Petro Luarasi
Tomi Mato dhe miqësia L.Poradeci,
S.Luarasi, Dh.Pasko
Sajesat e Tomi Matos dhe nëma e Mitrush Kutelit
Tomi Mato është një emër i famshëm jo
vetëm në qytetin e Pogradecit. Ndonëse në prag të 90-tave, ky babaxhan rrezaton
energji fizike e mentale, çmohet për bisedat e ëmbla dhe shakatë e kripura me
hove rinore dhe trille pleqërishte, shkurt është krijues me dell ëndërrimtari,
qejfli vere e korani që flladitet me vegime. Fantazia e tij e mëkuar në moshën
djaloshare nga rrëzëllimat e magjishme të liqenit të Pogradecit, e ngjizur me
vegimet hyjnore të Pragës së pasioneve dhe sfidave studentore, përjetoi lindjen
e filizave të shpresës për demokraci dhe terrorin psiqik të sharrës
diktatoriale. Në profesion i dhanë krahët e shqiponjës (në flatrimet
regjisoriale të mbi 140 shfaqjeve teatrale) dhe brengën e bufit (që nuk mund të
shohë dot dritën e diellit).
Kur doli në pension, Tomi Mato, i yshtur nga
perspektiva e ndryshimeve demokratike, nga ekonomia e tregut dhe e xhepit,
vendosi ta shpaloste personalitetin e talentin në të ashtuquajturat ‘’studime
biografike’’ apo ‘’memoaristike’’ duke iu përkushtua me sy e mendje jetës së dy
engjëjve pogradecarë, Lasgushit e Mitrushit. Edhe fati e përkrahu: mes miqve të
qejfit e interesit, të xhanit e të namit, mes atyre që u pëlqen të koloviten
rreth gotës e sahanit në lokalin ‘’Praga’’ të të birit, e gjeti edhe
frymëzuesin e krijimtarisë, botuesin dhe propaganduesin e ‘’kryeveprave’’ me të
cilat nuk kanë të nginjur mediat, ekspertët dhe gjindja e etur për zbulim e
trillime sensacionale. Krijesa e parë (‘’Lasgushi më ka thënë ‘’, 2002) deri
tani ka njohur katër rilindje me tirazhe marramendëse të sponsorizuara, ndërsa
e dyta ("Kulteli, kalvari i një jete plot brenga",2013) nuk dihet se
si do të çapitet.
Një vit më parë propaganda shpallte se ‘’u
promovua një nga veprat e rralla dhe me një rëndësi të veçantë për letërsinë
shqiptare, "Kuteli, kalvari i një jete plot brenga" i autorit të
njohur Tomi Mato’’, i cili, sipas ligjëruesve akademikë, si një bletë punëtore modeste
kishte mbledhur e mlatuar nektarin për mikun e tij të zemrës, Kutelin. Sipas
logjikës së tyre "të dhënat e këtij libri nuk janë thjesht një përshkrim
letrar, por një grumbull rrëfenjash të mara nga vetë Kuteli, i cili në raporte
të një miqësie të afërt me Maton, kishte rrëfyer për kalvarin e një jete me
plot peripeci".
Për një pedagoge ky libër ‘’i pasur me mendime
objektive, i filtruar nga të pavërtetat, i bindshëm në konstatime, i qartë në
zbulimin e anëve të padukshme ajsbergiane të Kutelit… plotëson një vakum të
lënë keq të historisë së letërsisë shqiptare, letërsinë memoaristike
shqiptare...Andaj libri ‘’Kuteli, kalvari i një jetë plot brenga’’ është një
kontibut i madh në historinë e librave të tipit të memoareve".
Por nga media e ndërgjegjësuar mësuam se ‘’libri
biografik’’ për Mitrush Kutelin i Tomi Matos ka përfunduar në gjykatë ‘’për
shpifje, denigrim të figurës së Kutelit dhe keqinformim të publikut, duke
sajuar dhe fantazuar në lidhje me Kutelin dhe familjen e tij, duke krijuar
situata që nuk kanë lidhje me të vërtetën’’.
Kështu familja e nderuar e Dhimitri Paskos
(alias Mitrush Kuteli) vijon edhe në demokraci kalvarin e kërkimit të së
drejtës, në përballje me xhambazët e leverdisë së tregut dhe gjallesat
shurdh-qorr- memece të klanit “E ç’u bë?-Hiçkurrgjë!‘’
Ata tek e fundit mund të pranojnë që
‘’kryevepra’’ të mos quhet ‘’biografi’’ apo ‘’memoar’’ por ‘’roman
fantastiko-shkencor’’ ku shpikjet e shpifjet, me vello letrare, nuk i dënon
ligji. Edhe ndonjë kritik kurajoz, i cili e quan biografinë “një përbaltje të
tmerrshme të Kutelit”, do ta përqeshnin: ‘’Këtu po grabitet prona dhe jeta e
njerëzve, zotrote na kërkoke kokërzën e grurit në mullar!’’
Sido që të zbatohet ligji, vegjeton edhe morali,
të cilin mëkatarët do të bënin mirë ta përfillnin më tepër sepse, sikurse thotë
populli, ’’ më mirë syri, sesa të të dalë nami’’, më mire të hiqet vepra dhe
harxhet e gjynahqarit, sesa të të ndjekë edhe në ferr nëma e Kutelit.
Petro Luarasi
Lasgush Poradeci dhe qorrollepsja e një
kronikani të dështuar
I ndërgjegjshëm për rëndësinë e çështjes, i bëj
me dije opinionit publik dhe institucioneve përkatëse të shtetit shqiptar
përvojën e hidhur që kanë patur me librin e Tomi Matos “Të verteta dhe të
pathëna për Lasgushin” edhe familjarët e Lasgush Poradecit, por edhe të Skënder
Luarasit
Vlera dhe antivlera
T’i ofrosh vatrës kulturore-letrare shqiptare
krijime (sidomos kronika) të vlefshme, sipas kutit e rangut të personalitetit
të Lasgush Poradecit me shokë, nuk mjafton vetëm dëshira, talenti apo fantazia
e një romancieri a regjisori, qoftë edhe tematika e pasur me shumëllojshmëri
skenash e personazhesh, por mbi të gjitha përjetimi real, lënda - mielli safi i
bluar e i qëmtuar mirë, me sa më pak krunde (trajtesa gjysmë të vërtetash e
‘‘huazime’’ - plagjiate, thashetheme e sajesa) e me një unitet vlerash në formë
dhe përmbajtje të shprehura thjesht e bukur. Për më tepër, lum ai që fati e ka
përzgjedhur edhe të jetë pjesëtar në zhvillimin e ngjarjeve, edhe të shkruajë
si dëshmitar për to.
Kështu dua të shpreh thelbin parimor të
vlerësimit letrar, se sa për anën komerciale të çështjes, mjafton një
sponsorizim i fuqishëm, një reklamim efektiv nga protektorë autoritarë dhe
suksesi në treg është i garantuar: për masën e gjerë, malli kallp serviret e
konsumohet menjëherë si i cilësisë ekstra.
‘‘I marrosur’’ siç jam pas temave
historiko-patriotike, biografive e kronikave, shpesh edhe unë e kam shijuar
mallin kallp, instikti e kureshtja më kanë sunduan motivimin për leximin e tyre
dhe vetëm në fund logjika e lodhja më ka dënuar për metodën aspak selektive të
përzgjedhjes së lëndës dhe për pjesëzën e jetës së shkuar dëm. Me këtë përvojë
personale dëshmoj se pa mohuar arritjet në botimet cilësore, në tregun tonë
letrar qarkullojnë rëndom ca palo ‘‘kronika’’, të cilat janë veçse pjella
fantazish të arnuara me thashetheme, interpretime e përgojime që shprehin e
mbrojnë thjesht interesa personale e klanore të mbrapshta (për të mos thënë më
tepër).
Këto farë veprash që tjetërsojnë jo vetëm të
vërtetën historike, por edhe vlerat e mirënjohura të personalitetit dhe rrethit
shoqëror e familjar të tij, në një mjedis mediokër dinak e fjalëshumë, marrin
vlerën e faktit dhe nuk është çudi që ‘‘me sponsorizim’’ të farkëtojnë opinione
tabu apo të konsiderohen si dokumentim i realitetit në ndonjë CV personale,
familjare, film dokumentar, studim akademik, konferencë shkencore, e pse jo
edhe në ndonjë muze.
Ky fenomen bëhet veçanërisht shqetësues kur
objekt ‘‘bombardimi’’ janë personalitete ‘‘enigmatikë’’, të ‘‘vetizoluar’’, për
të cilët flitet shumë por njihen realisht pak. Për ata publiku ka shpesh
opinione kontradiktore për shkak të propagandës apo diktatit të pushteteve apo
interesit të qarqeve të caktuara.
Për këtë tematikë, nën shtytjen e disa
faktorëve, po i referohem një personaliteti si poeti Lasgush Poradeci, për të
cilin janë shkruar disa kronika, çoroditëse edhe për lexues të kultivuar, të
njohur, mik a familjar të tij, me ‘‘sajesat’’ që, në fund të fundit, jo vetëm
nuk i shkojnë për shtat, por e zbehin rëndshëm madhështinë e tij.
Këtë mendim personal detyrohem ta provoj me disa
fakte, që në rrethana të tjera, për shumë arsye, nuk do t’i publikoja kurrsesi.
Reklama, shpirti i tregtisë
Para disa ditësh më ra në dorë libri voluminoz i
sponsorizuar ‘‘Të vërteta e të pathëna për Lasgushin’’ me autor regjisorin
veteran T. M. I apasionuar përgjithësisht pas kronikave, aq më tepër ndaj
vlerës së mirëfilltë kombëtare të Lasgush Poradecit, librin e lexova me një
frymë edhe për stilin e tij mjeshtëror të këndshëm, edhe për larminë e
ngjarjeve, ambienteve e personazheve, aq të mirënjohura e të dashura për mua.
M’u ringjall nostalgjia e viteve të rinisë, kujtimet e pushimeve verore
disavjeçare buzë liqenit të Pogradecit dhe ah, mbi të gjitha, qenësia e tim
eti, 25 vjet pas ndarjes nga jeta, më 1982. Ndaj, të paktën edhe për këtë
ndjesi që më dhuroi ky libër normalisht duhej t’i isha mirënjohës autorit. Edhe
për lexuesin e gjerë, ky libër, për nga forma e përmbajtja që ofron autori,
dora vetë, si dëshmitarit okular, duhej të ishte ‘‘perlë’’ lasgushiane.
Këtë besim na e vulos që në faqe të parë vetë
botuesi - gazetar i mirënjohur si skrupuloz, tek shprehet: ‘‘‘nuk duhet lejuar
në asnjë mënyrë që shkarravina të ndryshme të bëjnë njohësin apo kompetentin,
apo role të tjera lidhur me figurën e Lasgushit. Në këtë kuptim, libri që po i
jepet në dorë lexuesit me autor T.M. (identiteti është zëvendësuar me iniciale
nga P.L. për të mos i mëshuar personit, por fenomenit) ka një vlerë
dokumentare, ku saktësia dhe preçizionin i episodeve është fare e papërpunuar
nga ndonjë fantazi qëllimesh të mëpastajme. Tomi thotë: kështu ka ndodhur’’.
Por libri i Tomit është shumë i vyer për penda të një niveli tjetër studimi dhe
pasqyrimi psikoanalitik, shoqëror, politik, letrar, estetik, artistik i
kambanës ‘‘Poradeci’’... sinqeriteti dhe çiltërsia e autorit, dhe për fat të
mirë mungesa e një fantazie përpunuese, ose mosshfrytëzimi i saj kanë shërbyer
për mirë në vërtetësinë rreth figurës së Lasgushit".
E të tjera e të tjera vlerësime që do t’i
shkonin shtatit të çdo gjeniu të letrave botërore.
Vetë autori, me modesti, na thotë: ‘‘E pranoj se
nuk kam qenë ndonjë mik shumë i afërt, siç i mbante Ai disa në xhepin e
brendshëm të anës së majtë, po unë isha i kënaqur që më mbante në një qoshe të
xhepit të vogël të pantallonave të anës së djathtë’’ dhe vijon duke na e thënë
shqip e shqeto: ‘‘Po mundohem që kujtimet e mia t’i rrëfej pa gënjeshtra. Ato i
kam incizuar në memorje në shkallën më të lartë të vëmendjes, dhe tani erdhi
momenti të lëshoj shiritin për t’i dëgjuar bashkëqytetarët e mi shqiptarë’ Në
rrëfenjat e mia do të përpiqem të zbuloj disa kënde të errëta të panjohura të
karakterit, krenarisë, të vuajtjeve të tij. Do të përpiqem që nëpërmjet fjalës,
dialogut, të krijoj atmosferën e vendit, kohës, dhe romantikën e ambientit’’.
Qorrollepsja e xhepit
Por ky regjisor i moshuar pogradecar (tani së
fundmi iu përkujtua 80-vjetori i lindjes) që pretendon se ka qenë në një nga
‘‘xhepat e pantallonave‘‘ të Lasgushit, na del dhe njohës i sekreteve të zemrës
së poetit, na merr përsipër të na përshkruajë ‘‘natyrshëm’’ e hollësisht edhe
rrethin shoqëror lasgushian, ku ndër më të afërtit përmend Eqerem Çabejin,
Mitrush Kutelin dhe tim atë, Skënder Luarasin. Duke përmendur këtë të fundit me
emër e mbiemër, T.M. me një stil të rafinuar, shtjellon plot dublicitete e
kontradiksione logjike ku ‘‘me çiltërsi’’ njëherazi edhe e lavdëron, edhe i
ngjit ca mballoma lasgushiane, pa harruar të citojë fije për pe me një memorie
brilante edhe ca thashetheme nga goja ‘‘e vetë’’ S.Luarasit për disa kolegë të
nderuar (A ia vlen të themi për hesap të T.M. sajesat që i paskish
"treguar" atij Lasgushi, ku përmendet S.Luarasi si kinse përgojues i
A.Budës, I.Kadaresë e D.Agollit(‘!), me të cilët Luarasi dihet mirëfilli se kishte
marrëdhënie respekti reciprok. Hajde e dëgjoji këto dëngla të dala pa doganë
nga "xhepi i djathtë i pantallonave lasgushiane!")
Broçkullat e T.M. më lanë aq pa mend sa të pyes
veten me dyshim: a po i referohet ky kronikan të mirënjohurit prof.Skënder Petro
Luarasit apo ndonjë fantazme shekspiriane. Vërtet të paskisha qenë unë Petro, i
biri i vetëm i Skënderit, personazh i Lasgush Poradecit sipas historiçkës
‘‘Hikni se na vranë’’ që i paskish treguar ai T.M.-së? Kur paskam qenë vallë
"së bashku me motrat", në Pogradec atëherë kur ‘‘lejoheshin kishat’’
(d.m.th. deri më 1967) ‘‘kur na është
turrur për vdekje familjarisht qeni Murro’’, dhe mbi të gjitha, cili mund të
ketë qenë ky qen e bir qeni Murro-trimoshi që e paskish bërë ateistin "e
mallkuar" Skënder Luarasi të shkonte të ndizte qiri në kishën e Katjelit?!
Por trutë e kokës më dhanë shenja të
pakundërshtueshme se kjo histori ‘‘e treguar nga Lasgushi për T.M" është
sajesë fund e krye: sepse para vitit 1967 unë mezi çapitesha rreth djepit e jo
më të degdisesha deri tek Burimi i Gështenjave në Pogradec, ku të merrja leqet
para Murros. Pogradecin e kam parë me sy vetëm pas vitit 1970 dhe asnjëherë nuk
kam qenë atje me ndonjë nga motrat (me nënë tjetër). Gjithashtu, logjika më tha
se sado i pamundur nga mendja të ketë qenë poeti Lasgush Poradeci, nuk mund të
shprehte këto "zbukurime" pasaktësi apo hamendje të fandaksuri, për
mikun e tij Skënder Luarasi e për më tepër t’ia tregonte për qyfyre
"xhepit" T.M.( ‘!), sepse mesa e kam njohur unë e të tjerë Lasgush
Poradecin, mbi të gjitha ai ishte NJERI, intelektual e mirënjohës ndaj mikut të
vjetër Skënder Luarasi ndaj nuk mund të sajonte e shiste ‘‘qyfyre’’ për të, se
në fund të fundit, kush vlen më tepër ‘‘një gjallesë rastësore në xhepin e
vogël të pantallonave të anës së djathtë’’ apo miku i besës në thellësinë e
zemrës’!
Zbukuron dhe gënjen
Për të kuptuar se qysh e tek është gatuar kjo
përrallë nga e kaluara me asortimentet përkatëse të garniturës së kuzhinierit,
kinse disident, më ndihmoi sentenca e tim eti "Haj vetëm gjellën e gatuar
nga duar të pastra" dhe një zbulimi im rastësor, të cilin kuzhinieri T.M.
e ka sajdisur e servirur me mjeshtëri në pjesën ‘‘Lasgushi, E. Çabej, S.
Luarasi dhe Mitrushit".
Në këtë pjesë ai përshkruan një tjetër gaztore
se "ç’i ka thënë Lasgushi" në prezencë të kushëririt të tij Todi M.
për ‘‘studentin e Universitetit të Gracit Skënder Luarasi’’ (i cili dihet se ka
qenë student vetëm në Universitetin e Vjenës’!) dhe se si Lasgushi përpiqej e
botoi librat ‘‘Vallja e Yjeve’’ e ‘‘Ylli i zemrës’’ me ndihmën e Çabejit e
Kutelit
( kjo çështje do sqarohet më tej).
Por një paragraf sensacional është diskutimi
katërsh: Poradeci, Çabej, Kuteli, Luarasi mbi vlerat e veprës lasgushiane, dhe
pse nuk botohet ajo sipas asaj që i paskish thënë Lasgushi ‘‘fjalë për fjalë’’
dhe T.M e shkruan më 16 prill 2005!
Këtu, shpikësi i sensacioneve T.M. zbulon veten
haptazi kur përmend ‘‘mrekullinë’’ se si im atë i paska treguar Lasgushit mbi
censurimin e një dedikimi të Viktor Eftimiut, drejtuar Fishtës në librin
‘‘Vallja e yjeve’’. Në të vërtetë, ky është një zbulim i rastësishëm i imi në
fondin e Bibliotekës Kombëtare në vitin 1997 (15 vjet pas vdekjes së tim eti)
për të cilin kam shkruar në Gazetën "Republika" më 14.11.1997)
E ç’të përmend sajesat e tjera ‘‘me gojën e
Lasgush Poradecit, Skënder Luarasit’’ e miqve të tyre të nderuar, të cilat më
hidhëruan për papërgjegjshmërinë e kronikanit, i cili së paku ndaj meje ka
kryer një akt të dënueshëm ligjor e moral: ka përdorur shkrimin tim dhe e ka
shtrembëruar me qëllim poshtërimi. Falur qoftë!
Kur lexova librin ‘‘Të vërteta e të pathëna për
Lasgushin’’ m’u kujtua filmi ‘‘Zbukuroj, por nuk gënjej’’ personazhi kryesor i
të cilit na shfaqej realisht si gënjeshtar, teksa titulli rrekej të bindte
publikun se ai vetëm zbukuronte.
Dikujt që do të pyesë nëse ia vlen lodhja për të
mbyllur gojët e botës në tregun e sensacioneve që shiten e blihen me leverdi,
do t’i përgjigjesha: ‘‘Për hir të së vërtetës dhe nderit, që ua kemi borxh
personaliteteve kombëtare, po! Por jo me llafe, me fakte!’’
10 vjetori i përjetësimit të Lasgush
Poradecit
Llazar Gusho, poeti me pseudonim Lasgush
Poradeci (1899-1987) u nda nga jeta më 12 nëntor 1987.
Në përkujtim të tij shkrova artikullin ‘‘10
vjetori i përjetësimit të Lasgush Poradecit’’ (Gazeta ‘‘Republika’’,
14.11.1997) nga po shkëpus dy fragmente:
Zbulim interesant
Në Bibliotekën Kombëtare, duke
kërkuar disa botime të hershme të poetit të mirënjohur Lasgush Poradeci,
rastësisht më ra në dorë libri i tij poetik ‘‘Vallja e Yjeve’’ (skeda S51 A60)
shtypur në Tipografinë Albania-Kostancë në muajin Vjeshtë e Dytë (Tetor) 1933
me përkrahjen lëndore të Shoqërisë së Studentëve Shqiptarë dhe të miqve të
Bukureshtit’’ dhe ‘‘edituar nën kujdesin e M. Kutelit’’.
Në pjesën e brendshme të kapakut të librit
më tërhoqi vëmendjen një shkrim me bojë jeshile që ishte shkarravitur me një
laps blu dhe për më tepër i ishte ‘‘vënë kryqi’’. Kureshtja më shtyu të
përpiqem të lexoj përmbajtjen e shkrimit ‘‘heretik’’, i cili bëhej akoma më i
vështirë për t’u lexuar nga njollat letër-zamk-gjurma të mballosjes së censurës
së dikurshme.
Që në rreshtin e parë shtanga:
‘’I nderuari At Gjergj Fishta!
Po ju dërgojmë këtë libërth të
ligjëronjësit L.Poradeci, tipografuar ndë shokërinë tonë
Mbesoj se do të mbeteni i ngazëlluar
Mot e jetë i juaji
Viktor Eftimiu
Fillim i vjeshtës III
Bucurest 1933’’.
Sajesa nga libri i T.M.’’Të vërteta e të pathëna
për Lasgushin’’
‘‘Lasgushi, E. Çabej, S. Luarasi dhe
Mitrushi.
("Flet Lasgushi"): - Në këto rrethana
e ndjej veten të aftë t’i përkthej vetë poezitë e mija në gjermanisht.
Kërceu me sy të zgurdulluara Paskua dhe
fishkëlleu:
- I ke mëntë. Shejtani fle, ti kërkon ta zgjosh.
E ke të kjartë se ti kanë hedhur në rezervë, mor t’i kanë hequr nga qarkullimi,
ti kërkon të përkthesh ‘‘Vallen e Yjeve’’ dhe ‘‘Yllin e zemrës’’’
Ndërhyri furishëm Skënder Luarasi:
- Paskua e ka mirë fjalën. Haje atë kafshore
buke e tulitu pranë zjarrit me Kafkën se krevati që la ky pogradecari është i
lirë. Lasgush. Unë e kuptoj ty të vjen inat që Isuf Vrioni përktheu në Francë
Ismail Kadarenë e Dritëro Agollin. Po të dy janë komunistë, të besuarit e
partisë. Janë të imunizuar nga çdo re keqe ty të zë plumbi gropave’
Ndërhyri përsëri: Do t’ju rrëfej edhe një çudi
tjetër që me siguri do çuditi, o miqtë e mi. Në bibliotekën kombëtare, duke
gërmuar për të gjetur disa botime të hershme, e di çfarë gjeta’ S’e di ti, s’e
dinë miqtë e mi, dëgjoni. U ngjetha. Librin tënd, ‘‘Vallja e Yjeve’’, shtypur
në tipografinë shqiptare Kostancë në vjeshtën e dytë të 1933, nën kujdesin e
bashkëqytetarit tënd dhe mikut tonë të madh, Mitrush Kutelit. Mbajta frymën ,
s’po kuptoja gjë e klitha:
- Çfarë, do të thuash me këtë, që vepra ime
është futur në rezervë’’
- Prit. Dëgjo. Në kapakun prapa të librit, mbi
një shkrim me bojë jeshil, ishte shkarravitur mbi një dedikim një laps blu,
ishte bërë një kryq përsipër. Poshtërsia më e madhe ishte se mbi të ishte
ngjitur me zamkë një letër e hollë. (Shenjë e vërtetë censure mbi librin). Si
pa rreth e rrotull Luarasi vazhdoi: ‘‘E tmerrshme, e llahtarshme ishte kur
lexova me monokël fjalë për fjalë këto fjalë: ‘‘I NDERUARI AT GJERGJ FISHTA! PO
JU DËRGOJ KETE LIBERTH TE LIGJERONJESIT L.Poradeci. mot e jete, i juaji’’.
Viktor Eftimiu’’.
(Pyes lexuesin e nderuar: A nuk është ky
‘’zbulim” i T.M. plagjaturë e zbulimit të Petro Luarasit?)
Skënder Luarasi dhe Lasgush Poradeci
Përkundër tymnajës që pompon autori i
librit ‘‘Të vërteta e të pathëna për Lasgushin’’, të cilit fatkeqësisht i ka
rrëshqitur pena e mendja në hone të thepisur, i shtyrë nga rrethanat, detyrohem
të publikoj disa fakte mbi marrëdhëniet tepër konfidenciale të Skënder Luarasit
me Lasgush Poradecin.
Njohja e tyre ndodhi rastësisht kur Llazar Gusho
(Lasgush Poradeci) erdhi në Vjenë, në selinë e Shoqërisë së studentëve
shqiptarë ‘‘Albania’’ ku Skënder Luarasi qe kryetar dhe editor i organit të saj
‘‘Djalëria’’.
Që në takimin e parë mes tyre u mbrujt një
respekt reciprok që, natyrshëm, nga geni i tyre kolonjar apo nga miqësia e
hershme e baballarëve të tyre patriotë - mësues flamurtarë të gjuhës shqipe;
nga ideali atdhetar e personaliteti i tyre intelektual apo thjesht nga sojllëku
dhe shpirti i tyre human, lidhja u shndërrua në një unitet e dashuri
vëllazërore të përjetshme.
Ishte dhjetor 1928 kur Lasgush Poradeci, i cili
studionte në Universitetin e Gracit, në gjendje të mjeruar ekonomike dhe i
sëmurë rëndë, me një letër i lutet ‘‘mikut të shtrenjtë’’, Skënder Luarasit, i
cili studionte në Universitetin e Vjenës, ‘‘të vinte nga Vjena në Grac për ta
ndihmuar’’.
Dhe Skënder Luarasi, ndonëse cilësohej
kundërshtar i regjimit monarkist, shkoi në Grac dhe së bashku me Lasgushin u
nisën për në Shqipëri. Rrugës, gjendja e Lasgushit u përkeqësua ndaj u kthyen
prapë në Grac. Në këto kushte, Skënder Luarasi u nis i vetëm për në Shqipëri që
t’u bënte thirrje intelektualëve shqiptarë të mblidhnin ndihma për të ndihmuar
Lasgush Poradecin. Por, sa mbërriti në Shqipëri, rregjimi e futi në burg.
Shtypi përparimtar shkruante për ngjarjen:
Përcjellja e Lasgush Poradecit
Poeti Lasgush Poradeci u nis për në
Shqipëri. Gjëndja e tij shëndetësore vazhdon të jetë e keqe.
Graz. 1 janar: Poeti Lasgush Poradeci, pas dy
vjet vojtjeje, tue qenë se s’mundi të shohë as një përmirësim në shëndetin e
tij, u nis dje për në atdhe, pas rekomandimeve të mjekësit universitar Profesor
Heinrich di Gaspero. Lasgushi do vejë në shtëpinë e tij prindërore në Poradec,
për t’i rënë pas shëndetit të tronditur. Shpresohet se ndryshimi i klimës,
dieta dhe shërbimi që do të gjejë poeti pranë familjes së vet do t’ia
ristabilizojnë krejt shëndetin. Gjithë studentët shqiptarë në Grac u mblodhën
ta përcjellin Lasgushin. Poeti shoqërohet në këtë udhëtim prej kolegut të tij
të Vjenës Skënder Luarasi, i cili mori leje nga inspektoria e studentëve ta
përcjellë Lasgushin gjer në Poradec. Skënder Luarasi një nga më eminentët
studentë shqiptarë, është i biri i Petro Nini Luarasit, i ati ylli të ndritur
q’u doq me aq zjarr në qjellin e veteranërisë shqiptare: gjesti fisnik i
studentit Skënder Luarasi na mbush me mallëngjim.
(Përcjellja e Poradecit, "Shqipëria e
Re", 6 janar 1929)
Gazeta ‘‘Zëri i Korçës’’, 15.1.1929.
Dje në mëngjes, u dërgua nën vërejtje me
aeroplan në Tiranë, Skënder Luarasi, student në universitetin e Vjenës.
‘‘Shqipëria e Re’’, 3 shkurt 1929
Skënder P.Luarasi, studenti entuziast i Vjenës,
q’ish nisur për të shoqëruar Lasgushin në Poradec, masi poeti u kthye prapë në
Grac, vazhdoi vetë udhëtimin dhe arriti në Korçë. Atje autoritetet e zunë dhe e
dërguan nën vërejtje, me aeroplan në Tiranë.
Si shpjegohet kjo sjellje e autoriteteve të
Korçës’
Gazeta "Shqipëria e Re’’, 14 prill 1929
Në Shqipëri simpathia e përgjithshme për
vjershëtorin Lasgush Poradeci sa vjen po shtohet. Nga të gjitha anët ndihmat
rrjedhin pa kursim. Shenja të mira se zumë të çmojmë artin
Kujdesi i Skënder Luarasit, por edhe i miqve të
tjerë të Lasgushit, ishte i vazhdueshëm siç tregohet në letrën e mëposhtme që
Lasgush Poradeci i dërgon Luarasit:
Lasgush Poradeci
Grac, 29.1.1930
I dashur Skënder,
K.P. (kartë postalen, shën. i P.L.) t’ënde të
dashur me datë 24.1.1930 e mora. Pse bëhesh merak e më flet ashtu’
I shtrenjtë shok Skënder, të lutem të vish sa më
shpejt këtu në Grac që të shkojmë në Shqipëri, se mua më s’ka kush të më bëjë
shërbim, ashtu siç e kërkon sëmundja ime. Shtëpisë këtu iu mërzita dhe më s’po
më durojnë dot.
Telefonomë urgjentisht!
Adresa: Lazgush, Klosterëiegs 74 parterre
Graz
Skënder Luarasi e ndihmoi Lasgush Poradecin edhe
financiarisht, me të holla në një nga periudhat më të vështira, kur vetë atij
ia kishte prerë bursën regjimi monarkist, në vitin 1929. Me ato pak para që ia
dërgonte i vëllai Dhimitri nga Amerika, ai ndau hallin me poetin në mjerim.
Sakrifica e tyre ishte reciproke, meqë edhe Lasgushi, kur Skënderi qe në nevojë,
për t’i kthyer borxhin, shiti një nga pronat e babait të tij.
Grac, 30/XII. 29
Skënder Luarasit, Universitat Wien, Austri
I dashur Skënder
‘Kush pyet, kush çan kokën për gjendjen t’ime
shëndetësore, për gjendjen t’ime financiare’ Asnjeri, përveç meje vetë! Ah, dhe
vetëm ti, i dashur shok, u mundove dhe bëre një detyrë të ëmbël kundrejt një
njeriu që vuan. U mundova dhe unë të të përshëndet sot sa mund. Si do ngjajë
nesër, si do ngjajë pasnesër, kjo varet prej vetëdijes s’ime, prej vetëdijes
s’ate...
Një fakt të panjohur përbën nxitja, interesimi i
vazhdueshëm, përkrahja dhe ndihma e drejtpërdrejtë që dha Skënder Luarasi për
botimin e veprave të Lasgush Poradecit ‘‘Vallja e Yjeve’’ dhe ‘‘Ylli i zemrës’’.
Rrethanat dhe përpjekjet e tij në terren, për të gjetur burime financiare,
bazën materiale dhe botuesin e përshtatshëm, njohja për këtë çështje dhe
kontaktet me Mitrush Kutelin në Rumani etj. na zbulohen qartazi në letrat e
mëposhtme.
Tiranë, 2.XI.30
I dashur Lasgush,
Po mbushet sot java që kurse kam ardhur përmes
Poradecit këtu në Tiranë. Me gjithë atë që kam dashur, si pas porosisë me
telefon, të qëndroj me ty, kjo gjë qe e pamundur. Jo vetëm se koha qe e keqe
fort, po shoferi kishte frikë se, duke qëndruar, mos e gjobitnin që kishte 5
njerëz në një automobil, i cili merrte ligjërisht vetëm katër.
Po t’i lemë mënjanë excusez- moi-të, se e di që
nuk je as jam i këtyre. Pyetja është kur ke për të ardhur në Tiranë, për të
shkuar në Austri’ Të lutem ndë qënsh akoma në Pogradec, mos harro të vish në
Tiranë më parë se të nisesh për në Grac.
Puna e botimit të librës nuk duhet të mbetet
zvarrë. Sille aty dhe un do të përpiqem që të botohet përpara Janarit, ndë
qoftë se do ta kesh mbaruar këtë muaj kopiimin e manuskriptevet. Nga Paskoja
akoma nuk kam marrë ndonjë letër ‘ po ti’ (Shënim P. L. Flitet për veprën e
Lasgush Poradeci ‘‘Vallja e Yjeve’’,që u botua në vitin 1933, në Bukuresht, nën
kujdesin e Dhimitër Paskos, alias Mitrush Kuteli)
Pllaka e "Këngës pleqërishte" nuk
gjendej për ta dërguar, as baullën nuk ta bleva dot se s’kisha të holla.
Të lutem përgjigjmu sapo të marrësh këtë letër.
Të dërgon të fala, Skënder Luarasi
(Letrat e rralla të Lasgushit, Republika
4.4.2004, f.11)
Poradec 17 shtator 1936
Zotit Skënder Luarasi, Profesor i gjermanishtes
në Liceun frëng, Korçë(‘)
I dashur Skënder
S’munda të të shkruaj më parë, nga shkaku se kam
qenë (dhe jam) shumë i zënë; siç ta dhashë fjalën, po përgatit volumin me
poezitë e mbaruara më 1924, të cilat (mea culpa!) s’i kam përmbledhur nga
moskujdesja. Ti Skënder ma qite shpirtin këto dy vjetët e fundit që t’i mbledh,
t’i mbledh’Nga ana ime të falem nderit për kujdesjen që më rrëfen si dhe për
mundimet e mëdha që ke bërë duke kërkuar një editor, duke ‘‘lypur’’ të holla’Ke
të drejtë . Po puna është e vështirë: poezitë duhen mbledhur nër gazeta dhe
revista të ndryshme të mërgimit, ku gjinden të përhapura, pastaj duhen
rishikuar, duhen ndrequr’ Ja ky është shkaku i vonesës sime. Duke u përgjigjur
mi sa i the zotit Dh.P.Pasko dhe mi ç’më telefonove drejt për drejt këtu, po të
pyes: gjete editor, apo shtypja do të bëhet me të holla (që ku këto të holla’)
‘‘private’’’ (Shënim P.L. Flitet për veprën e Lasgush Poradecit "Ylli i
Zemrës", e botuar në vitin 1937, në Bukuresht, nën kujdesin e Mitrush
Kutelit, alias Mitrush Kuteli)
‘Sa për të ardhur në Korçë, tashi s’mund; s’kam
të holla. S’kam marrë bursën për dy muaj e 17 ditë. Në e marça do të vij
Të ngjatjeton me dashuri
Yti Lasgush
P. S. Për festivalin dansant që dhatë aty më
parë, të dërgova me anën e Zotit Dh.P.Pasko midis të tjerave dhe poezinë ‘‘Ri
me shëndet’’, siç më urdhërove në telefon. Ta dërgova të prerë nga revista
‘‘Dialëria’’ e Vjenës. Me qenë që s’kam tjetër kopje, të lutem të m’a këthesh
prapë një orë e më parë’ Unë për t’iu përgjigjur kërkesës s’ate, të dërgova
kopjen e vetëme që kisha, pasi ti m’i kërkoje poezitë për ‘‘nesër’’, dhe unë
s’kisha kohë ta shkruaj përsëri; automobili për në Korçë s’priste. Kopjet e
poezive të tjera i shkrojti zoti Dhimitër P.Pasko, unë duke mos mundur të
punoj, nga shkaku i së nxehtës së madhe.
Lasgushi është bërë i përjetshëm...
"Miqësia mes Skënder Luarasit e
Lasgush Poradeci, edhe pas çlirimit të vendit nga fashizmi, nuk u dobësua, por
u forcua më tepër. Përballë dallkaukëve dhe shpifësve që kërkonin t’u bënin
varrin intelektualëve të vërtetë, ata ruajtën miqësinë dhe dinjitetin. Mjafton
të kujtohet qëndrimi i përbashkët demaskues ndaj puthadorëve e lakenjve të
diktaturës (disa prej të cilëve sot kanë paturpësinë të qëndrojnë në podiume e
t’i thurin himne miqësisë me Lasgushin e ish-viktimat e tyre).
Vërtet Skënder Luarasi e Lasgush Poradeci
takoheshin rrallë e kurdoherë të survejuar nga spiunët, por bisedat e veprimet
e tyre ishin një sfidë e hapur ndaj diktaturës.
Kur një herë Petraq Kolevica, miku dhe studiuesi
i Lasgush Poradecit, e pyeti Skënder Luarasin se ç’mendonte për këtë poet, ai
iu përgjigj:
‘‘Kur isha i ri, bota thoshin: ‘‘Po vdes, po
vdes Lasgushi. Tani që është plak thonë: ‘‘More, po rron, po rron Lasgushi!
Ndërsa mua më duket se Lasgushi është bërë i përjetshëm...’’
Ndërsa Maria, e bija e Lasgushit më ka thënë se
kur e pyesnin të atin se ç’mendonte për S. Luarasin ai shprehej::
"Skënder Luarasi është shumë patriot, shumë
demokrat, shumë liridashës, shumë i sinqertë, shumë guximtar, dhe (si pasojë)
shumë sherrxhi. Por disa citues ‘‘intelektualë’’ nuk dihet përse fjalën në
kllapa ‘‘si pasojë’’ e kanë hequr nga ky përcaktim(‘!)
Miqësia e tyre rezistoi e u konsolidua më tej
edhe në vitet e egra të diktaturës.
Letër drejtuar Skënder Luarasit, shef i degës së
Anglishtes në UT.
I dashur dhe i adhuruar shok,
Mbesa ime, Roza Prifti, mori bursë për
Doktoreshë, po meqë s’e ka për zemrë të bëhet mjeke, dëshëron të marrë
anglishten. Për këtë punë ka ardhur me nipin tim (djalin e motrës sime) ta
ndryshojë degën. Mbesoj se do ta ndihmosh jashtëzakonisht. Të shënoj vetëm kaq:
Motra ime (Zografina Gusho) më ka mbajtur në
krah, kur isha foshnjë dhe më mbajti prapë kur u sëmura rëndë në Austri, për të
cilën sëmundje ti, shok i dashur dhe i shtrenjtë i dhe kushtrimin botës
shqiptare me anë të shtypit.
Me falenderime dhe mirënjohje që përpara,
Të fala,Yti Lasgushi
Poradec, 12 gusht 1965
Zotit Skënder Luarasi, Instituti i Shkencave,
Tiranë
Pogradec, 27 Qershor 1952
I dashur Skënder, Mëso se t’u rezervua dhoma,
duke filluar që prej datës 27 qershor, është me dy krevate (sepse me 1 krevat
nuk ka hoteli). Për fat të keq nuk ka asnjë dhomë të lirë nga ana e liqenit,
janë të gjitha të okupuara. Lirohet vetëm një dhomë nga ana e liqenit (këtë
mund të ta rezervojmë) po kjo është me tre krevate (jo me dy). Po ti eja,
vendosu në atë dhomën me 2 krevate dhe ne do të mundohemi, të bëjmë si të
bëjmë, dhe të ta shkëmbejmë me një dhomë nga ana e liqenit (në u liroftë
ndonjëra jashtëzakonisht). Të jemi të kënaqur që po na rezervonet dhe kjo me 2
krevate, sepse dhe kjo është e rezervuar për pionerët, po Kalua (djali i motrës
time) më tha se ‘‘për hatrin tënd, dajo Lasgush, do t’ia rezervoj Skënderit, të
cilin unë e njoh’’, dhe le të vijë njëherë të zërë dhomën në atë datë (27
qershor) pa pastaj do bëjmë si të bëjmë, dhe mund t’i shkëmbejmë një dhomë me
dy krevate nga liqeni, le të vijë pa do bëjmë si do bëjmë. Prandaj, ti Skënder
mos u dëshpëro dhe dërgoje zonjën se ajo do të jetë si në shtëpi të saj; Kalua
më tha se nuk lejohet me fëmijë sivjet, se hoteli s’është për familje me fëmijë
e me zhurmë, kështu është rregulli i hotelit. Unë i thashë: ‘‘Tashi, o nipçe,
unë e hapa gojën e ta thashë, sepse, po ta dinja këtë rregullore, nuk e
turpëronja veten të t’u them, dhe si ti të më lesh mua me gojë hapur (d.m.th pa përgjigje pozitive). Ay më tha pastaj: ‘‘Urdhëro, o dajo, të pijmë
në kopsht një birrë’’.
Unë i thashë: ‘‘S’dua birrë, sepse kam merak për
dhomën’’.
Ay më tha: ‘‘Ç’ke merak ti dajo, puna e dhomës
ka mbaruar’’. Pastaj pimë nga një birrë. Kalua iku se kish punë, ardhi vëllai
m’i madh (ky rri në shtëpi t’ime me familinë këtu në Pogradec). Me të vëllanë,
Mitin, ndenjëm pimë raki, se ay më ftoi për raki me meze e peshk. I thashë dhe
Mitit për muhabetin e dhomës që pata me Kalon. Miti më tha: ‘‘Ç’e loth gojën dy
herë, dajo, dajua një herë urdhëron, dhe nipolli i thotë peqer, puna e dhomës
ka mbaruar’’.
Prandaj, mos ki hiç merak Skënder, për dhomën,
ajo është rezervuar për ty më 27 qershor. T’i rrëfeva këto dy muhabete që pata
me të dy nipërit për dhomën, që t’i dish hollësisht dhe të mos kesh asnjë
dyshim për dhomën.
I dashur Skënder, të lutem të më dërgosh me
zonjën tënde një termometër dhome, të cilën e harrova në shtëpi time, ku kam
lënë të më ruajë shtëpinë zotin Loni Zguri, nëpunës në Tenis-Klub (ku është
tenis-klubi). Të lutem shumë lodhu dhe ecë në shtëpinë time, merre termometrin
prej Lonit. Ay është në shtëpi përdita në orët pas drekës (prej orës 1,1/2 ose
3 gjer në orën 4, ose 4,1/2). Lutem që termometri të mbahet në vend të butë që
të mos thyhet udhës, sepse s’gjendet termometër në asnjë vend. Të lutem, mos
harro të më dërgosh termometrin. Termometrin e harrova në dhomën e fjetjes, për
mi dërrasën që është në kokë të krevatit.
Me kaq të përqafoj me dashuri, Lasgushi.
P. S. Edhe Zonja, mirë se të vijë, sepse për çdo
nevojë dhe lehtësirë, jemi gati si unë si nipërit e mij (6 në numër) si
farefisi jonë.
Të lutem, i dashur Skënder, mos harro të më sjellësh
termometrin (për të cilin kam nevojë absolute)
Nderimet e mia të çquara Zonjës dhe mirë se të
na vish në qytet.
Shënim me rëndësi: Trokiti në derë Lonit me
forcë dhe shumë herë, gjersa të dëgjohet nga trokitja se ay zakonisht ri
shtrirë në ato orë (2-4) trokit fortë.
Zotit Skënder Luarasi, Instituti i
Shkencave, Tiranë
Pogradec, 27 Qershor 1952
I dashur Skënder
Sot mora telegramin tënd të dashur. Dhoma rri e
rezervuar gjer më 1 korrik, siç më telegrafove. Të lutem, me çelësin që do të
të sjellë prej meje Marija Paluca (Marija Kraja) ecë përnjëherësh në minutë në
shtëpi time edhe, bashkë me zotin Loni Zguri (i cili rri në shtëpi time) hapni
me atë çelës derën e dhomës s’ime të punës edhe nxirni macen, e cila po ngorth
brenda në atë dhomë (sepse e kemi haruar brenda). Si ta nxjerrësh macen, mbylle
përsëri dhomën, merre çelësin me vete, edhe sillma çelësin bashkë me
termometrin kur të vish.
Shënim: a) Mos harro të sjellësh termometrin
b) Mos harro të sjellësh çelësin
Shumë Të Fala Të Dërgon dhe Ju Pret Përdita me
gëzim,
Yti Lasgushi.
I botojmë këto letra e shënime të shkurtra
konfidenciale vetëm e vetëm për të shprehur mirëfilli lidhjen mes Skënder
Luarasit e Lasgush Poradecit, që nuk mund ta fshehë asnjë ‘‘xhep’’ spekulanti,
asnjë shtrembërim mendjengushti apo shpifje dashakeqi.
Ajo qe dhe mbetet miqësi e përjetshme e
shpirtrave të tyre të amëshuar.
(Fragmentet jane shkeputur nga shkrimi Petro S.
Luarasi, Lasgush Poradeci dhe qorrollepsja e një kronikani të dështuar :
"10 vjetori i përjetësimit të Lasgush Poradecit" , Ndryshe, Nr. 307,
18 maj, 2007, f. 10 – 11)
Petro Luarasi
Artikull i panjohur i Skënder Luarasit për
Lasgush Poradecin
Një ditë fatlume vajza e Lasgush Poradecit,
Marija, më tregoi një letër që i ati ia pat dërguar Mitrush Kutelit. Atje bëhej
fjalë për një artikull të panjohur të Skënder Luarasit mbi Lasgushin, të botuar
në gazetën "Laboremus" .
Letrën po e botoj me lejen e të nderuarës Marije
Poradeci:
M. Llazar S.Gusho
Klosterëiesgasse 74
Graz Austria
Graz 12.12.1932
Dimitrie Pasko
Bukuresht
I dashur Mitrush,
Mbesoj t’a kesh marrë k.p. të 1 Dhjetorit ku të
shkruaja se poezitë do të t’i dërgoj më vonë. Disa poezi tashi (me qenë që jam
prapë i zënë) do t’i gjesh të riprodhuara prej së përkohshmes ‘‘Laboremus’’ (
VIII, 16 Tiranë, Gusht, 1932, f.5-8) në skicën e Skënder Luarasit: ‘‘Lasgush
Poradeci -Vija themeltare’’. Janë (natyrisht, si të gjitha gjer më sot) me
shumë gabime (54) po unë i ndreqa dhe i bëra të sakta.
Skënder Luarasi e ka shkruar në këto rrethana::
‘’Kur isha në Tiranë më 1930, drejtori i shkollës teknike Mr. Fultz më ftoi të
mbaj një konferencë dhe Skënderi me këtë rast bëri një studim të shkurtër mbi
mua për në shtyp. Studimi s’u botua dot nga shkaku i largimit të Skënderit pas
artikullit që shtypi kundër librës ‘‘Neuland Albania’’ (pak kohë më parë
Skënderi kish ‘‘tronditur’’, me gjith atë mënyrë zyrtarët ministerialë me
artikullin e tij të guximshëm mbi Themistokli Gërmenjin). Majin e shkuar erdhi
redaktori i ‘‘Laboremus’’-it në librarinë ‘‘Argus’’ ku unë gjindesha rastësisht
dhe, me një karnet në dorë, më kërkoi një interviu literar mbi veprën time për
atë revistë. Redaktorin unë s’e njihja, por i thashë thjesht dhe drejtpërdrejtë
të më ndjejë se jam i shtrënguar ta refuzoj, duke mos qenë poezija objekt
parade publike po fshehtësi e përbrendëshme e zemrës. Në atë çast u shfaq
papritur Skënderi në librari, dhe zuri të bisedojë anglisht me
‘‘intervistonjësin’’ tim, i premtoi, duket, ‘‘gjësend’’’( as njëri as tjetri
s’më bënë fjalë kur u ndanë prej meje, mbi çështjen e biseduar). Pastaj
administrata e ‘‘Laboremus’’-it më dërgoi në Pogradec (Gushtin e shkuar )
numurin e mësipërm të revistës. Skica e 1932-së është siç duket me disa shtesa
dhe jashtëlënie, pothuajse ajo e 1930-tës. Eshtë lënë jashtë, poezia
gjermanisht që më kish dërguar Richard Pichler-i në Poradec, 1929. Më 1930
Skënderi e kish përkthyer anglisht ( sepse studimi destinohej për Shkollën
Teknike të Tiranës) po tashti e paska hequr fare. (Artikulli s’ka nënshkrim, që
të duket si nga ana e gjithë Institutit).
Në paraditen e burgosjes Skënderi më dha një
kopje të studimit dhe me ekspresivitetin e hekurt të fytyrës së tij -
trashëgimtar heroik i heroit Petro Nini Luarasi -, më urdhëroj: ‘‘Lasgush!
Dërgoje për shtyp, se më del nga zemra’’( sikur ç’gjë s’i del nga zemra
Skëndos’), ‘‘pa mua në burg le të më farmakosin!!’’
Pastaj iu konfiskuan dorëshkrimet etc.
Unë ‘‘urdhërin’’ nuk ia përmbusha, sepse ku më
linte vetëdija të bëj luks literature në kohë që shoku i dhemshur tretej në
burg’’
Të puth me dhembje Llazari
Duke u bazuar në letrën e mësipërme arrita të
identifikoj në revistën ‘‘Laboremus’’ nr. 16, gusht 1932, faqe 5,6. artikullin
‘’Lasgush Poradeci - Vija themeltare’’ me autor anonim Skënder Luarasin.
Komentin ia lej lexuesit e studjuesve më të ngeshëm.
(Skënder Luarasi)
‘’Lasgush Poradeci - Vija themeltare’’
Vjet e kishim Lasgush Poradecin midis nesh, si
mysafir të shkollës Teknike duke qenë të lumtur që mundëm ta njohim për së
afërmi vjershëtorin djaloshar të kombit tonë. Veçanërisht na u shtua gëzimi,
kësaj vere, duke e parë përsëri të kthyer prej vendit të studimeve me shëndet
të mirë dhe studime të absolvuara. Për Institutin tonë, mbi të cilin Lasgushi
ka patur përherë - që të përdorim vetë fjalët e tij: "një admirim heshtës",
- vizita e " krijonjësit" t’artist sever të gjeneratave të reja
shqiptare është një eveniment kultural me rëndësi. Sepse emri i poetit pushton
sot zemrat e një kombi të tërë, duke filluar prej momentit prej të cilit u duk
për së pari, se fryma e një arti të ri po fryn e po zotëron pa pandehur
truallin e republikës së letrave shqiptare.
E bëmë zakon ta quajmë Lazgushin një poet të ri.
Por, vallë kush mund ta marrë me mend se pëpjekjet letrare t’autorit
"Këngës Pleqërisht" kanë një gjenezë prej 10 vjetoresh? Kush ka
njohje, se "Kruan" e tij- këtë debut gazmor- Lazgushi e shkroi më
1912, me rastin e ndreqjes nga ana e një mirëbërësi vendës? Se më 1914, si
liceist, ai botonte vjershën "Filozofi" në revistën
"Enciklopedia" të shkruar dhe të drejtuar prej tij nën pseudonimin H.
Hidoro? Se dy vjet më vonë, në vjeshtën e 1916-ës, linte në duart e një miku
letrar nga Korça të thellën dhe tronditësen "Oh, vanë fletët!..." ,
strofat e para të së cilës projektojnë konsepsionin e lartë filozofik-
kryemendimin e KËNGËS SË MALLIT PËRJETËSISHT RIGJENERONJËS- si një ‘’leading
motive’’ (motiv udhëheqës) dhe me një DHËMBJE e me një dëshirë kundër fatit e
cila vihet re në gjithë veprën poetike të Lazgushit.
" Oh vanë fletët e në zi ra
Si mot për mot vjeshtori pyll:
me zinë e kohës çel dëshira:
dëshirat çelur-gazi mbyll...
Përtej nga i qënieve si nuar!
Dhe lark për jetën-helmori gaz!
Dhe jo:- Ah,
malli q’u pat shuar
Lind e rilin m’i ndritur pas’"
Këtë koncepsion të projektuar aq shpejt, poeti e
fikson definitivisht pas 6 vjetësh, më 1922, në indrotuksionin (hyrjen) e
"Valles së Yjve" i cili koncetron argumentin rreth të cilit
zhvillohet ky poem i madhërishëm.
Vjershat hijerënda, të cilat mezi sot, ne kohën
e fundit, thuren përqark kryes së vjershëtorit posi një aureolë martiri në
përmbushjen e Destinit të vet, janë shtypur e rishtypur në variante të ndryshme
midis vjeshtës të vitit 1921 dhe vjeshtës 1924. Tri janë fytyrat më
reprezetantive të poezisë shqiptare në tërë fuqinë e fjalës, secili një
ekspresion bindës i gjeniut të vet.
Fishta
rrëfeu, se gjuha shqipe ka fuqi; Prendushi rrëfeu se gjuha shqipe ka një mësim;
Lasgushi rrëfeu se gjuha shqipe ka thellësi. Thellësia e ndjenjës dhe e
mendimit, e shprehur me një stil të ri, zgjuarsisht original, i cili trupëzon
të fshehtën e pa imitueshme të harmonisë lasgushiane është karakteristika
qëndrore e gjithë veprës së tij. Kudo, na obsedon konteplacioni symvrejtur i
greminave të saj të pafundëshme. Këtë e takojmë (sikundër një njohësi të mirë
pati shkruar mbi cilësinë e vjershave të këtij poeti) në "Vallën e
qiellit", me drithmën brendërisht fshehtësiplote të procesit divin të
inspirimit poetik ("Rri mbështetem në tryezë") në "Vallen e
dherit" me misticizmin e rëndë të muzikës kombëtare, akordet e
paperceptueshme të së cilës ngrihen solemnisht nga fundi i zemrës për të rënë
prapë mu në fundin e saj ("Kënga pleqërishte"); në "Vallen e
yjve", me intuicionin e lartë të këngës së mallit përjetësisht
rigjeneronjës, i cili përshkon dhe aktivon posi një impuls kosmogonik gjithë
qënien njerëzore (" Rri me shëndet", "Resurrectio",
"Vallja e yjve"); "Në vallen e përjetësisë" me realizimin e
simbolit final të ekzistencës ("Aeternitas"); në "Vallen e
vdekjes", me mposhtjen e Elementit dhe me triumfimin e përjetësisë
("Lundra dhe flamuri"). I pajosur me këto virtute poetike të
pakontentuara që mbajnë me vete vulën e gjeniut, Lasgush Poradeci na paraqitet
si një poet modern në tërë kuptimin e fjalës, ka mision të stolisi vjershën
shqiptare me krijimin e një arti të ri, të pasurojë letraturën me reflektimin e
një koncepcioni original, mburimi i së cilit është mburimi i kombit të vet.
(Artikull
anonim i Skëndër Luarasit, në revistën "Laboremus" nr: 16, gusht
1932, faqe 5,6. )