Paradoks
Nga Fatmir Terziu
Sipër një panorame në kornizë
pozon këmbëlehta mizë,
poshtë xhamit të ftohtë
nusëron një aguliçe në kopësht.
Dy botë të ndryshme ndahen midis
edhe pse ndodhen në një mjedis
nga larg vetëm syri i njeriut
planifikon imitimin e ariut.
Aguliçja e kopshtit plot nur
gajaset me pozat e mizës në mur
dora e njeriut zgjatet si shputë
torollakja lë mbi xham trutë.
Pasqyra nuk reflekton plehra
Nga Fatmir Terziu
Në pasqyrë ka reflektim surratesh
mbi pasqyrë pozojnë të gjithë pa u kursyer
një arsye për tu vetëpëlqyer.
Ka një hall mbi pasqyrë. Mos e fshih,
pëlqesa shënjohet në fytyrë
edhe kur të duket e pështirë.
Je i gatshëm të bësh trukun e fundit
para pasqyrës gjithkush duket mbret
tek e fundja një copë qelqi përtej luksit
a të bën të njohësh kush je në të vërtet?
Kortezia e syve picërrohet nën vetulla
flokët zbresin me krëhër nga kubeja
shndërrohen në djerrinë ato fije si antena,
por pasqyra ndonjëherë është si rrufeja,
që asnjëherë nuk bie mbi plehra.
Në pasqyrë i lehtë bëhet njeriu,
kur i hedh sytë mbi të vetvetiu
por kur ai qëndron me orë në të vërtetë
nuk sheh vetveten por hijen e vet.