“Zhdukja e “Skëterrë 43”, ishte si një copë mish që më është hequr nga trupi dhe nuk më është kthyer akoma.”
Nga Fatmir Terziu
Në gusht të vitit 1996 pata rastin të intervistoj për gazetën “Fjala e Lirë” që botohej atë kohë në Shqipëri, kineastin dhe aktorin e mirrënjohur shqiptar Rikard Ljarja. Artisti shqiptar do të më shprehej: “Po presim të shohim një rreze shprese për të filluar punën, se po ndryshkemi”. Pyetjes se a mendoni se kinematografia shqiptare është në krizë të rrëndë dhe nëse po, si mendoni të dilet nga kjo krizë, Ljarja do t’i përgjigjej disi me problem. Midis të tjerave ai do të thoshte, “si gjithë Shqipëria që është një lloj kaosi dhe kinematografia është në turbullirë. Tek njërëzit ka hyrë një psikozë që të bëhen pasanikë për një javë, gjë që është një absurditet. Është dhe një problem tjetër që pavarësisht se ne na dhemb shpirti mbasi thika e ndryshimeve ka hyrë deri në kockë, nuk duhet me kërkue nga një shtet që është në kolaps që t’i kthejë sytë vetëm nga ne. Në të njëjtën kohë shteti nuk duhet të harrojë edhe anën tjetër, që një ndër shkaqet e krizës është edhe kriza morale shpirtërore e kombit, prandaj shteti duhet të kthejë njërin sy edhe nga kultura dhe arti, që t’i jap impulse shpirtërore këtij populli të stërmunduar”. Më tej aktori i qindra roleve në filmat shqiptarë që pushtuan kinematë e shtetit më të madh në numër për nga popullsia, Kinës, aktori që duartrokitej dhe ende duartrokitet nga miliona njërëz në Kinë, që ende admirojnë filmat shqiptarë dhe rolin e tij, mes emocioneve të tij do të shtonte: “shifrat janë qesharake. Simbas statistikave të vitit 1991 të Ministrisë së Kulturës, aq sa kam inform, unë sigurisht, personeli i gjithë teatrove të Shqipërisë, duke filluar nga pastruesit deri tek drejtorët ishin 1200 persona. Sot me siguri kjo shifër ka zbritur sepse eksodi ka bërë punën e vet edhe në kulturë, prandaj për 900-1000 punonjës të teatrove (edhe kështu për analogji, Teatrit të Operas dhe Baletit dhe Kinostudios) për shtetin nuk është ndonjë barrë e rëndë, duke patur parasysh, se çfarë ndihmese do të ketë në ripërtëritjen e Kombit”. Sot pas më shumë se një dekadë opsionet e Ljarjës duken gati të njëjta për këtë problem. Ja se si shprehej ai për faktin se duhet apo jo privatizuar sektori kinematografik, apo duhet të mbijetojë me një subvencionim nga shteti: “Këto janë probleme që nuk i njohim plotësisht, por mendoj që të përdoren të gjitha mënyrat e subvencionimit nga shteti si mënyra e kontratës, investimet e huaja, cooproduksionet etj, etj.”
Por aktori i Madh dhe tepër popullor kishte edhe plagë të vjetra, që i kishin mbetur një merak shpirtëror. Atij rregjimi monist i ka pezulluar filmin artistik të metrazhit të gjatë, “Skëterrë 43”(1980), që eshtë një revoltë në një kamp përqëndrimi fashist në vitin 1943, kundër metodave barbare, terrorit. Të burgosurit kryengritës si: profesori, piktori, Hekurani, Ariani, Mira, Shpresa, organizohen dhe mbajnë lidhje të vazhdueshme me rezistencën jashtë kampit. Me rezistencë të fortë ata arrijnë të shkatërrojnë skëterrën fashiste. Për këtë ai na shpjegoi shkurtimisht arsyet e atij censurimi arbitrar.
“Me një urdhër, tetë kopje film që gjendeshin në Kinostudio dhe gjithë reklamacioni është djegur. Thuhet se ekziston negativi. Arsyet kanë qenë dy. E para direkte, sepse skenari ishte i Bashkim Shehut. E dyta, indirekte sepse filmi në një farë mënyre bënte një analogji për gjendjen në vend. Besoj se kaq është e qartë”.Por duke e ngacmuar më tej, se një rishfaqje e atij filmi do të tërheqte vëmendjen e shikuesve për atë kohë, Ljarja e shikonte të vështirë parashikimin. Ai do të shprehej “koha ka ecur shpejt, megjithatë një rishfaqje e këtij filmi do të ishte një kuriozitet për spektatorët, për brezat e sotëm, që nuk kanë mundur t’a shikojnë atëherë. Në se kjo do të bëhet, atëherë do të duket se filmi kishte apo jo vlera të qëndrueshme. Unë mund të them vetëm kaq, se ky film është si një copë mish që më është hequr nga trupi dhe nuk më është kthyer akoma.”
Natyrshëm në fund ai do t’i përgjgjej emocionalisht pyetjes së fundit, për aktivitetin aktual të tij: “jam tmerrësisht i turbullt, i ngarkuar me emocione, ngjarje, fakte nga tëgjitha anët dhe ashtu siç presin edhe kolegët e mi që të shohin një rreze shprese për të filluar punën se po ndryshkemi!”.
Nuk ka komente:
Posto një koment