Nga Fatmir Terziu
Roehampton University
Media, Cultural Studies, Politics
-“Sa kushton ky libër?”- e pyeti ai menjëherë atë, të zotin e lokalit dhe bëri për nga kuleta.Roehampton University
Media, Cultural Studies, Politics
Në një nga lokalet e sapohapura të pasfillimeve demokratike në Shqipëri, diku aty midis Elbasanit dhe Tiranës, ndalonin shumë makina. Makinat sapo kishin filluar të gumëzhinin, dhe lokalet sapo kishin nxituar të ‘mbinin’. Dhe thuajse në ç’do cep kishte nga një të tillë, që diku quheshin kioska, kashtorre, llamarina apo edhe … ky lokal ishte diçka ndryshe. Lokali kishte fituar zemrën e klientëve. Kishte një pamje të qetë. I thjeshtë, një vendosje modeste tavolinash dhe ca panorama që binin në sy. Në një cep të tij një panoramë, poshtë asaj panorame ca libra, një bllok me shënime dhe një stirolaps. U afrova. Morra një libër në dorë dhe një dorë nga pas më shkundi. Një djalë i bëshëm në të tridhjetat, me një trup muskuloz dhe me një buzëqeshje gati të sforcuar ndodhej pikërisht aty në të djathtën time. “Libra? E, …libra. Librat duhet t’i kuptosh or vëlla, duhet t’i lexosh për t’i kuptuar. Po qe s’e ti s’i kupton është si ajo vjersha që i këndohej kësaj hangarrinës sonë, që na zaptoi tokat, pronat tona, e që na bëri të quhemi ‘armiq’ me njëri-tjetrin: “le të rrjedh çeliku për dyfek e plugje,/ le të pëlcasë armiku/moj kala e kuqe”. Dhe sa përfundoi ai recitimin e tij gjysëmqesharak e gjysëmlakonik, tepër ironik, aty në cep një televizion i ri, që dukej si i sapovendosur mbi një tavolinë tipike dhe me zbukurime karakteristike, me tentena e stoli të thurrura nga duar femrash punëtore, nisi humorin e mirrënjohur të Behar Merës, ‘Sho isar’, me të njëjtën vjershë, duke e bërë edhe më tipike më qesharake, më ndryshe në atë bisedë, ku filli kishte humbur dhe ende nuk dija se si t’i përgjigjesha atyre duarve që më shkundën nga supet. Nga ana tjetër instiktivisht kisha mbërthyer librin në tavolinë dhe gati-gati po e torturoja fizikisht atë libër, atë dëshmitar të heshtur e të qetë në atë lokal të bukur që u bënte ballë zhurmave të ndryshme të gotave, pirunave, pjatave, mbllaçitjeve e gëlltitjeve në hapësirra të errëta fytore të njërëzve-klientë, me e pa kollare. Nën pushtetin inatçor të momentit, libri kishte krijuar një plasarritje në kopertinën ballore dhe një shpërndarje disi asimetrike të fletërenditjes së tij. Bëra si i zënë në faj, për ç’ka po bëja. Po djaloshi, qeshi prapë dhe thiri të zotin e lokalit:
I zoti i lokalit i afroi një buzëqeshje të ëmbël, dhe pastaj të dy trupa gati-gati të një dimensioni, gati të të njëjtave përmasa trupore, rrokën duart, pastaj u kapën në qafë. “Mere, mere…! Është falas për ty. Është falas s’e është libri i mbesës sonë, është libri i Luljeta Lleshanakut”. Alpini, ishte kushëriri i saj, kushëriri i poetes, që koha i kishte bërë të mos njiheshin dhe të harronin njëri-tjetrin. Tani poezia do t’i ribashkonte në një kohë ndryshe, në një kohë kur vetë poezia nisi të shkruhej ndryshe, nisi të shkruhej siç është dhe duhet të jet poezia…
Dhe kështu ndodhi. Ata të dy i pashë edhe herë të tjera pastaj. I pashë në disa promovime librash të Luljeta Lleshanakut. I pashë teksa ishin miqësuar me poezinë, me atë poezi që i mungonte të gjithëve. Atë poezi e lexoja gjithmonë. Në mjediset e shtypshkronjës “Eurorilindja” në Tiranë, ku botoja dhe faqosja gazetën që drejtoja “Fjala e Lirë”, thuajse përherë do të gjeja nga një poezi të autores që kishte rrëmbyer zemrat e lexuesve edhe nëpër botë. Kështu poezia e Luljeta Lleshanakut u bë, mbeti dhe është magjia e poezisë së sotme shqiptare. Ajo është refreni nga ku duhet të dalë e shkuara, e tashmja dhe nesërmja krijuese.
- KUSH ËSHTË LULJETA LLESHANAKU
Luljeta Lleshanaku ka lindur në Elbasan, më 2 Prill 1968. Eshte diplomuar ne Universitetin e Tiranës, Dega Gjuhë-Letërsi (1997) Ndjek Programin Ndërkombëtar të Shkrimtarëve, Universiteti i Iowa-s, SHBA (1999) si Honorary Fellow in Writing.
Botimet:
- “Sytë e somnambulës” (1993)
- “Këmbanat e së djelës” (1994)
-“Gjysëmkubizëm” (1996)
- “Antipastorale” (1999)
- “Palca e verdhë” (2000)
- ”Fresco” (“Neë Directions”, SHBA, 2002)
-“Arti i joshjes” (2005)
- “Femijet e natyres” (2006)
- “Antipastorale” (LietoColle, Itali 2006)
- “World beat”, Anthology, - international poetry now, (New Directions, SHBA, 2006)
Botime te pjesshme:
- "Grand Street", "Iowa review", "Modern poetry in translation", "New letters", "Fence", "Seneca revieë", "Quarterly west", "Pool", "Words Without border", “Perihelion” etj, në ShBA, si edhe në “Europe” France;“Berliner Morgenpost”, Gjermani; “Assylium” në Greqi, etj.
- E pranishme në të gjitha antologjitë e poezisë moderne shqipe në gjuhë të huaj.
Çmime Letrare:
- Çmimin “International Vision prize” ( Sh.B.A, 1996)
- Çmimin per Librin më të Mirë të Vitit, Eurorilindja (1996)
- Çmimin kombëtar “Penda e Argjendte” (Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, 2000)
- Fituese në konkursin kombëtar të prozës “Europa, atdheu ynë i përbashkët” (Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, 2004)
Kanë thënë për Luljeta Lleshanakun:
„ Fëmija që pagoi për mëkatet politike të prindërve të saj në Shqipërinë e Enver Hoxhës; nje poete e re e cila duket sikur ka njëqind vjet që shkruan në një gjuhë që shkruhet vetëm prej njëqind vjetësh; një poete liriko-erotike në rrënojat e shtetit.. Luljeta Lleshanaku është e vërteta, dhe po kaq e paparashikueshme si një oaz pas një mali në Hënë“.
- ELIOT WEINBERGER
“Pra, një nga elementët që e dallon poezinë e Luljeta Lleshanakut nga të tjerat është mungesa e ndonjë komenti politik apo social. Larmia e pashoq e tematikës së poezisë së saj, që shmang reagimet sempliste ndaj të kaluarës së tmerrshme dhe të tashmes dhe të ardhmes të pasigurt, ndoshta përbën një nga cilësitë që ju siguron veprave të saj një vend ndër klasikët bashkëkohorë të letërsisë botërore. Ajo ju flet intimisht lexuesve, gjë që përbën tiparin dallues të poetëve të vërtetë, të aftë të tejkalojnë çdo kohë e kulturë.”
- PETER CONSTANDINE
“Këto poezi impresionuese mbartin një forcë shumë të ngjashme me sythet e para të pranverës , një shenjë të mbijetesës dhe jetes ngulmuese. Në ketë botë njerzore çoroditëse, një përcaktim i tillë i qartë, provon edhe një herë të vertetën tone të përbashkët. Luljeta Lleshanaku na flet të gjithëve”
- ROBERT CREELEY
„
Për lexuesin amerikan, nuk ka asgjë të huaj tek veçoritë poetike të poetes shqiptare Luljeta Lleshanaku. Ajo është një poete e dashurisë. Por, këtu ka një ndryshim; ajo bën qartësimin se çfarë do të thotë të jetosh në një botë të dhunshme dhe të korruptuar që depërton në botën private dhe tradhëton çdo intimitet. Vepra e saj poetike kundërshton të gjithë „të vërtetën“ publike. „Fresco“ është një libër i një inteligjence konstruktive radikale.”
- ALLEN GROSSMAN
- POEZIA E LLESHANAKUT DRITARJA E BOTËS REALE
Collin Jones, i cilësuar si një Billi Elliot i ri në një nga librat e tij “Poemat e Shënimeve” (2007), shprehet se “poezia duhet të jetë dritarja nga ku gumëzhijnë zërat e shpirtrave realë”. Më tutje ai shton se kur ‘realja’ është ende në diskutim dhe e diskutuar s’ka se si edhe poezia të mos jet e papërfshirë në këtë vorbull. Këtij kolapsi rutinor duket se i është shtuar edhe ‘konglameracioni’ vargëzues i një ushtrie ‘modeste’ që ka rrokur daulle, cyrla, hanxharrë, pena e shpata, e s’po kursen ‘djersë e kuletë’ të sokëllijë qoshkave miqësore për të ringjallur kasketën e vjetër dhe për t’a moderuar atë me një kapuç të ri gjoja modern, apo të moderuar. Ajo që anashqit këto ‘modesti’ ziliqare është poezia e lartësuar e Luljeta Lleshanakut, poetes që turavrapin e saj e ka me një ton prekës e tërheqës, tipik poetik. Aty lexohet imazhi i poezisë, dhe aty krihen realitetet që zhdërvjelltëson kjo botë, kjo dritëdalje e hershme, por ende stigmatike. Në kontrast me këto tentativa molekulare të mbira në ndërgjegje vetëpëlqyese, që dikur shfrytëzuan kapat dhe bukuritë rinore për të zaptuar skenat poetike dhe ulërirë e sharë me hapin revolucionar apo ushtarak mbi kolegët e tyre, natyrshëm shihet edhe ajo dritare e botës reale, që ndodhet në fytyrën e poezisë së Lleshanakut. Poezia e Lleshanakut është dritarja e botës që sfidon ato pickërrima kaotike e të stisura për kapat me yllin ekuq dhe xhaxhin që e donin shumë. Duke udhëtuar në brendësi të kësaj poezie padyshim gjen edhe të munguarën e sotme, aty gjen leksionin e nevojshëm për poetikën shqiptare. Lleshanaku ka pranuar që këtë leksion t’ua dhuroj falas të gjithëve, edhe kapave të vjetra e të reja të poezisë vargore.
Misteri i lutjeve
Në familjen time
lutjet bëheshin fshehtas
me zë të ulët, me një hundë të skuqur nën jorgan,
gati mërmëritje,
me një psherëtimë në fillim dhe fund
të hollë, e të pastër si një garzë.
Përreth shtëpisë,
kishte vetëm një palë shkallë për t‘u ngjitur
ato të drunjtat, të mbështetura gjithë vitin pas murit,
për riparimin e tjegullave në gusht para shirave.
Në vend të engjëjve,
hipnin e zbritnin burra
që vuanin nga shiatiku.
Ata luteshin duke u shikuar sy më sy me Të,
si në një marrëveshje kryezotësh
duke kërkuar një shtyrje afati.
„Zot, me jep forcë!” e asgjë më shumë,
se ishin pasardhësit e Esaut,
të bekuar, me të vetmen gjë që mbeti prej Jakobit,
-shpatën.
Në shtëpinë time
lutja ishte një dobësi,
që nuk përflitej kurrë,
si të bërit dashuri.
Dhe njësoj
si të bërit dashuri
pasohej nga nata e frikshme e trupit.
Në vendin pa emër
Nuk është nevoja të mbushësh ndonjë formular
e të japësh me bezdi gjurmët e gishtave.
Asnjë i huaj nuk ka ç’të dhunojë
atje ku gjithçka është e ndërtuar me frymë;
dhe gurët për tempujt janë sjellë nga larg, me kilometra ndoshta
për të shijuar gjeometrinë e hijeve.
Nuk ka vrima çelësash, çfarë mund të vjedhësh
atje, në qytet-shtetin e poetëve të vdekur?
Si leukoplaste mbi vetulla pas zënkave djaloshare
hiqen veç të lagura, kutitë e postës..
Qytete pa reklama. Pa gra të bukura me buzëqeshje
anti-karie. Por, rrugë, rrugë që synojnë drejt periferisë,
kufinjve të njohjes- diktaturën e një fije bari.
Ngjatjetoj. Nuk më kthehet.
Çfarë kuptimi ka t’i urosh mbarësi
atij që lind dhe vdes brenda një ditë, a ndoshta brenda një ore?
Ja, ku janë, të gjithë, mbi tavolinën time të punës,
në kopertinat e prapme, fotografitë e tyre të bëra posaçërisht,
kopështi i Edenit në sfond,
ngjitur si faturat pas rrobave të varura në pastrimin kimik.
Dhe në fund, çuditërisht nuk di të tregoj emrin e atij vendi
siç nuk ka emër një komb pa martirë.
Dezertorë po, të damkosur, si dezertorët spartanë
me gjysmën e rruar të fytyrës,
paqe me dritën dhe errësirën, njëherazi
Nuk ka komente:
Posto një koment