e enjte, mars 06, 2008

NAUM PRIFTI NJË KRENARI KOMBËTARE E TREGIMIT SHQIPTAR


Nga Fatmir Terziu


Naum Prifti doli në këtë fillimmarsi para lexuesve të tij me ‘Nusja e Bukur - Sherr i Kreshnikëve’. Doli jo si gjithmonë kur nxjerr frutet pena e tij, por në të gdhirë të së enjtes së 6 marsit 2008, një ditë që paraprin ditën kur të gjithë do ti urojnë mësuesit të vyer të letrave shqipe njëzëri “Gëzuar Profesor, Ditën e Mësuesit!” Ai e parapriu përgjigjen e tij rrufe për ne lexuesit që e mirëpresim prej kohësh veprën e tij, e parapriu me një ‘nuse të bukur’, por që në një truk të njohur të penës së tij mjeshtërore gatuan edhe ‘sherrin’ e largët të Kreshnikëve…


Këtu nis zanafilla e tregimit humoristik. Pra ky është fillimi i tregimit më të ri të shkrimtarit Naum Prifti:
“Të dielën e parë të gushtit kreshnikët e Jutbinës tuboheshin në bjeshkë të kalonin disa orë së bashku nën hijen e pemëve, duke ngrënë e duke pirë e duke kujtuar bëmat e hershme.
Në fillim festa vazhdonte vetëm një ditë, mirëpo më vonë për shkak se ngjarjet dhe veprat heroike që rrëfeheshin pasuroheshin e zbukuroheshin me detaje të reja, u desh të zgjatej edhe koha e piknikut. Pastaj u vu re se disa kreshnikë filluan të rrëfenin trimëritë e të tjerëve si të tyret, sa shpesh protagonistët e vërtetë befasoheshin nga ngjashmëritë dhe pyesnin veten si ishte e mundur t’u kishte ndodhur edhe të tjerëve e njëjta gjë? Mos hollësitë u kishin shkarë nga kujtesa?”

Jo më kot e vecova këtë hyrje, jo më kot e nisa me të. E vecantë? E përkryer? Model apo…? Cfarëdo të thuhet për një hyrje të tillë është në fakt sinonimi i pretencës që nënshkruhet nga një ligjësi tashmë të fiksuar si një dhunti e autorit, dhe jo më si një standart apo hyrje ‘standarte’. Hyrja e një tregimi, sidomos kur ai trazon një hapësirë kohore të gjatë, kur ai, pra tregimi tërhiqet në pragun histori-memorje, korespondon me një situatë tek e cila mund të shquhet në disa drejtime. Në këtë rast situata e krijuar nga Prifti që në hapjen e tregimit të tij, na përcjell me filozofinë e detajuar mjeshtërisht nëpër grimcat molekulare të fjalës që parasjell humorin në tërë sensin tonë imperativ, të ndjeshëm njërëzor. Situata hyrëse vjen e përshkallëzuar metrikisht ‘në një të dielë të parë të gushtit’; dhe pastaj ‘me disa orë … nën hijen e pemëve’. Më tutje rikthehet në shpjegimin e mëtejshëm situatë-kohë: “në fillim festa vazhdonte vetëm një ditë”, duke krijuar një hapësirë në tempin histori-memorje dhe duke krijuar një apriori metaforike zgjatëse që të ndërlidhë në mënyrë transparente vazhdimësinë me “u desh të zgjatej edhe koha e piknikut”. E gjithë situata foljore pastaj tejkalon nevojën e njohurisë për detajin e veprimit, duke i dhënë rrëndësi anës që mbart veprimi si një tipar paraprurës i elementit humoristik. Në fjalët ‘pasuroheshin e zbukuroheshin me detaje të reja’ një alteracion mendimesh fashiten nën peshën që krijon fonema dhe paraprirja e ngjarjeve dhe veprave heroike të cilat janë pjesë e situatave të njohura nga legjenda e kreshnikëve për lexuesin, janë një paralajmërim për tematikën, një celës hyrës në hyrjen artistike të tregimit të Priftit. Një kordon letrar i përkryer pastaj rrëshqet ngadalë në tërë gramatikën e autorit, si një fjalëmbushje logjike dhe jo si një renditje kataklizmatike të fjalës së bukur shqipe, kur ajo keqpërdoret nga një brez që sulmon jashtëzakonisht në mënyrë ‘të jashtëzakonshme’ ikonën ‘bashkëkohore’, por një majë që vec mjeshtra si Prifti e kapin në kohë e në situatë të ndryshme. Kjo penë e thekur, por e mbajtur freskët për nderin e letrave shqipe, natyrshëm prej një situate të tillë komplekse dhe moderuese, katërfishon element-treguesen dhe element-ndërtuesen në linjën tregim për të treguar dhe jo tregim për tregim. Në këtë ambulante komode që krijohet nga mikpritja e fjalës së Priftit që në hyrje të tregimit të tij, ka një arsye më shumë për të thelluar analizën dhe për të lartësuar atë që vet pena dhe mendja e mësuesit të prozës shqipe e ka bërë piramidë në lëminë e letrave shqipe.

VAZHDIMËSI-LIDHJA (JUCTAPOSITION) E TREGIMIT

Naum prifti sjell një model në tregimin shqiptar. Një model që shënohet në tërë kompleksin, në tërë logjistikën e duhur që kërkon një godinë që strehon një mal me figura letrare dhe një gamë të madhe fjalësh, të cilat herë-herë, janë një fjalor më vete, një fjalor enciclopedie dhe kërkimi shkencor në fushën e krijimtarisë shqiptare. Një model i tillë është paraparë nga kritika shqiptare dhe nga kolegët e Priftit, por një model që tregimtaria moderne e kërkon dhe e pret ne skënën e saj krijuese është tek ajo që shihet qartë dhe modelohet në vazhdimësi-lidhjen ‘juktapozicionin’ e tregimit. Një model i tillë e bën tregimin të ketë një jetëgjatësi dhe të japë shpirt si gjarpëri, që edhe kur i pritet koka të ket shpirt tek bishti i tij, pasi shumë tregime nga pena të mëdhaja botërore kur vijnë në duart tona ngjajnë në një kënd të tillë vështrimi kritik, ndërsa shumica e tregimeve të vlerësuara në vite mbesin diku pluhuramave të kohës. Tregimi i Priftit, jo vetëm ai që solli këtë fillimmarsi midis nesh, por edhe tregimet e tjera të lexuara më parë dhe ato që herë pas here i dhuron në mesin tonë me shpirtin e tij të madh flasin për këtë vazhdimësi-lidhje që i jep jetëgjatësi tregimit. Si për të mos humbur këtë model, por duke e përkryer atë, detaji i lartëpërmendur shihet qartë në këto fjali: “Ashtu ngjau edhe në takimin e dymbëdhjetë. Ditën e dytë të piknikut, kreshnikët më të ngathët, që s'ishin dalluar në sheshet e betejave, s’po i lëshonin radhë njeri tjetrit duke dëftuar trimëritë e tyre, madje të rrëmbyer nga pasioni i rrëfimit, nuk po vinin re se kujt po i hynin në pjesë”. Në këtë ndërlidhje shihet qartë vazhdimësia e përshkallëzuar që tiparëzon takimin e numëruar si të dymbëdhjetë në një ditë që fisnikërisht i ngjizet epiteti ‘piknikut’, që në memorjen e lexuesit freskon një situatë ndryshe, një situatë që sjell analizë të castit dhe një psallmë kënaqësie, një kënaqësi që të sjell jo vetëm imagjinarja e piknikut që sjell Prifti, por edhe vazhdimësi-lidhja e historisë në tregimin në fjalë. Në këtë ndërlidhje artistike, pesha e fjalës së prodhuar luan një rol më vete. Jo vetëm emërtesa që zyrtarizon elementin kohë tek emrat e karaktereve, por edhe situata gjuhëformuese dhe pasuria e ortekut të fjalëve të hershme si ‘cinar’, ‘mustak’ e madje edhe pararendësja e herëpërsëritur ‘aga’ që shoqëron emrat Dezdar Osman dhe Qefan. Pra fjali të tilla qartësojnë këtë ndërlidhje model: “Muji aty nën hijen e çinarit, herë mërrolej, herë qeshte nën mustak kur dëgjonte si përvetësoheshin trimëritë, madje dhe fjalët që kreshnikët kishin këmbyer me kundërshtarët e tyre. Së fundi ai plaku idhnak Dezdar Osman aga, u kujtua se Muji ende s’e kishte çelur gojën, prandaj e nxiti:
- Po ti o Muj a nuk ke për të rrëfyer ndonjë trimëri?
- S’më mbeti kurrgjë, besa, - ia ktheu Muji, - se edhe ato që pata, m’i rrëmbyen dashamirët.
Disa qeshën me vërejtjen e tij, kurse ata më të paturpshmit u vrenjtën.
- Na rëndove o Muj, - e qortoi Qefan aga, gjasme i sëndisur prej fjalëve të tij.”

RETORIKA DHE METAFORA

Herë pas here tregimi i Priftit bashkëshoqëron ndërlidhje-vazhdimësinë me ndërhyrje elegante dhe tepër të përzgjedhura retorike. Pyetjet e vëna në skenarin e tij janë një prioritet skripti që shumë shpejt hyjnë në një bashkëveprim që kësisoj ata larmojnë një mori imazhesh imagjinare në një kërshëri përgjigjesh që kamera dhe insinuata e regjisorit mund t’i transformojë mjeshtërisht pa shumë problem në një pamje filmike, pse jo edhe në ekranin e madh. Retorika e vënë re në tregimin e Priftit nuk bulevardon vetëm. Ajo shoqërohet në xhirron e saj të tregimit të rradhës së shkrimtarit shqiptar, por jo të fundit të tij si një bukuroshe ku lëvruesve të kësaj gjinie natyrshëm u rrëshqasin sytë andej nga kalon ajo nën pushtetin e dorës së Priftit, andej nga lezetohet një fjali model treguese me kostumin origjinal të tërë kompleksit sqimëtar dhe atij figurative-letrar. Fjali të tilla kanë një tipar magnetizues dhe të bëjnë t’i lezosh me ëndje: “- Nuk flas për kuaj, as për sixhade, pasqyra e fajanca, pare sermi e ari, - sqaroi Muji. - se ato i ka çdo pallat, por për diçka tjetër, atje ka një perri që i thotë së bukurës së dheut ja dil ja të dal, një shtatbilonjë e meskëputur, qafësorkadhe e vetullkaleshe qe besa nuk e gjen në shtatë mbretëri. Boll e bukur ka qënë Tanusha e rinisë sonë me ato vetulla fiskajë, me hundën kalem e dhëmbët e bardhë porsi zajet kur merr dielli me i prarue, veç po ju them se të kishte pasë ndodhur Tinka pranë saj, as emri do t’i dihej, as kënga do t’i këndohej. Tinka syrin e ka të zi thëngjill, buzët të kuqe qershi, cipën e lëkurës si dëbora e parë mbi gjethe.
Nga përshkrimi i bukurisë së vajzës, pleqtë u këndellën sa nuk po gjenin rehat mbi bar. Lëshonin ahe-uhe duke psherëtirë se po të kishin pasë qenë pak më të rinj, në Kotorr e sosnin frymën”.
Në këtë analizë mund të silleshin emra të tjerë që ngjizen në vlera treguese, mund të silleshin krahasime nga të huaj të lartësive botërore në fushën e prozës, mund të thuheshin edhe më shumë, por meqenëse unë e nisa me fillimin, pra hyrjen e tregimit të Priftit, le të quajmë këtë si një fund të fillimit të saponisur për të analizuar më në detaj veprën e profesorit shqiptar.

Nuk ka komente: