e shtunë, shkurt 02, 2008
PESHQESH NJË RRUGË
Nga Fatmir Terziu
Rrugë me baltë, rrugë në baltë
rrugë që mbesin në rrugë
rrugë që të lënë në rrugë
vetëm një rrugë në atë rrugë.
Diku një furkë
lesh tjerr
tjerr lesh në atë rrugë
leshtjerrur në rrugë
një këndez nis e nxjerr zë
në rrugën me lesh e me furkë
vetëm plaka dhe pleq, sa shumë!
Vetëm pleq të mirë
leshbardhë nën furkë,
aty ku vazhdon të tirret si në legjendë
leshi i rrugës dhe rruga e leshit
Ti je në atë rrugë
në rrugë je si në rrugë
në rrugë të kanë mbetur trutë.
Rrugëtimin s’ke të sosur në atë rrugë
emrin që ta pagëzoi si një Kishë
rrugëtar (e gëzofsh për fare!)
rrugëtar i rrugës!
Rrugë, rrugëtim, rrugëtar
në atë rrugë lindën
rrugës së zhurmshme plot fjalë
ku takat paçavure u grindën.
Rrugës i këndoj në heshtje
dua ta kem mirë me rrugën
atë kam shok deri në vdekje
unë kam kohë që kam nisur rrugën…
Më thanë se me rrugën janë zemëruar
të parët e mi
babai, nëna, ndoshta edhe prindër e stërprindër të tyre
ah të parët e tyre
të parët e mi
ende mund të jenë zemëruar me rrugën?
Po qentë atëherë që kanë mbetur rrugëve
rrugaç që quhen me plot gojën
po qentë që përqafojnë rrotën
dhe prehen ashtu si qenër poshtë automjeteve?
Ah sa shumë duhet të jenë të mërzitur qentë
rruga u ka mbetur në hak
dhe qentë janë prapë në të tyren
edhe pse hanë nga të zotët ndonjë dajak.
Në rrugë me njëmijë hapa
hapa në rrugë
në rrugë ku të zë i ftohti edhe vapa
aty ku të ka lindur një rrugë.
Në rrugë
Në rrugë, në rrugë
Kush na e dha peshqesh këtë rrugë?
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment