Nga Fatmir Terziu
Roehampton University
Media, Cultural Studies & Politics
...duke lexuar krijuesen e mirëformuar dhe mirëedukuar shkodrane Kurti-Kraja, pikëlidhja më mbarti tek kjo lidhje që mëshon realisht dhe me tepër origjinalitet midis këtyre dy krijueseve në pika dhe kohë të ndryshme. Proza e Ledrit është një poezi më vete, është një muskul i patendosur dhe një nerv i pasforcuar...
“Nëse vërtet ajo që shkruan mbetet në mendjen tënde për një kohë të gjatë, duket se nuk është e jotja”, më pati thënë dikur ish kolegu im i gazetës “RD” dhe shkrimtari Fatos Kongoli, që prej kohësh e ka themeluar emrin e tij në arenën botërore letrare. Shkrimtari dhe poeti pak mbajnë mend nga ato që shkruajnë vetë, se ato [idetë që u mbijnë] janë si puna e shkëndijave që u shfaqen dhe fap, kaq e kanë, më kujtohet të më thoshte ai, kur preferonte të rrëkëllente atë gdhënjkën e konjakut, përballë ish revistës “Hosteni”. Por, shkrimtari duhet të jetë një lexues i rregullt, jo vetëm i të tjerëve, i krijimtarisë vendase apo të huaj, ai duhet të jetë një lexues i vërtetë dhe i rregullt i vetes, i krijimtarisë së tij. Nëse një krijues nuk është i tillë, ai përsërit veten, gënjen vetveten, dhe bën sikur krijon.
Me të rrinjtë krijues, kjo është paksa ndryshe, se sot modernizimi i medias së re dhe asaj që fshihet prapa termit eksperiment, ka mundësuar disi një lëvizje si në populloren e ‘gjarpërit nën rrogoz’.Dhe në këtë mënyrë padyshim ajo që mbetet më kryesore, është jo vetëm vlerësimi i asaj që lexon, por edhe përzgjedhja e materialit letrar. Përshembull skica letrare “Mjellma”(1996) e autorit dhe aktorit shqiptar, Ilir Theohar Borodani, që trajton një ngjarje reale të kthyer në fiction, imagjinatë për lexuesin u bë në atë kohë një poezi më vete. Mjaft gazeta shqiptare, lokale dhe qëndrore shkruan për atë histori që mori dy jetë njërëzish në Liqenin e Ohrit. Ata ishin nënë e bij dhe vajtonin djalin. Liqeni ishte bërë varri i tij në ato ditë të zeza, që kush e kush mendonte si i marrë të kalonte kufirin. Skica u bë temë dite e Teatrit “Skampa”, më pas edhe pronë e secilit në një CD, ku zërri i aktorit fliste me zërrin e tij karakteristik. Pra ajo mbeti dhe është ende në mendjet e lexuesve.
Kush nga ne shqiptarët s’e ka ende nëpër mend “Apologjinë e vërtetë të Sokratit”, të cilën magjia e të madhit Mirush Kabashi e bëri të gjëmojë dhe të duartrokitet edhe në disa skena botërore. Ajo magji buron nga proza e ‘lexuar’, ‘seleksionuar’ dhe pranuar nga autor-spektatori në këtë rast. Shumë të tjera janë ndryshe, por janë fakt.Ndryshe s’do të kisha pikasur këtë ngjashmëri në kohë e në vend tjetër me këtë “romancë” të heshtur që të falë realiteti krijues kur pjesën tënde e gëlltit gati njëherrësh memorja dhe fiksohet si perlë që në padukshmëri shkëlqen madhërishëm. Është proza e Ledri Kurtit (Kraja) që ngjan me krijimtarinë e Maisie Mosco, një ish gazetare e përqëndruar në gjininë fiction në vitet gjashtëdhjetë, por që ende flet me krijimtarinë e saj, të freskët, si të kohës që jetojmë. Puna e saj e hershme ishte pëlqyer nga teatri në Nottingham Playhouse dhe më vonë një nga prozat e saj gjeti gjininë e filmit. Ajo është autore edhe e 14 pjesëve për radio. Kështu duke lexuar krijuesen e mirëformuar dhe mirëedukuar shkodrane Kurti-Kraja, pikëlidhja më mbarti tek kjo lidhje që mëshon realisht dhe me tepër origjinalitet midis këtyre dy krijueseve në pika dhe kohë të ndryshme. Proza e Ledrit është një poezi më vete, është një muskul i patendosur dhe një nerv i pasforcuar. Ajo lexohet njëherë dhe të bën të kthesh fletën prapë e prapë, derisa bëhesh padashje një aktor dramatik i saj. Teatri aty është. Aty janë edhe përzgjedhësit, botuesit, producentët. Aty është edhe proza e Ledrit dhe aty është dhe pena e saj...
Vazhdon ne Fjala e Lire
TREGIME
LEDRI KURTI (KRAJA)
- tregime -
. Një drekë, një këpucë, miq jo!
Dreka, kthye ne thërmija.
Brenda gjoksit të secilit, copëza gjaku u shkoqën.
Për çka ishte femërore, mori ngjyrë gri të errët, e
për ç'kish mbetur tjetër s'dukej të kish jetë. Të
gjithë u shpërndanë.
E vetme, në krye të tavolinës së përçudur, ngeli një
hije që s'lëvizte. Një fëmijë, disi harruar, ulur në
tokë, mbështetur me bërryla në gjunj ekokën në duar,
kushedi ç'i fliste viteve të veta. Kapërdihej, me lot
të heshtur dhe as që e çau kokën fare, për atë kandërr
të frikshme, që po ecte buzë këmbëve të tij.
Dëgjohej, veç xrri-xrritja e një krimbi druri, diku
në brendësi të këmbëve të tavolinës apo... ndonjë
karrike.
Për dreq, një trokitje. Mbase ndonjë mik a... kushdo
mund të ishte...
Hija, lëvizi mefshët nga tavolina ku qe ngulur. s'u
kuptua kurrë arsyeja, por një katrahurë këmbësh të
ngatërruara për në theqafje u dëgjua saktë. Njëra
këpucë u fsheh diku, e lemerisur nga këmba që e mbante
dhe mbeti po aty, pa zë, me gojën hapur nga tmerri që
provoi. U ndje klithma e një fëmije...
Thërrimet u fshinë me mëngë, e gjithë ç'pat përsipër
u plasën përtokë.
Një e trokitur tjetër guxoi të shprehte dëshirën për
të çapur brenda, hapat e vet. Këpuca e mpirë në atë
pozicion që kish ngelur, ra në kurriz. Për ters të
vet, kërciti me zhurmë. Një dorë e përfshiu të tërën
dhe e flakëriu të mbërthyer nga maja. Pa ditur se në
ç'masë u përplas, këpucës sikur iu shtrembëruan
turinjtë nga pështirosja e gjakut që kish ndotur
thembrën e saj. Qe e pafuqishme për ta pastruar atë
vetë.Por s'kish besim shumë as në mirësinë e atij të
sapohyrëdalurit, fytyrën e të cilit kish prekur. E
ndjente veten se qe e përbuzur, madje më shumë e
humbur!
1995!
. Shkallët...
ëndrra e tij qenë shkallët. Ashtu vetëm, krijonte
imazhin gjeometrik të tyre. Çuditërisht konstruktonte,
shkallë në mendje, por këmbët e tyre gjithnjë
shfaqeshin larg njëra - tjetrës. Largësia ndërmjet
ishte e barabartë vetëm me KURAJO. Kurajo, për
gjithçka mund të ndodhte në ngjitje e sipër, e kurajo
për tërheqje të ekuilibruar të këmbës tjetër të ngelur
pezull.... Kurajo më në fund, për t'u ngritur në
këmbë, në lartësinë e re. Njëkohësisht bashkë me këtë,
të kesh guxim të shohësh pa frikë poshtë teje,
vendodhjen tënde të parë. Kjo thjesht, ishte sa për të
kuptuar e shijuar
suksesin e arritur, pa kërcyer Urraaa... mbi të, se
ja: U rrëzove!
. Hija breshkëmadhe!
Ti je një hiç! ja ç'je!
Je një e verbër që shtiresh sikur sheh...
Makina e shkrimit ndali ritmin e lodhur të saj,
gishtërinjtë u shkëputën prej tastierës. Mbi të dhe
mbi fytyrën përballë saj, që shihte fletën e shtypur
gjer atë çast, ra një hije breshkëmadhe, një hije që
çuditërisht rrumbullakimi i turrshëm i gojës dhe
pëlcitja e pështymës brenda saj me gjuhë, shpaloste
imazhin e një betoniereje llaçi.
Tllç...tllçk...tllçk...lluk, lluk..sh
sh...lluksh...lluksh gërrlluk, gërrlluksh...
gërllugësh...
Heshtje.
- Ti je një hiç! Gjë prej gjëje s'je! Zhurma është e
imja, por ty s'ta them përsenë. I zhytur gjer në fyt
në qënien tënde së gjalli, do të llokoçis fatin tënd
me gishtërinjtë e mi!
LLuk...lluksh...lluksh... gërlluksh...
- Pa ngrihu nga ajo karrike... Unë kam gjak blu,
përzier me aromën e parfumluleve të katundit tim. Unë
kam hije varri e duhet t'ma kesh friiikën!
- Larg, më qëndro laaarg!
- Ja, ta boshatisa botën! ja ta sita jetën në mënyrën
time, ja t'ia bëra trurit... lluk, lluksh,
gërlluksh...gërr...lluksh.
Hija breshkëmadhe, u shmang. Lëvizi me ecejake prej
hijene, nëpër katrorët e lerosura të pllakave të
heshtura.
- Ti je një minus, për kokërdhokët e mi!
Je, je, je...kush je...?!
Në turbinat e trurit tënd, unë futa lëngun e tëmthit
tim! në vena e damarë gjakun e ke të pakët! Ta mora
unë, për të mos lënë pa gjak venat, damarët e e aortën
e hijes sime!
- më shiko mirë! Fytyra ime është ajo që ke parë, sheh
e do të shohësh gjithmonë si dua unë!
Pllakën e varrit tim, do t'jua lë të gjithëve si ti,
në vend të tastierave të çfarëdolloji. Gjithçka mund
të shkruani mbi të, por emri im s'arrin të ngelet aty.
- merreni makinën time të vdekjes, ngrijeni lart, me
një Urra! Urra! Pse arkivoli brenda është vetëm bosh!
Unë s'mund të jem aty!
Aty jo! Vetëm aty jo!
Ha,ha haaaa.......
Komente:
Pershendetje mik i dashur Terziu
Here pas here i lexoje me andje shkrimet Tuaja analitike.Bashkangjitur po ju sjelle edhe keta fajlla sepse ndofta te hyjne ne pune per nje autor qe ka te botuara deri me tash mbi 25 libra shume te mira (Mr.sci.Flori Bruqi).
Bashkangjitur keni edhe librin e Bruqit me titull "Guxim shqiptar".
http://mitglied.lycos.de
http://mitglied.lycos.de
Respekt,
Lirije Domi,gazetare nga Prishtina(per momentin ne Oslo/Norvegji).
Oslo,16.1.08
Nuk ka komente:
Posto një koment