e diel, janar 13, 2008

READING NDIHMA PËR SARANDËN

Nga Fatmir Terziu
Kisha duhej të grumbullonte rreth 4 mijë stërlina për të mbuluar shpenzimet e paisjeve dhe Pauli shpenzoi gjithashtu gjithë atë kohë me punonjësit zjarrfikës të Sarandës duke i praktikuar dhe mësuar se si t’i përdorin ato dhe makinën zjarrfikëse.

Kurrë ndonjëherë nuk ka patur kaq miq në Perëndim populli shqiptar. Kurrë për pesëdhjetë vjet nuk u tha një fjalë e mirë për këta miq që e duan dhe e ndihmojnë Shqipërinë. Historia edhe ndihmën e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore e vlerësoi ndryshe, madje thuri edhe ‘legjenda’ me fill të kuq për ‘këpucë të një këmbe’. Sot faktet janë aq shumë, saqë e gjitha e bluar në mendje dashakeqe i përket së shkuarës dhe vetëm trilleve të saj.
Para disa kohësh, dhe jo më larg se pragu i fundvitit që sapo u mbyll një kishë në Reading të Britanisë së Madhe, mike e popullit shqiptar, mblodhi fonde për të blerë dhe siguruar mjete zjarrfikëse për qytetin Jugor të Shqipërisë, Sarandën e bukur bregdetare.
Sipas Alex Gore që dha lajmin e këtij evenimenti bamirës dhe tepër domethënës, ish profesionalisti zjarfikës, Paul Lowe, një punonjës i ri në Kishën Vineyard, që mblodhi ndihmat dhe paisjet dhe së bashku me një anëtar tjetër të Kishës, Wayne Page i nisi ato për në Sarandë, që është thuajse me të njëjtën madhësi sa qyteti i Reading. Kisha duhej të grumbullonte rreth 4 mijë stërlina për të mbuluar shpenzimet e paisjeve dhe Pauli shpenzoi gjithashtu gjithë atë kohë me punonjësit zjarrfikës të Sarandës duke i praktikuar dhe mësuar se si t’i përdorin ato dhe makinën zjarrfikëse.
Frymëzimi për këtë ndihmë të madhe dhe të mrekullueshme për popullin e Sarandës erdhi pas asaj që Pauli dhe kirurgu i Spitalit Royal të Berkshires, Steve Courtney dërguan në Shqipëri në maj të vitit të kaluar një makinë ambulancë të kompletuar me të gjtha paisjet e domosdoshme të saj.
Pas kësaj Pauli është shprehur: “Unë kurrë s’e besoja se ata kishin një makinë të vjetër të dhuruar në ngjyrë të kuqe. “Brigada e zjarrfikëseve s’kishte helmeta dhe mjete mbrojtëse, si doreza, trupore apo edhe mjete të tjera”.

Kjo ndihmë e Kishës së qytetit Reading shënon një tjetër rrëndësi të madhe për Sarandën, kur mendon se vitin e kaluar zjarret e rëna në shtetin fqinj, Greqinë ishin shumë pranë dhe akoma më shumë kur kujton ato temperatura vrasëse të vitit 2007 që shtonin rrezikun e zjarreve masive në atë zonë tepër të nxehtë gjatë verës.

Nuk ka komente: