e diel, dhjetor 09, 2007
CA PIKA LOTI MBI EPITAF
Nga Fatmir Terziu
Në epitafin e lagur nga lotët
Varen lule,
Mall,
Pika loti!
Në pllakën e ftohtë të mermerit
Prehen fjalë,
Dhimbje,
Lutje,
Mesazhe
Të shkruara e të pashkruara!
Në hapësirën e kaftë që rrethon
Shtrihet trupi i një ish-Profesori, Doktor i Shkencave
Nën dheun gri një zemër e pushuar ende rrënkon
Për shpirtin që i ka mbetur auditorëve.
U lodh së foluri brezave
U rropat në shpjegimin e termit ‘korrupsion’
Studentëve, prindërve, nënave
U foli vite të tëra hapur me të njëjtin ton.
Korrupsioni është mortajë e keqe
Të zë e s’të lëshon
Tunde e shkunde po deshe
Ai veç depërton e depërton.
Ai ka vetëm një ëndërr
Pasuron atë që s’e meriton
Lë pas si në ëndërr
Një shoqëri të tërë që lëngon.
Vëllezër, motra, dëgjoni o njërëz të mirë
Në vend të ‘draprit’ një mekanizëm po ulërin si ‘kosa’
‘Korr’ djersën tuaj si bereqetin në arën e mbirë
Mbushen xhepa, thasë, nga seksera e monstra.
Pastaj benza, kadillakë e modele të ëndërruar
Lëvrijnë damarëve të tokës si vemje
Mbirë nga ‘bereqeti’ që ju u keni ‘dhuruar’,
Duke dëfryer nga mëngjezi në mbrëmje!
Kjo fjalë i mbeti Profesorit të mirë
Kur goja iu mbyll atë natë pa drita
Një dritë i ndriçoi në fytyrë
U duk sikur po zbardhte dita…
…Në epitafin e lagur nga lotët
Varen lule,
Mall,
Pika loti!
Aty një fjalë me laps të zi është shkruar;
Për ‘korrupsionin’ u trete së koti!
Lexoni gjithashtu:
Abonohu te:
Posto komente (Atom)
Nuk ka komente:
Posto një koment