ZEQIR HALILI, Një jetë në Luftë për Liri
Kryengritësi i pavdekshëm dhe prijësi
e idealisti i përjetshëm i kauzës "Ja vdekje-ja Liri" gjatë
gjithë përpjekjeve të tij heroike nëpër flakët e luftërave të pareshtura mëse 30,
vjeçare për çlirimin e atdheut, pas 65 vitesh,një herë të vetme do të ndalonte
për pak kohë atje, ku nga të tjerët njihej si
vendpushim për familje dhe shoqëri.
Por,i prerë në besë, "pushimi" në
Qafë të Markofqës, ishte dhe mbeti i fundit takim me pjesëtarët e familjes për
gjallje të tij,ndërsa Bjeshka e Gjarprit, brenda pak minutash u kthye në
vend-përjetësim, ku ai ra për të gjetur përgjithmonë qetësinë.
Ndaj sot,në atë vend pranë njëra
tjetrës qëndrojnë dy simbole me dy histori, një pllakë përkujtimore e cila
mbanë të shënuara vitet e jetës dhe të përpjekjeve për liri, si dhe një gur i
madh varri, që tregon vend rënien e tij.
Zeqir Halili i Krasniqes,ishte djali i
vetëm dhe fëmija i parë i Halil Binakut, djalit të madh të Binak Alisë, të
përmendur në Malësi,Kosovë dhe gjithë Shqipërinë e Epërme. Ai u lind në vitin
1853 në njërin nga vendet më heroike, të njohur për bëmat e mëdha kombëtare, në
Bujanin historik të Mic Sokolit dhe vdiq më 18 gusht të vitit 1918, i
vrarë në pabesi nga një ekspeditë austro-hungareze, pranë vendit të quajtur
Qafa e Markofqes, në Bjeshkët e Gjarprit, të Malësisë së mirë.
Odat shqiptare nuk ishin thjeshtë,vetëm
vend ku njerëzit tuboheshin për çlodhje e bashkëbisedime, por edhe qendër e
grumbullimit të dijes, arsimit dhe edukimit të brezave,në të cilat flitej për
luftëra e heroizma, mësohej historia dhe tradita si dhe takoheshin burrat më me
nam për luftëra e kryengritje,ku lidhej Besa për bashkim dhe merreshin vendime
me rëndësi, duke filluar nga peshimi i drejtësisë kanunore deri te shqyrtimi i
çështjeve madhore kombëtare për çlirimin e atdheut dhe mbrojtjen e tij.
Ndaj, edhe Zeqiri u rrit dhe burrërua para
kohe në Odën e gjyshit të tij emër-madh, të dëgjuar për pleqërim e dije kudo, por
edhe për trimëri e luftëra si dhe udhëheqje kuvendesh të mëdha, të cilat u bënë
shembujt më sublim,patriotik dhe kombëtar në histori.
Binak Alia, qysh nga rinia e hershme e Mic
Sokolit, të mbetur jetim si çun13 vjeçar dhe nën përkujdesjen e tij, e kishte
kthyer në ritual burrërimi, vendimin që posa djemtë të arrinin moshën e
pjekurisë ,ai personalisht tu epte atyre lekët nga xhepi i vet, për blerjen e
një Plisi të Bardhë, Jatagani dhe Pistolete, ditë nga e cila ata
konsideroheshin të rritur dhe kishin për obligim ti dilnin zot Atdheut si dhe
të bëheshin argat të mirë të vendit të tyre.
Ashtu siç veproi me Micin dhe të katër
djemtë e tij, Binak Alia të njëjtin veprim do ta përsëriste edhe me të nipin,
Zeqir Halilin i cili do të jetonte e vepronte me këshillat e zgjedhura dhe
porositë domethënëse të gjyshit,duke i bartur ato gjithmonë në mendje e
zemër,për të mos i harruar asnjëherë, në luftë as në paqe,derisa ishte gjallë.
Ndaj,përveç betimit për mbajtjen e fjalës
së dhënë dhe respektimit të Besës,nga gjyshi i tij, Zeqir Halili mësoi se si të
mbetej çdo herë i ndershëm dhe
të ruhej gjithmonë nga interesi e pavendosmëria, dobësi të cilat ia prishin
trimit- burrërinë.
Madje,edhe në veprimtarinë atdhetare, ai e
sprovoi në lëkurën e vet, se përgjatë gjithë përpjekjeve për liri, vetëm
mbajtja e besës dhe bashkimi i vërtetë, edhe në çastet më të vështira, i bënë
shqiptarët "më të fortë se guri", të pamposhtur në qëndresë dhe të
pavdekshëm në histori.
Ndaj,Zeqir Halili, si prijës sublim i Malësisë së mirë,përherë mbajti një qëndrim të atillë burrëror, të cilin vetëm bijtë e
trojeve epike shqiptare patën forcë, trimëri dhe guxim ta përjetësonin dhe
kthenin në frymëzim brezash për
besnikëri ndaj atdheut dhe idol të luftërave për liri.
Ai,sa herë ishte në pyetje fati i atdheut, nuk toleroi asnjë pushtues siç nuk
njohu as u pajtua kurrë,me pashë as mbret.
Ishte koha kur "Himnin Kombëtar" "Mos shikoni
kisha e xhamia" -si të shenjtëruar nga Perëndia,e donin të gjithë
shqiptarët pa dallim, mote kur populli ynë zhvillonte luftë kombëtare për jetë
a vdekje, në vitet e para të fillim shekulli njëzet, njëqindvitësh sprovash e peripecish
të panumërta të shqiptarëve, i cili do të hynte në histori si shekulli i
çlirimit (ani pse jo tërësisht) të popullit tonë.
Ndaj, ashtu siç kishte vepruar për vite e
dekada më parë,Kosova me gjithë plagët e rënda që i thernin kudo në trupin e
saj të plagosur nga luftërat e pareshtura për çlirim,përsëri do të kthehej në
qendrën e zhvillimit të kryengritjeve kombëtare,duke gjetur forcë për tu
ri-ngritur edhe një herë më
fuqishëm se kurrë, në luftë për
dëbimin përfundimtar të pushtuesve osman nga trojet shqiptare.
Tradita luftarake e pinjollëve të Binak
Alisë
Në Bujanin Historik si vend me inspirime të
pashtershme kombëtare,në mesin e kullave të bardha,që nga koha e lindjes së
heronjve të tyre,dy nga to ruajtën përherë shkëlqim të veçantë në popull dhe në
histori; ajo e Mic Sokolit dhe e Binak Alisë.
Në odat e këtyre kullave -kala, herë pas here do
të mblidheshin udhëheqës të njohur krahinash shqiptare dhe prijës të dalluar
luftërash kombëtare, në të cilat që nga aprovimi i Tanzimatit, lidhej besa për
bashkim fisesh dhe merreshin vendime mbi shpallje kryengritjesh për luftimin e
pushtuesit dhe çlirimin e vendit me armë në dorë.
Kulla e Binak Alisë dhe stërnipat e Zeqir Halilit ,
Shkëlzen e Kreshnik Mulosmani.
Kështu që,përpjekjet e pareshtura gjithë-popullore
dhe kryengritjet e njëpasnjëshme kombëtare që pasonin njëra tjetrën,e kalitën
Zeqir Halilin, qysh të vogël, me aktet më sublime të trimërive të Krasniqes dhe
Malësisë së mirë.
Lufta kundër të ashtuquajturave reforma turke,nisi
që në vitin 1845, për tu përsëritur edhe në vitin 1862,kur Zeqir Halili ishte i ri dhe vetëm në
moshën 9 vjeçare,vit në të cilin Mehmet Ali Pashë Maxhari me ushtarët otoman do
ta sulmonin edhe një herë Bujanin herorik dhe kullat historike të tij,duke
tentuar nënshtrimin e Malësisë, për t’u tërhequr pas pak kohësh të thyer dhe të
shpartalluar nga malësorët trima të prirë mjeshtërisht prej Binak Alisë, gjyshit
të Zeqir Halilit dhe Sokol Ramës,babait të Mic Sokolit, të cilët mbi të gjitha
çmonin jetën e lirë dhe pa ligjet shtypëse të Perandorisë,në Atdheun e tyre.
Kullën zëmadhe të Binak Alisë do ta
trashëgonte Halili babai i Zeqirit e pastaj ai vet i cili me trimëritë e rralla
që dëshmoi gjatë gjithë jetës së vet heroike për tridhjetë vjet me radhë
do të shndërrohej në njërin ndër protagonistët kryesor të ngjarjeve të mëdha,
jo vetëm në Bujan e Malësi, por në Kosovë dhe Shqipërinë e epërme të cilat kudo
në trevat kryengritëse shqiptare, do ta ngrinin dhe përjetësonin emrin e tij në
piedestalin e udhëheqësve më të lartë ushtarak.
Ndaj, treva prej nga ai vinte, do ta
shpallte gjeneral të Malësisë, apo "vojvodë" siç quhej në gjuhën
popullore, titull i huazuar nga vendi fqinj-Mali i zi,ku me emrin "vojvodë"
nderoheshin udhëheqësit e arrirë të ushtrisë dhe artit luftarak, aso kohe.
Zeqir Halili udhëhoqi luftime të panumërta
dhe u priu po aq shumë betejave , jo vetëm kundër turqve, por edhe kundër
serbëve e malazezëve, akte trimërie këto të cilat këtë luftëtar të përbetuar të
kauzës sonë kombëtare e kthyen në legjendë të qëndresës dhe
përpjekjeve atdhetare për liri.
Që nga vitit 1800 e këtej, përgjatë një
periudhe mbi dy shekullore, nuk mund të kalosh asnjë faqe historie të Malësisë
dhe Kosovës,pa hasur disa herë në bëmat heroike të Binak Alisë, Mic
Sokolit e Qerim Binakut i cili do të binte heroikisht duke mbrojtur Plavën dhe
Gucinë nga malazezët, Zeqir Halilit etj.
Ata, si pinjoll të së njëjtës familje
historike me veprat sublime që lanë pas, u ngritën në lartësitë e heroizmave
kombëtare, ndaj me të drejtë, emrat e tyre u shënuan me germa të arta në analet
e historisë së luftërave të mëdha për bashkimin e kombit dhe lirinë e atdheut,
do të thuhej në mes tjerash edhe në një dokumentar kushtuar këtyre trimave.
Zeqir Halili sa herë ishte në pyetje
çështja e trojeve etnike dhe liria e atdheut, do të luftonte me grykë të
pushkës, pa asnjë hezitim si kundër pushtuesve turq ashtu edhe kundër pushtuesve
serbo-malazez.
Një gjë e tillë,do të dëshmohej edhe nga një
dokument i datës 15 tetor të vitit 1912,gjetur në arkivat ushtarake të Malit të
Zi, në të cilin nga oficerët e këtij shteti hegjemonist fqinj,raportohej se si
nga data 2 maj e atij viti, Bajram Curri dhe Halil Zeqiri,nuk u lan atyre asnjë
herë qetësi dhe sulmonin çdo ditë pozicionet malazeze.
Madje edhe përdorimin e dijes si traditë
familjare e pasardhësve të Binak Alisë, Zeqir Halili i Krasniqes do ta
dëshmonte në kohë dhe vend të duhur,duke shkëlqyer edhe në bisedime si
udhëheqës i vendosur dhe mbrojtës besnik i popullit të tij.
Thuhet se në fillim vitet e 70-ta të
shekullit XIX, Binak Alisë do ti kërkohej një mashkull, i cili përveç trimërisë
duhej të kishte edhe oratori për udhëheqjen e delegacionit të Malësisë,
të ftuar për bisedime nga Veziri në Shkodër.
Binak Alia si kryefamiljar dhe njeri i
sprovuar në jetë,i cili njihte trimërinë dhe vendosmërinë e të nipit,por edhe
qëndrimet e ashpra të Vezirit, sado që atë kohë i nipi ishte ende i
ri,megjithatë ai vendosi që për ballafaqim me të, ta dërgonte Zeqir Halilin.
Vendimi i Binak Alisë,u dëshmua i drejtë
dhe me vend, ngase Zeqir Halili, do ta nxirrte të gjithë Malësinë të lehtësuar
nga tatimet dhe faqebardhë në ballafaqimin e ashpër me Vezirin.
Edhe pse ai ende nuk kishte arritur moshën
18 vjeçare, këmbënguljeve dhe kërcënimeve të Vezirit për imponimin e pushtetit
turk dhe pagimin e taksave të vëna nga pushtuesit osman në Malësi, Zeqiri do tu
përgjigjej pa ju trembur syri dhe pa asnjë hamendje, troç, shkurt dhe shqip;
Jo!
Unë si përfaqësues i Malësisë, kam
ardhë në Shkodër të flas me takatin e atyre që më kanë dërguar këtu, se po të
flisja nga pozita e Vezirit, me pasurin tuaj do ta mbaja, dy vjet Malësinë
me bukë e të gjitha të mirat, do të vazhdonte Zeqiri, ndaj u them jo, nuk mund
të japim rekrut as të paguajmë tatimet.
Një jo e fortë, e cila do ta lironte nga
barra e rëndë e taksave dhe ngarkesat tjera të shumta otomane , gjithë trevën e
tij kreshnike.
Lufta e vitit 1885 dhe lirimi i Sylejman
Vokshit e Abdyl Frashërit
Zeqir Halili po-ashtu,dëshmoi trimëri të
mëdha në shumë lufta dhe beteja të Lidhjes së Prizrenit, përpjekjet e të cilit
do të vazhdonin edhe pas shuarjes së saj,me ç`rast vlen të veçohen luftimet e vitit 1885 kundër
forcave të Vesel Pashës në Gjakovë e rrethinë.
Siç mësojmë nga historia jonë kombëtare,në
shkurt të vitit 1885, në fshatrat e Prizrenit, do të shpërthente një
kryengritje e re,kurse më 1 mars të atij viti,pasi prenë lidhjet
telegrafike,kryengritësit shqiptar do ta sulmonin Prizrenin,ku edhe përkundër
zjarrit të fortë të ushtrisë turke, ata arritën të depërtonin në qytet dhe
çlironin shtëpitë e para të tij. (https://www.shqiperia.com/Kryengritjet-kunderosmane.)
Kundër tyre,si rëndom, edhe kësaj here Perandoria
osmane, do të dërgonte një ekspeditë të madhe ushtarake, me në krye mareshalin
turk, Vesel Pasha, të cilit përkundër forcave të mëdha iu nevojitën, jo ditë a
javë, por edhe muaj, për ta qetësuar gjendjen në qytet.
I informuar nga bashkëpunëtorët,se diçka e
madhe po përgatitej edhe atje, ai papritmas më 1 gusht të vitit 1885, do ta mësynte Gjakovën,ku
në befasi do ta arrestonte Sylejman Vokshin me bashkëpunëtorë,nën
drejtimin e të cilit bëheshin përgatitjet e fundit për formimin e një lidhje të
re antiosmane.
Pas arrestimit të Sylejman Vokshit,ashtu
siç ishin vërsul në shtatorin e vitit 1878,dhe vrarë Mehmet Ali Pashë
Maxharin,shqiptarët e zemëruar, do të mësynin edhe tani nga të gjitha anët ushtrinë
e Vesel Pashës e cila kishte bllokuar Gjakovën,ku do të shkëlqente trimi dhe
martiri i kombit,Zeqir Halili me luftëtarët nga Malësia.
Megjithëse Vesel Pashës, do ti vinin
përforcime nga Prishtina, luftimet e ashpra nuk do të pushonin për disa kohë,
ndaj derisa në mes të luftëtarëve shqiptar dhe ushtarëve të Vesel Pashës në
Gjakovë ende vazhdonin përballjet, kryengritja kundër Perandorisë turke, do të
shpërthente edhe në Rumelinë Lindore e cila vetëm disa ditë më vonë do ta
shpallte bashkimin me Bullgarinë.
E gjendur në mes dy zjarresh, Perandoria
turke, do të detyrohej tu bënte shqiptarëve disa lëshime me rëndësi, përfshi
edhe lirimin e udhëheqësve më të lart të Lidhjes së Prizrenit nga burgu, si
Sylejman Vokshi e Abdyl Frashëri,që ishte kërkesa kryesore e kryengritësve.
Sylejman Vokshi (1815-1890)
Madje për
qetësimin e gjendjes,Perandoria otomane u
premtoi shqiptarëve lejimin e mësimit të gjuhës shqipe nëpër shkolla, si dhe të
drejtën për bartjen e armëve nga malësorët, arritje të cilat pa kontributin e
Zeqir Halilit me bashkëluftëtarët e tij trima, nuk mund të paramendoheshin në
atë kohë.
Zeqir Halili
dhe Isa Buletini
Pjesëmarrja e Zeqir Halilit, nuk do të
mungonte edhe në kuvendet e mëdha popullore të organizuara nga figurat më të
larta të kombit,ashtu siç nuk do të mungonte kontributi i tij as në luftërat
dhe betejat e zhvilluara në vitet 1899
-1903, nga Lidhja e Pejës, për mbrojtjen e çështjes kombëtare dhe çlirimin e
atdheut, të cilat figurën patriotike të Zeqir Halilit,do ta bënin edhe më të
ndritshme, në Kosovë dhe Shqipëri.
Isa Buletini (1864-1916)
Zëri i
kushtrimit të atdheut, do të jehonte edhe në ditët kur armiku nuk e priste as
besonte dhe shumë burra të tjerë heshtnin para fuqisë së pushtuesit, por jo
edhe Isa Buletini e Zeqir Halili. Ata u prinë betejave, në të cilat do të
shkëlqenin si udhëheqësit më të shquar të trevave kreshnike, duke dëshmuar
shpirtin e tyre kryengritës dhe të pa epur e luftarak edhe në kohë e momente,
kur sipas këngëtarit popullor :
Kërkush luftës
s`un ja nisi
Veç Krasniqja e
Zeqir Halili
Në Mitrovicë
Isë Buletini
Isa Buletini dhe Zeqir Halili, burra që organizonin nga një luftë për vjet
Prijësit heroik dhe populli liridashës i
këtyre trojeve, nuk gjetën paqe e qetësi
as në grahmat e fundit të Perandorisë pushtuese turke, e cila duke parandjerë
vdekjen e shpejt, kishte ashpërsuar shqelmat dhe bënte kërdinë mbi shqiptarët
me aksione dhe ekspedita nga më të egrat ushtarake.
Sikur të mos mjaftonin goditjet e saj, duke
parë se osmanët i kishin vitet e numëruara në Ballkan, tanimë-kundër
shqiptarëve,kishte ngritur kokën me arrogancë edhe Perandoria Ruse.
Madje, me qëllim të përgatitjes
së terrenit, për pushtimin e trojeve të tyre etnike nga fqinjët hegjemonist
sllav -si shtete aleate të saj, qeveria ruse deri në vitin 1902, kishte hapur
konsullatat e veta në qytetet kryesore shqiptare, si në Manastir, Shkup,
Durrës, Shkodër, Prizren etj, e një të tillë,kërkonte me këmbëngulje ta hapte
edhe në Mitrovicë, vend në të cilin atëbotë ishin përqendruar të gjitha
interesat ruso-serbe,ku përmbaroheshin planet strategjike dhe përgatiteshin
aksionet ushtarake për pushtimin e Kosovës.
Ndaj në mënyrë që
konsulli rus të mund të vendosej në Mitrovicë, para ardhjes së tij, qeveritarët
turq, kinse nën presionin e Rusisë,heroin Isa Buletini i
cili bashkë me Bajram Currin e Zeqir Halilin,u takonin plejadës së burrave të
mëdhenj të kombit, të cilët kundër çdo pushtuesi ishin në gjendje ta ngritin
popullin në luftë,do ta detyronin atë që të shkonte në Stamboll përkohësisht.
Megjithatë, ardhja e oficerit të
artilerisë ruse, Grigor Shçerebin si konsull në Mitrovicë, i cili më parë
kishte shërbyer edhe në Shkodër e Selanik, do ta komplikonte aq shumë
gjendjen,sa që shqiptarët e kalitur nga prijës si ai edhe pa pranin e Isa
Buletinit,do të qoheshin në kryengritje kundër konsullit të pa dëshiruar rus.
Madje "Diplomati" të cilin
garnizoni turk në Bair
të Mitrovicës,bëri sikur u detyrua nga presioni i vendorëve ta strehonte në
kazermat ushtarake, me rastin e shpërthimit të kryengritjes kundër vendosjes së
tij në Mitrovicë,si oficer i artilerisë ruse që ishte, përkrah Seid Beut,
Shqerebin do të komandonte me topçinjtë e garnizonit turk, duke bërë kërdi
jo vetëm ndaj kryengritësve por edhe kundër banorëve të pafajshëm shqiptar.
Gjakderdhja që po u shkaktonte oficeri i
maskuar si "konsull", bashkëkombësve të tetarit Ibrahim Muhaxhiri
(Gjilani apo Karadaku), mbiemri i të cilit përshkruhet në disa mënyra,pasi që
edhe familja e tij, vetëm disa vite më parë ishte dëbuar me dhunë nga
vendbanimet shqiptare të rrethit të Nishit dhe vendosur si "refugjat" në një
fshat në afërsi të Gjilanit,me sytë e errësuar nga trishtimi,do ta hiqte
pushkën dhe vriste në vend "konsullin" rus.
Pas këtij akti heroik, pasoi dënimi i rëndë
Perandorak ndaj Ibrahimit dhe syrgjynosja e tij në kazamatet e Kalasë së
Gazipashës, ku thuhet se pas dy vitesh, trimi shqiptar do të vdiste i dërmuar
nga torturat e oficerëve turq.
Qëndrimi armiqësor i xhonturqve ndaj prijësve dhe popullit shqiptar
Vështirësitë e panumërta të popullit tonë
nën pushtimin shumë shekullor turk,as pas vendosjes së kushtetutës, nuk do të
pushonin.
Përkundrazi ato zgjerohen e përkeqësohen
edhe më tepër,sidomos pas ardhjes së xhonturqve në pushtet të cilët menjëherë
pas zgjedhjeve dhe që në mbledhjen e parë konstituive të parlamentit, më 17 dhjetor të vitit 1908,hodhën poshtë kërkesat e drejta të
shqiptarëve për shkollim në gjuhën amtare si dhe ua mohuan kategorikisht
kombësinë,me qëllim të asimilimit të plotë të tyre.
Madje,megjithëse
xhonturqit e dinin se pakënaqësia e shqiptarëve nuk drejtohej kundër
kushtetutës por kundër qëndrimit të tyre, për tu liruar nga premtimet e dhëna
prijësve tanë kombëtar,të cilët mbështetën vendosjen e xhonturqve në pushtet
edhe me organizim tubimesh masive,ata do të përpiqeshin ti zhduknin të
gjithë udhëheqësit kryesor të lëvizjes shqiptare,përfshi edhe Isa Buletinin,
përkundër kontributit që ai dha në korrik të vitit 1908,si organizator i
Kuvendit të Ferizajt,me ç`rast në mesin e mijëra pjesëmarrësve ishte edhe Zeqir
Halili e axhallarët e tij.
Kështu, që në
gusht të vitit 1908,xhonturqit do ta shpallnin Isa Buletinin “armik” të kushtetutës dhe
kërkonin kokën e tij, gjë që detyroi atë, nga Mitrovica të vendosej në
Buletin.
Megjithatë, më 22 nëntor të vitit 1908,xhonturqit
dërguan mbi 1500 ushtarë, të pajisur me artileri dhe armatimin më modern edhe në
Buletin, për zhdukjen e tij ,ku pas një luftimi që zgjati tërë ditën,mbetën të
vrarë 3 shqiptarë dhe rreth 30 ushtarë turq.
Po-ashtu, në Manastir,i cili atëbotë
njihej si qendër drejtuese e klubeve, xhonturqit përgatitën atentate kundër
udhëheqësve të shquar shqiptarë përfshi edhe atë në Korçë kundër Dervish Himës.
"Turqit e rinj" në përgjithësi u
treguan shumë armiqësor ndaj popullit shqiptar, e sidomos gjatë vitit 1909, kur
si pasojë e të korrurave të dobëta dhe bllokimit të mallrave austriake nga
qeveria xhonturke, gjendja ekonomike në Shqipëri ishte keqësuar deri në atë
masë, sa që shumë pjesë të trojeve shqiptare kërcënoheshin nga uria.
Megjithatë, në vend se t’ua lehtësonin tatimet, siç u kishin premtuar shqiptarëve para
ardhjes në pushtet, xhonturqit filluan të kërkonin jo vetëm shlyerjen e taksave
për vitin 1909,por ti bënin borxhli ata edhe për tatimet e dy viteve të më
parme,madje sipas një ligji ushtarak të aprovuar po në gushtit të vitit
1908, ata urdhëruan edhe rekrutimin e djemve të rinj në ushtrinë e Perandorisë.
Sipas Zekeria Canës,xhonturqit në gusht të
vitit 1908 shpallën ligjin e ri mbi shërbimin e detyruar ushtarak për të gjithë
shtetasit e perandorisë,dhe filluan të mbledhin taksat,jo vetëm për vitin1909
po edhe ato të prapambeturat e dy viteve më parë. (Zekirja Cana,"Lëvizja kombëtare shqiptare në
kosovë,1908-1912",fq.57)
Duke ditur se aksionet e filluara turke, do të kundërshtoheshin edhe me luftë nga prijësit e kombit, qeveria e xhonturqve u vu prapë në ndjekje të Isa Buletinit,i cili me 700 kryengritës,atë kohë ndodhej në rrethinat e Pejës.
Ndaj,më 20 mars
të vitit 1909,Xhavit Pasha me 3000 ushtarë,16 topa dhe forca të shumta të
kavalerisë, nga Mitrovica do të vinte në Pejë, prej nga më 24 mars do të nisej
për në Isniq, ku me kërcënimet se do t’u digjte shtëpitë dhe pasurinë, kërkoi
nga krerët shqiptarë të dorëzonin Isa Boletinin,të paguanin taksat dhe dërgonin
djemtë ushtarë.
Për aq më keq,Perandoria turke,nuk
mjaftohej as me kaq, ajo pas ndalimit të klubeve dhe shkollave në gjuhën
shqipe,duke synuar t’i nënshtronte tërësisht shqiptarët, t’i çarmatoste dhe
detyronte ata të paguanin taksat, si dhe rekrutonte të rinjtë me forcë në
ushtrinë osmane,në fillim-majin e vitit 1909, nga Shkupi drejt Gjakovës,do të
niste një ekspeditë të re ushtarake, drejtuar po nga Xhavit Pasha, komandant i
Divizionit të 18 të Mitrovicës,i cili ndërmori masa të ashpra ndëshkimore që
vazhduan deri në muajin tetor të vitit 1909.
Më 16 maj të atij viti,në krye të 10
batalioneve të këmbësorisë, të pajisura me 32 topa, Xhavit Pasha do të hynte përsëri në
Pejë,duke lënë atje tri batalione “që të ruanin qetësin”,për tu kthyer vet në
Gjakovë, ku tani do ti ftonte krerët e Malësisë,nga të cilët kërkoi që të dorëzoheshin të gjitha
armët, të bëhej regjistrimi i popullsisë atje, të mblidheshin taksa të dyfishta
për bagëtinë dhe të zgjeroheshin dritaret e kullave dhe shtëpive.
Meqë prijësit e kësaj treve
historike,kundërshtuan kërkesat e tij, Xhavit Pasha u nis me pesë batalione
këmbësorie dhe dy bateri artilerie për ta nënshtruar me forcë Malësinë.
Zeqir Halili në Has
Siç ishte vendosur në Kuvendin e Lidhjes
së Pejës, të mbajtur nga 23-29 Janar të vitit 1899,ku të 450 delegatët pjesëmarrës
nën drejtimin e Haxhi Zekës, nga programi prej 11 pikësh, "Lidhjen e
Besës" ndërshqiptare zgjodhën si pikën vendimtare për mbarëvajtjen e
organizimit në luftë dhe shpëtimin e kombit nga pushtimi, ky vendim do të
respektohej nga të gjithë.
Kështu që prijësit shqiptar, para fillimit
të çdo kryengritje,së pari tuboheshin në kuvende për lidhjen e besës në mes
tyre, në mënyrë që të bashkonin armët kundër armikut, siç do të vepronin edhe
trimat e Malësisë, në krye me Zeqir Halilin e Bajram Currin, të cilët si përfaqësues
të Krasniqes do të bashkoheshin te Qarri (Has) për lidhjen e besës me fiset
tjera, ku rol primar në këtë ngjarje të shënuar kishte Zeqir Halili siç e cekë
edhe rapsodi në rreshtat e këngës:
U qun krasniqja janë ra te
Qarri
Ranë tu Qarri janë besatue,
Fol Zeqir qysh po na thue
Zeqiri, para kërcënimeve xhonturke do tu
thoshte trimave se e "kem da mendjen" me luftue, ndaj ata do të bashkoheshin
për mbrojtjen e Malësisë nga sulmet e hordhive të tërbuara otomane, pasi që
sipas vargjeve të së njëjtës këngë, Xhavit pasha tanimë kishte qitur 12 topa në
Qafë të Morinës;
Dymbëdhjetë topa na i grabiti,
Në Qafë t`Morinës Pasha na i qiti
Luftën të cilën nuk kishte mundur ta niste
askush tjetër,në Morinë do ta nisnin kreshnikët e Krasniqes me në krye
gjeneralin e Malësisë Zeqir Halilin kurse në Mitrovicë Isa Buletini, trimëria e
të cilëve do të përjetësohej me realizëm të admirueshëm në analet e kronikës së
kohës të quajtur- këngë:
Kërkush luftës s`un i`a nisi
Veç Krasniqja e Zeqir Halili
Në Mitrovicë Isë Buletini
Përveç përjetësimeve epike, trimëritë e
kreshnikëve i pasqyron në mënyrë besnike edhe historia sipas së cilës sulmeve shkatërruese
të ushtrisë turke,do tu përgjigjeshin flakë për flakë trimat e bashkuar të
Krasniqes, Gashit,Bytyqit, Hasit dhe Rekës, me në krye Zeqir Halilin e Bajram
Currin.
Ata,më 12 qershor të vitit 1909,në
Qafë të Morinës sulmuan ushtrinë e Xhavit Pashës,nga të katër anët, duke vrarë
rreth 800 ushtar e plagosur shumë të tjerë si dhe detyruar pashain turk të
tërhiqej me turp në Gjakovë, i cili pas humbjes së betejës ,do të pyeste me
habi,Zot kësaj Lufte kush ja nisi?!, pyetje së cilës rapsodi nuk e kishte të
vështirë t`i epte përgjigje, ngase emrat e tyre ishin që moti të njohur dhe diheshin nga të gjithë;
Në Qafë të Morinës Zeqir Halili
Në Mitrovicë Isë Buletini !
Kryengritjes
së malësorëve kundër ekspeditës së ushtrisë turke, do t’i bashkoheshin edhe hoxhallarë
shqiptar, për të cilët kombi dhe atdheu kishin shumë vlerë dhe ishin mbi të
gjitha, ndaj mbijetesa e tyre edhe nga ata vendosej në radhë të parë, shembuj
të shenjtë atdhetarie, të cilët do të përjetësoheshin me krenari, në vargjet e
këngëve si kjo:
Veç Krasniqja, Krasniqja
e Gashi
Halit Dula e Hoxhë Dollapi
Reagimi i deputetëve shqiptar në parlamentin xhonturk
Ekspeditat ushtarake turke, kishte kohë që shkaktonin vrasje dhe shkatërrime të mëdha mbi shqiptarët,ndaj edhe në parlamentin turk, do të reagonte ashpër Hasan Prishtina e Fuat Pasha të cilët në fillim-qershorin e atij viti, do të paraqitnin një interpelancë në kuvend, ku me këmbëngulje kërkuan nga ministri i Brendshëm, shpjegime rreth ekspeditave në Kosovë.
Por,xhonturqit të tërbuar pas humbjeve nga përballjet me kryengritësit e Zeqir Halilit në Qafë të Morinës, as që donin të dëgjonin për ndalimin e ekspeditave barbare dhe antinjerëzore, përkundrazi ata vetëm ndërruan kahen e tyre për hakmarrje dhe gjenocid të mëtejshëm mbi shqiptarët.
Kështu që,në fundin e qershorit të vitit
1909, qeveria xhonturke ndërmori një ofensivë të ashpër hakmarrëse ndaj
shqiptarëve të Rugovës së Pejës duke kthyer në gërmadha fshatrat e të dy anëve
të Grykës së Rugovës, vrarë pleq e fëmijë dhe çnderuar vajza e gra. (Kryengritja e Përgjithshme e vitit 1912-Historia e
Shqipërisë" historia.shqiperia.com/rilindja/kreu_13.php.)
Duke parë masakrimet që bëheshin nga ushtria osmane, kudo,opinioni publik, diplomatët e huaj e sidomos ata austriak, si dhe shtypi ndërkombëtar kishin filluar të merreshin më seriozisht me gjendjen e rëndë në trojet tona kombëtare, të cilët do të kërkonin përmbajtje nga sistemi pushtues otoman, dhe ndalimin e barbarive xhonturke mbi shqiptarët.
Edhe gazeta "Korça" më 14 shtator të
vitit 1909,do të shkruante; "u ranë shqiptarëve më qafë,pa shkak të
vërtetë".
Kurse rreth një javë më vonë,më 20 shtator të po atij viti, gjakatari dhe
antishqiptari i përbetuar,Xhavit Pasha, në një intervistë dhënë gazetës
"Progres de Salonique" do të mundohej ti kamuflonte barbaritë që
shkaktonte duke deklaruar se kinse qëllim i ekspeditave turke, ishte
"likuidimi i disa rebelëve"për të vërtetuar vetëm pak kohë më vonë,
para gazetarëve anglez,italian,francez etj., se "nuk do të prehej i qetë,
para se t`ua shtypte kokën shqiptarëve" gjë që alarmoi edhe më tepër
prijësit kombëtar dhe detyroi ata për ndërmarrje urgjente të masave mbrojtëse.
Reagimi i shqiptarëve dhe shpallja e
gjendjes së jashtëzakonshme
Tendencat për vazhdimin e ekspeditave të
një pas njëshme, dëmtimet shkatërrimtare të pasurisë dhe shtëpive si dhe
kërcënimet për shtypjen e kokave të shqiptarëve, nga fundi i vitit 1909,nxitën
krerët e tyre të formonin në Stamboll Komitetin e fshehtë "Ja vdekje -
ja Liri" i cili përveç organizimit të kryengritjes së përgjithshme,u
përpoq të formonte edhe një qendër të vetme drejtuese, si dhe publikimin e një
organi qendror të shtypit, për të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit.
Ndaj,që në fillim pranverën e vitit 1910,
filluan gjithandej të mbaheshin tubime për përgatitjen e kryengritjes, kurse
veprimet e armatosura antiosmane nisën që në mars të atij viti, kështu që
organizimi i qëndresës së shqiptarëve të Kosovës po kthehej shpejt dhe
sigurt,në kryengritje të armatosur kundër regjimit barbar xhonturk.
Gjendja e
krijuar kërkonte mobilizimin e të gjitha trojeve për çlirim nga Perandoria
Turke, ndaj i ftuar nga Isa Buletini, Zeqir Halili do të merrte pjesë edhe në
Kuvendin e mbajtur në prill të vitit 1910, te "Verrat e Llukës", ku
ndër të parët, do të zotohej për zbatimin e vendimeve dhe realizimin e tyre me
besnikëri, deri në çlirimin përfundimtar të trojeve shqiptare nga Turqia.
Në anën tjetër, vrasja e majorit Rushit
Beu, komandanti i ushtrisë
turke në Pejë dhe plagosja e Haki Beut, mytesarif i atij qyteti, shqetësoi aq
shumë qeverinë xhonturke,sa që më 7 prill të vitit 1910, ajo do të mbante me
urgjencë një mbledhje me eksponentët kryesor të shtetit,dhe me dekretin
perandorak të sulltan Mehmet Reshatit V-t,do të shpallte gjendjen e
jashtëzakonshme në zonat e
kryengritjes të cilat përfshinin Kosovën dhe Malësinë.
Porta e Lartë urdhëroi me shpejtësi
Ministrinë e Luftës Mahmut
Shefqet pashën që të
përgatiste sa më parë një ekspeditë nga më të mëdhatë ndëshkimore kundër
shqiptarëve, në krye të së cilës do të vihej Shefqet Turgut pasha, njëri nga
gjeneralët më gjakatar të asaj kohe që kishte ushtria osmane.
Nga mesi i muajit Prill, forcat turke arritën
në afërsi të Kaqanikut ku,pas luftimeve të ashpra ndërmjet 40 mijë trupave
turke dhe 6 mijë kryengritësve shqiptar të ndarë në dy pikëqëndrime strategjike,3000
në Kaçanik nën udhëheqjen e Idriz Seferit dhe 3000 tjerë në Carralevë në krye
me Isa Buletinin, luftëtarët e ardhur nga të gjitha viset shqiptare në mesin e
të cilëve edhe ata të Malësis së mirë, nga
mesi i prillit e deri më 10 maj të vitit 1910, do të bënin një qëndresë aq
heroike sa që Perandoria turke do të detyrohej që nga 40 mijë ushtar sa kishte
në front, ta rriste numrin e tyre në 50 mijë,duke i përforcuar radhët e tyre edhe
me 70 bateri artilerie.
Por,qeverisë xhonturke nuk do ti mjaftonin
vetëm përforcimet me ushtarë e armatime,ndaj bashkë me to, ajo vendosi ta
dërgonte edhe vet ministrin e luftës Mahmut
Shefqet pashën,për udhëheqjen operacioneve ushtarake, ngase as gjenerali më i
mirë që pati ushtria otomane siç cilësohej atë kohë, gjakatari Shefqet Turgut pasha, nuk arrinte
ti thyente 5-6 mijë luftëtarët heroik shqiptar të cilët me trupat kreshnik,
jetën dhe gjakun e tyre, kishin vendosur ta mbronin heroikisht tokën e të
parëve.
Madje,me gjithë rritjen e numrit të
ushtarëve në 50 mijë sosh, 70 bateritë e artilerisë dhe ardhja e ministrit të
luftës, vetëm pas rreth një muaji luftimesh,kur shqiptarëve kishin filluar tu
mbaroheshin municioni dhe ushqimet, si dhe të binin e plagoseshin shumë trima në
fushën e nderit, forcat perandorake mundën të ecnin përpara por vetëm ngadalë
dhe gjithmonë nën breshërinë e luftëtarëve shqiptar, të ndarë në grupe më të
vogla taktike, që me gjithë vështirësitë vepronin gjithandej Kosovës.
Kjo bëri që trupat turke,përkundër numrit
të madh,armatimit të shumtë e më modern që posedonin dhe ndihmën e vazhdueshme
të bashkëpunëtorëve të shitur vendës, vetëm më 1 qershor të atij viti, të arrinin
në Pejë dhe Gjakovë.
Sulmi i dytë në Qafë Morinë
Me qëllim të shuarjes së tërësishme të
qëndresës së armatosur të shqiptarëve dhe Lëvizjes së përgjithshme Kombëtare në
Vilajetin e Kosovës dhe atë të Shkodrës, gjatë muajve qershor dhe korrik të
vitit 1910, Qeveria Xhonturke do t’i niste dy divizione ushtarësh turq, për
operacione të gjera luftarake edhe në zonat e tjera të Rrafshit të Dukagjinit,
si dhe drejt Lumës e Dibrës kurse nëntë batalione ushtarësh, do të kalonin
përmes Qafës së Prushit në zonën e Hasit, me qëllim të daljes së tyre nga atje
në Shkodër.
Shefqet Turgut pasha dhe ushtria pushtuese
turke,për shtypjen e qëndresës kombëtare, brenda dy vitesh do ti vërsulej dy
herë Malësisë së Mic Sokolit dhe të Binak Alisë,ndaj duke ditur se kjo nuk mund
të arrihej pa një luftë të vështirë,ai do të niste edhe një herë gjeneralin
Xhavit Pasha, për vendosjen e topave të artilerisë turke në Qafë të Morinës,
por tanimë, me shumë më tepër ushtarë dhe armatime.
Por,me gjithë luftimet e pandërprera,
shkatërrimet e mëdha dhe mbledhjen e armatimit, sipas Dr. Jusuf Bajraktarit,
nën udhëheqjen e Zeqir Halilit dhe Bajram Currit,edhe një herë në Qafë të
Morinës, 2000 kryengritësit e bashkuar të Krasniqes, Gashit, Bytyqit dhe fiseve
të tjera do t’i bënin ballë heroikisht një divizioni,tanimë prej 15-18
batalionesh këmbësorie, disa skuadrash kalorësie dhe 5 bateri artilerie,
etj. (Dr. Jusuf Bajraktari,
"Gjakova me rrethinë në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit
XX, 1878-1912", Prishtinë, 1998).
Kryengritësit u bënë pritë gjithashtu
forcave osmane që vepronin në Rrafshin e Dukagjinit edhe në Qafë të Kolqit, ku 200 malësor....
u shkaktuan humbje të mëdha. (historia.shqiperia.com/rilindja/ Kreu _11.php "Kryengritja e Kosovës e
Vitit 1910" Kreu XI )
Ndërsa, në
anën tjetër trimi Mehmet Shpendi,në krye të malësorëve kryengritës, në luginën
e Shalës dhe të Thethit,do të zinte Qafën e Agrit, dhe të gjitha shtigjet
atje, nga mund të kalonte ushtria turke, i cili me bashkëluftëtarët e tij, jo
vetëm se do ta bllokonin për 7 ditë e net ushtrinë e Shefqet Turgut Pashës,por
edhe do ta thyenin keq dhe detyronin të tërhiqej me turp nga Lugina e Shalës
dhe e Thethit,. Turgut Pasha mundi të kalonte vetëm përmes Pukës, për të
arritur më 24 korrik të vitit 1910, në Shkodër.
Mehmet Shpendi (1851–1915)
Është interesant të ceket me këtë rast, se
si për koincidencë, qeveria xhonturke, pikërisht më 24 korrik të vitit 1910,do
të merrte vendim për mbylljen e të gjitha klubeve dhe shkollave në gjuhën
shqipe, të hapura nga viti 1908, duke ua mohuar çdo të drejtë
njerëzore dhe kombëtare shqiptarëve.
*****************************************************************************************************
Siç është e njohur nga fakte
dhe dokumente historike, pinjollët e familjes së Binak Alisë, duke filluar nga
Mic Sokoli,Binaku vet, të katër djemtë e tij dhe i nipi Zeqir Halili, gjatë gjithë jetës dhanë
kontribut të madh e të pamohueshëm dhe përherë do ti përgjigjeshin ndër të
parët zërit të Atdheut, qoftë si luftëtar të denjë apo edhe udhëheqës të shquar
kryengritjesh, të cilët,për aq sa dihet publikisht, gjithmonë iu përmbajtën me
besnikëri anës kombëtare dhe nuk duruan kurrë të huaj as bashkëpunuan
ndonjëherë me pushtues të vendit.
Megjithatë,pasi që në ndonjë shkrim gjen edhe
mendime tjera,si bie fjala për Shaban Binakun, mbi të cilin me apo pa të drejt,
hidhet hije dyshimi, për qëndrimet e mbajtura para betejës së Qafë Morinës, më
1909, do të ishte mirë dhe në interesin e përgjithshëm që historianë të
paanshëm dhe profesionist të licencuar ta thonë fjalën e tyre, ashtu si u
zhvilluan ngjarjet, pa përbaltje as zbukurime të realitetit,në mënyrë që njerëzit
të njihen me të vërtetën dhe figurat eminente të "shpërlahen" nga
dyshimet, qoftë të vëna në rreshta këngësh dhe të shprehura në formë lutje, si;
"Për riza të Zotit...... "Mos i hani paret e kralit",a ndonjë
shkrim i ngjashëm,nëse nuk kanë mbështetje burimore dhe janë të pa argumentuara
me fakte .
Për mendimin ndryshe, momentalisht të supozuar, këtu
më poshtë mund të lexoni pjesë nga shkrimi i Dodë Progni-t, me titull; "Qëndresa e Malësisë së Gjakovës kundër ekspeditës ndëshkimore xhonturke
të komanduar nga Xhavit Pasha, Pranverë 1909" ku ndër të tjera thuhet;
......."Pasi
nuk mori asnjë përgjigje nga krerët e Malësisë deri me 25 maj,gjë që do të
thoshte se ata nuk ishin dakort me zbatimin e kërkesave,me 26 maj Xhavit Pasha
në krye të 12000 ushtarëve të pajisur me dhjetëra topa e mitraloza u nis në
drejtim të Malësisë duke djegur e përvëluar fshatërat gjatë rrugës dhe u
përqendrua në fshatin Ponoshec.7) Këtu
ai në vazhdim të kursit të pacifikimit mori takim përsëri me disa krerë të
Malësisë,në mesin e të cilëve ishte dhe Shaban Binaku,i njohur deri atëherë për
qëndresë antiosmane,të cilëve u kërkoi nënshtrimin e Malësisë ndaja urdhërave
të qeverisë. Si duket krerët në këtë takim u thyen përpara presionit,ose
premtimeve të Xhavitit,dhe i dhan fjalën se do të bënin çishte e mundur për të
penguar qëndresën e armatosur të Malësisë.8) Dhe në fakt,në kuvendin e
madh të Kolgecajt që u mbjat në fillim të muajit qershor dhe ku mori pjesë
Gashi e Krasniqja “burrë për shpi”,këta krerë në kundërshtim me vullnetin e
vegjëlisë bënë përpjekjë për të penguar qëndresën e armatosur,duke trumbetuar
forcën dhe egërsinë e ekspeditës së Xhavit Pashës, e cila sipas tyre “do të
digjte e shkatërronte gjithë Malësisnë.” 9) Mundë të mendohet se fjalën
në Ponoshec këta krerë u detyruan ta jepnin sa për të shpëtuar aty për aty
kokën e tyre,por qëndrimi që mbajtën në mbledhjen e Kolgecajt,duke kundërshtuar
organizimin e qëndresës, dhe sidomos mungesa e tyre në betejën e Qafës së
Morinës,nuk mundë të quhet ndryshe veçse kapitullim."
(Dode
Progni,Mon.03 May 2010 www.nasergashi.com/t3188-qendresa-e-malesise-se-gjakoves...)
Varja e Avdullah Hoxhës dhe Shaban Binakut
Në anën tjetër,pas luftimeve dhe qëndresës
heroike shqiptare,nga fundi i vitit 1910, përveç vrasjes dhe torturimeve të
kryengritësve tjerë, gjenerali gjakatar turk, Shefqet Turgut pasha, për shkak
të veprimtarisë së tyre kombëtare, më 27 nëntor të vitit 1910,do të kapte me
tradhti dhe ekzekutonte me varje në mes të pazarit të Gjakovës, Shaban Binakun
nga Bujani si dhe Abdullah Hoxhën,fetar nga fshati Kovaçe i Gashit të Gurit, që
të dy nga Malësia, të cilët vetëm pak vite më vonë, thuhet se do ti shpaguante
Zeqir Halili, duke vrarë tre oficer të lart otoman.
Por të kthehemi edhe një herë te
krye-personazhi i këtij shkrimi,vitet dhe ngjarjet që lanë gjurmë në jetën dhe
luftën e tij si patriot i madh e idealist i dalluar si dhe besnik e atdhetar i
flakët, veprimtaria e të cilit vazhdon të shkëlqej pa asnjë trazim, çiltër dhe
ndritshëm si Dielli pranveror mbi bjeshkët e Shkëlzenit dhe Malësinë e tij të
mirë.
Luftë dhe valëvitje flamuri më 1911 në
Malësinë e Madhe
Viti 1911,mendohej të kalonte në
përgatitje të kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912, pasi që gjatë luftimeve
të vitit 1910,përveç vrasjeve, maltretimeve dhe çarmatosjes së
shqiptarëve,shumë të zhvendosur nga trojet tona etnike kishin kaluar në Mal të
zi, përfshi vojvodën e Kastratit Zenel Shabani me 400 veta nga treva e tij,
Dedë Gjon Luli me 400 nga Hoti,si dhe shumë refugjat nga vise të ndryshme
etnike, numri i të cilëve kishte arritur në disa mijëra.
Dedë
Gjon Luli(1840-1915)
Ndaj nën këto rrethana megjithëse kishte
kërkesa për fillimin e menjëhershëm të saj, pas refuzimit të shteteve
hegjemoniste fqinje për mbështetjen e një kryengritje të përgjithshme dhe
armatosjen e shqiptarëve, "Komiteti i Manastirit" udhëzonte
bashkëkombësit që atë vit të formonin çeta luftëtarësh deri në 50 veta kudo dhe
të fusnin sa më shumë armatim në trojet e tyre, për fillimin e një kryengritje
gjithëkombëtare në vitin 1912.
Por,më 14 mars të vitit 1911, duke tentuar
nënshtrimin e shqiptarëve,Mali i zi,do tua ndërpriste ndihmat refugjatëve që
ishin atje, gjë që do të ndikonte në ndryshimin e planeve dhe përshpejtimin e
tyre.
Ndaj, për shkak të presioneve malazeze,
nën udhëheqjen e Dedë Gjon Lulit , i cili disa herë në ditë të vështira kishte
gjetur strehë,bukë e përkrahje si në kohën e Binak Alisë edhe tek pasardhësit
dhe nipi i tij Zeqir Halili, më 24 mars të atij viti do të shpërthente
kryengritja e malësorëve të Hotit, para kohës së planifikuar.
Megjithatë edhe nën ato
rrethana,kryengritja e udhëhequr nga një hero si Dedë Gjon Luli,shënoi shumë
suksese, kulmi i të cilave u arrit me ngritjen e flamurit kombëtar, më 6 prill të
vitit 1911 në Deçiç nga Dedë Gjon Luli.
Madje, edhe pse shumica e trevave
shqiptare të veriut ishin çarmatosur nga ekspeditat ushtarake turke të cilat
zgjatën deri në fund të vitit 1910, thirrjes së Isa Buletinit më 23 marsit të
vitit 1911, përcjell nga përfaqësuesit e Kosovës më 15 prill të atij viti në
Jug të Shqipërisë, iu bashkuan edhe viset jugore të saj. ( www.shqipëria.com Kryengritja në Malësinë e
Mbishkodrës 1911)
Kontributi i Zeqir Halilit në luftërat
çlirimtare të vitit 1912
Pas shumë problemesh të grumbulluara,më në fund më
11 janar të vitit 1912,Parlamenti i Perandorisë turke do të shpërndahej. Të
nesërmen, më 12 janar, paria shqiptare e drejtuar nga Ismail Qemaili
dhe Hasan Prishtina do të mbanin një Mbledhje në periferi të Stambollit,e cila
sipas vendit ku u mbajt,në histori do të njihej si Kuvendi i Taksimit. Aty, u vendos që
Kombi shqiptar të marrë në duart e veta, fatin e tij dhe vendi të drejtohet
prej një qeverie shqiptare. (Prof. Dr. Hakif Bajrami:
"Pse Bajram Curri nuk ishte në Vlorë më 28 Nëntor të vitit 1912?")
I alarmuar nga
paralajmërimi i Hasan Prishtinës në parlamentin turk, se nëse qeveria xhonturke
nuk pranon kërkesat e shqiptarëve, ai i pari do ti prij luftës kundër
Perandorisë dhe gjendjes së acaruar në trojet shqiptare, në fillim-marsin e
vitit 1912,ministri i brendshëm turk Adil beu, do ta vizitonte Kosovën, duke
qëndruar së pari në Mitrovicë, Pejë e Gjakovë për të ndaluar pak edhe në
Prizren, para se nga andej të kalonte në Shkodër,ndaj i njoftuar për itinerarin
e tij, Zeqir Halili dhe Bajram Daklani,do të kalonin disa dit lufte edhe në Has
të Kosovës në ndjekje të ministrit xhonturk.
Më 7 mars të vitit 1912,në
rrugëtimin e Adil beut nga Peja në Gjakovë, megjithëse mbrohej nga dy batalione
ushtarësh, Mahmut Zajmi me bashkëluftëtarët e tij do ta sulmonte pranë fshatit
Strellc të Deçanit,ku u zhvilluan luftime të ashpra disa orëshe dhe sipas
burimeve konsullore do të vriteshin 30 dhe plagoseshin 50 ushtar.
Më 7 mars, kur ministri
turk po kalonte nga peja në Gjakovë, i shoqëruar nga dy batalione,u sulmua nga
forcat kryengritëse të komanduara nga Mahmut Zajmi në rrugën Pejë Gjakovë, në
afërsi të fshatit Strellc. ......... Edhe forcat që u dërguan në drejtim të
Prizrenit për t`i hapur rrugën Komisionit u sulmuan nga kryengritësit më 11
mars midis fshatrave Raçë e Moglicë. Pas tri ditë luftimesh ushtritë turke i
sprapsën kryengritësit vetëm pasi përdorën forcat e artilerisë. ( Shqipëria
.com Kryengritja e Përgjithshme e vitit 1912. Kreu XIII, " Shpërthimi i
kryengritjes dhe veprimet e para të armatosura. Mars-Maj 1912")
Në këto tri ditë
luftime në këtë trevë hasjane,në gjatësi frontale prej 7-8 kilometrash,sa ka hapsira
nga Raça e Moglica deri te Ura e Shejtë, ndër udhëheqësit kryesor të luftimeve edhe
në Has ishin Zeqir Halili e Bajram Daklani,të cilët sipas fjalëve të pleqve
tanë, ata natën e parafundit,të lodhur nga luftimet, shiu dhe balta pranverore,
do të pushonin e pastroheshin në kullën prej guri të gjyshit tim, prej nga pas
mesnate me ndihmën e xhaxhait të gjyshit Adem Halil Qarrit, i cili do të vritej
nga serbët më 1913 në Zhur afër Prizrenit,do të niseshin mbi kuaj të ngarkuar
me armë e municion, për të arrit herët-para mëngjesit te ura e Shejtë, ku do të
zinin pritat me luftëtarët që ishin strehuar dhe ushqyer në shtëpitë përreth ,
dhe më në fund, edhe sipas një shkrimi të datës 6 mars të viti 2014, nga Dr.
Masar Rizvanollit, në "gjakovapress", do ta ndalonin e si duket dhe
detyronin ministrin turk, të miratonte "me ferman" lejimin e
shkollave në gjuhën shqipe.
Bajram DaklaniZeqir
Halili
Bajram Daklani dhe Zeqir Halili,në mars
1912, i prenë rrugën Haxhi Adil beut, ministrit të brendshëm turk te Ura e
Fshajit dhe i kërkuan hapjen e shkollave shqipe dhe përdorimin e alfabetit
latin në to.87. Mirëpo, okupimi i qytetit nga forcat serbo-malazeze më 1912
pengoi çfarëdo orvatje për hapjen e tyre.88. (Dr. Masar
Rizvanolli "Zhvillimi i arsimit shqip në Gjakovë deri më 1918"
gjakovapress 6 mars 2014)
Në muajt prill dhe maj të vitit 1912,para
shpërthimit të kryengritjes,në të gjitha krahinat filluan mbajtjet e tubimeve
për Lidhjen e Besës ndërmjet shqiptarëve. Një tubim të tillë , nën udhëheqjen e
Bajram Currit e Zeqir Halilit, do ta mbanin edhe prijësit e Krasniqes, Gashit,
Bytyqit, Hasit dhe Rekës, në mbështetje të kuvendit historik të Junikut dhe
fillimit të luftës së përgjithshme kombëtare për çlirim nga Perandoria turke.
Në këtë luftë çlirimtare që pasoi pas lidhjes së shumë besave në
krahina të ndryshme, si emërues i përbashkët për luftë unike do të shërbejnë
Vendimet e Kuvendit të Junikut
21-25 maj 1912. (Prof. Dr. Hakif Bajrami:
Pse Bajram Curri nuk ishte në Vlorë më 28 Nëntor të vitit 1912?)
Kuvendi i Junikut
(21-25 maj 1912)
Për jetësimin e vendimit të prijësve shqiptar dhe
organizimin e kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912,Hasan Prishtina
do të kthehej ndër të parët në atdhe, kurse Ismail Qemali,pa vonuar do të nisej
në misione diplomatike për sigurimin e përkrahjes së Pavarësisë së Shqipërisë e
cila parashihej të shpallej atë vit.
Ismail Qemali(1844-1919) Hasan
Prishtina (+873-1933)
Si vend më i përshtatshëm për mbajtjen e një
Kuvendi me kaq rëndësi , do të zgjidhej Juniku, në të cilin nga 21 deri më 25
maj të vitit 1912 do të mbaheshin punimet e kuvendit dhe merrej vendimi
historik për fillimin e kryengritjes së përgjithshme kombëtare.
Zeqir Halili si trim e luftëtar i dalluar dhe
patriotë i shquar i kombit që ishte edhe kësaj radhe,zërit të atdheut për
çlirim nga Perandoria turke dhe luftës kombëtare për Pavarësi, do ti përgjigjej shpejt dhe me vendosmëri
ashtu siç e kishte traditë ai, tani e sa kohë, duke bashkuar Krasniqe e
Gash,Bytyq,Has e Rekë dhe fiset tjera të Malësisë për të nisur i pari kryengritjen,që
në pranverën e atij viti.
Atëbotë, për heroizmat dhe përpjekjet e tij të
pareshtura anti-osmane do të shkruante pothuajse i gjithë shtypi i kohës,e
në mënyrë të veçantë gazetat që dilnin në gjuhën shqipe si "Liria" (1908-1910) nga Mithat
Frashëri në Selanik, "Dielli" (1909-1910)Fan Noli,Faik Konica,
etj...në Boston, "Shkupi"(1911-1912) Jashar Erebara në Shkup,
"Drita" (1901-1908) Shahin Kolonja në Sofje, ”Korça”(1908-1910) Sami
Pojani Korçë,etj. si dhe do t’i këndoheshin këngë të zgjedhura epike, nga opusi
i gjerë i popullit të tij të robëruar, i cili nga heronj të tillë me besim dhe
entuziazëm priste çlirimin dhe arritjen e lirisë.
Ai,bashkë me Bajram Currin, që po-ashtu i takonte
fisit të madh të Krasniqes dhe ishte me origjinë nga Malësia,disa ditë para se
të fillonin luftimet me garnizonin turk të vendosur në Qafë të Prushit,sipas të vjetërve, thuhet se ata të dy-do të
vendoseshin në Has, në Kullën e Hysen Selmanit të Qarrit, të cilin e kishin edhe
"vëlla"nga fisi,prej nga do të niseshin në sulm dhe udhëhiqnin
betejën e njohur të Qafës së Prushit,ku do ta shkatërronin garnizonin turk, të
vendosur atje, si dhe kapnin shumë armatime e municion, me të cilat do të
pajiseshin kryengritësit e Hasit, Krasniqes, Gashit dhe Bytyçit,
të cilët pak kohë më vonë do të nisnin sulmin për çlirimin e Gjakovës.
Bajram Curri(1862-1925)
Suksesi i kryengritësve të udhëhequr nga Bajram
Curri, dhe Zeqir Halili, në Qafë të Prushit, sipas Hasan Prishtinës jo
vetëm që do t’u jepte zemër të gjithë luftëtarëve shqiptarë dhe shpirt
kryengritjes së përgjithshme kombëtare e cila kishte marrë përmasa të mëdha dhe
shtrihej shpejt e me guxim gjithandej, anë e mbanë hapësirave të Kosovës, por nga
aty fitoret e luftës nuk patën më të ndalur, deri me ngritjen e flamurit kombëtar
dhe shpalljen e Pavarësisë Kombëtare më 28 Nëntor të vitit 1912 në Vlorë.
Bajram Curri e Zeqir Halili, në këtë betejë dëshmuan
edhe një herë se Malësia e mirë si pjesë e ndritur e Dardanisë së vjetër, ishte
vendlindje e shumë trimave të kombit me të cilët në krye, ushtarët e lirisë së
trojeve tona, nga arenat e luftërave të mëdha, në sa e sa përballje me armikun,
dolën faqebardhë.
Ata,si dikur edhe sot, janë dhe mbeten krenaria e
kombit të të gjithë shqiptarëve kudo.
Luftimet për çlirimin e Gjakovës i
drejtonin Bajram Curri, Zeqir Halili, Bajram Daklani e Ali Binaku me
shtatë nipat e tij nga Krasniqja e Malësisë kreshnike, një betejë e suksesshme e
filluar natën për ta zbardhur ditën edhe me një fitore mbi Gjakovën e çliruar.
Më 22 korrik të vitit 1912,ishin kreatorët e fitoreve,si Bajram Curri, Zeqir Halili, Bajram Daklani etj,të cilët në krye të 12000 kryengritësve të Malësisë dhe Rrafshit të Dukagjinit, do të hynin në Prishtinë si çlirimtarë, kurse nga aty me 6000 luftëtarë do të niseshin drejt Shkupit,për çlirimin e tij si kryeqytet i vilajetit të Kosovës.
Pas sukseseve të njëpasnjëshme nga krahina në krahinë më 5 gusht të vitit 1912,me urdhër të Bajram Currit,200 luftëtarë pararojë me në krye Bajram Daklanin, do të hynin si çlirimtarët e parë në Shkup ku Bajram Daklani po atë ditë,pas rreth 500 vitesh robërie, do ta ngrinte me krenari Flamurin Kombëtar të fitores,ndërsa më 13 gusht të po ati viti, në ballë të 6000 kryengritësve, në Shkup do të arrinte edhe Bajram Curri e Zeqir Halili, me ç`rast Bajram Curri do ti lironte mbi 1000 të burgosurit shqiptar, të ngujuar padrejtësisht nga pushtuesit xhonturq.
Zeqir Halili, kontribuoi shumë edhe për arritjen e Pavarësisë së Shqipërisë siç do të jepte çdo gjë nga vetja në luftimet kundër pushtuesve serbo-malazezë për mbrojtjen e tokave shqiptare, duke mos dorëzuar armët as pas ardhjes së ushtrisë Austro-Hungareze në vendin e shqipeve, deri në momentet e fundit të jetës së tij.
Madje besohet se në nëntorin e vitit 1912 , Zeqir Halili ishte bashkë me Isa Buletinin në Vlorë dhe ai paraqitet me emrin e personazhit-Shpend Dragobia edhe në filmin "Nëntori i Dytë" siç ka dhe shkrime mbi këtë temë,si teksti në vijim;
Zeqir Halili, i njoftun si luftëtar pa kompromis, që bashkë me Is Boletinin ka marrë pjesë në ngritjen e Flamurit në Vlonë më 1912,vritet nga austro-hungarezët. (Ramiz Lushaj "Abedin Mulosmanaj: Politikani e Diplomati i njoftun, njeriu i besës e i letrave shqipe" Portali "Tribuna Shqiptare" August 17,2011, dhe www.voal-online.ch/index.php?mod=article&page 15.08.2011.)
Është vështirë të gjenden luftëtar dhe prijës tillë
trima e luftëtar të pa epur si Zeqir Halili, i cili një jetë-gjatë, shkëlqeu si
diamant ndriçues në përpjekjet e pareshtura për liri, pa u lodhur
asnjëherë,nga përballjet e vështira me armiq dhe pushtues të shumtë të trojeve
shqiptare.
Elani i tij luftarak, vërtetohet edhe një herë më
tepër në dokumentarin kushtuar Binak Alisë, nga mesi i të cilit për disa minuta
flitet për Zeqir Halilin,ku sipas një raporti të gjetur në arkivat e luftës së
Malit të Zi, të datës 15 tetor 1912, thuhet se Bajram Curri dhe Zeqir Halili
,nga 2 maji (i atij viti), do të sulmonin çdo ditë pozicionet e forcave malazeze,
që tentonin ti zaptonin trojet tona etnike.
Pushtimet e tokave shqiptare nga fqinjët hegjemonist
Megjithëse për shpërbërjen e Perandorisë Osmane në
Ballkan,rol vendimtar patën kryengritjet shqiptare të shekullit XIX dhe fillim-shekullit
XX, e në mënyrë të veçantë luftërat e viteve 1908-1912, të cilat quan në
dëbimin përfundimtar të Perandorisë turke nga kjo pjesë e Evropës, kontributin
që shqiptarët dhanë si dhe të drejtën e tyre për liri dhe shtet-formim, Fuqitë
e Mëdha me qëndrimet e tyre indiferente deri në përbuzje ndaj popullit tonë, do
ti zhgënjenin shumë shqiptarët, sidomos gjatë luftërave ballkanike të viteve
1912-1913.
Madje, përkundër asaj se më 28 Nëntor të vitit 1912 Shqipëria do të shpallte Pavarësinë kombëtare
dhe kërkonte nga Fuqitë e Mëdha njohjen e shtetit të sapo-shpallur shqiptar si
dhe tërheqjen e ushtrive pushtuese të shteteve fqinje, të cilat
pothuajse kishin zaptuar të gjitha trojet tona kombëtare nga të katër anët, ato
për rreth një vit gati sa heshtën fare, për ti shpërblyer pas një vitit
agresorët me më tepër se gjysmën e tokave tona, të pushtuara që më parë dhe pranuar vetëm rreth
gjysmën e mbetur të tyre si gjysmë-shteti shqiptar, nga data 29 korrik e vitit
1913, në Konferencën e Ambasadorëve në Londër.
Madje,po para atyre Fuqive të
Mëdha,të cilat pas çlirimit të Shkupit që në gusht të vitit 1912,menjëherë dhe
në mënyrë ultimative, pas katër ditësh gjendje lufte (Dr.Hakif Bajrami,
"DVOR" letra e A.Rajsit.....), do ti detyronin pa të drejt
kryengritësit shqiptar të çarmatoseshin dhe ktheheshin të dëshpëruar në shtëpitë
e veta, duke lënë vendin pa mbrojtje, dhe hapur dyert e pushtimit në të gjitha
anët, vendet hegjemoniste fqinje nuk vonuan të zaptonin trojet tona, përkundër deklaratave famoze të Fuqive të Mëdha para kryengritësve
shqiptarë, kinse nuk do të pranohej
ndryshimi i kufijve me luftë.
Në anën tjetër, Perandoria turke
në vend sa ta njihte dhe pranonte Shtetin e Pavarur të kombit tonë, vazhdonte edhe më tej të
deklaronte me kokëfortësi se si tokat shqiptare i takonin Perandorisë.
Megjithëse ato vite shqiptarët vërtet luftuan si
trimat, fatkeqësisht përpjekjet për mbrojtjen e trojeve tona etnike, nuk do të
përfundonin as pas shpalljes së Pavarësisë kombëtare, ngase shtetet
hegjemoniste fqinje sapo kishin filluar tu suleshin si hienat,për grabitjen dhe
copëtimin sa më parë të tyre, nga të gjitha anët.
Pretendimi turk mbi tokat tona,
ishte edhe një pretekst i mirëseardhur për Serbinë, Malin e Zi, Greqinë dhe
Bullgarinë, të cilat të ndihmuara financiarisht e ushtarakisht me armatim dhe
mercenarë të shumtë rusë, në emër të "çlirimit" të popujve
ortodoksë nga shteti "osman" në tetor të vitit 1912, ti
shpallnin luftë Turqisë,për të pushtuar me forcën e armëve,trojet shqiptare.
Ndaj,edhe pse vendi ende nuk e kishte marrë veten
nga plagët e luftës me Perandorinë, luftën me pushtuesit e rinj e kishte të
nisur dhe zëri i atdheut, luftëtarët me nam si Zeqir Halili me shokë, do ti
ftonte përsëri për t’u dal zot tokave të të parëve,dhe mbrojtur
shtetin e ri të sapo-shpallur si të Pavarur, nga sulmet e shovinistëve
serbo-malazez dhe grek të cilët donin të përpinin deri në fund çdo pjesë të
atdheut dhe zhduknin nga faqja e dheut çdo gjë shqiptare.
Veprimet e fqinjëve hegjemonist
nuk ishin të papritura për shqiptarët, ata tanimë ishin mësuar me qëllimet e
tyre grabitqare, ndaj ashtu siç edhe pritej, më 13 tetor të vitit 1912, Serbia
sulmoi Kosovën, Shqipërinë veriore dhe viset lindore në Iliridë. Mali i Zi,
Plavën,Gucinë, Hotin, Grudën Kelmendin, Pejën e Gjakovën e më vonë edhe
Shkodrën, Greqia Janinën dhe tërë Çamërinë si dhe viset e Shqipërisë së
jugut deri në Shkumbin, ndërsa Bullgaria në Lindje synonte të arrinte në Korçë dhe
më në thellësi të zemrës së Shqipërisë së Jugut.
Përveç pushtimit të tokave tona etnike,siç
mësojmë nga historia kombëtare e atyre viteve të cilat pasqyrohen qartë edhe te
portali"Pashtriku.org" ushtritë zaptuese të vendeve hegjemoniste
fqinje, shkaktuan masakra dhe terror të paparë mbi popullsinë e pambrojtur
civile. Për shembull, në fillim të luftimeve në Lumë,serbët nisën ti vrisnin
shqiptarët me pushkë, kurse më vonë do ti thernin ata me thika dhe bajoneta.
Kështu që, edhe gazeta britanike”Daily
Telegraph”,atëkohë do të shkruante: ”Historia nuk njeh masakrime më të
tmerrshme se ato të gjeneralit serb, Bozhidar Jankoviq, mbi shqiptarët".
Për krimet
serbe gjatë muajve shtator -tetor të vitit 1913,në Dibër e rrethinë, do të
mbante shënime edhe shkrimtari ynë i mirënjohur Haki Stërmilli,të cilat na
flasin me këtë gjuhë trishtimi: ”Tabakhaneja, që dikur ishte thertore bagëtish
në qytet, tani (nga serbët) është kthyer në thertore shqiptarësh,....etj. E vrasjet dhe gjenocidi mbi popullin tonë do
të vazhdonin, deri me ardhjen e Austro-Hungarisë, në këto troje.
Madje,forcat austro-hungareze, ushtrinë
serbe, do ta ndiqnin jo vetëm nga trojet shqiptare por edhe nga vet Serbia, e
cila me gjithë vrasjet dhe gjenocidin që kishte ushtruar mbi shqiptarët në
shtëpitë dhe tokat e tyre, deri pak kohë më parë, tani me ndihmën e Esat Pashë
Toptanit dhe bashkëpunëtorëve tjerë shqiptar, do të kalonte pa therrë në
këmbë,mes për mes maleve dhe fushave të Shqipërisë së ndarë në klane rivalizuese,
për tu rigrupuar në ujdhesat e "Greqisë".
Vetëm luftëtarët si Bajram Curri,Isa
Buletini Zeqir Halili, Dy Bajramat e Malësis etj., do të luftonin pareshtur
edhe në ato vite të kobshme kundër të gjitha forcave pushtuese të vendeve
hegjemoniste fqinje, sidomos kundër atyre serbo-malazeze.
Madje Zeqir Halili me bashkëluftëtarët e
tij,i ndihmuar edhe nga Bajram Mani, bajraktar i Krasniqes dhe Bajram Nimani
udhëheqës i njohur i Malësis, nuk do ti ndalonte luftimet as në muajt korrik e
gusht të vitit 1915, nga Qafa e Morinës deri në Gash e Krasniqe, i cili në krye
të malësorëve kryengritës, do të arrinte që në vitin 1916, me zjarrin e pushkës
t’i dëbonte përfundimisht forcat pushtuese serbo-malazeze, nga Malësia.
Baroni austro-hungarez, Franc Nopça (1877-1933), i
njohur si ekspert i Gjeologjisë, Etnologjisë, Historisë etj.për
shumë kohë u mor me studimet albanologjike,historinë dhe të drejtën kanunore në
trevat e veriut, i cili pas hulumtimeve të gjata në trojet shqiptare,do të
shkruante rreth 54 vepra mbi popullin, historinë dhe gjeografinë e vendit tonë, për tu kthyer në shkencëtar
udhërrëfyes mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.
Në librin "Udhëtime nëpër Ballkan" në
kujtimet e tij, gjatë një tubimi në Kishën e Rajës, edhe ai e përshkruan Zeqir Halilin si personalitetin
më të rëndësishëm të shtatë
bajraqeve.
Vrasja e dy Bajramave dhe Zeqir Halilit
Si udhëheqës me shpirt kryengritës,luftëtar
besnik dhe idealist i paepur i kauzës "Ja vdekje,ja Liri", atij do ti
vinte një vdekje e papritur e pamerituar dhe krejt ndryshe nga ajo që e kishte
menduar ai dhe të tjerët për të. E përgatitur në heshtje dhe e organizuar në
mënyrë misterioze,jo e drejtë dhe tejet e pa denjë për Zeqir Halilin, ajo mori
me pabesi këtë frymëzues të madh të çështjes kombëtare, i cili përherë mbeti
ushtarë i përkushtuar i atdheut. Ndaj ai kishte legjitimitet dhe arsye të forta,
të mos pajtohej me të gjitha veprimet e cilitdo njësit austro-hungarezë në
trojet shqiptare.
Madje, në gjendjen çfarë ishte dhe para
rreziqeve që ndodhej vendi, i rrethuar në çdo anë prej grupesh kriminale që
vinin të armatosura nga shtetet hegjemoniste fqinje për terrorizimin e banorëve
shqiptar në zonat kufitare, ai pati të drejt të binte në kundërshtim të
papajtueshëm me kërkesat austro-hungareze për çarmatosjen e malësorëve si dhe
tendencat e tyre për burgosjen e banorëve kryengritës të Malësisë, të cilët armët
i kishin pjesë të jetës ndaj dhe nuk pranuan t’i dorëzonin asnjëherë.
Por, në vijim, le të kalojmë te shkaqet e
vrasjes së tij.
Sipas asaj që dëshmojnë pasardhësit e familjes
dhe stërnipat e nderuar të Zeqir Halilit, vëllezërit Agim e Shkëlzen Mulosmani,
shkaku që do ta qonte Zeqirin në konflikt me forcat austro-hungareze,ishte një
rast që edhe në këtë kohë, mendohet të ketë qenë i pa qëllimtë, i cili nga ata
shpjegohet me sa vijon :
Disa muaj para vrasjes së Zeqir Halilit,
një Kaçak i strehuar në malet
pranë vendit të quajtur Qafa e Luzhës, ku ndan rruga për Bytyq, do të
dëgjonte zhurmën e patrullës ushtarake austro-hungareze e cila kalonte atypari
dhe në përbërjen e saj, kishte edhe një doktor.
Personi në fjalë, duke menduar se për
shkak të mosdorëzimit të armës,patrulla e përmendur,ishte vënë në kërkim të
tij, nga frika shtie në drejtim të ushtarëve, me ç`rast një nga plumbat do ta
vriste doktorin.
Megjithatë, fatkeqësisht vetëm disa vite
pas shuarjes së Zeqir Halilit, do të merrej vesh se autori i vrasjes kishte
qenë dikush tjetër, madje një kaçak i "përtej Drinit" i cili ditën
kritike,rastësisht qëlloi në atë vend, edhe pse me origjinë ishte nga Puka apo
rrethina e saj.
Pasi që dorasi kishte ikur në thellësi të maleve
të cilat ishin shtëpi e beden mburoje për te, por tokë e panjohur dhe e
frikshme për njësitin austro-hungarezë, ata në pamundësi të kapjes së autorit
,do të rrethonin fshatin Luzhë dhe tubonin gjithë banorët në Xhamin e fshatit,
duke kërkuar tu tregonin se kush e kishte vrarë doktorin austriak.
Megjithëse askush nuk dinte,ushtarët
lirojnë vetëm grat dhe fëmijët,por jo edhe burrat të cilët të lidhur dy nga dy
do ti nisnin në drejtim të Bujanit, për ti vrarë në shenj hakmarrjeje.
Ndërkohë,të liruarit e alarmuar, njoftojnë
Zeqir Halilin dhe kërkojnë ndihmën e tij për shpëtimin e burrave luzhjanë,ndaj
gjenerali kryengritës i Malësisë së mirë nuk mund ta përpinte në heshtje një
padrejtësi të tillë.
Ai, mobilizon shpejtë "ushtarët"
e tij dhe rrethojnë patrullën austro-hungareze në oborrin e Xhamisë së Bujanit,
ku ( sipas vëllezërve mulosmani) kishin detyruar burrat e marrë peng të Luzhës
që ti hapnin vet varret e tyre, para se ti pushkatonin.
Zeqir Halili me të arritur në vendin e
ngjarjes,njofton udhëheqësin e patrullës austro-hungareze, se ata ishin të
rrethuar dhe u jep një ultimatum të shkurtër për lirimin e menjëhershëm të
burrave të pafajshëm.
Nga frika e konfrontimit të armatosur,
njësiti austro-hungarez, aty liron burrat e marrë peng, por me tu kthyer në Qaf
të Luzhës, varin hoxhët e fshatit Luzhë dhe Pacit të Bytyqit, për të cilët
thuhet se është ngritur edhe një përmendore në kujtim të tyre.
Madje,ata kishin trishtuar për vdekje edhe
një të ri, të cilin për shkak të moshës minore e falin, por nga frika që kishte
pësuar, me të arritur në derë të shtëpisë, thuhet se kishte vdekur nga
traumatizmi.
Ushtarët e mllefosur austro-hungarez, jo
vetëm se nuk do ta harronin shpejt turpërimin e përjetuar,por nga
bashkëpunëtorë shqiptar dhe spiun dashakëqij vendor, të cilët nuk ua donin të
mirën dy Bajramave as gjeneralit të Malësisë, ata edhe do të keq-informoheshin,
kinse doktorin e tyre, me ndihmën e Bajram Manit dhe Bajram Nimanit e kishte
vrarë vet Zeqir Halili.
Ndaj papritur e pa-kujtuar, vetëm pak kohë
para se ushtria austro-hungareze të tërhiqej nga trojet shqiptare,në mëngjesin
e 18 gushtit të vitit 1918, njësiti i postës ushtarake të Tropojës do të
organizonte një ekspeditë të armatosur, me ç`rast në vendin e quajtur Malet e
Policës,së pari do ti vrisnin të dy bajramat; Bajram Manin atëbotë
"Bajraktar" i Krasniqes dhe Bajram Nimanin nga fshati Margegaj, trima
të njohur dhe kryengritës me nam të Krasniqes të cilët nga viti 1910 e deri më
1915,ishin bërë shembull për luftimet e zhvilluara kundër forcave pushtuese turke
dhe atyre serbo- malazeze, si bashkëluftëtar të ngushtë të Zeqir Halilit.
Bajram Mani dhe Bajram Nimani
Vetëm,disa orë më vonë dhe pak kilometra
më tej,njësiti i "nemces" siç quheshin austro-hungarezët nga banorët
vendës atë kohë, do ta vriste edhe Zeqir Halilin, derisa ai pushonte i qetë dhe
pa ndonjë parandjenjë të keqe, me familjen e tij pranë Qafës së Markofqës në
Bjeshkët e Gjarprit,si pikë e adhuruar për pushime edhe nga paraardhësit e tij.
Me të kuptuar për vdekjen e tyre,
malësorët e dëshpëruar të Krasniqes dhe Gashit, të prirë nga Rexhep Abdullahu,
do ta sulmonin postën e ushtrisë austro-hungareze në Tropojë të vjetër,ku do të
vriteshin disa pjesëtar të forcave austro-hungareze,për shkak të shuarjes së dy
Bajramave dhe prijësit të shumë luftërave e betejave kombëtare Zeqir Halilit.
Kështu përfundoi jeta e dy burrave të
dalluar dhe luftëtarëve trima të Malësisë si dhe e një udhëheqësi të
shquar, të denjë e të pa epur kombëtar, jo vetëm nga pinjollët e familjes së
Binak Alisë, por edhe të Malësisë dhe trojeve shqiptare kudo.
Mirënjohjet
dhe harresa ndaj Zeqir Halilit
Me vendim të
Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit të Tropojës, për
merita të veçanta atdhetarie,luftarake e trimërie, urtësie,bese e bujarie, më
18 janar të vitit 1983, bazuar në vendimin Nr.02, Zeqir Halili, do të shpallej
"Dëshmorë i Atdheut"!
Ndërsa,sipas
nismës së një grupi intelektualësh,mbështetur në Ligjin Nr.8652, të datës
31.07.2000,me rastin e 90 vjetorit të
rënies, me datën 14.08.2008, Zeqir Halilit do ti ndahej "Mirënjohja e Komunës" së Bujanit.
Kurse më 1 tetor
të vitit 2013,Lidhja e Historianëve të Kosovës "Ali Hadri" dega në
Deçan, i ndau "Mirënjohje" Familjes së Zeqir Halilit.
Më shumë hollësi se si ai vuajti, qëndroi dhe
luftoi për 30 vite me radhë kundër pushtuesve dhe armiqve të kombit, nuk ishte
e lehtë të sigurohen,madje ato sikur motet e mëdha i kishin marrë me vete për
tu mbuluar nga vitet jo tërësisht-dashamirëse nëpër kohë, me hijen e trashur të
harresës,nga "pakujdesia" shoqërore dhe shtetërore, në histori.
Ndaj si parandjenjë jo e mirë që ndoshta ai edhe vet e pati,sado që të
gjitha argumentet dëshmojnë se Zeqir Halili deri në vdekje mbeti kryengritës i
përhershëm, përkundër përpjekjeve të pareshtura dhe gjithë viteve të kaluara me
pushkë në dorë, ai do të shkonte me plagë të hapura në trup e shpirt dhe dëshirën
e paplotësuar për të parë një herë në jetë, atdheun e tij të lirë.
Sikur mos të mjaftonin vështirësitë që kaloi, si dhe luftërat e betejat e
mëdha që ai përijetoi duke qëndruar përherë në ballë të tyre,si rrallë ndonjë prijës
a udhëheqës tjetër,gjatë 30 vitesh qëndrese kundër turqve, serbo-malazezve dhe
austro-hungarezëve, të cilët më në fund do ta vrisnin në befasi,është i dhembshëm fakti se gati me të njëjtin
fat apo ngjashëm, do të pësonin edhe të bijtë si dhe jo pak nga
bashkë-familjarët dhe pasardhësit e tij.
Por pasi që ai vetë më nuk mund të flas, dhe
përmendorja e tij,bënë sikur nuk shqetësohet shumë për harresën që iu bë emrit
dhe veprës së heroit në histori,për Zeqir Halilin si luftëtar i devotshëm i
kombit dhe atdheut, sikur mjaftojnë ato pak metra dhe, ku pushon i qet trupi i tij,mbuluar
me tokën e të parëve për të cilin ai sakrifikoi çdo gjë sa ishte gjallë.
Ndaj nga dita e kobshme kur Zeqir Halili i Krasniqes u nda nga jeta në
mënyrën që ne tanimë e dimë,familjar e të njohur, sa herë kalojnë pran varrit
ku ai ra,nuk përmbajnë dot lotët e dhembjes që u rrjedhin nga sytë, kurse natën,siç
qajnë motrat për vëllain e shuar me tradhti, zanat e malit të cilat dikur ndriçonin
shtigjet nga ai nxitonte në luftë, tani e një shekull, mallkojnë pabesinë dhe shtojnë
vajin për vrasjen prapa shpine të tij.
Burimet:
1. (Kryengritja
e Përgjithshme e vitit 1912-Historia e Shqipërisë" historia.shqiperia.com/rilindja/kreu_13.php.)
2. https://www.shqiperia.com/
"Kryengritjet-kunderosmane
3. Zekirja Cana,"Lëvizja kombëtare shqiptare në kosovë,1908-1912"
4. ."Libri "Krijuesit e Historisë" Prishtinë 2012.
5. www.shqipëria.com "Kryengritja në Malësinë e
Mbishkodrës 1911"
6. historia.shqiperia.com/rilindja/ Kreu _11.php "Kryengritja e Kosovës e Vitit 1910" Kreu XI )
7. www.shqiperia.com "Shqipëria gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 1908
dhe Kundërrevolucionit të prillit të vitit 1909"
8. Prof. Dr.
Hakif Bajrami: Pse Bajram Curri nuk ishte në Vlorë më 28 Nëntor të vitit 1912?)
9. Dr. Jusuf Bajraktari, "Gjakova me rrethinë në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, 1878-1912", Prishtinë, 1998".
10.Dr. Masar Rizvanolli
"Zhvillimi i arsimit shqip në Gjakovë deri më 1918" gjakovapress 6
mars 2014)
11. Kryengritja e Kosovës
e vitit 1910,Kreu XI
12. Wikipedia "Franc Nopça"
12. Wikipedia "Franc Nopça"
Për fund, dua të falënderoj përzemërsisht vëllezërit Agim dhe Shkëlzen Mulosmanaj, për ndihmën me dëshmi, dërgimin e fotografive origjinale të Zeqir Halilit si dhe kopjet e mirënjohjeve të tij.
Gani Bajram Qarri, 12 Nëntor
2014, Cyrih