e martë, shkurt 19, 2008

Djalli i Argadasit

Djalli i Argadasit
Fatmir Terziu
Fatmir Terziu
Fatmir Terziu
(tregim)
- Nga trëndafili del trëndafil, por disa herë nga trëndafili del gjemb - lexoi gjyshja e tij me një zë pak më të ngritur e më me theks.
- Ç’kuptim ka kjo Gjyshe? - pyeti Argendi.
- Ti do ta kuptosh më vonë bir, kur të rritesh,...


Një zog kaploi fluturimthi mëgëtinës, tejkokës, më saktë aty ku nyja e hundës dhe gropësia ndarëse me ballin krijojnë një luginë në fytyrën njërëzore. Ishte fluturimi i tij prej Jugut, fluturimi që i jepte shansin e gjetjes së Perëndimit nxituar, më saktë rruga për të gjetur strofkën diku. Larguar malli, larguar shpirti, për t’i shpëtuar Dimrit në anën tjetër të Rruzullit. Teksa fluturoi nxituar, pikërisht aty, aty në atë pikë, larg syrit kureshtar, larg syrit hutaç në atë moment, ngjau me një zhdukje, me një largim i cili e bënte krijesën e hapësirës qiellore të vogël e të vogël deri në zhdukje, sa më në fund të bëhej njësh me një gërvallë të zezë reje që kishte mbirë enkas në qiell, e që ngjante me pamjen e qiellit në prag shiu, me sfond laraman.

Ishte ditë vjeshte, me të vetmin ndryshim; tepër zagushi për një ditë normale të kësaj stine. Poshtë krahëve të zogut nxitimtar shtrihej qyteti Argadas. Në parkun me një bar fundngjyrës, nakatosur mes të gjelbrës së tij natyrale e të zakonshme me një verdhucëri, jo aq si e verdha normale kur merr bari në të tharë, por më shumë me nuanca të kuqeje në sfond, ishin ulur Gjyshja dhe nipi. Djali tetëvjeçar, emrin e kishte Argend, ishte me flokë të shkurtra, dhe ngjyra e syve ngjante gati-gati e njëjtë me hapësirën ngjyrëtrazuar të fushës ku ishte ulur. Lëkura e tij ngjante pikaloshe, me njolla të shumta ndanë mollëzave të faqeve, aq sa dukej sikur kurrë se kishte kapur ndonjë rreze dielli. Gjyshja e tij, 68 vjeçare, ishte me flokë ngjyrë hiri, dhe nga pamja e parë të krijonte përshtypjen e një gruaje që jetën e ka ende në majë të gishtave, ose siç thuhet shpesh për një të shkolluar, e humbur mes librave. Argendi ishte ulur gati ndanë prehrit të gjyshes dhe dukej si i përhumbur në rrjedhën e fjalëve që dilnin nga goja e gjyshes së tij, teksa i lexonte nipit një libër.
- Nga trëndafili del trëndafil, por disa herë nga trëndafili del gjemb - lexoi gjyshja e tij me një zë pak më të ngritur e më me theks.
- Ç’kuptim ka kjo Gjyshe? - pyeti Argendi.
- Ti do ta kuptosh më vonë bir, kur të rritesh,... do të lexosh më shumë, dhe... - replikoi Gjyshja shpejt.
Por fjalët e mëparshme të Gjyshes, gati e kishin zënë peng mendjen e Argendit, gati-gati sa e tërë e thëna dhe replika e Gjyshes nuk ishin më pjesë e dëgjimit për të. Ato fjalë të atij libri i vinin si një pështjellë në mendjen e tij, përsëriteshin e përsëriteshin me një eho në rritje, me një oshëtimë që i ngjante një britme ulëritëse në një pus të tharë.
Nga trëndafili del trëndafil, por disa herë nga trëndafili del gjemb”- përsëriste në mendjen e tij.

Të njëjtën ditë më vonë, Argendi luante top me një bashkëmoshatarin e tij, duke pasuar e gjuajtur topin tek njëri-tjetri. Njëri prej tyre gjuajti topin më me forcë dhe ai përfundoi në mes të shkurreve dhe trëndafilave të shumtë që rrethonin fushën e parkut të qytetit Argadas. Argendi shkoi të merrte topin. Sa u afrua në mes të trëndafilave gjembaçë ai ndjeu aromën a këndshme të tyre dhe hunda e tij ishte thuajse e tëra nën pushtetin e aromës dehëse. S’duroi dot joshjen e atij çasti dhe zgjati duart të këpusë një prej trëndafilave tërë aromë e të çelur mirë, më të dashuruarin e syrit të tij. U shtriq ngadalë e me kujdes prej gjembave derisa e këputi njërin, pikërisht atë që donte më në fund. Por, sa e këputi trëndafilin lule, diçka e tronditi fort trupin e tij dhe para syve të tij si një flakë pambarim rritej e rritej trupi i një krijese gjigante. S’u besonte syve. S’bërtiste dot, edhe pse frika e kishte tradhtuar në pantallona. Lulja i kishte rënë në tokë dhe pikërisht ajo transformohej e transformohej në këtë imazh rrënqethës para syve të tij. Krijesa ngjante me një thes të arnuar me lecka, të fryrë në tre anë e të shtypur nga e djathta. Flakëronte gati tërë qenësia e krijesës. Më pas një zhurmë si gargara mëngjesi, e një zë ngjashëm me të doli nga krijesa.
Argendi mori frymë thellë dhe ulëriu.
- Mos u bëj frikacak! - tha krijesa në një zë tashmë pak më afër me atë të zërit të njeriut. - Ti më solle në këtë botë, kështu që ti je... - foli krijesa, por zëri iu ndërpre nga ndërhyrja e Argendit.
- Kush po flet? Kush? – pyeti Argendi.
- Më ler të përfundoj fjalën time. Ti je pjesë e imja tani, ti je pjesë e misionit tim. Ti më solle në këtë jetë, më saktë ti më risolle këtu dhe ti je ai që do të drejtosh fuqinë time, forcën dhe energjinë time, të zhdukur kohë më parë. Misioni jonë është i shenjtë, i çmuar. Ti je shpëtimtari i kësaj bote, ti do ta kesh moralin e ndryshimit. Unë do të luftoj të të mbroj ty, dhe fitorja jote është fitorja e të gjithëve. – tha krijesa.
- Dëgjo mirë tani dhe mos më bëj shumë pyetje. Ke kohë të mësosh për mua, për çdo gjë që lidhet me këtë ndodhi. Misioni ynë fillon tani, në këtë orë, në këtë minutë, në këtë sekondë. Ne s’duhet të humbim kohë. – shtoi krijesa.
- Hej, Strokan, dëgjove ndonjë gjë? - iu drejtua Argendi shokut të tij me të cilin luante futboll.
- Jo. Jo, unë s’po dëgjoj gjë dhe as dëgjova ndonjë zë, por ty ç’po të ndodh? - pyeti Strokani.
- Është shoku juaj ky? - pyeti krijesa.
Argendi u mblodh kruspull e gati gati s’po i pushonte fryma. Mblodhi shpatullat gati njësh me kokën dhe ashtu i tulatur shtangu në vend. Pastaj, vetëm disa sekonda më pas as vetë s’e kuptoi se si brofi në këmbë dhe i çliruar nga ai sens tromaksjeje foli me një të prerë: “Po!”
- Atëherë edhe për të tani do të jem i shikueshëm. Për të tjerët kjo nuk do të ndodhë. Askush nuk mund të më shikojë mua me sy njeriu, përveç jush, përveç teje dhe shokut tuaj - sqaroi krijesa.
- Ç’është kjo Argend, ç’është kjo... ? - pyeti Strokani, tepër i trembur.
- Një krijesë, një krijesë që doli nga... U mundua të shpjegohej Argendi, por zëri i krijesës si një oshëtimë e ndërpreu në çast.
- Unë jam Shpëtimtari, unë jam Shpëtimtari i kësaj bote që çdo ditë e më shumë po katranoset, po shkon andej nga s’duhet të shkojë - foli krijesa.
Sytë e djemve u zgurdulluan dhe ata të dy bënë nga një hap prapa menjëherë.
- Unë thashë Shpëtimtari! - shtoi krijesa duke iu afruar atyre e fëmijët gati u gozhduan në çast.
- Unë thashë Shpëtimtari... le të fillojmë tani! - oshëtima zhdukej tutje thellë.

***
Argendi, Strokani dhe krijesa më vonë ishin duke udhëtuar në rrugë duke lënë parkun pas. Të dy herë shihnin njëri-tjetrin në sy e herë-herë shihnin shpotazi krijesën teksa flashitej nëpërr rrugë. Habiteshin. Habiteshin mëvete se si një krijesë e tillë të ecte krah tyre. Por, kryesorja ishte se ata të dy e kishin kuptuar se krijesa nuk ishte më e frikshme, nuk ishte më rrezik për ta, shpejt u miqësuan me të aq sa nuk donin të ndaheshin prej saj. I pari që theu heshtjen e gjatë ishte Strokani.
- Çfarë jeni ju? - pyeti Strokani.
- Nëse unë do të tregoj ekzaktësisht çfarë jam, nuk do të më kuptoni lehtësisht. Unë jam krijuar nga gjembat e këputura prej luleve gjëmbore, prej trëndafilorëve. Ju shikoni që gjembat nuk janë vetëm të rrezikshëm, nuk janë vetëm që të shpojnë e të nxjerrin gjak nga gishtat. Ata nuk janë vetëm pjesa e shëmtuar e lules, por mbrojnë atë bukuri të lules nga duar që i keqpërdorin këto bukuri të natyrës, këto dhurata për njërëzit. Trupi im është më saktë i thurur nga gjithë ato gjemba të mbaruar, ose në mbarim e sipër, nga ata gjemba që kanë përfunduar misionin e tyre për të cilin janë.
- A keni emër? - pyeti Argendi.
- Nëse unë ju them emrin tim, unë duhet t’ju them historinë e jetës time. Dhe ajo është mijëra vjeçare e gjatë. Por, ju të dy mund të më quani Shpëtimtari. - shpjegoi krijesa.
- A ka shumë si puna juaj?- ndërhyri Strokani.
- Po shumë. Bota jonë është tjetër botë, shumë e madhe. Ju s’mund ta imagjinoni atë - u përgjegj krijesa.
- Bota jonë është shumë e madhe gjthashtu - tha Argendi.
- Ju mendoni se bota juaj është e madhe? Jo. Kurrë. Ajo është e vogël, gati sa një grusht, sa një grusht tamam. Ju e shikoni atë me sytë tuaj. Me sytë tuaj ajo ndoshta ngjan e madhe, ndoshta edhe nuk arrini ta shihni plotësisht, dhe sigurisht që jo. Për mua ajo është shumë e vogël. Unë e kontrolloj atë me një vështrim sporadik, me një të lëvizur të syve. Doni t’jua provoj këtë? Ja shikoni! - sqaroi Shpëtimtari.
Diku nga hiçi, Shpëtimtari krijoi një skenë, një faqe si të një kompjuteri palosës dhe bëri shenjë me të lëvizur të trupit për të parë në ekran. Ekrani tregonte pamjet e një vendi ku qindra njërëz ishin vënë në radhë për një copë bukë. Pastaj dy djem të rinj që torturoheshin nga disa policë të atij vendi. Pamjet e tjera i takonin ca njërëzve që punonin në arra e të tjerat ca njerëzve që festonin në lluks.
- Doni të shikoni më? - pyeti Shpëtimtari. - Ja shikoni këtu! Këta njërëz janë të mbyllur në kafazë. Ata s’kanë parë diell me sy për vite me radhë. Ky njeri është paguar nga qeveria e vendit të tij të ndjekë sa më shumë njërëz që e kundërshtojnë qeverinë,... se po u zbraz kafazi mbaroi qeveria e tij. - vazhdoi Shpëtimtari.
Djemtë u panë sy më sy. Nuk u besonin syve.
- Po si mund të ndërroni këto pamje, këtë realitet? Si mund të kthehen ato në normale? - pyetën më pas njëzëri të dy djemtë Shpëtimtarin.
- Pak më parë ju thashë të mos më bëni shumë pyetje. Vetëm më ndiqni mua dhe do ta kuptoni sa lehtë do të bëhet ajo që ju shqetëson juve tashmë në ndërgjegjen tuaj. Ju do ta shikoni se si çdo gjë do të kthehet në realitetin e mëparshëm, në realitetin e zanafillës jetike, në jetën normale, pa këto fakte tronditëse. Ja shikoni këtu! Nuk është më siç e shikuat pak më parë. Është i njëjti vend, të njëjtit njerëz, vetëm faktet janë ndryshe. Njërëzit e botës suaj e dinin këtë më parë, por ka kohë që e kanë harruar. Është vetëm një fjalë e harruar prej tyre. Ajo është dashuria njerëzore. Më saktë është diçka tjetër që ka zëvendësuar fjalën disiplinë. Ajo që ju patë së dyti për ju duket magjike, ndërsa për mua është vetëm një grimcë lëvizëse, thjesht një transformim, një kthim në normalen e nevojshme jetike. - theksoi Shpëtimtari.
- Po si është e mundur kjo nga ju? - pyeti Argendi nxitimthi.
- Unë do t’ju tregoj çdo gjë e me radhë. Fjalët e mia do t’ju krijojnë imazhe të qarta në trurin dhe ndjesinë tuaj. Ishte një banesë jo normale, jo komode. Vetëm një karakatinë e braktisur, me të gjtha dyert e dritaret të shkatërruara. Askush s’kishte banuar në atë banesë prej më se një gjysëmshekulli. Askush, përveç nesh shpëtimtarëve, se të zotët e shtëpisë ishin pushkatuar deri në rrënjë për një fjalë goje, për një të hapur të gojës. Ne u zhvendosëm në një kohë shtrëngate, natë e errët e me erë të fortë, udhëhequr nga lideri ynë, Misteriozi. Hymë direkt në bodrumin e lagur të shtëpisë, aty ku Misteriozi paraqiti studimin e tij, angazhimin e tij dhe tha: Ju jeni shpëtimtarët e parë. Në gjuhën time shpëtimtarë është mijëra prej nesh. Po nëse ju jeni dele, juve mund t’ju quajnë tufë. Në qoftë se jeni njërëz... - sqaronte Shpëtimtari.
Tek fjala njërëz Shpëtimtari kërcëlloi dhëmbët lehtësisht.
- Në qoftë se jeni njërëz ju mund të quheni grup, regjiment, divizion, ose ndoshta batalion. Pak rëndësi ka. Atë natë Misteriozi zbuloi sekretin e shumëpritur, fuqinë e tij për të shpëtuar racën njerëzore. Ai ishte duke na bërë neve të padukshëm nga sytë e njërëzve. Por, para kësaj ai na tregoi se çfarë kemi për të bërë ne në misionin tonë. Njerëzit kanë thurur histori të paqëna për ne, na kanë keqpërdorur në eksperimente - sqaroi Misteriozi. - Ata kanë vrarë njëri-tjetrin me e pa luftëra. Ata kanë kthyer këtë botë në djall për arsye të xhelozive. Ata shfarrosën pemë, pyje e shkurre që të bënin pjellore malet e kodrat si dhe fushat. A mund të ndodhte kjo në maja malesh, a mund të mbinte gruri në një vend ku pëlciste guri në majë të malit pa ujë, pa... Eksperimente çmendurie. Ata i bënë të gjithë këto, tani është koha jonë t’i ndalojmë së bëri më tutje, t’i rikthejmë jetën normale të pafajshmëve. Është koha jonë. Është fuqia jonë. Ne do të fitojmë, tha ai i përlotur. Por, kjo nuk do të bëhet për një ditë, për një muaj. Duhet plan, kujdes e mirëkuptim në misionin tonë. - Ne jemi gati! Ne jemi gati! Ne jemi gati!- bërtitëm njëzëri të gjithë. - Lideri ynë përdori fuqinë e një peme të vogël që t’na ndihmojë ne, që të na sqarojë më tutje rëndësinë dhe fuqinë e shpërndarë tek secili prej nesh në mënyrë të barabartë, por me pak ndryshime në rolet tona. Ai nisi t’na bënte të padukshëm, por aksidentalisht diçka ndodhi dhe ne të gjithë u rikthyem në botën tonë, nga aty ku shihnim çdo gjë që ndodhte në botën tuaj, por me pafuqinë për të ndihmuar e bërë ndryshime të nevojshme. Që nga ajo kohë ne u munduam me të gjitha mënyrat për t’u rikthyer në misionin tonë, por ishte e pamundur.
Ju, që më sollët mua në këtë shans të dytë, me këtë rikthim në misionin tonë të lënë përgjysëm, keni të njëjtën forcë me mua, me të gjithë anëtarët e shpëtimtarëve. - përfundoi Shpëtimtari, ndërsa djemtë gati-gati ishin përhumbur totalisht mes tregimit të tij.

***
Në buzëmbrëmje Argendi ishte shtrirë në krevat. Shpëtimtari qëndronte në anë të krevatit të tij.
- Si do të rikthehesh në botën tënde? - pyeti Argendi.
- Kur misioni im, po aq edhe i yti të përfundojë unë do të të tregojë ty, dhe vetëm ty se si do të realizohet kjo. Vetëm ju duhet ta dini këtë. Është shumë e rëndësishme, po kaq sa për misionin tonë mbajtja sekret e gjërave. - u përgjigj Shpëtimtari.
- Kush është më saktë detyra ime? - pyeti Argendi duke qëndruar në këmbë para krevatit të tij.
- Detyra juaj nuk është e shkëputur nga e imja. Ajo është më kryesorja në fakt. Ju jeni jeta ime. Nëse diçka ndodh me ju, unë kurrë nuk do të ekzistojë më. Pra, më kupto mirë, ti dhe unë jemi një tani. - përfundoi Shpëtimtari.
Argendi buzëqeshi.
- Unë jam vetëm një fëmijë.
- Ti nuk je më një fëmijë në mendje, ndoshta në trup po, por në jetën time ti kurrë s’je më një fëmijë. Ju keni fuqi që s’e ka kush në mesin e njerëzve. Ti je çdo gjë në rritje të pakthyeshme. Kur njërëzit do të shikojnë ndryshimet për mirë në jetën e tyre të përditshme do të jenë të gëzuar dhe ju do të jeni po aq i gëzuar midis tyre – tha Shpëtimtari.
- Çfarë është me ndryshimin? Si mund ta kuptoni ju se cila është e mirë dhe cila është e keqe? Si mund ta dini ju se kë duan njërëzit të ndryshojnë dhe se cila është rruga e ndryshimit nga e keqja tek e mira? - pyeti Argendi.
- Lideri im më ka folur e sqaruar për këto kohë më parë. Unë di çdo gjë thuajse për këto ndryshime. Ato janë këtu, janë në trurin tim, dhe me një të lëvizur të dorës gjërat do të ndryshojnë. - tha Shpëtimtari.
- Populli vërtet do të dojë që këto ndryshime të bëhen? - pyeti Argendi.
- Populli? Ti ke të drejtë. Popull janë politikanët, popull janë policët, popull është edhe mafia... Sigurisht kjo pjesë e popullit nuk e dëshiron këtë ndryshim, por ato gradualisht do të bëhen pjesë e ndryshimit, gjithashtu. – sqaroi Shpëtimtari.
- Ti mendon se ne do të mund t’i ndryshojmë këta njerëz?
- Unë e kuptoj dhe e di gjithashtu se njerëzit e kanë humbur besimin për ndryshime. Por, nuk është ndonjë problem serioz. Problem është shpëtimi i njërëzve të infektuar nga ky mentalitet. - ndërhyri Shpëtimtari.
- Nëse ju zhdukeni përsëri aksidentalisht nga kjo botë, atëherë...?
- Ajo s’ndodh më. Në qoftë se ti ke qenë i kujdesshëm në ato që të thashë e të theksova çdo gjë është dhe do të jetë në rrugë të mbarë. Por nëse ti nuk tregon kujdesin e duhur në misionin tonë e gjithë kjo botë do të zhduket, do të shkatërrohet. - u përgjigj shpejt Shpëtimtari.
- Si thatë? Ç’farë? - pyeti Argendi gjysëm i shokuar.
- Unë s’dua t’ju frikësoj ju. Ky është shansi final për botën tuaj. Po ta përsëris se nëse ti nuk tregon kujdesin e duhur bota përfundon.
- S’do të lë të ndodhë kjo. - tha Argendi tashmë i zhytur në mendime.
- Bukur fort. Tani është kohë gjumi për ty. Mos harro edhe kjo është pjesë e misionit tonë, kërkesë e disiplinës.
Ndërsa Shpëtimtari u zhduk nga sytë e Argendit, ai ra të flejë i këputur.

***
Ditës tjetër në mëngjes disa fëmijë ishin duke luajtur si zakonisht para mësimit të shkollës lojën e tyre të preferuar me top në këndin e lojërave ndanë oborrit të shkollës. Argendi ishte midis tyre. Sa bëhet gati të gjuajë topin, Shpëtimtari i del para syve duke ia çoroditur për një çast situatën.
- Argend çfarë po bën? Gjuaje topin! - bërtitën shokët e tij si me një gojë.
- Në rregull, në rregull, ja po e gjuaj tani – u përgjigj ai duke shkelmuar lehtë topin e duke vënë dorën e djathtë në stomak, duke pretenduar se kishte dhimbje barku.
- Unë po i gëzohem lojës tuaj – i tha Shpëtimtari Argendit dhe bëri me shenjë të luante e të vazhdonte lojën duke mos u shqetësuar nga prania e tij.
Argendi provon edhe njëherë, por sërish bën në të vetën si i pafuqishëm.
- Ç’ndodhi me ty, Argend? - pyeti shoku më i afërt në fushë.
- Përse e ndërpret lojën? - shtoi një tjetër.
- Nuk e kuptoni. S’jam mirë. Barku, ....ja këtu më dhëmb shumë.- u mundua të sqaronte shokët Argendi.
- Stomaku, barku...hë? A mund të na tregosh se çfarë gjetët dje ju me Strokanin në park mes trëndafilave? - ndërpreu bisedën i nervozuar një tjetër shok i tij.
- Pra Strokani ju paska treguar juve? - pyeti i habitur dhe i nervozuar Argendi.
- Po! Shiko këtu! Shiko në këtë gazetë, këtë foto. - shtoi të sqaronte shoku i tij, i cili foli pak më parë.
- Ç’është ajo? - pyeti kureshtar dhe nxitimthi Argendi.
Fëmijët shikuan njëri-tjetrin në sy dhe pastaj e ngulën shikimin e tyre tek Argendi.
- Ky artikull të sqaron... Kjo histori do të jetë...
- Unë kam për të shkuar tani. Ju sqaroj më vonë - tha Argendi duke vazhduar mërmëritjen me vete “vërtet më ka tradhëtuar Strokani?”.
- Çfarë thatë për Strokanin? - pyeti Argendin, Shpëtimtari që tani ishte në krah të tij.
- Asgjë! Le të shkojmë ta gjejmë atë në fillim - tha Argendi.
Shpëtimtari lëvizi dorën dhe ekrani u shfaq mënjëherë. Menjëherë piketoi kërkesën e duhur dhe duke e qetësuar Argendin tha se ishte shumë e lehtë për ta gjetur shokun e tij, Strokanin.
- Mos u mërzit unë do ta gjej atë menjëherë tani - shtoi ai bindshëm.

***
Shpëtimtari kishte humbur kontrollin e plotë të vetes së tij. Ai nuk ishte si më parë. Fuqia e tij i ishte venitur, aq sa mezi e kontrollonte trupin e tij. Ndërsa përpiqet të rimbledh forcat e të rikthehet në normalitet një zë i mirënjohur për të, një zë origjinal si zëri i shpëtimtarëve të tjerë ia pushtoi veshët, nga thellësia e malit Goranaks, aty ku ai dhe Argendi ndodheshin atë çast. Zëri e pushtoi në meditime. Ishte tepër, tepër i njohur për veshët e tij, por i padëgjuar për një kohë shumë të gjatë. Ai tundi kokën, e shkundi përsëri sa majtas dhe djathtas, u shtriq gjerë e gjatë, ofshau dhe u përqëndrua një çast andej, nga ai zë i erdhi drejt e në vesh.
- Po. Ai është. Ai është pa diskutim. Ai sigurisht ka gisht në rrëmbimin e Strokanit. - foli Shpëtimtari disi i tejmenduar mëvete.
- Ai është në thellësi të këtij mali shekullor, është në zëmër të tij. Është bashkë me ... - u mundua të kthjellohej më tej.
- Folët gjë? - pyeti Argendi.
- Jo, jo. Tani do të jetë ndryshe. - u përgjigj Shpëtimtari.
- Si ndryshe? - u nxitua të pyesë sërish Argendi.
- Të sqaroj më vonë. Tani përqëndrohu dhe zbato me kujdes ato që të kam treguar e mësuar. Beteja do të jetë e ashpër, e ashpër sa s’ka ku të shkojë më, kur ti ndeshesh me të sojit tënd, më saktë me ata që të kanë tradhëtuar e tani të vrasin prapa shpine. - foli Shpëtimtari.
- Në rregull. Çfarë të bëj unë? - pyeti prapë Argendi.
- Rri pranë meje dhe kontrollo fuqinë time. Me çdo kusht duhet të shpëtojmë Strokanin. - sqaroi Shpëtimtari.
- Kroman? Kroman? - ulëriti fuqishëm Shpëtimtari. - Unë e di tani shumë mirë që jeni ju. Unë e kam të qartë se vetëm ti mund ta bëje këtë ndodhi. Ne të gjithë qamë atë ditë për ty. Ne të gjithë qamë dhe ende të tjerët qajnë akoma për ty. Ne menduam që ju aksidentalisht mbaruat, u shkatërruat. Por...?
Shpëtimtari vazhdoi të ecë në thellësi të malit plak. Argendi e ndiqte nga afër i kujdesshëm për misionin e tij, derisa ata u ndeshën me një kafaz të madh metalik brenda të cilit ndodhej Strokani i lidhur këmbë e duar, dhe një njeri që zërin e kishte të njëjtë me të Shpëtimtarit. Më tutje plot kafazë të tjerë dhe të kapurit brenda kafazëve tundnin prangat e rënda me tërë fuqitë që kishin duke krijuar një zhurmë të tmerrshme e rrënqethëse, në thellësi të malit Goranaks.
- Harroje atë kohë, atë ditë, atë ëndërr. Ajo ishte vetëm një ëndërr vërtet. Tani unë jam më shumë i fuqishëm se ju. Unë kam këtë në duart e mia - tha Kromani duke tundur në ajër atë pemë të vogël e magjike që iu zhduk Misteriozit dhe e bëri të gabonte në misionin e tij të hershëm. Pema e vogël kishte vetëm një ndryshim. Ngjyra e saj ishte e kuqe dhe jo më si atëherë kur në duart e Misteriozit ngjante si një perlë midis të gjelbrës së çelët dhe të kaltrës së ndritshme. Pamjet e qartësonin dhe e kthjellonin më shumë kujtesën e Shpëtimtarit.
- Ti e di magjinë dhe fuqinë e kësaj Peme, apo jo? Ti mendon se Misteriozi, lideri ynë bëri gabim atë ditë? Jo. Unë nuk isha budalla, as i mangët që t’i plotësoja egon atij dhe ai të më shfrytëzonte vetëm për hesap të ëndrrave të tij. Unë ia grabita atij. Unë e bëra se s’doja të isha pa pushtet, pa detyrë në një ëndërr budallenjsh. Unë e di se kjo Pemë është çdo gjë. Dhe unë i shërbeva asaj që nga ajo ditë, dhe i shërbej përditë e më shumë, duke e ushqyer me gjak të freskët. Shiko përreth. Ti mendon se këta njerëz janë thjesht të burgosur e të prangosur? Ata mezi presin të dhurojnë gjakun e tyre të ri për këtë Pemë, e cila do t’u dhuroj atyre lumturinë, krenarinë e njeriut të vërtetë, të njeriut të ri të brumosur me idealet e mia. Gjaku i tyre ushqen Pemën time tashmë, Pemën time të kuqe. Tani më dëgjo me kujdes! Ki kujdes dhe mbaj mend mirë ato që them unë. Unë jam shumë racional në fjalën time. Mos u përziej shumë në misione që nuk sjellin dobi. Hiq dorë njëherë e mirë nga ëndrrat e një bote të lirë. Ha, ha, ha. Më qeshet, e më qeshet. Ku ka ndonjëherë botë të lirë. E fundit, nëse dëshiron të jetosh hiq dorë nga misioni që ke marrë dhe lermë këtë peshqesh në kafaz dhe atë tjetrin afër teje, mikun tënd njeri. - foli e foli Kromani.
- Të dëgjova. E dija se ishe i tillë. E mësuam se kishe hyrë në trupin e këtij njeriu që përfaqëson, që atë ditë, por s’donim të besonim. Kujtonim se ishe peng i njërëzimit. Por ti e paske marrë në qafë tërë këtë botë. - ndërhyri Shpëtimtari.
- Ti je akoma në ëndërr. Unë jam edhe njeri edhe i sojit tënd. Unë kam Pemën e kuqe në duar. Dhe ti? Ky është miku juaj? Ai është ndihmësi juaj? - foli me një të qeshur tepër sarkastik Kromani duke bërë me gisht në fillim nga Strokani e pastaj nga Argendi.
Strokani tundte i trembur prangat në kafazin metalik.
- Ata më grabitën mua. Më ndihmoni ju lutem, më ndihmoni! - bërtiti Strokani.
- Mos u tremb, mos u tremb! - i tha Shpëtimtari, duke iu kthyer nervozueshëm Kromanit.
- Ti e ke me të vërtet seriozisht këtë? - e pyeti Shpëtimtari Kromanin.
- Seriozisht? Ti më shton humorin dhe të qeshurin. Ky është vetëm fillimi. Ti kurrë s’mund të më shkatërrosh mua. Ti e di më mirë se unë se misioni ynë nuk ishte që të vrisnim njërëz, po t’i shpëtonim e mbronim ata nga të këqinjtë dhe të këqijat që u ndodhnin atyre dhe unë jam gjysëm njeri dhe gjysëm si ti. Unë jam brenda këtij trupi njeriu dhe kam dyfish fuqi në këtë botë. Unë jam udhëheqës, unë jam çdo gjë. - foli Kromani.
- Ky është fillimi thua ti? – pyeti Shpëtimtari, duke shtuar dozën e nervozizmit dhe të urrejtjes.
- Po. Dëshiron ta mësosh leksionin tim të parë, dëshiron të mësosh më shumë? - u përgjigj Kromani.
- Ti je një tradhëtar. Asgjë më shumë. - tha Shpëtimtari, tani krejtësisht i zemëruar.
- Dëgjo mirë! Mos e thuaj më atë fjalë. Ajo fjalë është harruar nga mendja ime. Unë ju kam cilësuar juve tradhëtar dhe tani askush nuk të dëgjon më.
- Lëshoji fëmijët të ikin, Kroman! Kjo s’ka të bëjë me ta. Ajo është midis nesh, midis meje dhe teje.
- Dhe ti dëshiron të më shkatërosh? – foli Kromani me doza të larta qesharake.
- Në rregull s’ka mëshirë më për ty! - iu kundërpërgjigj Shpëtimtari.
Shpëtimtari shtypi një buton në tip-kompjuterin e tij palosës dhe një dritë veguese e përzier me të verdhë vetëtime dhe të kuqe zjarri e rrethoi trupin e Kromanit. Kromani tundi Pemën e tij të Kuqe dhe drita veguese u shtang në mes të rrugës, pikërisht midis Shpëtimtarit dhe Kromanit, tamam sikur dikush ta mbante atë me duar. Kromani u rotullua shpejt duke rimarë pozicion dhe me ndihmën e Pemës e ç’orientoi drejtimin e flakës duke ia drejtuar trupit të Shpëtimtarit. U duk menjëherë si një shpërthim në trupin e Shpëtimtarit. Shpëtimtari ulëriu. Kromani qeshi me të madhe. Por, ndërsa të gjithë menduan se Shpëtimtari kishte mbaruar, ai u rrotullua tmerrësisht shpejt, aq sa u krijua një ciklon në çast. Një zjarr vullkanik u prodhua nga trupi i Shpëtimtarit dhe një rreth zjarri madhështor ra si një top gjigand mbi trupin e Kromanit duke e cifluar atë në dhjetra copa që fluturuan në hapësirë. Çdo pjesë e trupit të tij binte në tokë dhe menjëherë zhdukej sa prekte tokën duke u bërë dhe. Shpëtimtari fluturoi fuqishëm mbi flakë dhe rrëmbeu Pemën.
Pema tani ishte në duart e Shpëtimtarit. Argendi, Strokani dhe Shpëtimtari sapo dolën nga zemra e malit Goranaks u rrethuan nga mijëra e mijëra njerëz. Historia kishte marrë dhenë. Pema në duart e Argendit nuk dukej më e kuqe. Ajo gradualisht po rimerte pamjen e saj origjinale, po i rikthehej jetës së saj normale. Të tre e dinin tani se misioni i tyre do të ishte i realizueshëm.
- Sa të bëhen ndryshimet e duhura dhe misioni të ketë mbaruar këtu nuk do të ketë më djaj. - tha Shpëtimtari.
Argendi nxitimthi pa qiellin. Dielli ishte afruar më afër kokave të tyre dhe zogjtë cicëronin duke fluturuar lirshëm në qiellin e pastër.

Londër, 2006



Nuk ka komente: