1953 në SHBA, nuk mendoj se është një dialektikë fati njërëzor, por një siguracion këmbëngulës i një intelektuali, që synoi dhe kushtoi intelektin për të lënë nja pasuri të vyer për brezat, për dashamirësit e kulturës shqiptare dhe më gjërë. Themi më gjërë, pasi vlerat e krijimtarisë së tij janë vlera të një hapësire më tepër se shqiptare. Në vjershën “Kundër logjikës’ shkëputja e vargjeve ‘njeriu i urtë vështron pas; pa ecur arrin’, nga Lao-Tse, mistik kinez i shekullit VI përpara Krishtit, duket se e plotëson këtë pikasje. Më tutje edhe tematika e poezisë “Fluturimi” dhe citimi në pikënisje i De Saint-Exupery: Le Petit Prince (Princi i Vogël), karakterizon fuqinë dhe njohurinë pa kufi të autorit. Ndërsa përmbledhja “Zemër në mërgim” që autori e quajti “hartime letrare” simpatizon idenë tonë, “Pa titull” një shkëputje nga libri i botuar pas vdekjes së poetit tejçon poezinë e tij në rrugë normative të një letërsie me vlera.

Nuk ka komente: