e mërkurë, mars 25, 2015

Ç’kodifikime të një teksti poetik Diku, kudo



Riza Braholli
Ç’kodifikime të një teksti poetik Diku, kudo
Frederik Rreshpja
Për të hulumtuar e shpalosur vlerat e një poezie, për të shkuar drejt një kuptimësie sa më të mundshme të saj, duhet që më së shumti t’i qasesh nga brenda, t’i shestosh strukturimin që nga njësitë tingullore dhe deri te fjala, vargu, njësitë e objektivuara dhe ato të munguara e deri te poezia si analoge e një qenieje poetike. Një poezi që na ka grishur drejt përsiatjesh të thella, emocionale e përgjithësimesh filozofike, është edhe poezia e poetit Frederik Rreshpja:
Diku, kudo

Shi, ti fëmijë i vockël që qan prej mija vjetësh
Për ditën tënde të pangushëlluar!
Shfaqet dhe zhduket Itaka
Nën pasione vetëtimash.

Zot, jam tmerrësisht i vonuar!
Tani duhej të isha diku përtej shiut.
Tek dritarja, fëmija lakuriq,
Më vështron me sytë prej uji.

Përditë më duhet të nxitoj drejt diçkaje që nuk është,
Por nuk jam një Odise i shpikur.
Eh, Itakën time e kam shpikur vetë,
Se kam nevojë për ishuj.

Më vështron me sytë prej uji,
Te dritarja, fëmija lakuriq.
Bien Itakat e legjendave,
Pas bregut madhështor të vetmisë.[1]
Kjo poezi është analoge e një qenieje, që na shfaqet si “objekt,” i vendosur në kohë e hapësirë pa limite kohore dhe hapësinore në udhëtimin ciklik e metafizik të qenies, drejt së paarritshmes dhe përsosjes.
Që në titullin “Diku, kudo” vëmendja e lexuesit drejtohet në kahe hapësinore e kohore; në pikëpjekjen e të dy këtyre shenjimeve. “Diku, kudo”, ndajfolje vendore, shënojnë dy caqe: përveçuese dhe tërësore, duke krijuar një raport alogjik e kundërthënës ku, një çast apo një vend i vetëm diku, shfaqet si një pikë e veçantë, por edhe pjesë e së tërës: të papërcaktueshmes e të përgjithshmes kudo, të cilat mund të jenë shenjime hapësinore, por edhe kohoreMendojmë se me vendosjen e këtyre piketave, subjekti poetik cakton pikat e orientimit të mendimit dhe udhëtimit të tij artistik, qenies njerëzore në kohë e hapësirë. Procedimet analogjike të mjeteve poetike, që përdor subjekti poetik, të çojnë në krijimin e një atmosfere udhëtimi, në një lëvizje të gjithkohshme në këto koordinata, diçka të ikshme e të lëvizshme, por dhe të pakapshme, ku ka më shumë rëndësi udhëtimi se mbërritja. Dhe, një pjesë e mirë e kësaj simbolike, nëpërmjet zhvillimit rizomatik[2], risemantizohet drejt një kuptimësie të re.

Përveç titullit që janë përcaktime hapësinore, por njëherësh dhe kohore, shqyrtojmë dy vargjet e parë të strofës së parë:
Shi, ti fëmijë i vockël që qan prej mija vjetësh
Për ditën tënde të pangushëlluar!
Shfaqet dhe zhduket Itaka
Nën pasione vetëtimash
Paraprakisht duhet theksuar që në fillim se poezia është ndërtuar nga katër strofa katërvargëshe. Secila strofë në vetvete është ndërtuar me vargje të lirë, por të katër strofat, simetrikisht, nga ana sintaktike, janë ndërtuar me nga dy vargje që plotësojnë një mendim poetik të caktuar, i cili ka lidhje kontekstuale e përmbajtësore me mendimin e dy vargjeve më pas, që edhe ato kanë një mendim të vetëm poetik. Dhe e tërë strofa (secila nga strofat) në vetvete ka një unicitet përmbajtësor e artistik i cili e ruan këtë koherencë e logjikë ndërtimi me të gjithë strofat e tjera, duke krijuar një qenie unike poetike në funksion të mesazhit poetiko-estetik e përmbajtësor.
Le ta shohim më në imtësi dyvargshin e parë. Kemi dy elemente sintagmatikë që shënojnë caqe kohorë; dhe mendojmë se loja poetike ndërtohet mbi këta nocione kohorë. Vini re: mija vjetësh dhe për ditën tënde. Edhe këtu, njësoj si në titull, kemi një raport midis të përgjithshmes dhe të veçantës. Kemi një metaforizim hiperbolik të kohës në të cilin kryhet veprimi “...qan prej mija vjetësh.” Pra koha është një kohë mitike dhe zgjerimi i kohës, paralelisht sjell edhe zgjerimin e hapësirës, duke e zhvendosur piketën po në një përmasë mitike, “...prej mija vjetësh”, duke derivuar në një pikëprerje të diakronikes me atë sinkronike, kohës vertikale me atë horizontale: fjala ditën, e vendosur në kallzore, përveçon e shquan njërën nga ditët e mija vjetëve. Pra, kemi dy raporte të ngjashme, dy izotopi: hapësinore e kohore që piqen me njëra – tjetrën deri në shkrirje, njëjtësim. Sipas studiuesit I. Rugova (...) në poezinë dhe në romanin modern koha si fenomen i perceptuar gjithnjë e më shumë vjen duke u shndërruar në hapësirë, që lidhet drejtpërdrejt me teoritë e relativitetit e cila e nxjerr të pandashëm raportin Kohë – hapësirë. Kjo tendencë krijuese në letërsinë moderne merret si destruksion i kohës në kuptim thjesht objektiv.[3]
Kështu që, nisur edhe nga shenjat e tjera dhe kombinacioni që krijohet mes tyre, pohojmë mendimin e nënvizuar më lart se kemi të bëjmë me qenien si veçanti të unit poetik në raport sinkretik me qenien njerëzore universale, si dhe rrugëtimin e kësaj qenieje në një qark ciklik hapësinor, kohor e iluziv të kthimit në botën e pafajësisë foshnjore drejt kërkimit të botëve, në udhëtimin drejt Itakës së tij. Sipas Gëtes: “Çdokush kthehet gjithmonë te vetvetja”. E nëse fjala shi është, njëherazi, nje metonimi e unit poetik, por dhe një animim, sintagma “...ti, fëmijë i vockël,” është një ravijëzim i mëtejshëm metonimik i subjektit poetik të shenjuar me shiun; dhe, vetëm me këtë varg, arrin të krijojë një sfond e një realitet poetik metafizik e abstragues në kufijtë e imagjinatës.  
Mendojmë se loja poetike e subjektit, me të folurin në vetën e dytë, është një teknikë e hollë që e ndihmon poetin të distancohet nga vetja e ta shpërfaqë atë sa më dimensionalisht, duke e dyzuar veten dhe duke e vënë përballë, për ta eksploruar nga brenda dhe jashtë, me tërë sinqeritetin, naivitetin e vërtetësinë e mundshme. Ai është fëmijë i vockël, ...që qan. Pse fëmijë, pse i vockël dhe pse ...qan? Të tria fjalët në vetvete, në vlerën e tyre arketipale, por dhe në marrëdhënien sintaktike që ato kanë, mbartin brishtësi, dhimbje, por dhe pafajësi, dëlirësi, pastërti, bukuri, sinqeritet. Gjithashtu shprehin dhe fatin e njeriut: është i vockël para botës së madhe, para të panjohurave të saj. Ai është fëmijë; dhe kush më shumë se poeti është një fëmijë...? Ai mbetet fëmijë i i vockël dhe i përjetshëm, sidomos para pafundësisë së botës të nuancuar si materie e metafizikë, kohë, hapësirë e histori. Ndërkohë përcakton dhe vendin që i takon atij në kohë e hapësirë. Dhe parë nën një këndvështrim filozofik, rrugëtimi i njeriut gjatë ciklit të jetës së tij fillon qysh fëmijë. Ai është fillimi dhe caku i fundit të udhëtimit.
Më tej, shiut i bëjmë dy lexime:
a. fenomen natyror;
b. analogji e qenies.
Në leximin e parë, folja qan, që shenjon një veprim njerëzor, (derdhja lotë prej një hidhërimi apo dhembje të madhe) kthehet në një metaforë foljore dhe i jep shiut një ngarkesë të re semantike, ndërsa në leximin e dytë, kur shiu metaforizon qenien njerëzore, kjo folje ingranohet në tërësinë sintagmatike, me metaforën shi dhe me metoniminë “... ti, fëmijë i vockël”. Por ky veprim njerëzor e më shumë fëmijëror, si efekt i dhembjeve të mëdha, plotësohet me sintagmën pasuese e përcaktuese kohore “...prej mija vjetësh.” Ai bën fokusimin dhe ndriçimin e plotë të objektit që i drejtohet, pra unit, duke e vendosur në gjithkohësi, element ky që i jep përmasa mitike si qenie universale.
Le ta shtjellojmë më tej. Cila mund të jetë një ditë e pangushëlluar për njeriun? – Emrin ditën, siç thamë dhe më lart, poeti e vendos në kallzore, duke e përveçuar, e shenjuar në një nga ditët e mijëra vjetëve. – Ajo është një, dhe e pangushëlluar; dhe një ditë e tillë mendojmë se aludon për një gjëmë të madhe apo vetë vdekjen. Ngushëllimi, si akt, kryhet pikërisht pas një fatkeqësie. (Dihen eufemizmat që përdoren për vdekjen në traditën shqiptare: iku, na la, ajo ditë që mos ardhtëe nëmura, etj.) Pra, dita e pangushëlluar, është një metonimi që ndërtohet nga zhvendosja kuptimore eufemike e fjalës vdekjeedhe pse ajo nuk është e pranishme në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Por për një kuptimësi më të plotë, vargu i parë ka nevojë edhe për vargun e dytë eliptik “...për ditën tënde të pangushëlluar.” Kjo sintagmë shkakore dhe eufemike, vjen si përmbyllje e logjikës poetike, porse duke lënë një hapësirë mungesore, që të çon në një situatë medituese rreth subjektit e përtej subjektit. Vini re, shprehja na çon, jo vetëm në një konstatim, që përcakton dikë, diku, por dhe na krijon një gjendje të tendosur, sa trishtuese, aq dhe kërshëritëse.
Dy vargjet e tjera “...Shfaqet dhe zhduket Itaka / Nën pasione vetëtimash,” duket se krijojnë një thyerje të vijimësisë logjike e kuptimore me dy vargjet e para. Kamera e poetit, lëviz në mënyrë të papritur, duke ndërruar planet e fokusuar. Ai lë në mes dialogun me shiun dhe shfaqet në një pozicion rrëfimtar, ku çdo fjalë mbart një lëvizje të papritur: shfaqje e fshirje imazhesh, caqe hapësinore, kohore e mitike. Përveçse si objekt tematik koha dhe hapësira, në këtë poezi, luajnë një rol dinamik në procesin e shndërrimit dhe lëvizjes. Vëmë re se foljet në kohën e tashme “Shfaqet dhe zhduket,” një sintagmë kundërthënëse antonimikekrijojnë imazhe të ikshme, të paqëndrueshme midis qenies e hiçit. Gjithçka shikohet e konceptohet nga një çast kohor i tashëm, por që dhe ai vetë është pjesë e simultanes, së tërës.
Por simboli më i dallueshëm që bën pikëprerjen e hapësirës me kohën është Itaka.
Në simbolikën e artit botëror Itaka ka hyrë si objekti apo vendi i cili vepron mbi subjektin me një rol thirrës, ndjellës i dheut, i nënës, atit, gruas, fëmijës dhe ku shpërfaqet përpjekja e njeriut, Odiseut, për rikthimin drejt këtyre qenieve e objekteve, me mallin e tij, përpjekjen, sakrificat për t’u kthyer edhe me shpirt ndër dhëmbë. Por vërejmë se ky veprim intencional i veprës së Homerit, siç do ta shikojmë dhe më poshtë, në mënyrë edhe më të plotë sintetike e sinkrete, transfigurohet dhe i largohet modelit homerian, duk u risemantizuar. Ai ndërmerr një udhëtim brenda mikrobotës së qenies njerëzore, ku Itaka është caku i nisjes, por dhe i mbërritjes të udhëtimit të njeriut, duke përfunduar udhëtimin e tij ciklik, që ka përcaktuar jeta dhe fati për njeriun.
E shoqëruar me vargun më pas “...Nën pasione vetëtimash”, kjo lëvizje bëhet më dinamike e më me potencialitet, duke u kthyer në një kohë subjektive[4].
Po pse “...nën pasione vetëtimash?” Përpjekja mbinjerëzore për t’u rikthyer, është lufta brenda qenies. Shiu, si metaforë e qenies poetike, nuk mund të kuptohet pa vetëtima, po dhe qenia s’mund të kuptohet pa pasione. Pranëvënia paralele metaforike këtu, jo vetëm që është shprehëse e mendimit poetik, por vërejmë se është në harmoni dhe sintoni me të gjithë shprehjen si shenjim më i gjerë formal e përmbajtësor. Aq më tepër kur Itaka, është një cak kohor dhe hapësinor, simbol që ç’kodifikohet si caku i nisjes dhe i mbërritjes të udhëtimit ciklik drejt plotësisë së qenies.

Dhe ja, ku vijmë në strofën e dytë:
Zot, jam tmerrësisht i vonuar!
Tani duhej të isha diku përtej shiut.
Tek dritarja, fëmija lakuriq,
Më vështron me sytë prej uji
Vargu i parë: “Zot, jam tmerrësisht i vonuar!” bëhet mbartës edhe i kuptimit dhe domethënieve të atyre që thamë më lart (në strofën e parë, duke i dhënë kuptim metaforës “Shi, ti fëmijë i vockël që qan prej mija vjetësh”), por mbart edhe ankthin e qenies, njeriut dhe bëhet e dukshme përpjekja dhe dëshira për të shkuar diku, pra, për të udhëtuar; ku? “...diku përtej shiut,” përtej të mundshmes. Në këtë strofë vëmë re se ndryshon këndi i shikimit. Subjekti shfaq një anë tjetër të vetes. Nëse në strofën e parë subjekti i drejtohej shiut e nëpërmjet shiut vetvetes në vetën e dytë, në këtë strofë, dialogu ndërtohet me Zotin; ku Zoti vjen me konotacionin e një thirrori, në të cilin ai mbështet ankthin e tij. Kështu pra, logjika poetike na çon në përplasjen e qenies mes vetes, në përpjekjet dhe pamundësinë e unit poetik për të arritur dikupërtej shiut, caqe e limite këto të pafundësisë e pamundësisë, që japin edhe gjendjen plot dhembje, ankth e trishtim të subjektit.
Por subjekti këtu na shfaqet i munguar, i shprehur nëpërmjet foljes jam: “Zot, jam tmerrësisht i vonuar!” Folja jam, në kohën e tashme, bëhet njëherazi dhe përcaktues i një pike hapësinore, që vjen si nëntekst, p.sh. këtu. Nëse do të merrnim përgjegjësen e saj, sipas dhe kuadratit semiotik greimassian, në vargun tjetër, ai shpreh dhe njërën nga modalet duhej, e cila na çon te izotopi hapësinor diku përtej shiut, sipas: këtu – diku, pra, duhej, në të pakryerën, që na shfaq ankthin e vonesës, (i vonuar) ndryshimit, e lëvizjes nga një pikë A në një pikë B.
Shikojmë se ndajfolja kohore tani, si dhe folja jam, që shprehin të tashmen, i përgjigjen pikës hapësinore diku përtej shiut. Pra, të jesh këtu mos të jesh diku përtej shiut, përbën ankthin e palëvizshmërisë, që e bën gjendjen dinamike, sepse ka një dëshirë apo detyrë që duhet përmbushur, të shkojë: diku, përtej shiut. Fëmija lakuriq është shtysa, ai që i jep detyrën, që, edhe pse duket se është statik, me vështrimin e tij me sytë prej uji, ai e nxit subjektin drejt shndërrimit. Subjekti është i ndërgjegjshëm për atë çka duhet të realizojë: të shkojë dikupërtej shiut. Por sintagmat me foljet jam dhe duhet, krijojnë një raport të gjendjeve të ankthit, të dëshirës dhe pamundësisë duke e shndërruar në një gjendje tërësore komplekse e të paarritshme. Ai është në ankth, sepse nuk mundet, por që ndërkohë e di që duhet të shkojë përpara për të realizuar udhëtimin e tij ciklik i shtyrë nga sytë prej uji të fëmijës lakuriq. Pra, jemi në një situatë absurdi e sizifiane, ku nuk ka rëndësi maja e synuar, por rruga për të shkuar tek ajo.
Po pse lakuriq? Dendësia e shtresimi i ngjeshur shumëkuptimor na e bën të detyrueshëm përqëndrimin në çdo semë e segment të vargut. Sintagma metaforike fëmija lakuriq, shfaqje e njeriut në fillesën e tij të jetës, (ashtu siç vjen njeriu në këtë botë, me të dy kuptimet gjegjëse: fizike e metafizike) është pikërisht njëra pjesë e dyzuar e komplekse e qenies, pjesa e dëlirë e pafajësisë dhe pastërtisë, është caku prej nga është nisur dhe vendi për ku vrapojnë dëshirat e tij. Kjo metonimi mbart një sërë valencash kuptimore si pafajësia, fillesa e jetës, brishtësia; dhe fuqia e saj, që qëndron pikërisht te të qenit foshnjë e porsalindur, sepse e rrit, si shprehinë poetiko – estetike, edhe atë përmbajtësore. Është pikërisht pamundësia fizike që nëpërmjet syve të saj, kthehet në një fuqi të parezistueshme. Çfarë nuk do të bënim për sytë e ujshëm të një fëmije, që ata të mos mbushen me lot. Nga ana tjetër vetë metafora “...me sytë prej uji”, për nga delikatesa, brishtësia, lëvizja dhe ndjenja që mbart, përveçse një dimension të thellë human, i jep edhe një harlisje estetike të freskëte shkëlqimtare.
Por sytë me vështrim prej uji shfaqen te dritarja. Dhe, dritarja, e cila bën pjesë në izotopinë hapësinore, shndërrohet në një objekt kufizues të diku – së nga ku ai niset, por dhe ku mbërrin. Pra ka një sendërtim të nocionit hapësinor diku; por, nëse do t’i drejtoheshim simbolikës së figurave gjeometrike, që rëndom përdoren në artin viziv, dhe për rrjedhojë edhe në atë poetik, katërkëndëshi i dritares shpreh simbolikisht kuadratin e plotësisë, (...) si një simbol të vetvetes[5].
Po dhe sintagma metonimike përtej shiut, ndahet në dy pika hapësinore: shiu, dhe ndajfolja përtej, e cila shërben si një mjet ftillues e ndriçues i papërcaktueshmërisë së ndajfoljes diku, por që paradoksalisht na lejon që të shohim vetëm me sytë e imagjinatës drejt pamjesh mungesore, duke na thirrur në lojën e tij poetike me të gjitha aftësitë tona konstruktive e abstraguese, për të zbuluar këtë palmpsest vlerash e shprehish artistike të ngjeshura. Vetë kjo sintagmë, përtej shiut, është një piketë e udhës në të cilin do të lëvizë subjekti poetik dhe, në një farë mënyre, na jep idenë e hapësirës, lëvizjes dhe udhëtimit, por që gjithmonë mbetet një hapësirë e kohë e papushtuar, e paarritshme e iluzive, duke arritur në përgjithësime filozofike e universale, përtej një leximi të ngushtë e duke na u shfaqur kështu si një poet gjenuin, intutiv, por dhe me një mendje depërtuese me abstragim të thellë.
Nuk ndodh shpesh që qëllimësia e poetit të përkojë me kuptimësinë e përftuar nga lexuesi apo kritiku, por na bën përshtypje dhe na duket se na ndihmon, përgjigja e tij në një intervistë dhënë gazetës “55”: (...) Kush ju pret atje përtej shiut? – Pikërisht Itaka, shiu, mjegullat. Pikërisht ajo botë që unë kam synuar gjithnjë e që bie në sy në punimet e mia. Ai shi që kërkova unë nuk ra asnjëherë. Kjo duket e trishtë, por jo. Unë jam pajtuar gjithmonë me fatin tim. Historia e Odiseut është historia e njeriut fatkeq. E njeriut pa një të dielë...[6] Padyshim që këtu ne shohim vetëdijësimin e Rreshpjes për atë që krijon, por edhe krijimin si pjesë e pavetëdijes, si nevojë e subjektivitetit të tij për t’u objektivuar në imazhe, fjalë. Por, gjithashtu, tregon se kjo poezi, përveç aventurës për të kërkuar metaforikisht të dielat e tija, për një jetë ndryshe, ka mundësi për një sërë leximesh të tjera, të cilat e pasurojnë me shtresa të reja poetike e kuptimore.

Te strofa e tretë,
Përditë më duhet të nxitoj drejt diçkaje që nuk është,
Por nuk jam një Odise i shpikur.
Eh, Itakën time e kam shpikur vetë,
Se kam nevojë për ishuj,
kemi dy frazime sintagmash që, në vetvete, shprehin nga një mendim të caktuar, por që dhe me njëra-tjetrën ndërtojnë një raport alogjik. Edhe pse duken si mendime të copëzuara që s’kanë lidhje me njëra-tjetrën, është ky raport alogjik që dedukton në bazë të korelacionit të të dy nëntekseve që rrjedhin prej të dy dyvargëshave të strofës, ndarë nga pikëzimi, drejt një domethënie të caktuar.
I qasemi vargut të parë: “Përditë më duhet të nxitoj drejt diçkaje që nuk është.” Kjo sintagmë është e defigurativizuar; siç e shohim është një pohim i thjeshtë pa asnjë element simbolik. Por, parë si e tërë, është një figurë mendimi, figurë që e merr vlerën konotative nga alogjizmi naiv dhe absurd midis nocionit të veprimit (nxitimit) në mënyrë të vullnetshme e të vetëdijshme, drejt asgjësë, pra duke na çuar drejtpërdrejt në një situatë absurdi: “...të nxitoj drejt diçkaje që nuk është.” Vini re: ...më duhet të nxitoj, është modalja vepruese me funksionin e një “detyre” që ka marrë, por, ...drejt diçkaje që nuk është. Raportet ndërtohen sipas një qëllimi të caktuar artistik, midis shtysës, dëshirës, pamundësisë, por dhe ngulmimit për të shkuar te e pambërritshmja si filozofi e akt sizifian, qëllim iluziv e i gjithkohshëm universal i qenies. Përtej skajeve të logjikës, është një vetërrëfim i hidhur e paksa ironik, gati një absurd i vetëdijshëm ekleziast, nën pushtetin e njohjes të së vërtetës së hidhur për përkohshmërinë dhe iluzivitetin që mbart qenia në vetvete dhe ky udhëtim odisean i tij.
Po a nuk shkon poezia, arti drejt të vërtetave më të mundshme...?! Në vijimësinë e logjikës artistike, duke u kthyer në një mendim poetik të mirëfilltë, ky ndërtim kalon nga e pavetëdijshmja tek e vetëdijshmja, nga e kufijshmja tek e pakufijshmja. Por assesi vargu i parë nuk mund të jetë i plotë pa vargun e dytë mohues që pohon qenësinë e të qenit një Odise i vërtetë, “...Por nuk jam një Odise i shpikur.” Për një deduksion të saktë na duhet që dyvargëshi të lexohet e të shqyrtohet si një mendim i tërë. Vargu i parë është një pohim që plotëson mendimin e nisur në vargun para tij, me anë të lidhëzës kundërshtuese, por dhe mbaron i pikëzuar si vazhdim i këtij vargu paraardhës.
Më tej, nëpërmjet mohimit, ai pohon se nuk është një Odise i shpikur dhe njëjtësohet me figurën mitike, me atë çfarë është thelbi i kësaj figure: shpirt i aventurës dhe i përpjekjes njerëzore për të arritur atje ku e thërret detyra e atdheut mallit dhe familjes edhe nëpërmjet të së pamundurës, dhe siç e thamë, duke shkrirë subjektiven e ngushtë te universalia, të kufishmen që realizohet në të pakufishmen e kohës. Njeriu është një Odise që gjithë jetën do të rreket në rikthimin drejt Itakës së tij. Vini re: ”...Eh, Itakën time e kam shpikur vetë, / ...”. Edhe këtu procedimi poetik ndërtohet po mbi alogjiken. Nga një anë ai, nëpërmjet mohimit, pohon se është një Odise i vërtetë dhe përkundër kësaj kemi pohimin gati delirant, që, Itakën e tij e ka shpikur vetë. Le të ndalemi këtu pak më gjatë për një hetim e konkludim më të thellë të strukturimit sintaksor, i cili i jep vlerë kuptimësisë. Është në natyrën e procedimit të tij poetik që i copëzon mendimet, imazhet, duke thënë gjëra që, në pamje të parë, duken sikur janë larg njëra-tjetrës. Me to ai pastaj ndërton mozaikë, të cilët, të shtresuar dhe me hapësirat mungesore, e bëjnë të gjithë tekstin të njëzëshëm e koherent, por duke e dendësuar shprehjen artistike. Kjo bën që përqindja e lëndës së thatë e të koncentruar në tekst, ashtu siç ndodh te verërat e mira, të jetë në një masë të lakmueshme.
Në këtë strofë kemi dy frazime sintagmash që në vetvete shprehin një mendim të caktuar, por që, me njëra–tjetrën, ndërtojnë një raport alogjik. Vargu i parë që pohon me anë të mohimit, duke krijuar një figurë të përmbysur, qenësinë e të qenit një Odise i vërtetë, e plotëson me mendimin e nisur në vargun para tij, me anë të lidhëzës kundërshtuese, por dhe mbaron i pikëzuar si vazhdim i këtij vargu paraardhës. Pra, sipas këtij ndërtimi, logjika të çon te një pohim i fshehur se Odiseja nxitonte drejt diçkaje që ishte, diçkaje të prekshme, të arritshme, por që sot po këtij Odiseu mitik, tashmë modern, i duhet të nxitojë drejt diçkaje që nuk është. Pse? Përgjigjja jonë është qenia, subjekti poetik që kërkon udhë të reja në kohë dhe hapësira të ndryshme. Njeriu është po ai, Odiseu, por ai ka një Itakë të shpikur vetë. Një qëllim që është tjetër, udhëtim tjetër,  se ka nevojë për ishuj. Pra ka nevojë për ide, iluzione shpresa... Vini re si lëviz procedimi e transfigurimi artistik, nga sendet e prekshme, materja, në një perceptim e konkludim poetik me gjendje e imazhe metafizike, pra nga konkretja te abstraktja.
Dy vargjet: “Itakën time e kam shpikur vetë / Se kam nevojë të domosdoshme për ishuj”, strukturohen si figura të mendimit, ku thelbi figurativ qëndron te konotacioni i mendimit që shfaq në kohezion harmonik me artikulimin e së tërës, duke marrë e dhënë. siç ndodh në një proces biologjik në një trup të gjallë. Mendimi, në fakt, në raport me mendimin e mohimit pohues më sipër, ngjan me një përçartje: “Por nuk jam një Odise i shpikur.” Siç e thamë dhe më lart, nga një anë kemi pohimin se është një Odise i vërtetë dhe në anën tjetër kemi pohimin që “Itakën time e kam shpikur vetë.”

Akrobacitë e kësaj loje poetike me fjalën i qëndrojnë logjikës dhe ideve të mesazhit që kërkon të përcjellë dhe i gjejmë të plazmuara në deduksionet e strofës së fundit.
Më vështron me sytë prej uji,
Te dritarja, fëmija lakuriq.
Bien Itakat e legjendave,
Pas bregut madhështor të vetmisë.
Vërejmë ripërsëritjen e sintagmës fëmija lakuriq që e vështron me sytë prej uji. Ka një ngulmim te kjo sintagmë, por e ripotencuar me veprimin dhe këndin hapësiro – kohor. E gjithë fraza sintaktike është ndërtuar si një inversion i pastër mbi tre detaje: veprimi më vështron..., objekti hapësinor te dritarja... dhe personazhi fëmija lakuriq..., që plotësohet si figurë me metaforën ...me sytë prej uji. Mendojmë se theksi bie te veprimi. Jo më kot, e jo vetëm për arsye ritmike, vargu fillon me këtë folje, veprim që bie mbi subjektin poetik. Ç’mbetet pas këtij vështrimi? Heshtje mungesë, që fton lexuesin të bëhet pjesë e “fajit”, fatit, dhimbjes apo qortimit? Kjo pafajësi, ky realitet i së vërtetës së qenësisë i zhvlerëson Itakat e legjendave si elemente të materies, duke tentuar drejt një zeroje absolute, (sipas një shprehje të shkrimtarit M. Zeqo për F. Rreshpjen) drejt hiçkohës gri, që është e vërteta pas bregut madhështor të vetmisë. Potencimi i saj vjen nëpërmjet zhvlerësimit të legjendave e miteve nëpër një udhëtim imagjinar ekzistencial. Abstragimi është i thellë, tonet janë drithërues dhe imazhet montohen e ngërthehen me mendime filozofike, që rrjedhin nga tërësia poetike; udhëtimi brenda qenies është një rrekje drejt përftimit së të vërtetave mbi kuptimin e jetës, shpresës e kotësisë, fatit dhe vdekjes, pra absurdit ekzistencial, që Sartri e thelbëson me lirinë e qenies, me dënimin e saj për të qenë e lirë. Mesazhi lexohet te mungesa, një metafizikë që shfaqet si nënteks dikotomik i tërë këtij udhëtimi odisean drejt një Itake aq shumë të ëndërruar e shndërruar në qëllim të jetës, ...drejt ishujsh që njeriu i krijon vetë, për të arritur diku, si nevojë iluzive e lëvizjes dhe e ekzistencës së qenies. Dhe ky është dhe thelbi iluzor i qenies poetike që na transmetohet nëpërmjet kësaj loje metaforike dhe vetironike, që rreket gjithnjë drejt metafizikës së qenies.

Gusht 2013


[1] F. Rreshpja: Në vetmi, Arbëria, Tiranë, 2004, f. 66
[2] Shih A. Tufa: Letërsia dhe procesi letrar në shekulli e XX 2, Rizoma, shblu, Tiranë, 2009, f. 45.
Në librin “Rizoma (1976) Zhil Delëz dhe Feliks Guatari veçojnë dy tipa të kulturës, karakteristike për kohën tonë: kulturën “drunore” dhe kulturën “rrënjore”.
.... Delëzi dhe Guatari janë të bindur që frymës së kohës i korrespondon më shumë një tip tjetër i kulturës, kultura e “rrënjës” apo “rizomës”.  ...(Rizoma është një lloj i veçantë rrjeti rrënjor i nëndheshëm i bimëve zhardhokë, që shërbejnë si rrënjë për vetveten si p.sh. patatja)
[3] I. Rugova: Strategjia e kuptimit, “F. Konica”, Prishtinë, 2005, f. 80
[4] Shën. Im: Sipas I. Rugovës te kapitulli Poezia dhe koha, te libri Strategjia e kuptimit, “F. Konica”, Prishtinë, 2005, f. 78, koha subjektive ka të bëjë me koncepsionin dhe percepsionin e subjektit poetik.
Gjithashtu, duke iu referuar Studiuesit Emil Shtajger, ai mendon se këtë kohë duhet ta lidhim drejtpërdrejt me ekzistencën njerëzore dhe me vetë njeriun. Pra, në interesin tonë, ajo që quhet koha ekzistenciale, që shfaqet me tridimensionalitetin e vet, sepse lidhet me ekzistencën që ka fillimin dhe mbarimin e vet, me të kufishmen që realizohet në të pakufishmen e kohës.
[5] Aniela Jaffe: Simbolizmi në artet vizuale, përkth. Neli Naço, Korçë, 2003, f. 21. Autori shkruan: Dr. M – L. von Franz-i e ka shpjeguar rrethin si një simbol të vetvetes. Ajo shpreh totalitetin e psikikës, duke përfshirë këtu marrëdhëniet midis njeriut dhe plotërisë së natyrës.
[6] F. Rreshpja: Shiu që unë prita; gazeta “55”, 23 nëntor 1997, f. 7.