e premte, janar 18, 2008

KULTURA E NJË ZONE NË KULTURËN KOMBËTARE SHQIPTARE


Nga Fatmir Terziu



Prej kohësh më ka shqetësuar një detyrim moral për një krahinë që e meriton atë. Për një krahinë që për mëse katër vjet i përkushtova rininë time në fushën e edukimit të brezit të ri. Për një krahinë që auditoreve shqiptare, rrugicave dhe ecejekave të jetës të dëgjoja një emër disi me nofkë: Golloborda, por që më bënte të ndihesha krenar kur e dëgjoja atë emër.
Takoja të përfolurin murator të Gollobordës, dhe më falte krenari, shikoja portretet dhe pikturat e të papërsëritshmit Nexhmedin Zajmi, “Piktor i Popullit”, dhe ndjeja emocion, apo piktorëve të tjerë si Bajram Mata, Tahir Zeneli, Duro Ibrahimi etj, lexoja shkrimet e Hasan Shahinajt, Dail Halilajt, Ibrahim Allës, Islam Ramës, Fatmir Selimit, Velo Cfarkut, Kujtim Boricit, Flutura Ackës dhe ndjehesha kryelartë,
komentoja poezitë e dhjetra poetëve të Gollobordës dhe bëhesha letrar, shikoja skulpturat e Hamza Halilit, Fitim Sulës, Bashkim Sadikut, Hajdar Zhobes dhe përhumbesha në to, shikoja filmat dhe skenaret e Esat Musliut dhe s’kisha të ngopur, pastaj studimet e Hilmi Sadikut, Ramazan Hoxhës, Besnik Ramës, Cfetan Maznikut, Mehmet Hasanit, Kristaq Trajës më shtonin dëshirën për të studiuar në traditën e tyre të bukur shqipe dhe mes qindra e qindra talentëve të fushave të tjera padyshim nuk ka se si të ndihesh ndryshe, vecse i lumtur dhe krenar, per nje zone me kulture te larte ne kulturen Shqiptare.

DISA NGA FIGURAT MË NË ZË TË GOLLOBORDËS NË KRENARINË E KULTURËS SHQIPTARE


  • NEXHMEDIN ZAJMI

Nexhmedin Zajmi lindi në Trebisht-Bala të Gollobordës të rrethit të Dibrës më 1916 dhe ka vdekur në Tiranë më 19 maj 1991. Ai e kaloi fëmijërinë nën kujdesin e gjyshes dhe vëllezërve më të rritur, të cilët e fusin në shkollën fillore të fshatit të lindjes. Studimet i vazhdoi në shkollën e fshatit Omezhë dhe më 1931 hyn në shkollën teknike të Tiranës, në degën bujqësore. Në fund të vitit të tretë të shkollës, Zajmi realizon një portret në skulpturë të një shoku. Ky punim u bë shkak që Nexhmedini të hyjë në degën e dekoracionit të kësaj shkolle, ku studionin piktorët Andrea Mano, Ibrahim Kodra, Gaqo Kollumbi, Qamil Grezda, Kel Kodheli, Sabri Tuçi. Më pas regjistrohet në shkollën e vizatimit në Tiranë, më 1938.
Zajmi kreu studimet e larta në Akademinë e Arteve në Romë (Itali). Pas kthimit në atdhe më 1944 emërohet pedagog në Gjimnazin e Shtetit në Tiranë (1945) dhe një vit më pas në Liceun Artistik "Jordan Misja".
Në vitin 1955, ai punon si Drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë dhe më pas rikthehet në Liceun Artistik si pedagog, ku jep mësim deri në vitin 1963. Po në këtë vit emërohet pedagog në atelienë e pikturës në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë (ish-I.L.A), ku punoi deri në vitin 1969.
Krijimtaria artistike e piktorit Nexhmedin Zajmi është e gjerë dhe e larmishme. Ai nga viti 1945 ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat kombëtare të hapura në Tiranë. Gjithashtu ka qenë pjesëmarrës edhe në ekspozita e konkurime ndërkombëtare ku përfaqësohej Shqipëria si Bienalet e Aleksandrisë, të Bukureshtit, në Sofje, në Vjenë, Petërburg, Kroaci, etj.
Nexhmedin Zajmi është nderuar me disa çmime në konkurset e ndryshme Kombëtare të organizuara nga Ministria e Kulturës dhe është laureant i disa çmimeve të Republikës. Në vitin 1961 i jepet titulli "Piktor i Popullit". Në aktivitetin artistik rreth 40 -vjeçar, piktori Nexhmedin Zajmi është pjesëmarrës në 27 ekspozita kombëtare. Në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë ndodhen 72 vepra të piktorit Zajmi, ndër të cilat edhe 2 tablotë e realizuara gjatë viteve '40 në Itali.

  • HAMZA HALILI

Skulptori Hamza Halili ka lindur më 15 Maj 1939 në Trebisht-Bala në një familje me tradita zejtarie dhe tepër atdhedashëse. Mbetur jetim nga nëna pa mbushur ende një vit, ai u detyrua të futet parakohe në kthtrat e jetës. Arsimin fillor e kreu më 1947-1951, me të paharruarin kryemësues Mustafa Shahinaj. Më 1952 vendoset në Tiranë. Aty studion në shkollat “Misto Mame”, gjimnazin “10 Korriku” dhe “Hasan Vogli”. Në vitin e tretë të shkollës së mesme ndoqi paralelisht edhe liceun artistik “Jordan Misja”.
Veprat e tij nisin me “Portet fëmije”, vlerësuar nga skulptori Andrea Mana, me të cilën mori pjesë edhe në ekspozitën e vitit 1964. Më pas mes më shumë se njëqind punimeve të gdhendura nga dalta e tij mund të vecohet “Kali i abstraguar” gdhendur në gur, që peshon rreth 2,5 ton nga një gur që peshonte rreth 4,5 ton dhe që ndodhet në Gjermani. Ai është bashkëautor i “Nënës Shqipëri”, monumentit në Vlorë “Ngritja e Flamurit” dhe dhjetra të tjerëve. Ai diku përmend një thënie të skulptorit janaq Paço: “S’mund të jesh skulptor, nëse s’punon nudo!”

  • ESAT MUSLIU

Regjisori Esat Mysliu lindi me 1946 ne Gollobordë të Dibrës. Erdhi qysh ne vitet 1960 ne Tirane, ku vazhdoi Liceun Artistik per skulpture. Punoi si gazetar tre vjet ne revisten “Hosteni". Nga viti 1973 - 1975 ndoqi kursin e larte per regjisor filmi. Po keshtu mbaroi Akademine e Arteve per regjisure dhe me 1986 shkoi ne Itali per specializim si regjisor filmi. Regjisor i identitetit dhe dramave te forta shqiptare. Eshte sqimetar ne personalitetin e dinjitetin e figures se femres shqiptare. Esat Mysliu ka mbi 20 vjet qe gdhend idete regjisoriale ne filma qe nuk kane kaluar pa vleresime maksimale jo vetem te publikut. Por duke kaluar dhe ne siten e kinemase boterore, regjisori ka befasuar me ngjarjet tronditese shqiptare.
“Te zhdukurit", ku ky i fundit mori vleresimin me te larte para disa kohesh ne SHBA, jane filma glorifikues jo vetem per personazhet e tyre, por edhe per ngjarjet shqiptare.
Ka punuar me aktoret Sulejman Pitarka, Timo Flloko, Marieta Larja, Agim Qiriaqi, Margareta Xhepa, Liuza Xhuvani, Raimonda Bulku, Xhevdet Ferri, Vasian Lame, Margarita Xhepa, Marieta Larja, etj.
Ka bashkëpunuar edhe me skenaristin dhe shkrimtarin Roland Gjozaj.

  • MUSTAFA ZEQIR SHAHINAJ NJË KOLONË MERMERI NË ARSIMIN SHQIPTAR

Mustafa Zeqir Shahinaj është një emër i ngulur me mund e me djersë në “kolonën e mermertë” të Arsimit Shqiptar. Një emër që tërë jetën e tij ia kushtoi, jo thjesht arsimit dhe arsimimit si një punë sa për t’a kryer, por si një detyrim moral i një njeriu, që eci, u edukua dhe u kalit në një strehë patriotike për të vazhduar më pas në rrugën e bukur të dijes dhe ngulitjes së saj me forcë tek brezat e një kohe, kur Gollobordës dhe mbarë Shqipërisë i mungonte buka dhe mjaft gjëra elementare të jetës. “Misri, apo gruri merreshin kilometra të tëra larg, ose në Shupenzë ose në Zerqan”,- më thoshte im atë Dail Terziu, kur unë isha ende i vogël dhe dëshiroja të dëgjoja tregime, të mësoja histori njërëzish dhe sakrificash të shumta. Mbaj mend kur më thoshte pastaj im atë thënie dhe vlerësimë për Mësuesin e Madh, Mustafa Shahinaj, se si ai tentonte me gjuhën e tij karakteristike të nguliste popullorçe metodën e arsimdashurisë tek të tjerët. Ai mësohet t’u thoshte atyre që nuk mësonin: “Këtu, nga këto banga do të martoheni. Këtu do të vijnë krushqit t’ju marrin. Këtu do të bien daullet për ju…”, që nënkuptonte qartë, se po të mos mësonin mirë “kurrë nuk do t’i shpëtonin mallkimit të bangave të arsimit shqip”, kurrë nuk do të kuptonin jetën në kohë. Ata që e dëgjuan fjalën domethënëse të profesorit, sot janë inxhinierë, doktorë, profesorë, shkrimtarë, poetë, ministra,… ose janë bijtë dhe bijat e atyre nxënësve që edukoi profesori. Janë një numër i madh njërrëzish që ndihen krenarë në rrugën e diktuar nga mësuesi tepër popullor dhe i respektuar në të dy anët e kufirit... Sot kjo krenari është sigurisht edhe një mirrënjohje, edhe pse modeste dhe në heshtje.

***

Gjurmët e Normalistit dijetar, patriot dhe mendjehollë përcillen brezave në stendat dhe krenaritë kulturore të muzeumeve të Lurës, Peshkopisë, Ostrenit të Madh, Trebishtit e kudo ku dora e tij dhe ndjesia e tij la timbrin e gjuhës shqipe, la koliografinë e tij të rradhë shqiptare. Por gjurmët e tij janë edhe burgjeve fashiste, kur në shtatorin e vitit 1943 ai arrestohet dhe mbahet në burdun e Dibrës së madhe së bashku me studentin Ismail Nuredin Sinani që vinte nga shkolla e famshme Tregtare e Vlorës. Gjurmët e tij janë në në faqet historike të Kongresit të Parë të Arsimtarëve Antifashistë të Shqipërisë, që është zhvilluar në Korcë nga 23-30 Nëntor 1944. Studiuesi Ramazan Hoxha shkruan: “në vorbullën e këtij zhvillimi të madh të arsimit në krahinën e Gollobordës, një kontribut të pazëvendësueshëm kanë dhënë sidomos Mustafa Shahinaj, Mehmet Cadri dhe Islam Hoxha”.

***
Vitet rrodhën shpejt. Jeta natyrshëm rrodhi akoma më shpejt. Por vitet dhe jeta e tij lanë gjurmë në banga shkolle, në libra shqip, në mendje njërëzish e memorje brezash. La një ndjenjë gëzimi në fakt që ndjehet edhe sot mes librave që i biri Hasan Shahinaj shkruan dhe boton sot, apo edhe në fjalën dhe përkushtimin e të birit Lulzim Shahinaj, inxhinier. Jo më pak edhe tek të tjerët, të familjes së madhe. E thënë shkurt e vetmja pasuri për të mbeti edukimi, arsimi shqip, libri shqip, ndaj edhe frutet ndihen gëzueshëm. "Libri, libri shqip është shpëtimi ynë"- ka thënë ai, më shtonte im atë.
"...Dhe të vetmin gëzim ai pati natyrshëm librin",- vazhdonte të më shtonte babai. Ndërsa moralisht ndjeu diçka ndryshe edhe pse thonë se nuk u gëzua shumë kur me Dekretin Nr. 2722 të datës 8.8.1958, e dekoruan me Urdhërin e Klasit të Parë, ndërsa i pari qe në fakt që uroi kolegun e tij, mësuesin tjetër të dalluar, Mehmet Abdi Çadrin, që dekorohej me Urdhërin e Klasit te dytë. Të dy dekoroheshin për merita të mëdha dhe për kontribut më shumë se 25 vjeçar në arsim.
Sot pas disa vitesh, kur emri i Profesor Shahinajt, është një emër më se i nevojshëm për t’u nderuar dhe respektuar, ende mungojnë dëshira dhe vullnete për t’a përgjithësuar, për t’a transmetuar domosdoshmërisht dhe institucionalisht tek brezat e sotëm, ndoshta edhe për krenarinë e brezave të djeshëm, që i janë mirrënjohës Profesorit të Madh. A nuk do të ishte mirë që emrin e tij të kishte një nga shkollat që ai u përkushtoi jetën? Sot ka shumë emra mes nesh, por emra të tillë duhen mbajtur mirë në sëndukun e artë të historisë shqiptare.




Ai shfaqi talentin dhe mësuesit e hershëm patriotë shqiptarë iu përkushtuan talentit të tij. Talenti ishte diku larg moshës që kishte, ishte veshja e rrobes ushtarake. Ushtria ishte ëndërra e tij, madje edhe kur luante me bashkëmoshatarët, ai ishte natyrshëm komandanti edhe i atyre disa herë më të mëdhenj se ai në trup dhe në moshë. Natyra i kishte dhënë edhe zgjuarsinë. Ai iu përkushtua Atdheut, Mbretëria i dha bursën, por diktatura e la vetëm teknik ndërtimi, dhe me një thes me dekorata deri adhe me atë të medaljes me Urdhërin dhe Medaljen e Clirimit. Ai u spastrua si njeri i shkolluar në Perëndim dhe u harrua se kishte shpëtuar nga pushkatimi rreth 200 burra në portat e Drinit në afërsi të Dibrës së Madhe, nuk iu përmend as herroizmi në Kosovë.

Fillimi i vitit 1942, ka qenë dhe ëndërra fëminore e Kapitenit të Parë Qazim Kasa, për t’i shërbyer trojeve shqiptare me përkushtimin e jetës së tij, kur u emërua pranë Komandës së Divizionit Ushtarak të Prishtinës në Kosovë. I lindur në vitin 1914 në fshatin Trebisht-Bala të Gollobordës dhe i rritur në një familje që mezi e siguronte bukën e gojës, qysh në fëmijëri ai ëndërronte të vishte uniformën ushtarake. Dhe ndërsa dallohej për vyrtytet e zgjuarsisë natyrale që e karakterizonin atë, air a në sy të mësuesit nga Dibra e Madhe Ramadan Sefedini që i afroi mësimet e para deri në vitin 1927, aty në vendlindje. Ai studioi bashkë me bashkëmoshatarët e tij Nexhmedin Zajmi, që më pas studioi për pikturë Mustafa Shahinaj, që vijoi normalen për mësuesi Lutfi Mehmeti që studioi më tutje për diplomaci etj. Kurse vetë Qazimi ndoqi studimet e mesme në gjimnazin e Tiranës, studime që i kreu në vitin 1933. Duke parë rezultatet e tij të shkëlqyera dhe vlerat ushtarake të shfaqura, vet Mbretëria Shqiptare e Naltmadhërisë së Tij Zogu i Parë, Mbret i Shqiptarëve, i akordoi Qazim Kasës një bursë për në Akademinë Ushtarake të Torinos, ku ai kreu më pas për shtatë vjet nga 1934-1941 studimet dhe kursin pasuniversitar të specializimit duke merituar gradën Kapiten i Parë dhe titullin Oficer i Shtatmadhërisë.
Duhet theksuar se në vitin 1942 kur ai drejtonte Komandën e Divizionit të Prishtinës, për tolerancën që u bëri në besa-besë të shkelur nga dy ish-partzanë të dënuar kosovarë, Qazimi vuajti edhe disa kohë burg arrest. “Në fakt asgjë nuk e përkuli atë saqë, ish Kryeministri Mehdi Frashëri, që dallohej për rreptësinë e tij, dha urdhër t’a lironin, pra, aq reputacion e emër kishte aftësia profesionale e Kapitenit të Parë, Qazim Kasës” (Ajazi, 2006).

Vazhdon…

Nuk ka komente: