SI RËNIEN E GJETHIT TË KUPTOSH…
QAZIM SHEHU
Sa bukur është të mbash vesh
Hapat e saj,
Si të kuptosh çeljen në gjeth
Nga shpërthimi i parë.
Dhe mbetet e tmerrshme të shikosh
Si shuhen ato për diku,
Si rënien e gjethit të kuptosh
Nga këputje e gjethes gjithashtu.
NJË KUJTIM
Në kujtimin e një qyteti provincial
Zhytet mjegulla,
Ma vjedh hapin e rinisë.
E ngre putër të mbetur
Nga përbindshi i fantazisë.
Në ngjyrën e heshtur ai hap
U vodh nga një buzëqeshje,
Kërkon e s`mundet të kthehet prapë
Në stinën e thatë pa reshje.
Ku u përvëlua një buzë e etur
Një trishtim u kryqëzua si rrugët
Në kryqet e tyre rrinte i thekur
Përgjuesi i mugët…
JU IKËT LARG
Ju ikët larg dhe largësia
U thithi siç çdo gjë e zvogëlon,
Veç nga pas u vjen dashuria
U bie këtu e u zmadhon.
Tani vështroj portretin tënd
Me mallkimin në largësinë
E zgjeroj zemrën t`i bëj vend
Po zemra ka humbur thellësinë…
NYJA
Nyja e besueshme që duhej të lidhej
Nga një vështrim rënë përdhe
U bë bisht gjarpri që përpëlitej
Pasi gjarprit koka iu pre.
Pastaj vajti në drurin e një bunge
Unazë motesh u shkërbye,
Vuri dredhën në një rrugë
Ku askush më nuk u kthye…
QIEJ TË DASHURUAR
Dridhet ajri në motin e borës
Bora përton të bjerë,
Lart rri me pamjen e kurorës
Në kokë s`guxon kush ta verë.
Do bjerë a do luajë me ne,
Çfarë e pezullon atje lart?
Toka në ngjyrë kadife,
Orgazmon pa fat.
Ëndërron bardhësine e ftohtë,
Të heqë ndryshkun e ngjyrave të dhunuara
Rënien e borës ëndërron kot,
Bardhësitë u duhen qiejve të dashuruar…
HARKU
Në një plazh që zbrazet nga frika e një cunami
Shetit hija e saj,
Deti puth tokën me dallgë jargavani
Sikur më thotë asgjë nuk do ngjajë.
Cunami më vjen ndërmend dhe, me siguri
Nga gjithë gjërat që mund të shembë
Po të zhbinte këtë hije
Do më jepte lumturi…
Marrëzinë e një dashurie të pashkulur
E ngre në një mallkim vrastari
Në djall ti hije e papërkulur
Si hark i skuqur farkëtari..
KUSH JE TI…
Herë herë më vjen e më ulet para
Një vizitore imagjinare,
Është koha që ikën me të katra
Kjo sojleshë kusare…
Dhe pa ca njerëz s`mund të jetë,
Ndryshe kohë s`do ishte,
Njerëzit morën krahë reshë
Dhe humbën në ujëdhishte.
Por shpesh retë m`i sjellin
Pranvera që çel lulet një nga një,
Dita që shtyn diellin
Përpikmërisht, pa zë.
Dhe kujtesa del nga vetja
Si një rreth i pashtërnguar,
Ajri mërmëron nëpër shpendra
Nga frika e një gjarpri të helmuar…
LE TË FRYJË ERA
Le të fryjë era dhe të grinden dragonjtë
Kuçedra nuk do vijë,
Në këtë hapësirë që i ngul thonjtë
Në mishin e kujtesë
Ajo asgjë s`mund të gëlltisë.
Edhe gjendet një vrimë nga mund të dalë
Inati i saj verban,
Dy tre lule të mbetura i kositi
Gjuha e saj tek i përlan.
Dhe dy tre vështrime
Si shkëlqim i teneqes nga shiu pas,
Dridhet zbrazëtia, era ikën,
Me të ftohtin e saj asgjësues,
Tani e ngre veten dhe është aq e rëndë,
Si një i mbytur rënë në pus…
KY DET
Ky det ka thellësinë që nuk e thotë
Shfryn e shfryn e s`e ngre
Përmasën e saj të plotë
Veç tmerrin e saj rrëfe.
Diku,në fund mirë do jetë
Në rrënjë të filizave ujorë,
Ku shkumëzon Poseidoni me rrufetë
Që i shprish me dorë…
Dhe kripa që del nga shkuma
Djersitjen e tij na rrëfe,
Anijet nga larg sjellin gjumin
E mavisë që u deh…
ÇASTI
Nga lumturia që më fal një çast
Prej ngecjes së ditës së mbaruar,
Ndajnatës i rri larg
Muzgut të mjegulluar…
Aq të pastër dua ta kem
Sa e harroj natën
Domosdo ajo vjen e thellon
Çastin.
Aq e prirur.
Për të gazmuar
Qetësinë që kujtova se kisha.
Ndërsa shket nëpër duar
Dhe s`i mbledh me gishta
Coprat e tij të praruara…