e martë, shtator 30, 2008

LE TË MARSHOJMË SË BASHKU



Alban Bytyci

Sa persona nga shoqëria juaj nuk i kanë dokumentat e nevojshme ligjore që lejojnë udhëtimin e tyre nga Britania për në vendlindje dhe rikthim të lirshëm në Mretërinë e bashkuar? Personalisht, njoh të pakten 10 veta të cilët banojnë në Britaninë e Madhe prej një kohe të gjatë, madje disa kanë mbi një dekadë në ishullin tone. Nuk është vetëm koha e gjatë problem në këtë mes, por pamundësia ligjore që këta njerëz kanë për të parë familjet e tyre, në mungesë të dokumentave për të udhëtuar. Kjo pjesë e komunitetit tonë kërkon ndihmën e gjithesecilit prej nesh për zgjidhjen e këtij problemi. Ata janë kontribues në këtë shoqëri po aq sa qytetarët që janë të pajisur me dokumenta. Është e vështirë ta imagjinojmë gjendjen e tyre dhe të familjarëve të tyre, por di të them se sa herë që i vizitoj familjet e miqve të mi që nuk kane dokumenta, prindërit, motrat dhe vëllezërit qajnë nga mungesa e njerëzve të tyre të dashur. Kjo gjendje është e shume e dhimbshme por jo e pazgjidhshme.
Duke qenë se vendi ynë i adoptuar, Britania e Madhe, është një vend me një nivel të lartë të respektimit të të drejtave të njeriut, njerëz nga e gjithë bota kanë gjetur qetësinë e tyre në këto brigje. Ashtu si anëtarë të komunitetit tonë, shumë pjesëtarë të komuniteteve të tjera e gjejnë veten në të njëjtën situate. Kjo na jep shpresë se duke punuar së bashku ne mund të arrijmë të ndikojmë në vendimarrje dhe si rrjedhojë të mundësojmë një reformë të re për bashkombasit tanë.
Burime të besueshme japin shifra alarmante për numrin e përsonave që jetojnë në Britaninë e Madhe pa dokumentacionin e duhur. Përllogaritjet e bëra nga insitucione të ndryshme raportojnë se gjetja, kapja dhe dëbimi i më shumë se 500 mijë njerëzve që jetojnë në Britaninë e Madhe "në të zezë" do të kushtonte mbi 11 biliard paund dhe do të kërkonte më shumë se 25 vjet kohë. Pra dëbimi i tyre nuk është nje opsion i volitshëm për taksapaguesit e këtij vendi – dhe as që do të arrijë rrezultatin e duhur. (Shifrat janë marrë nga raporti me titull “Irregular Migration in the UK;
an Institute for Public Policy Research FactFile” publikuar nga “The Institute for Public Policy Research”, March 2006, UK.
Shoqata të ndryshme jo-qeveritare, të bashkuara nën strehen e organizatës "TELCO citizens", kanë dalë me një zgjidhje të mundëshme dhe të mirëmenduar të cilën ata e kanë bazuar në një fushatë sensibilizuese të quajtur "Strangers Into Citizens" (SIC), e shqipëruar, do të thotë "Nga të huaj në qytetarë".
SIC propozon që Qeveria Britanike t'u japë një leje qëndrimi dhe punësimi dy vjeçare të gjithë atyre që kanë jetuar "në të zezë" në Britani për më shumë se katër vite. Fushata Strangers Into Citizens, gjithashtu propozon që përsonave që u jepet e drejta dyvjeçare, pra të gjithë atyre që kanë jetuar në Britani për më shumë se katër vite dhe që nuk janë të ndëshkuar nga ndonjë dënim penal, t'u rishikohet e drejta individuale në fund të dy-vjeçarit. Propozimi vijon duke sugjeruar që vendimi pas dy-vjeçarit të bazohet në sjelljen dhe meritokracinë individuale të secilit – pra vendimi të bazohet në referencat e punëdhënësve apo të personave dhe shoqatave me pozicion dhe kredibilitet publik. Pas evidentimit të referencave të mira dhe sjelljes së mirë këtyre individëve tu jepet e drejta të bëhen qytetarë të këtij vendi.
Fushata Strangers Into Citizens, momentalisht gëzon mbështetjen e të pakten 15 mijë personave që morën pjesë në marshimin paqësor që u pat mbajtur në Maj të vitit 2007. Në këtë marshim morën pjesë edhe 40 Shqiptarë, të gjithë me dokumenta. Kur u pyeten nga gazeta jonë se perse kishin marrë pjesë në marshim, pergjigja qe dhane ishte "Ne jemi ketu për të mbështetur miqte tanë qe nuk kane dokumenta". Mirëpo kjo fushatë nuk mbështetet vetëm nga marshuesit por edhe nga të pakten 90 anëtarë të kuvendit Britanik, kryebashkiakët e Londrës, Birmingamit, e shumë bashki të tjera.
Ndërkohë që organizatorët po vazhdojnë me sensibilizimin e mëtejshëm të opinionit publik; në muajin Maj të viti të ardhshëm, fushata do të kurorëzohet me një marshim të ri, i cili synon të mbledhë mbi 50 mijë veta. Ne shqiptarët duhet të marshojmë të gjithë së bashku në mbështetje të bashkëkombasve dhe miqve tanë. Për këtë arsye, të organizuar nga Mjaft London Club, kemi krijuar grupin organizator, UK Albanian Strangers Into Citizens si dhe për arsye administrative, kemi krijuar grupin tonë elektronik me të njëjtin emër në të cilin ju lutemi të antarësoheni edhe ju duke vizituar këtë adresë elektronike: http://groups.yahoo.com/group/UKAlbanianStrangersIntoCitizens/
Gjithashtu , grupi organizator mund të kontaktohet nëpërmjet adresës elektronike: london@mjaft.org
Qëllimi kryesor i grupit tone është të bashkojë të pakten 2000 shqiptarë për të marshuar së bashku me bashkqytetarët tanë Britanikë dhe të ndihmojmë bashkëkombasit tanë të stabilizohen. Marshimi është planifikuar të mbahet në Maj të vitit 2009. Ne dëshirojmë dhe do të përpiqemi që bashkëkombasit tanë të pastabilizuar të kenë mundësi të përfitojnë nga një reformë e mundëshme që do të dale nga marshimi dhe sencibilizimi që kjo fushatë po ushtron. Besoj se kemi kapacitetin dhe përvojën e nevojshme për të luajtur rolin tonë në marshimin madhështor.Për hir të gjithë bashkëkombasve, miqve dhe të të afërmve tanë, ju ftojmë të bashkohemi dhe nën hijen e flamujve tanë, “The Union Jack”, Shkaben Dy Krenare dhe Harten e Floririt, të marshojme së bashku.

Nuk ka komente: