Leonidha Naqedhrami
Duke
lexuar vëllimin me poezi “I PËRVEÇMI” të autorit Leonidha Naqedhrami të pushton e të freskon magjia e Vendlindjes.Dashuria për vendlindjen është e
përjetshme,është hyjnore ,që aq bukur mund ta shprehin vetëm poetët.Kur jeton
larg vendlindjes e sidomos jashtë Atdheut
ndjenja e magjishme e vendlindjes të shoqëron edhe në gjumë.Graviteti
shpirtëror i vendlindjes është një forcë
rëndese magjike.Ashtu si forca e rëndesës së universit natyror që ushtrohet mbi sipërfaqen e trupit
të çdo njeriu me përmasat gjeometrike në
hapësirë e në kohë edhe graviteti
shpirtëror i vendlindjes ushtron brenda organizmit të njeriut një trysni malli
të pandërprerë në çdo qelizë gjaku.Ashtu si në botën kuantike ku fotonet
vetëlëvizin në hapësirën e pafund të gjithësisë edhe malli e dashuria për
vendlindjen vetëlëvizin në shpirtin e
mendjen e njeriut duke pushtuar gjithë qënjen, ekzistencën e tij.
Vëllimi
poetik “ I Përveçmi” nga Leonidha Naqedhrami është
një përmbledhje poetike, sa e bukur dhe e veçantë, ku autori shfaq vlerat e tij
si poet. Talenti i tij shpërthen në një rreth të gjërë ndjenjash dhe mendimesh
të thella.
I Përveçmi, nuk është thjesht një titull libri, është
epitetizimi që i bën autori vendlindjes
së tij, Qeparoit. I Përveçmi, është kryefjala e të gjitha poezive. Në vazhdimësi
do të shohim,se si shpaloset nga strofa në strofë, malli dhe dashuria e poetit
për vendin e tij.
KU E KAM UNË SHTËPINË
“ …Ku e
kam unë shtëpinë?!
-Te
një kreshtë mbi brerimë.
Poshtë saj bëjnë foletë,
Shqiponjat nëpër
greminë.
Majave u pret rrufetë
Dhe
deti i pret stuhinë.
Ulem
mbi ballkonim tim.
Bashkë me Diell, me Hënë.
Shqiponjat në fluturim,
Vijnë e mbi krahë më ngrënë.”
Vetë titulli i poezisë është një pyetje retorike që
poeti nuk heziton tja bëj vetes dhe më pas na jep një përshkrim të detajuar mbi
kodrën Qeparo ku shtëpia e tij shtrihet. Poezia përmban strofa me katër , pesë
deri në gjashtë vargje. Rima është herë e kryqëzuar e herë e përputhur.
Kjo i jep një
lloj muzikaliteti poezisë, për poetin është një himn që i ngrohte shpirtin dhe i
jep lumturi :’’ Shqiponjat në fluturim, Vijnë e mbi krahë më ngrënë.’’
Kur nisëm
rrugën e mërgimit të gjithë kemi ikur me shpresën se një ditë do të kthehemi.
Ëndrra e vendlindjes nuk shuhet kurrë në jetën e çdo mërgimtari. S’ka më të
dashur dhe më të dhimbshme se
vendlindja. Ajo është foleja e parë dhe më e ngrohtë e njeriut. Vendlindja nuk matet me sy, por ajo matet me
zemër.Zemra e njeriut gjithmonë flë në vendlindje. S’ka më e ëmbël se vendi ku
ke lindur! Ajo është ngrohtësia, gëzimi, hareja, kënga, loti, lodra, dashuria
dhe gjumi i ëmbël i jetës. Për vendlindjen kanë shkruar me qindra shkrimtarë, e
sidomos shkrimtarët të Rilindjes sonë Kombëtare Shqiptare. Këta shkrimtarë janë
djegur e janë përvëluar për vendlindjen.
Autori Leonidha
Naqedhrami me emocione që drithërojnë
edhe gurin ,i drejtohet me dashuri e mirënjohje vendlindjes të “Përveçmit QEPARO”,me të cilin është
lidhur ngushtë, pazgjidhshmërisht, me këtë vend perlë bregdetare,ku ka parë për herë të parë dritën e diellit dhe ku
ka bërë hapat e parë në jetë. Dashuria për vendlindjen nuk përkufizohet.Të
provosh ta përkufizosh vendlindjen është njësoj si ta fusësh në kallëp zjarrin,
dashurinë, mallin…
“Mos
më pyesni pse e dua Turenin? - thoshte
Balzaku i madh për krahinën nga e cila vinte dhe përgjigjej: «Unë e dua atë jo
si fëmija djepin, as siç e duam një oazë në shkretëtirë; unë e dua ashtu si një
artist e do artin», duke shtuar se pa Turenin, ndoshta, nuk do të mund të
jetonte.
“Ne
me demandez pas pourquoi j’aime la Touraine? ,kështu shkruan Balzaku te
romani “Zambaku në luginë”.
Vendlindja
është djep i frymëzimit, arkiv i kujtesës, peng i shpresës.Vendlindja apo
vendlermi, si thoshin rilindësit tanë, është vendi me të cilën na lidhin fije
të shumta, të dukshme e të padukshme dhe mbi të gjitha kujtimet e fëmijërisë,
stinës më të bukur të jetës.
Në vëllimin me
poezi “I Përveçmi”, nuk ka simetri midis
poezive. Shikohen poezi të shkurtra në formë citati, me 4 vargje,poezi të
shkruara në kollon dhe poezi të gjata me mbi 10 strofa, të ndara në fragmente.
Motivet
kryesore që trajton autori në përmbledhjen ‘I përveçmi’, janë motivet
filozofike dhe motivet e atdhedashurisë e mallit për vendlindjen.
I PËRVEÇMI
“Shqiptarët me thonë grek,
Grekët
me thon’ allvano,
Mua
emrin ma ka dhënë,
I përveçmi
Qeparo.’’
Në këtë
poezi, autori tregon me krenari identitetin dhe origjinën e tij, të cilën nuk e
ndërron me asnjë lloj kombësie tjetër.Shqiptarët që herët kanë qenë të
ndërgjegjësuar për atdheun, e kanë pasur të qartë përkatësinë e tyre etnike, e
kanë shfaqur me dashuri e krenari si dimensionin kryesor të shpirtit të tyre, e
kanë ndjerë me dhëmbje, i janë përkushtuar me dëshirë, kanë jetuar dhe kanë
luftuar me idealin e atdheut në gji.Ndjenja e kombësisë për ne
shqiptarët nuk është thjesht një refleks
vetëdijeje për origjinën e lashtë, për gjuhën e bukur shqipe, por ajo ka qenë
ndjenjë e fuqishme që i ka mbushur zemrën, i ka frymëzuar shpirtin dhe i ka
mprehur vullnetin për t’u vënë në shërbim të atdheut me të gjitha aftësitë e
mundësitë. Vetëdijësimi për përkatësinë etnike dhe vetëdijësimi për vlerat
etnike i kanë bashkuar shqiptarët pa
dallime fetare apo krahinore në luftërat për
Liri e Pavarësi.Janë pikërisht
vetëdija e përkatësisë etnike dhe ndjenja e shqiptarisë gjeneratorët e luftrave
shekullore të popullit tonë për të mos iu nënshtruar armikut dhe për t’u bërë
ballë përpjekjeve të asimilimit të huaj.Për Flamurin kombëtar, shqiptarët kanë një nderim
të veçantë, pothuaj mistik, e kanë për zemër, si simbol të unitetit kombëtar;
sepse kudo që jetojnë shqiptarët, ata i
përulen e i përbetohen me lotë në sy këtij Flamuri.
Populli ynë nuk e ka identifikuar
kurrë veten nga besimi fetar, në ndryshim me sllavët, grekët, bullgarët,
etj.,por nga përkatësia etnike, duke i dhënë kombësisë përparësinë, siç i
takon: si element i pandryshuar, i patjetërsueshëm. Është kuptimplote
përgjigjja për këtë çështje e Ismail Qemalit dhënë një gazetari anglez, pas
Shpalljes së Pavarësisë:
“Si
do t’i bashkoni në një shtet katolikët e Veriut me myslimanët e Shqipërisë së
Mesme dhe me ortodoksët e Jugut?- pyeti gazetari.
Mos
kini frikë, zotëri! Ata janë bashkuar e bërë njësh prej kohësh nëpërmjet kultit
të të njëjtit atdhe, të cilin e kanë në zemër prej shekujsh. – u përgjigj
Ismail Qemali.”.
Dihet, që të
huajt gjithmonë janë përjekur për ta përçarë popullin shqiptarë me larminë e
besimeve fetare apo dallimeve krahinore,por është e dhimbshme kur politikanë shqiptarë me etjen për pushtet të
pakufizuar duan popullin ta përçajnë me shprehjet “Veriorë e Jugorë,Gegë e
Toskë,etj” Poeti i shquar Ndre
Mjeda thotë:
“ Gegë e Toskë, Malsi jallia,
janë nji komb m’u da s’duron,
fund e maje nji a Shqipnija,
e një gjuhë t’gjithë na bashkon.
janë nji komb m’u da s’duron,
fund e maje nji a Shqipnija,
e një gjuhë t’gjithë na bashkon.
Qoft
mallkue kush qet ngatrrime,
ndër kta vllazën shoq me shoq!
kush e ndan me flakë e shkrime
qka natyra vetë përpoq…”
ndër kta vllazën shoq me shoq!
kush e ndan me flakë e shkrime
qka natyra vetë përpoq…”
Që kur u ngjiz
shpirti i shqiptarit, ndriçon e rrezaton ndjenjën e dashurisë së atdheut , idealet më fisnike në
shërbim të tij,duke e vlerësuar Atdheun si dashurinë më sublime, që është ideali më i lartë i
shqiptarit. Autori Leonidha Naqedhrami duke përdorur rimën e kryqëzuar AB x AB, bën që të tingëlloj më ëmbël
për lexuesin.
QEPARO
“As
lule më të bukura të botës,
As
qeparizët ceremonial,
As
buzëqeshjet e shtatoreve,
Mbledhur
atje,
Atë
vulë vend,
Dot s’e
zbukuronin,
Se plagë të bukur nuk ka.”
Qëndrimi largë vendlindjes dhe të parit e bukurive
botëtrore, si lule,qeparize e shtatore nuk e shtyjnë në asnjë moment të mendoj
që ato do qëndronin mbi Qeparoin. Dhe kjo duket nga përdorimi tre herë i As lulet, as qeparizët, as shtatoret, pra
asgjë se zbukuronin.
Se plagë të bukur nuk ka, plaga në këtë rastë
personifikon dhimbjen dhe mallin e poetit për Qeparoin.
HUMBJE
“U ndamë!
Po ç’u bëtë ju?
Ç’u bëra unë?
Kaq vite më,
S’u pamë,
S’u pamë!
Balta e merakut,
Sot zemra na i kalb.”
Motivi i mallit dhe dhimbjes së ndarjes nga njerëzit e
dashur , shikohet në këtë poezi.
U ndamë ! pohon autori, është një pohim që ja bën
vetevetes nën zë dhe të tjerve njëkohësisht. Më pas vijon me pyetjet retorike,
drejtuar vetevetes dhe njerëzve të tij. Është si një monolog me veten, ku përgjigje
nuk merr veç pohimit, S’u pamë, S’u pamë! Është
realiteti që dhëmb, që se ndryshon dot.Këtë e tregon përmes metaforës’’ balta e merakut,
sot zemrat na i kalb’’.Balta është e
errët, të ngjitet e të gëryen zemrën e shpirtin, I tillë është dhe meraku.
GUR I PAÇMUAR
N’ atë truall ku kam qënë,
Miqt’ e shokët i kam lënë.
Këtu s’kam as miq , as shokë,
As për kafe, jo për kokë.
Mos e bëni miqësinë,
Pa provuar si rakinë.
Miqësia e provuar,
Si raki e stazhionuar.
Gur i paçmuar për poetin në këtë rastë është miqësia,
që i mungon larg Vendlindjes. Këtë e tregon përmes vargut: ‘’Këtu s’kam as miq,
as shokë,as për kafe , jo për kokë.’’
Dhe më poshtë vijon me një këshillë që i drejtohet
lexuesit dhe çdokujt si ai të ndodhur në mërgime: ‘’Mos e bëni miqësinë, Pa
provuar si rakinë.Miqësia e provuar, Si raki e stazhionuar.’’ Përdorimi i
eptitetit , krahasimit dhe rimës së përputhur AAxBB (qënë –lënë; shokë –kokë), i
japin poezis një tonalit origjinal.
Në poezinë :
DUKE
KERKUAR VETVETEN
“ Që
andej,
Një
zile telefoni pas më shkreh.
Si
lemëz,
Dhe
në gjumë më ngacmon.
Por
Leonidhën atje e ka, atje.
Këndej,
më kot e kërkon. “
Në këtë strofë ,’’Që andej’’ i referohet, Qeparoit, Vendlindjes.
Përdorimi i krahasimit: ‘’Si lemëz, dhe në gjumë më ngacmon.’’ Është zëri i tij
i brendshëm që lidhet me dashurinë për Vendilindje. Fizikisht ndodhet jashtë
atdheut por me zemër është në Qeparo dhe kjo duket në vargun : ‘’Por Leonidhën
atje e ka, atje.Këndej, më kot e kërkon.’’
Atje ësht’ ai, atje
Lemzën Brenda zemrës e tret.
Cicërimat e nxënësve
Nëpër mëngjese duke shkrehur
Atje u ndamë,
Atje e lashë,
Atje më pret.
Ai është atje ku ishte, atje ku përket. Në të kaluarën
e artë mes nxënësve , në kujtimet që nuk treten kurrë , në nostaligjinë që
gjithmonë e kthen pas në kohë.
“ O njerëz,
Mos katalizm’ e humbjes erdhi
Dhe njeriu humbet shpresat, të vërtetën,
Humbet prindi fëmijët,
Fëmijët, nën’ e babë,
Humbet emrin
Vetveten,
Jetën? “
Në këtë strofë poeti i bën thirrje njerëzimit por më
shumë vetevetes, për të pohuar humbjet dhe dështimet që pëson njeriu largë vendit
të tij. Për të na treguar se njeriu duke humbur shpresën, prindin, emrin humbet
vetveten dhe është njësoj si të humbë vetë jetën. Dhe ai kursesi nuk mund ta
pranoj humbjen e të rri i heshtur ndaj dhe rebelohet. Kjo duket në strofën e
fundit:
‘’Do iki.
Si nga një e keqe ëndërr zgjuar,
Leonidhën ta gjej,
Ta shoh e të
më shohë.
Mbi kokë dimrat borën më kan’ shtuar,
Por un’ e di.
Ai do më njohë,
Do më njohë.’’
Këtu poeti tregon forcën e karakterit që e
karakterizon gjithë poezinë, është i gatshëm të përballet me veteveten ballë për
ballë pavarsisht ndryshimeve të pritshme dhe kjo duket në vargun : ‘’Mbi kokë
dimrat borën me kan’ shtuar,
Por un’ e di.Ai do më njohë.’’
KAM IKUR
“Kam ikur , vendi im.
Kam ikur .
Ngarkuar rëndë,
Nga plagët,
Dhimbjet,
Brengat,
Kujtimet.
Sidoqë të vij, pranomë.
(Nuk vij nga parajsa)
Si të lashë djersën e gjakun tim,
Do të lë edhe shpirtin,
Edhe kurmin tim.
Kam ikur,
vendi im,
Kam ikur. “
Në këtë
poezi, shikohet monologu i poetit me vendin e tij, i flet sikur ai ta dëgjonte.
Shprti i tij është i ngarkuar emocionalisht, si një valixhe e rëndë ngarkuar me
mall , brengë , kujtime dhe dhimbje… Dhimbje që është i ikur dhe përulësisht i
kërkon ta pranoj kthimin e tij, kjo duket në vargjet: ‘’Sidoqë të vij, pranomë.(Nuk
vij nga parajsa)’’, njëkohësisht i tregon që vendi nga vjen nuk është parajsa
vetë. E mengjithatë poeti nuk ndalet, është
gati të vetëflijohet deri në shpirtin e kurmin e tij: ‘’ Si të lashë djersën e
gjakun tim, Do të lë edhe shpirtin, Edhe kurmin tim.’’ Dhe vijojnë sërisht
vargjet e pendimit dhe dhimbjes: ‘’Kam ikur, vendi im, kam ikur.’’ .
Ai përceptimin e ngre në stadin e lart filozofik, si një mesazh që
mund të kujtohet edhe më gjatë, që mund të interpretohet edhe nga çdo lexues që
vendlindjen e kanë të shënjtë .
Poeti Leonidha Naqedhrami jo vetëm konstaton, por ai depërton thellë në thellësi të objekteve poetike, duke përshkruar me ngjyra të ndezura peisazhe të thyera të
shpirtit njerëzor, pritje të mbetura pezull, kohë të turbullta, të mbetura në kujtesë
si magma e vullkanit të kohëve shkuara,por
harresa nuk i ka kthyer në bukuri të
ftohta që marrdhin nën brymën e emigracionit.
Ai zbulon magjitë dhe
kontrastet e gjërave që e rrethojnë, që tek “Atdheu tjetër” larg vendlindjes ka gjetur jetën më të garantuar shtetërore,por
tek vendlindja e Atdheu frymëzohet shpirti tij
i sinqertë.
“Gjithë jetën zemra nga
Atdheu kthyer,
Si gjëlpëra
magnetike drejtuar nga Veriu.
Ndryshe,
Nëpër pyjet e
dashurive do humbiste.
Aherë,
Si thoni,
Ç’do t’ ishte më
njeriu?"
Poezia
vlerësohet jo nga sasia e vargjeve por nga vlera dhe mesazhi që përcjell autori.Në
këtë poezi
ka fuqi shprehëse, fjala ka peshë të rëndë si forca e rëndesës së tokës së
Atdheut, është poezi qëllimore për misionin poetik, për një ideal të madh të
njeriut poet, për vendin dhe kombin e tij. Në poezinë “Misionari
Dritëdhënës”,poeti Leonidha Naqedhrami me
mirënjohje e dashuri i drejtohet mësuesit të tij të vendlindjes ,mësuesit
erudit Janko Pali – “Mësues i Merituar” , që i përket plejadës të parë të
mësuesve në gjuhën shqipe, që tërë jetën arsimoi mijëra nxënës duke ndikuar
fuqimisht në rritjen e ndërgjegjes Kombëtare. Mësuesi i shquar e atdhetari ndershëm Janko Pali është krenari e Qeparoit ,e Vlorës ,e Atdheut,
duke u shërbyer me përkushtim e pasion,për të cilën është vlerësuar e nderuar kudo ku ka punuar dhe ka
disa çmime.
Poeti
,ish-nxënësi i mësuesit të talentuar
Janko Pali, pasqyron poetikisht veprimtarinë e misionarit dritëdhënës të
përkushtuar për vendlindjen e Atdheun .Ai shpreh qartë
idealin e atdhedashurisë, në të cilën janë skalitur me vargje në shtatë fragmente të thurura bukur me fjalët artistike, ndërtuar në
frymën poetike duke përçuar në mënyrë emocionale ndjenjën atdhetare..
“Fshati dergjet n’errësirë,
Verbuar nga drit’ e drurit.
Kull’ e bardhë dremit natën,
S’i mbyll syt’ llamb’ e vajgurit.
Jeta dritën e ka humbur , Varfëria shpellë
mali. Dritë pena i pikon, Alkimistit Janko
Pali./
Si Fausti n’ Auerbah, I
eturi dijetar. Dhe Mefistofel magjik,Dhe i
dijes farkëtar/
Vetë Zoti mos e solli, Dritë nga Franca,Izmiri. Të ndritë vendin e
tij,Duke u djegur si qiriri”/.
Nuk e dinim se ç’kërkoje,
N’atë fund të humbëtirës.
Me penën qiri në dorë,
N’atë pus të errësirës.
Poeti vizaton poetikisht portretin e “Mësuesit të Merituar” Janko Pali
,punën e tij voluminoze gati shekullore
si misionar i flaktë i dritës së diturisë. Ky portret ngrihet
madhërishëm duke e vendosur harmonikisht në hapësirë e në kohë. Heroi i
poetit ish-nxënës është
misionari dritëdhënës Janko Pali,i cili nuk preferoi jetën komode jashtë
atdheut ku kishte kryer studimet,por
nisi jetën e mundimshme në vendlindje e
në Atdheun me shumë halle. Në zemrën e në mendjen e tij gjeniale ishin
farkëtuar idealet e Atdheut të shënjtë e të shtrenjtë.
“Me mijëra
libra, fletore,
Shkrime – një perandori.
Ç’dritë vallë
projektoje,
Tek përgjumej një qiri?!
Dhe i mbolle dituritë,/ Dhe
në fshat,dhe në qytet./Dhe i fale
Shqipërisë,/Mundimin tënd njëqind vjet./
Bilbili me shumë gjuhë,/Sa lart e bëre folenë./ Dhe i vetëm,trim në luftë,/Kapedan i madh në penë.
Poeti Leonidha
Naqedhrami artistikisht e poetikisht evidenton
veprën studimore krijuese të misionarit dritëdhënës Janko Pali :
“Tetëdhjetë mijë vargje,
Një galaksi poetike.
Ku dridhet shpirti jetës,
Në vibracione magjike.
Në vazhdimësi
poeti liston veprat e tjera të
misionarit dritëdhënës Janko Pali si më
poshtë vargëzon :
“ Fjalori yt shqip-frengjisht,Dyzet e pes’
mijë fjalë/ Tetë vëllime poetike,Të mirëfillta shkencore.Sa përkthime
artistike,Nga letërsia botërore/ Sa studime në muzikë,Sa vëllime
folklorike,Brenda e jashtë Atdheut,Sa shkrime publicistike./ Rrëfenja dhe shumë
esse,Dhe vëllimin me tregime,Dhe në gjuhësi krijove,Gramatika e studime…..”
Poeti depërton në
shpirtin e misionarit dritëdhënës
Janko Pali duke sintetizuar karkaterin e personalitetin,motivin e jetës
së një intelektuali me zemër të zjarrtë atdhedashurie, ku theksohet
ideali i misionarit dritëdhënës ,”Mësuesit të
Merituar” Janko Pali :
“Misionari dritëdhënës,Mësuesi
proletar,S’denje si yll pranë Hënës,Se t’u dhimbs trolli shqiptar./ Nga Dielli
marrin yjtë,Dritën nëpër hapësirë,Sa brezave u dhe dritë,Me shpirt e zemër të
mirë.”
Koha ecën si
një lumë i rrëmbyeshëm duke sjellur largimin e çdo njeriu nga jeta. Edhe jeta e
misionarit dritëdhënës Janko Pali fiket fizikisht në shtator 1994,,por mbeti
emri i mirë,shpirti tij atdhedashës, vepra e tij e pavdekshme . Dhe poeti
Leonidha Naqedhrami, ish-nxënësi tij e vlerëson:
“ S’punove për pasuri,As për tituj e për
grada. Rilindasi yn’ i madh, Si bregdetasi De Rada ./
Ndezur mbeti drita jote,Sipër kohës
flakadan.I përveçmi,Janko Pali, Iluminist Europian./
Të heq kapelen Himara,Dhe
Vlora,dhe Shqipëria. I përveçmi,Janko Pali,”Mbrapa të vjen historia”
Poeti duke
ndjerë mungesën fizike të këtij
misionari dritëdhënës,
poetizon me kohën , mjedisin, pritjen që rri pezull,me pluhurin që hedh koha ,vargëzon
duke thirrur:
“Mblidhuni ,o himarjotë,
Që kulla portën të hapë.
Ta zgjuajmë Janko Pali,
Të ndezë llambën prapë!”
Vepra e
misionarit dritëdhënës Janko Pali është një univers diturie,por fatkeqësisht
koha e shkuar e kishte lënë në hije apo në harresë. Dhe poeti me dhimbje
përshkruan:
“Burri
enciklopedist,
Veprimtar me aq dije.
Të eklipsoi regjimi,
Si lulediellin në hije.
Krenarinë s’ta pranonte, Komunizmi
shqiptar. Shpatën nxirrte,urdhëronte, -Nënshtrohu, Njeri Krenar!”
Koha e
demokracisë dhe trashëgimtari i denjë i misionarit dritëdhënës, poeti e
shkrimtari talentuar Petraq Pali i ka nxjerrë
në dritën e botimit jetën dhe veprën e atdhetarit të shquar rilindas Janko Pali -“Mësues i Merituar”,të cilit
mendoi se meriton t’i jepet titulli
“Mësues i Popullit” apo edhe “Nderi Kombit”.
Poeti Leonidha Naqedhrami udhëton përgjithmon
me shpirt e imagjinatën e tij në vendlindje
se kujtimet e
shumta ,nuk e lënë të qetë anjëher. Atje në vendlindje është e qara dhe qeshja e tij e parë,fëmijëria ,mësimet e shkollës me mësuesin
Janko Pali,të cilit i kushton këtë poezi
të bukur “Misionari Dritëdhënës”.Poeti me fantazin e tij të pasur poetike bën që ndërtimi i poezisë
të mos bëhet monoton por ta shikojë
objektin poetik nga kënde dhe prerje të ndryshme.Vargu poezisë së tij rrezaton së brendshmi dhe së jashtmi. Deduksioni i
mendimit poetik në çdo fjalë jep shumë mesazhe për jetën. Tek vendlindja poeti
gjen qetësinë,krenarin,lumturin.
Bërthama e vendlindjes është familja ku
jemi lindur dhe rritur me mundime,janë prindërit e dashur që na kanë sjellur në
këtë jetë.Poeti Leonidha Naqedhrami, duke jetuar në mëgrim e ka
të
vështirë të dal jashtë kornizës së nostalgjisë dhe ndjehet si i pezmatuar në dhe të huaj, që nuk mund të shkoi
shpesh tek banesa e fundit e prindërve
të tij të shtrenjtë,që së paku t’u vendoste një tufë lule përkujtimore.Duhet të
jesh jashtë vendlindjes, të jesh larg Atdheut , për të kuptuar se ç’forcë e
ç’bukuri të ëmbël ka fjala Vendlindje.Në
këtë vëllim , poeti u kushton poezi prindërve të tij,të cilat në çdo
shkronjë kanë aromën e luleve të
Qeparoit.Poeti si gjetje poetike ka ndërtuar imazhe që të mbeten në mendje për
veçanësinë dhe thjeshtësinë e tyre .
E BARDHA NËNË
“Në dhe’ ra e u tret
Një fjollëz’ e bardhë bore.
Nëpër qiell s’di nga humbi,
Një rez’ e bardhë puplore.
Fjollë bore e vërtetë,
E bardha nënë, mos je?
Mos pikël e bardhë bryme,
A pikëz vese mbi dhe?
Bëj të prek e s’të prek dot.
Nëpër
ëndërr më humbet.
Brenda qënies më ke hyrë,
Dhe bën,bën pa më troket.”
Para nënës dhe
vendlindjes-Atdheut të gjithë përulemi me nderim,e sy të djegur nga malli.Poeti
harmonizon bukur emocionin
me mendimin,ndjenjën e realitetit me virtualitetin.Nëna, edhe pse ne fizikisht
nuk shihemi,ajo jeton brenda nesh ,jemi mishi e gjaku i saj. Poeti më tej
kujton :
“Më mbet fëminia,
Për nënës varur.
Si verigë rrushi,
Varur për hardhisë.
Që nëna ma ruante , Deri në fundvjeshtë, Kur
fletët strukeshin , Rrezës së avllisë.
Më mbeti fëminia,
Për nënës gjith’ jetës,
Si verigë rrushi,
Nën sqetull të fletës.”
Në vazhdim poeti i dedikon babait të tij Naqe Dhrami poezinë “Gjykatësi Popullor” ,e
cila ka vlera artistike,por edhe historike e filozofike për kohën e shkuar dhe
aktualitetin që jetojmë.
Portreti i gjykatësit
popullor Naqe Dhrami ndriçohet me virtytet
më të mira të burrërisë shqiptare. Ai
gjykonte me drejtësi në krahinën
e Himarës,Kurvelesh e Labëri.E thërrisnin t’i gjykonte ,se kishte fituar besimin e të
gjithëve. Karakteri i tij solid me integritet të lartë moral e me llogjikë të
mrehtë jepte drejtësi duke zgjidhur konfliktet për pronën,sinoret,hasmëritë
etj.
Fjala e tij dëgjohej me respekt
dhe zgjidhte siç thot poeti “nyjet e Bagdatit”.
“Dhe pa ligj edhe pa shtet,
Të drejtën nga balta nxore.
Virtytet e
karakterit,
T’u bënë norma ligjore.
Në
krahinë të Himarës,Kurvelesh e Labëri, Të thërrisnin të gjykoje,Se kishin besim
tek ti.
Hasmëritë
dhe mëritë,Do t’i zgjidhje fshat më fshat,Dhe do lidhje miqësitë,Dhe me Kuç e
Kallarat./ Vriteshin Piluri e Kuçi,Sinorin se zgjidhnin dot.Ti me areopagun
vutë,Kufirin që është sot./Bujarinë e drejtësinë,Trashëgoje nga të parët.Dhe
besën e burrërinë,Siç e kanë shqiptarët.”
Ndoshta
konfliktet për pronën e hasmëritë i përkisin të kaluarës ,por ato janë shfaqur me egërsi edhe në kohën që jetojmë.Kush qe më
i fort grabiti prona. U ligjërua gënjeshtra e padrejta. Mashtrimet e
fallsifikimet grabitën edhe vijën e bukur bregdetare,një lëmësh tepër i
ngatërruar.
Shpirti poetit revoltohet për
padrejtësinë. Dh kjo revoltë nga poeti
nuk shprehet me shkatërrime e përvetsime të pronës së tjetrit,por shprehet me
ëmbësinë e poezisë që modelon jetën më të mirë shoqërore,për një shtet ligjor
ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit të drejtësisë.Beteja me krimin e
korrupsionin janë shumë të vështira për t’i elemeniuar,të cilat do të kufizohen
vetëm në rast se do realizohet reforma në drejtësinë e shtetit shqiptar.
Padrejtësitë që janë bërë e po bëhen lartësojnë figurën e ndershme të
gjyqtarëve të kohës së shkuar dhe me të drejt poeti i drejtohet në poezi babait të tij:
“ Klima si gjarprinjt’ i ngjalli,
Mëritë dhe hasmëritë.
Po ngrehu,o Naqe Dhrami,
Fillo prapë pleqësitë.”
“I PËRVEÇMI “ është një vëllim poetik, që të
rrëmben në çdo poezi e varge. Aty shpaloset karakteri dhe personaliteti i një
intelektuali dhe njeriu që me forcën e penës , tregon dashurinë e mallin për
vendin e tij, pa u kursyer në përdorimin e figurave të pasura letrare, përdorimin
e rimës . Origjinaliteti i tij bën që për çdo lexues , sidomos ata që ndodhen
jashtë atdheut, ky vëllim të jetë si himn që ushqen shpirtin e ku gjithsecili
gjen veteveten. Malli, brenga dhe dashuria për atdheun është një plagë që na dhëmbë të gjithëve.Ky libër
tregon se autori Leonidha Naqedhrami , ka arritur të krijojë një model të vetin
në përzgjedhjen e fjalës, në strukturimin e vargjeve, me simbolika dhe
metafora artistike që zbukurojnë këtë libër, ku shëmbëllen shenja të mirëfillta
arti letrar, me një forcë të brendshme të mendimit filozofik për dashurinë dhe
jetën.
Kur kthen fletën e fundit të vëllimit me
poezi “I Përveçmi”, ndjen se ke dëshirë t’i rikthehesh një leximi tjetër, më të
kujdesshëm që mund të përjetosh shqetësimin
e një poeti, që me të vërtetë ka se çfarë thotë dhe di të vendosë një kod
komunikimi me kohën dhe bashkëkohësit e tij.
Autorin
Leonidha Naqedhrami e kam njohur si koleg pune në shkolla në vitet ’70 të
shekullit të kaluar.Kur shkoja për të bërë mësim në klasën që sapo
kishte dalë nga mësimi kolegu im ,e gjeja dërrasën me një ,bukurshkrim estetik
që të qetësonte syrin sikur shikoje një pikturë të bukur.Të gjithë nxënësit që
bënin mësim lëndën e gjuhë- letërsisë me mësuesin e talentuar ishin të gëzuar e
me fat që fitonin njohuri gjuhësore letrare me nivel të lartë shkencor.
Komentet letrare, qartësia e mendimeve të tij
krijuese letrare kishin rritur interesin e pasionin tek nxënësit që ta
dashuronin letërsinë.Nxënësit e respektonin duke e adhuruar mësuesin për
karkaterin e tij solid me integritet të lart moral human e dashamirës.
Ishte i palodhur në procesin mësimor-edukativ, kishte mendim inovativ në
përdorimin me sukses të metodave të spjegimit e ngulitjen e
koncepteve shkencore të lëndës së letërsisë. Ai hynte në orën e mësimit me
objektiva të qarta shkencore që nxënësit të përvetësonin sa më mirë programin e
lëndës së letërsisë.
Autoriteti
tij në gjimnaz ishte krijuar nga profesionalizmi i talentuar si mësues
shëmbullor letërsie,por edhe nga sjellja e tij tepër njerëzore me kulturë
qytetare.Ai ishte jo vetëm i talentuar si mësues letërsie,por ishte i talentuar
si krijues poetik e kritikë cilësorë letrar.Vite më vonë ai boton krijimtarinë e tij poetike. Ky është i gjashti vëllim i botuar nga autori.Vëllimi i
shtatë është botuar këto ditë në Tiranë.Në proces për botim janë edhe tre vëllime të tjerë
poetike,një vëllim me tregime,një roman dhe një vëllim me studime e shkrime
kritike.
Sigurisht të jetosh në emigracion
ndjehesh shumë i malluar e jeton shpirtërisht brenda mureve të vendlindjes,por
edhe përshtatja dhe siguria e jetës në vend të huaj është një terapi
shpirtërore për të mos harruar kurrë vendlindjen. Atje
na ka mbetur pjesa më e maddhe e shpirtit,atje na fle zemra.
Dashuria për vendlindjen
ekziston edhe tek ata që jetojnë në vendlindje, por megjithatë dashurinë ndaj
vendlindjes e ndjen më shumë kur je larg saj.Larg vendlindjes,Atdheut,dashuria
shndrrohet në një forcë magjike,ashtu siç përshkruhet magjia e vendlindjes në
vëllimin “I Përveçmi “ të autorit
Leonidha Naqedhrami.
Qatip Mara
Bayside New
York 18 dhjetor 2015