e enjte, janar 24, 2008

365 a 366 NETË NGA E PARA PRAPË




Nga Fatmir Terziu
Zgjohu edhe natën njeriu im
I imi njeri i natësuar
mos lejo që një elektron i paaftë
të të bëj të tjetërsuar.
Në këtë natë Ti je ndryshe
edhe pse ndryshe nuk është kjo natë
mendo sikur Ti të mos ishe
kush do të numëronte 365 a 366 nga e para prapë?!

Kjo natë s’ka si të jetë një natë tjetër
të tilla janë netët në llojin e tyre.
Netë.
kjo natë kurrë nuk pasoi dukurinë e vjetër
kjo natë kurrë s’është gjë tjetër.
Vetëm natë.
Qindra net numërohen në një vit, plot 365 a 366 të tilla
dhe prapë të 365 a 366 të tillat netë, rikthehen në atë natë
aty ku dhe ti ke brenda teje vetëm natë
aty ku nata rri brenda teje ditë dhe natë.
Ngrehina ngrihen aty për një natë
nata i ngurtëson në letër e kartë
dhe shemben pastaj në një natë
kur vet natën e zë inati me të kaluarën prapë.
Natën kodrat, vetëm kodrat, vështrojnë
shkunden nga vështrimi natën
kur nata u shtron në hapësirë qilimin
që të riprodhojnë sërrish vështrimin
vështrimin që e përcollën anembanë atë natë
kur veç të riun shtrirë mbi një trup femre përgjonin
ashtu të mbledhura bashkë, grushtkodrash nate.
Dhe nata na mbeti në çdo detaj
ne ecim dhe ende shohim natë
natën që na ngjeshi automati i asaj kohe
koha që na automatizoi natën.
Kjo natë nuk është natë ndryshe
ndryshe nuk do të quhej këtu natë
natë unë kurrë nuk pashë andej tutje
kur tutje e kishin harruar me kohë natën.
Zgjohu edhe natën njeriu im
I imi njeri i natësuar
mos lejo që një elektron i paaftë
të të bëj të tjetërsuar.
Në këtë natë Ti je ndryshe
edhe pse ndryshe nuk është kjo natë
mendo sikur Ti të mos ishe
kush do të numëronte 365 a 366 nga e para prapë?!

Nuk ka komente: