e mërkurë, prill 27, 2016

FATMIR GJESTILA, NA FTOI PËR ROMANIN E RI, “ZEMËRIMI I ARIUT”…

FATMIR GJESTILA, NA FTOI  PËR ROMANIN E RI, “ZEMËRIMI I ARIUT”…
Nga: Prof.Murat Gecaj
1.
Megjithëse pasditja në kryeqytet ishte me shira dhe pak ftoftë, diçka jo e zakonshme kjo gjë për fundprillin, drejt “Teatrit të Fëmijëve” dje shkuan mjaft të ftuar, nga arsimtari dhe shkrimtari i njohur, Fatmir Gjestila. Ndërmjet tyre, kishte shkrimtarë e poetë, punonjës të artit e kulturës, prindër dhe të tjerë. Por kishte dhe mësues e nxënës, sidomos nga shkolla 9-vjeçare “Azem Hajdari”. Së bashkë, ata morën pjesë në përurimin e romanit të ri për fëmijë, me titullin grishës, “Zemërimi i ariut”, pajisur me ilustrime të bukura nga Maringlen Gjestila.
Të parin folës, në këtë festë të librit, dëshiroj të përmendi nxënësen e klasës së 8-të të asaj shkolle, Arbjona Frahollin. Ajo iu drejtua auditorit, si një e rritur dhe me fjalë të shkoqura: “Unë e kam lexuar në dorëshkrim këtë roman dhe më ka pëlqyer shumë. Prandaj, u them edhe juve që ta lexoni, se do t’u dalin fjalët e mia!...”. Sigurisht, ajo u duatrokit dhe mendimi i saj përputhej edhe me diskutantët, si para e pas saj.
Këtë tubim e hapi kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve për Fëmijë e të Rinj, Pandeli Koçi (i njohur dhe Sazan Goliku).Ai theksoi ecurinë krijuese në rritje dhe vlerat kryesore të këtij romani të ri të F.Gjestilës. Pas tij, e mori fjalën redaktori i librit, prof.Astrit Bishqemi. Ai e vlerësoi këtë roman të suksesshëm për autorin, i cili përmbledhurazi edukon te fëmijët, por dhe prindërit e tyre, virtyte të larta morale, ndershmrinë e guximin, maturinë e sjelljen e kulturuar dhe edukatën e shëndoshë. Po kështu, libri e tërherq lexuesin me befasitë e tij artistike, gjuhën e pasur e të rrjedhëshme, evidentimin e toponimeve të krahinës, ku veprojnë personazhet kryesorë, si Bora  etj.
Studiuesi i njohur Behar Gjoka tha se edhe ky roman i ri është një sprovë tjetër, që dëshmon se letërsia për fëmijët e të rinjtë po lëvizë e sigurtë përpara. Ndër vlerat e tij, nënvizoi se ai zgjon fantazinë e lexuesit, rrëfimi është i këndshëm, dialogu i  zhdërvjelltë dhe gjuha e personazheve e pasur. Me interes u dëgjuan nga të pranishmit në përurim edhe mendimet profesionale të shprehura nga shkrimtarët e studiuesit  e letërsisë, Vasil Premçi, Riza Braholli e Qazim Muska.
Siç është bërë praktikë e njohur, në fund, autori Fatmir Gjestila i përshëndeti dhe i falëndëroi, si folësit dhe gjithë pjesëmarrësit në këtë veprimtari mbresëlënëse. Pastaj, të gjithë së bashku, i vazhduan diskutimet dhe bënë fotografi për kujtim, në koktejin e shtruar, me këtë rast.
2.
Në mbyllje të këtyre pak radhëve nuk do ta bëj “jetëshkrimin” e autorit Fatmir Gjëstila. Por, ashtu siç u theksua edhe gjatë përurimit, për të cilin folëm më lart, tashmë, ai është bërë i njohur, si në botimet për fëmijët e të rinjtë, por dhe për të rriturit. Ata janë afër botës fëminore dhe i ftojnë lexuesit për t’i patur në bibliotekat e tyre dhe për t’i lexuar me dëshirë.
Gjithësej, ai ka botuar 13 libra për të vegjëlit dhe titujt e tyre janë të bukur e domethënës: “”Lumi i zanave”, “E bukura e liqenit”, “Nori dhe matematika”, “Vallja e numrave”, “Miqtë e Hënës”, “Arta, kukulla ime”, “Lule dhe nektar”, “Udhëtoj”, “S’të fal, drejtor ujku”, “Aventurat në pyllin me pisha”, “E fshehta e kështjellës së zezë” dhe tani, “Zemërimi i ariut”.
Për të rriturit, ky autor ka botuar shtatë libra. Po i përmendim ata, pa u ndalur në përmbajtjen e tyre: “Edhe të qeshim”, “Mos ma vrisni dashurinë!”, “Një jetë për flamur”, “Përtej ëndrrës”, “Ku del shqipja e flet me gurin”, “Miku i të gjithëve” dhe “Një shtëpi me emër”.
…E urojmë dhe e përgëzojmë përzemërisht autorin e këtyre librave, sasiorë, por dhe cilësorë, mësuesin dhe edukatorin Fatmir Gjestila, duke shpresuar e besuar që, me botime tjera të reja, ai do të shënojë lartësi më të pëlqyera, si nga lexuesit e vegjël dhe të rritur!
Tiranë, 26 prill 2016