e enjte, janar 31, 2008

TREGIMI I MYRTAJ TINGËLLIMA BASHKËKOHORE ‘SHQIP’ EDHE NË GJUHËN E HUAJ





Nga Fatmir Terziu
Roehampton University
Media, Cultural Studies & Politics






  • Në vend të hyrjes

Në një betejë të një lufte përshtatjeje me strukturat e reja që s’kanë qenë më parë të shfaqura, njërëzit gjithashtu përpëliten të fitojnë betejën e stisur natyrshëm midis imazheve dhe eksperiencave të vjetra dhe të fitojnë e krijojnë imazhe të reja: të realizojnë atë që sot është e mundur, të shikojnë dhe tregojnë atë që sot po bëhet e ndjeshme dhe gati-gati e tipit të kompletuar. Kështu thotë Bertolt Brecht, teksa shton se kështu ata në një model të madh tregojnë të renë e Re, që është vështirë të imagjinohet, po që pa pyetur funksionon. Tani qëkur këto modele janë gati në skenë dhe përfaqësohen edhe nga letrat shqip, dhe njërëzit që i lëvrojnë ato, natyrshëm ka edhe tendenca bashkëkohore. Duke iu referuar Brechtit, këto modele janë gati të krijuara dhe mbira mbi të vjetrën, dhe janë në lulëzim prej eksistencës së saj, dhe koha bën të vetën kur e vjetra shfaqet fals, por ata jo, kështu që ato e kanë sfiduar atë. Ata bëhen vetëm një udhë e re. Në këtë udhë është edhe proza shqiptare, përfaqësuar me tregimin e shkurtër.

Proza që dominohet nga dëshira. Imazhe të dëshirës. Figura shprese. Mbjedhje dhe korrje utopike. Dhe natyrshëm ajo që mbetet: të shkruarit utopikë në shfaqjet e tij të shumta është kompleks dhe kontradiktor. Ai është, në një udhë, që rrethrotullohet nga nevoja të paplotësuara dhe kërkon klasën specifike, grupimin, dhe individualitetin në unitetin e tij të kontekstit historik. Por si do t’a gjej ai atë në një kohë që limiti i tregimit që flet me një gjuhë, sado e bukur dhe e dëshiruar të jetë ajo, përbën limit? Pra duhet pen-përkthyesi dhe rrugëtimi në këtë rrugë që duhet lëvruar sa më shpejt, me qëllim që edhe tregimi shqiptar, ashtu sic është të flasë shqip edhe në gjuhë të huaj. Dikush e ka nisur këtë dhe dikush jo. Koha e kërkon atë sot, me shume se kur sot në tregun e letrave…

***

Nuk e di pse më erdhën ndër mend disa emra kur nisa të shkruaj për shkrimtarin shqiptar Faruk Myrtaj. Janë dhjetra që më qarkulluan ndër mendje: Nasi Lera, Naun Prifti, Betim Muço, Zija Çela, Teodor Laço, Kiço Blushi, Lazer Stani, Halil Jaçellari, Roland Gjozaj, Nase Jani, Teodor Keko, Ilirian Zhupa, Ramiz Gjini, Agron Tufa, Prec Zogaj, Gezim Hajdari e mjaft të tjerë. Nuk e di vërtet pse më pas u ndala tek “Sytë e Dashurisë” së Nasi Lerës, “Në Bregenc Nuk Shkohet për të Vdekur” të Lazër Stanit dhe “Nesër është e Diel” të Halil Jaçellarit. Diku ndoshta nuhata mes larmisë leksikore një nuancë disi pikëlidhjeje që më transportoi mendimin gjetkë, pikërisht aty ku një bisedë me një kolegen time të Universitetit të Roehamptonit në Londër më bëri të thelloj kërkimet dhe të nis të shkruaj për këtë temë që prej kohësh në fakt më pati intriguar. Kështu duke kërkuar dhe vazhduar kërkimet e mia gjeta tregimet e përkthyera në gjuhën tjeter të Faruk Myrtajt nga Arben Kallamata ne anglisht dhe nga Luan Canaj ne gjuhën franceze, që menjëherë më tingëlluan ndryshe dhe gati-gati më bënë t’i rilexoj e pse t’a fsheh t’i rilexoj gati dy-tre herë. Dhe të them natyrshëm ky rilexim nuk ka të bëjë aspak me ‘sfidat e dygjuhësisë që Ardian Vehbiu e shpreh në intervistën e Endrit Trebickës, edhe pse ato si të tilla të pamohueshme vetë Vehbiu i quan ‘të përballueshme’. Ajo që më pas unë kuptova ishte në fakt një problem tjetër: Tregimet e Faruk Myrtajt flisnin shumë bukur ‘shqip’ edhe në Gjuhën Angleze. Dhe pikërisht këtu unë u ndala dhe i afrova koleges simë një tufë nga vëllimi me tregime i Faruk Myrtajt “Hijet e Virgjëreshave’. Një prej tregimeve përkthyer nga Kallamata “Dritarja e Fundit” (The Last Window) kishte mbërthyer më së shumti kolegen time Maxine Newlands, që është edhe Lektore në School of Social Sciences, Media and Cultural Studies në University of East London. Ajo që në fakt biseda miqësore me të më ngacmoi ishte pikërisht kjo punë e mirë e përkthimit, për të sjellur në anglisht ato vlera ende të fshehura të tregimit shqip. Ato natyrshëm janë shumë dhe kanë vlera të papërsëritshme. Për rastin konkret tregimi i piketuar i Myrtajt shërbeu si një model vlerësimi dhe rimburësimi për këtë mungesë të madhe në tregun e tregimit. Natyrshëm ky ishte problemi, më tha Newlands, por ajo që më bëri të pëlqej tregimet e Myrtajt ishte diçka ndryshe, mënyra e renditjes së frymëzimit, një frymëzim tipik tregues dhe tërheqës. Duke pikasur këtë vlerësim dhe duke u mbushur me krenari për tregimtarin shqiptar, vendosa të shoh më tej krijimtarinë e tij që tashmë kishte filluar të tërhiqte sadopak edhe lexuesit në gjuhën angleze, siç e tregonte edhe fakti i tregimeve të përkthyera nga autorë të ndryshëm e të sjella për lexuesin e gjuhës së huaj në mënyrë të përsosur. Të përkthesh tregimet e tjetrit natyrshëm do të thotë se ato kanë ngjallur interes.
Interesi për to ka qenë që në botimin e parë të tij në poezi “Dielli i nëntokës” (The sun of the underground) (1985) të cilin e botoi në Tiranë dhe ishte thuajse një frymëzim që krehu imagjinatën e tij të trazuar të punës në nëntokën e Selenicës. Pastaj botimi tjetër në poezi “Rroba e fjalëve gjithnjë ngushtë më rri” (The cloth of ëords always is tight on me) (1991), që e bëri të linte gati përgjithmonë këtë zhanër dhe të niste rrugën e tij ku spikat më tepër. Ai nisi me “Njërëz që unë kam njohur” (1987), “Marrëveshje për të jetuar” (Deal for life) (1989), Nudo Zyrtare (1996), “Njerëzit janë tepër” (The People are unnecessary) (2000), “Njerëzit janë tepër” (The People are unnecessary) 2000, Shkup, Macedonia, “Luftëtarët vriten në paqe” (Warriors get killed in peace) 2003, Pristina, Kosove, “Nudo Zyrtare", (ripublished-ribotuar), 2006, Shkup, Macedonia, “Hijet e Virgjereshave", (The Virgins Shadows), 2006, Tirana, Albania. Novela “Qyteti i Ministrave” (The City of Ministers) (1998) e shkruara nga Faruk myrtaj padyshim më pas krijoi edhe brumin e tij të veçantë që kishte nisur të vlonte me vëllimin “Nudo Zyrtare”.




1.
Dikur rinor dhe i dashuruar pas poezisë, por vetëm për pak kohë, vetëm për pak ‘dashuri’ në nivelin poetik, nëse do të rezervonim një titull që në fillim për njeriun e letrave shqipe, Faruk Myrtaj. Ndërsa unë shpreha dëshirën të shkruaj diçka për prozën e tij, ai me kënaqësi më afroi një filozofi sinqeriteti:
“Nuk di nëse njihemi, nëse jemi takuar, por kjo nuk ka pikën e rëndësisë! Shqiptarët njihen më shumë me njëri tjetrin kur ikin prej Shqipërisë së vogël, teksa duhej të ndodhte e kundërta! Por kjo mundësi duket se ka ardhur edhe prej faktit që Bota Internetike nuk është më e madhe se Shqipëria Reale!”
Dhe unë gërmoj në bagazhin e tij tashmë të shtuar edhe në disa gjuhë të tjera ku vepra e tij është përkthyer dhe lexohet këndshëm, njëlloj si në shqip.


2.
Ajo që tingëllon tamam moderne në prozën e shkruar nga një shkrimtar shqiptar është dhe veçohet tek “Nudo Zyrtare”. Aty e shprehura dhe fjala ngjajnë si një plotësim i njëra tjetrës, aspak tekanjoze më njëra-tjetrën dhe tepër tipike, tepër Farukiane. Këtë e pranon vetë autori: “Po, është e vërtetë, “Nudo Zyrtare” ka qenë dukja ime e parë serioze. Jo se ndjehem i pakënaqur me tregimet e mia të periudhës së minierës, jo”. Dhe këtu ndoshta fjala ‘pakënaqësi’ lidhet edhe me pikëlidhjet e vjetra, ajo natyrshëm ruan lidhjen model shkrimtar-lexues dhe ndjehet krenare edhe pse sinqeritetiti i Myrtajt shpjegon:
“Ka lexues dhe shkrimtarë që më mbajnë prej atyre mbresave. Për mua ka qenë përcaktuese periudha 5 vjeçare e punës nëntokë, në Selenicë të Vlorës. Në një kuptim, u jam falenderues njollave në biografi, që m'i përdorën për të mos më lejuar të ndiqja shkollën e lartë. Thuajse u mbylla në shtëpi-punë, dhe nisa të mendoja për botën pa mua. Edhe pse dija pak për të, më pak akoma për letrat e mëdha dhe shkrimtarët, por them se mos-dija është shkak parësor që na bën të kërkojmë”
.

3.
Autori komplex i letrave shqipe ndjehet modest, por edhe pse i tillë ai zbulon vlerat e rrëmbimeve dhe frymëzimeve poetike: “Vjershat që shkruaja asokohe natyrisht më dukeshin të bukura, librin e parë e botova me to, por shpejt duhet të pranoja se poeti ishte provizor tek unë: ishte shfaqur vetëm sa për të më joshur. Tek tjetërkush do përfundoja! Në të vërtetë proza nuk e përjashton poezinë tek kurmi i saj: njëlloj si gratë e mira që nuk na i marrin për të keq kur, me to në krah, syri na rrëmbehet tek ndonjë femër e bukur që është fati i dikujt tjetër!”
Dhe pikërisht aty ku ndërton themelet jeta nis dhe kastracioni njërëzor, nis avazi i mallkimit. Një dritare… Një shtëpi… Një vatër që i mungon kryeburrit, të zotit të shtëpisë. Dhe këtu sintaksa godet dyfish. Godet me figurën letrare të huazuar nga fqinja e saj ‘letërsi’ dhe rigodet me fshesën ironike tejet të goditur popullore. Natyrshëm ajo mirëpritet teksa pena dhe ideja e Farukut sjedh me domëthënie një bagazh të lehtë për t’u kuptuar: “Koha e shkurtër e qëndrimit në një nga vendbanimet e përkohshme, ndërpritej bashkë me njohjet e reja që kurrë nuk arrinin të bëheshin të vjetra. Më së fundi, ngaqë ishte verë, ishim vendosur në një qëndër zjarri të madhe, një nga ata bunkerët e artilerisë së rëndë, që pushteti i kaluar besonte se do ta përdorte në rast sulmi të njëkohshëm të dy superfuqive.
Më kujtohet mirë dita kur e braktisëm bunkerin. Ikëm prej andej si prej një lufte, për të mos u kthyer më kurrë atje, nëse nuk quhen kthim kujtimet për të. Nëna kishte ardhur për të na marrë, mua, vëllanë tjetër dhe motrën, më e madhja mes nesh, që ishim në shkollë. Atje jashtë, në rrugë, priste babai. Na përqafoi të dyve, përqafoi edhe mamanë dhe pastaj përsëri ne të dyve. Motra e madhe nuk ia ndante sytë. Mos kishte kthyer ndonjë gotë babai?! I pashë me lotë sytë e babait. Vështrova nga mamaja. Kuptova se kishte ndodhur diçka e mirë, gjersa ajo nuk i fshehu lotët prej nesh.
“I kanë dhuruar një shtëpi...”, na tha mamaja me zë të ulët…”
Dhe ndërsa “Dritarja e Fundit” hapet ashtu metaforike, ashtu fuqishëm artistikisht ajo zbret dhe plotëson dëshirat e lexuesit që përhumbet në këtë mrekulli letrare. Thuajse me një gjuhë të ngjashme dhe tepër tërheqëse pikëtakohet edhe tregimi:“Autobuzi i datës 1”. Autori seleksionon mënyrën komunikuese letrare dhe paraqet një pesazh që gati të mbërthen që në hyrje: “Ditën e parë të çdo muaji, Sherafi i gjatë, me supet paksa të rëna, gjithnjë i veshur me sqimë dhe buzëgaz, duket tek sheshi në qendër. Është e vetmja ditë e muajit me autobuz të ardhur nga kryeqyteti. Kësaj dite ‘S’ është qytet-thi më i çuditshëm në botë. E vetmja ditë ndryshe e tij. Ditëve të tjera ai harrohet pas halleve të veta të vogla dhe llafeve për botën e madhe.
Klubi ku dehen minatorët, skuadra e futbollit të kategorisë së tretë, hoteli ku thuajse s’bujt askush, kinemaja ku filmat lajmërohen gjithnjë si të rinj për shkak të ndryshimit të titujve, muzeu ku drejtori që është edhe ciceron përsërit tërë entusiazmë se e ardhmja nis tek e shkuara, gjithçka shoqërohet nga mbiemërori “Minatori”. Njerëzit ushqehen nga miniera, aty punojnë tërë burrat, deri sa dalin në pension ose deri ditën kur pësojnë ndonjë aksident nën tokë. Në hyrje dhe në qendër të qytetthit është vendosur i njëjti bust, Busti i Minatorit, dhe ... edhe VC-ja publike quhet “VC Minatori”…”

Por gjuha seleksionuese e Myrtajt i përshtatet edhe kohës, pikërisht tamam ashtu si edhe karakteret e tij të gjinisë femërore përshtaten. Pikërisht si “Bermuda” manaxhon bukurinë e saj. Këtu ajo që natyrshëm të bën të përhumbesh, nuk është thjesht bota femërore e karaktereve, por figura e përsosur që i paraqet ato nën modelin Farukian të prozërimit shqip. Aty natyrshëm rrjedha e lojës prozatorike kalon në rregulla të detajuara: “Secila prej femrave të tjera në këtë qytet do ta dëshironte këtë gjë, por asnjera nuk guxoi.
Mbase pikërisht kjo pafuqi, kujdesi ynë për të mos rrezikuar, bindja e shfaqur si urtësi dhe mirësjellje nga ana jonë, e pati shtyrë Gridën drejt atij veprimi të guximshëm, që fillimisht mund të dukej si gjest kryeneç. Në të vërtetë, shkurtimi me dy tri gishtrinj i fustanit, po të krahasohet me minifundet e sotme, me fundet deri në ije të çarë, me zbulimin e kërthizës së barkut, për të mos kujtuar pastaj pothuaj-nudot, ishte një ndryshim fare i vogël, një gjest aq i papërfillshëm sa, tani, pas disa vitesh nga ajo mbrëmje, tingëllon si diçka për të qeshur. Tashmë, jo vetëm bukuria natyrore që nuk ka pse fshihet më por, me njëqind mënyra, me njëmijë mjete, ç’nuk bëhet që të ajo të shfaqet edhe atje ku s’është.”

4.
Dhe kur kalon përsëri aty ku ti ke pikasur ‘pikën e dobët’ edhe autori e ndjen arritjen e tij padyshim “Nudo Zyrtare” është tjetra për t’u shprehur. Autori shprehet: “Nudo Zyrtare” është libri i shkruar shumë shpejt. Ishin bërë disa vite duke rënduar pas jetës, gazetave ku kam punuar, një jetë të tjetërt në Tiranën e lehtësuar nga hija direkte e izolimit, dhe shënimet që mbaja po ma merrnin frymën. Punoja në Ministrinë e Kulturës, që pjesë e shtetit ishte, por jeta që kisha bërë nuk më linte ta doja as edhe këtë variant shteti. Miku yt dhe imi, Lazër Stani, deri edhe së fundi ka përsëritur se "FM është armiku i Shtetit"! Në një kuptim po, gjersa shteti ende nuk është bërë Shtet, guvernator, qeverisës. Realisht unë nuk ndjehem dot mirë me qeveritë, jo vetëm në Tiranë, por me ato në Tiranë ca më shumë!” Kështu natyrshëm është proza e Myrtajt që ndjehet mirë, është “Nudo Zyrtare”, se tek e fundit c’është jotja mbetet jotja në ekonominë e “Lekut”, e pse jo edhe të ekonomisë së “Letrës” për shkrimtarin…, poetin, artistin.

5.
Pra natyrshëm fjala rikthehet e pasur te “Nudo Zyrtare”, aty ku autori thotë hapur: “Nudo nuk doli keq, fitoi edhe çmimin si libri më i mirë i vitit (atëherë nuk kishin dalë në qarkullim pendat e arta!). Vitin e kaluar, teksa gugloja emrin tim për të rejat e fundit në internet, vura se ribotimin e tij në Shkup! Për të mirë ishte nisur, i dërgova falenderimet,ishte shenjë pozitive për autorin, por a nuk duhej të më njoftonte botuesi Halil Zendeli? Bëra sikur u zemërova me të, por realisht urova që të më ndodhte kjo edhe me librat e tjerë!”
6.
Gjithësesi njeriu i letrave e thotë hapur ndjesinë e tij, e shpreh qartë dhe kuptueshëm. Planet kanë ikur dhe veprat kanë mbërritur: “vjet, me një parathënie të të pandreqshmit Stani, botova “Hijet e Virgjëreshave”, tek Arbëria e Abaz Veizit. Një botues, një shkrimtar i veçantë por ende i panjohur, për mua një mik e dashamirës që, në një shkrim esse të gjatë, është shprehur aq superlativ për mua sa nuk do të më mjaftoj jeta për ta justifikuar!” Dhe ne bashkohemi me esenë e Veizit, të palexuar deri më tash, për të thënë ndoshta atë që ne ndiem për veprën e Faruk Myrtajt, tregimin e tij tingëllues bukur shqip edhe në gjuhë të tjera…
PJESA E DYTE
Duke vazhduar intervisten pa pyetje...
7.

Fatmir, Me pelqen idea per ta zhvilluar intervisten si nje bisede, ku pak rendesi ka kush pyet dhe kush pergjigjet. Dhe, ne fund te fundit, nuk flasim per gjera thjesht private per te cilat duhet respektuar privacia! Ju permendni disa emra krijuesish shqiptar, pergjithesisht te njohur. Me lejo qe te them se midis tyre eshte edhe ndonjeri pak i permendur nga shtypi, ndonjeri qe ka kohe qe nuk shkruan me, apo ndokush qe mungon fare. Nuk eshte fjala thjesht per listen tende, apo per nje liste qe do ofroja une e keshtu me radhe, por per fenomenin e "berjes publik". Duke mos ditur kohen qe ju keni lene auditorin shqiptar, do te nxitoja te shtoja emra te tjere krijuesish, relativisht te rinj (por jo edhe aq te rinj ne moshen letrare). Madje, nese do te me lejonte largesia e njohjes, jane disa shkrimtare tashme ne Tirane, per te cilet do sakrifikoja tjetersimin e cdo liste hierarkesh! Eshte fat te arrish te perkthehesh, por Fat i Pare, ai i verteti eshte te jesh, te jesh shkrimtar dhe te konsiderohesh ne gjuhen tende. A e dime ne se ndokush, ben emer si krijues jashte shtetit (Gezim Hajdari ne Itali, me jehone njohje te pazakonshme deri edhe tek poete greke, sipas Dionis Qirixidhit), por shtypi letrar i Tiranes hesht?
8.
Letersia europiane ka dallimet e saj nga ajo e North-America-s, dhe letersia ballkanike dic me ndryshe. Lexuesit e ketushem jane po aq te cuditshem sa edhe shkrimtaret e tyre! Duken paksa te ftohte rrijne shume vetem dhe mbase nga kjo parapelqejne te lexojen memuare se tregime, me shume poezi qe tregime, dhe me shume romane se tregime! mendoj se mungesen e jetes se vet kerkojne ta plotesojne me jete te personazheve. Tregimi nuk ta zgjat shume, tregimi te ben te mendosh. Keta ketu qark meje kerkojne te harrohen!
(Kam frike se po e pelqej edhe une nga pak kete menyre jetese!)
Jane pak emra shkrimtaresh te realizmit ideologjik shqiptar qe vazhdojne te botojne sot, por le te themi se te gjitha letersive u mungon dicka. Sepse ideologjite jane te pranishme kudo, edhe pse jo ne trajten makabre te kushtezimit te ekzistences, si ajo e periudhes se komunizmit te mbyllur ne Shqiperine tone. Ajo qe ia ka shkurtuar jeten letersise shqip te asaj kohe eshte jo aq prania e enver hoxhes si personazh apo socializmit si parrulle, as ngjashmeria ne tematike e veprave te tij me romanet me te shperblyer te dites; letersia e asaj kohe pa liri ishte pashmangshmerisht e privuar prej individit, prej individit te lire, ajo kishte shmangur Njeriun si qenie ekzistenciale. Letersia e nje dite perendimore shtyhet ne ekstremin tjeter: e sheh njeriun kryesisht si qenie ekzistenciale! Madje, tek letersia e tregut ketu, lulezon skema e kundert e realizmit socialist, por me ngjyrim tjeter: atje njeriu nuk e zinte dot ne goje fjalen dashuri si te tille, kendej dashuria eshte loje me trupin, kryesisht te femres; atehere kishte vetem personazhe pozitiv, kendej ka vetem personazhe me probleme sociale apo fizike, droge apo krimi.

***
Dhe natyrshëm teksa biseda kalon në shtratin e vet tematika e një shkrimi, sado që synon të bëj lojën e një thesi magjik, prapë se prapë mbetet e hapur, se thesi aq ‘nxen’. Ajo që ndodh në kësi rrastesh është mirëkuptimi figurativ i problemit në lëminë e vet të trajtuar. Dhe gjersa problemi është i lindur nga krijues dhe i ndërtuar për krijuesit, padyshim ka një qëllim; atë të shtrëngimit të duarve pas një ringu tejet dashamirës dhe miqësor. Po a ka ring miqësor?! Në letërsi ai duhet prodhuar, ai duhet mirëgjetur, se kështu largohen xhelozitë, nëse janë, se kështu fillon të fryjë era e së mirës, era mbresëlënëse për brezat e ardhshëm të krijimtarisë.

3 komente:

Westward tha...

Myrtaj eshte nder shkrimtaret me te mire letersise shqipe. Eshte edhe permbajtja filozofike, qe i ben tregimet e tij te shijehen nga te gjithe e te lexohen me endje me shume se nje here.
a.l.

Anonim tha...

C'a ka shkrue bre qy treguemtari. A ka ksisoj rrefenjesish anej ka katuni i tina?

M.I.P. tha...

I nderuar zoti Fatmir,
Megithëse është hera e parë që ju shkruaj nuk është hera eparë që ju lexoj dhe disa herë i klam bërë pyetjen vetes: sa orë ka dita në Angli? Ose më saktë me sa orë e ka ditën ky Fatmir Terziu,bashkatdhetari im? Kam lexuar "Fjalën e lirë" tuajën ,parë filmat tuaj,poezitë tuaja, artikujt, etj dhe përsëri nuk kam gjetur përgjigjedhe jam i detyruar t'iu them:Ju respektoj bashkatdhetari im dhe më jepni forcë.
Sonte lexova bisedën Tuaj me Farukun respekti për ju mu rrit.Ju faleminderit.Le t'i shërbejmë të gjithë nga pak Shqipërisë dhe të tregojmë vlerat e saj.

Me respekt,
Llazar Vero
Filadelfia
lvero38@hotmail.com