e hënë, korrik 22, 2013

SHQIPTARJA QË U DIPLOMUA SHKËLQYESHËM NË EDINBURG DHE FITOI DOKTORATËN NË OKSFORD



                               Nga ROZI THEOHARI
Kur po uleshim ngadalë në aeroportin Heathrow të
Londrës, ndaj të gdhirë, në gjithë gjatësinë e krahut të
djathtë të aeroplanit u reflektua një ngjyrë rozë e
ndritshme. Ishin rrezet e para të diellit të vakët vjeshtak, pas
një udhëtimi të lodhshëm nëpër natën e gjatë atlantike. Pastaj
çdo gjë u mbulua nga mjegulla e dendur dhe një shi i imët e i
mërzitshëm na dha mirëseardhjen në tokën e anglo-saksonëve.
Të vizitoni Londrën, qytetin metropolit, i vjetër e i ri në të
njëjtën kohë, të gjitha shqisat dhe truri juaj kthehen në një
aparat të madh regjistrimi. Ju ecni tërë emocion në rrugët ku
ka shkelur Shekspiri, Dikensi dhe Çurcilli. Ju mahniteni që nga
stolitë e kurorës mbretërore, tek ndërtesat gotike e stilesh të
tjera moderne, statujat, teatrot, muzeumet e mëdha etj. deri
tek zhurma e rrëmuja e rrugëve të ngushtuara nga rryma pa
fund e makinave dhe e autobuzëve të kuq dykatësh.
E kundërta ndodh kur hyn në Oksford mbas një udhëtimi
gadi dy orësh, me autobus nga Londra. Befasohesh nga një
qetësi qiellore e të duket sikur ke hipur në makinën e kohës e
ke shkuar dhjetëra shekuj prapa. Një ndiesi të tillë e pata qysh
orët e para të mbërritjes në Oksford, për të vizituar familjen e
vajzës sime aty. Qyteti mban vulën e ndërtesave të vjetra
madhështore të stilit gotik, të vendosura në një rregullshmëri
të ngurtë gjeometrike duke krijuar imazhin e një amfiteatri
gjigand.
Historia e qytetit të Oksfordit fillon në vitin 700 me legjendën
e një princeshe saksone e cila, për të shpëtuar nga mbreti
lakmiqar, erdhi e u fsheh në një pyll ku dhe ndërtoi një
manastir. Një komunitet i vogël filloi të rritet jashtë dyerve të
manastirit dhe qyteti filloi të marrë formë e gjallëri, me kishat,
tregun, banjat, shëtitoret dhe muret rrethuese që janë ende edhe
sot. Por ky qytet i vogël anglez u bë i famshëm qysh në shekullin
e dymbëdhjetë kur u ndërtua universiteti i parë në botë në
gjuhën anglisht. Gjatë shekujve që pasuan, deri në kohën e
sotme, nuk rreshtën së ndërtuari kolegje e biblioteka, qendra
kërkimore-shkencore e muzeume etj. nga më të dëgjuarat e
më të kërkuarat në botë. Sot numërohen rreth 39 kolegje që i
kanë ndërtuar mbretërit, bishopet e kishave dhe pasanikët.
Ndërtesat e stilit gotik quhen “ndërtesa të arta” sepse janë
ndërtuar nga gurë të skalisur të verdhë e të fortë që i rezistojnë
erozionit dhe kohës. Pothuajse të gjitha ndërtesat ngrihen në
formë kështjellash masive oktagonalesh, kupolash dhe kullash
me bedena ose me maja të mprehta, sipër të cilave qëndrojnë,
sikur ëndërrojnë, kambana, sahatë të rrumbullaktë, zogj
metalike, shtiza e shigjeta fluturuese.
Të gjitha këto mrekulli pata fatin t’i admiroj ditëve të ngrohta
të shtatorit duke ecur me vështirësi rrugëve me kalldrëm, e
shoqëruar nga njerëzit e mi. Dhëndrri im gjerman, doktor i
shkencave e studiues në një nga kolegjet e qytetit, gjatë një
shëtitjeje, më prezantoi me disa kolegë e profesorë, dy-tre prej
tyre emra të dëgjuar në gjithë botën. Sigurisht, në këto situata,
njeriu e ndien vehten pak ngushtë, mundohet t’i zgjedhë e t’i
mendojë mirë fjalët…Dhe ja… tek afrohet e prezantohet ajo, e
thjeshta, e mira, buzëqeshura, shkencëtarja shqiptare Migena
Bregu, e cila ma shton më tepër hutimin, por dhe gëzimin. E
përqafova si të ishim njohur prej kohësh, e mora mënjanë e i
fola me zë të lartë, “Cila qenka kjo bashkëatdhetarja ime që i
paska buzëqeshur fati kaq shumë?”

KORÇA - QYTETI I SAJ

Është Migena. Dhe, si një korçare, s’ka si të mos jetë e gjatë,
elegante, me një fytyrë tërheqëse, dy sy gështenjë të mëdhenj,
të gjallë e të lëvizshëm. Ndërsa flet të tërheqin vëmendjen
buzëqeshja që nuk i ndahet nga fytyra dhe anglishtja e saj me
një akcent të admirueshëm.
Ecim me Migenën rrugëve të Oksfordit që gëlojnë nga
biçikletat, zërat dhe thirrjet e gëzueshme të mijëra studentëve
ardhur nga gjithë bota. Pyetjeve të mia të njëpasnjëshme vajza
korçare u përgjigjet me modesti ose ndonjëherë ndërron bisedë
duke më treguar ndonjë kuriozitet nga qyteti enigmatik i
kolegjeve. Ajo ndal hapat para një dyqani të vjetër me
mbishkrimin, “Dyqani i Lizës.” “Është fjala për, “Lizën në
Botën e Çudirave” thotë ajo. Autori i Lizës, Lewis Carroll, ka
qenë matematicien dhe tregtar i dëgjuar në Oksford. Ngjarjet
e librit zhvillohen rreth e rrotull Oksfordit. Në këtë dyqan Liza
ka psonisur…”

Ajo kujtoi diçka nga fëmijëria e saj. “Isha vajzë e urtë, thotë,
pak e mbyllur, por me një dëshirë e kuriozitet për të mësuar. E
mbaj mend që fillimin e shkollës e prita me emocion të madh;
abetaren e aritmetikën i mbaja tek koka e krevatit, javë përpara
se të fillonte shkolla. Shkollën e fillova me një etje për të mësuar
çdo gjë. Që në klasën e parë isha e vendosur për të dalë e para
e klasës, pasi doja të merrnja pjesë në “mbrëmjet e nxënësve të
dalluar” të Korçës, sepse aty jepeshin lodrat më të mira që
gjendeshin në Shqipëri. Madje, me naivitetin e fëmijës, e mbaj
mend se ndonëse për tre vjet me rradhë dola e para e klasës,
mësuesja nuk më propozoi për mbrëmjen e të dalluarve. E
zhgënjyer, kur e pyeta mësuesen cila qe arsyeja, ajo m’u përgjigj
se prindërit e mi nuk ishin “punëtorë.” Si fëmijë 9-vjeçar që
isha, u ktheva në shtëpi duke qarë dhe e indinjuar u thashë
prindërve se ishte faji i tyre që mua s’më dërgonin në mbrëmjet
festive sepse ata nuk ishin “punëtore”, pra…s’punonin sa
duhet! Ky incident ishte përballimi im i parë me doktrinën
proletare, kur për herë të parë m’u spjeguan diferencat klasore.”
Prindërit e Migenës jo vetëm që ishin intelektualë, Bahriu, babai,
inxhinier topograf në minierë dhe e ëma, Valentina, inxhiniere
pyjesh, por familja e tyre ishte përfshirë tragjikisht në vorbullën
e luftës së klasave. Qysh prej atij momenti Migenës iu bë e qartë
se do t’i duhej të përpiqej të arrinte rezultatet më të larta
akademike për të kompensuar mungesën e “biografisë së mirë
politike.” Në një farë mënyre ky u bë dhe synimi i saj në jetë.
Qysh në shkollën fillore ajo mori pjesë në olimpiadat e
matematikës e në konkurset e letërsisë, që organizoheshin nga
Shtëpia e pionierit. Me fillimin e shkollës tetëvjeçare dhe
studimin e anglishtes si gjuhë të dytë, Migenës iu hapën dyert
e bibliotekave për leximin e letërsisë së huaj. Dalëngadalë filloi
edhe ambicja për studimet jashtë shtetit në të ardhmen. Dëshirë
që i kishte rrënjët në etjen e madhe të të rinjve shqiptarë për të
njohur botën e huaj, për të pasur atë eksperiencë që ishte kthyer
në ëndërr, për shkak të mohimit. “Kur fillova shkollën e mesme,
thotë ajo, i vura vehtes si qëllim që ta mbaroja gjimnazin me
‘Medalje të artë’ pasi kisha mësuar se qeveria jepte bursa për
studime jashtë shtetit, për këta nxënës. Gjatë katër viteve të
gjimnazit studiova me këmbëngulje jo vetëm për marrjen e
notave dhjeta në të gjitha lëndët, por edhe për pjesëmarrjen
në olimpiadat e rrethit, të kimisë e biologjisë, pasi një nga kriteret
e marrjes së medaljes së arit ishte dhe fitimi i një çmimi kombëtar
në olimpiadat. Isha me fat që në gjimnazin “Raqi Qirinxhi” në
Korçë, kishim disa pedagogë të cilët ishin të predispozuar për
të krijuar kurse të avancuara jashtë klase, për të inkurajuar
nxënësit që kishin interes për të ecur më përpara se programet
në tekstet shkollore. Me ndihmën cilësore që mora nga mësuesit
arrita që, në vitin 1993, të fitoja Olimpiadën Kombëtare të
Biologjisë, si dhe “Medalje ari”, që jepej nga Ministria e
Arsimit.”

Mbas gëzimit dhe festimit në familje të plotësimit të ëndrrës
së saj, pasoi zhgënjimi, kur Migena mësoi se qeveria shqiptare
nuk jepte bursa për jashtë shtetit. E vetmja mundësi ishin disa
bursa nga qeveria egjiptiane për të studiuar në një Universitet
Fetar, diçka që s’përputhej me aspiratat që vajza i kishte vënë
vetes. Atëherë ajo e kuptoi e u bind se duhej të përpiqej vetë
për të fituar të drejtën e studimit jashtë. Ajo filloi Fakultetin
Juridik në Tiranë e ndërkohë përpiqej të merrte informacion
për studimet universitare në Britani, dëshirë që e kish për arsye
të lidhjes me gjuhën e letërsinë angleze.
Fatmirësisht për atë kohë, me revolucionin demokratik,
sapo kishin filluar të hynin informacioni, shtypi dhe gazetat e
huaja. Migenës i ra në dorë një broshurë me informacion për
studimet në Europen Perëndimore dhe filloi t’iu shkruaje
institucioneve direkt, për të kërkuar më shumë informacion.
Këtu filloi dhe maratona një vjeçare e aplikimit për në
universitetet britanike. Nuk ishte e lehtë; vështirësia qëndronte
se korrespondenca duhej bërë përmes letrave, interneti as që
njihej në Shqipëri, dhe informacioni ishte shumë i kufizuar.
“Kur më erdhën rezultatet e pranimit nga tri universitete
britanike, thotë ajo, me të vërtetë, më dukej e pabesueshme.
Zgjodha Universitetin Heriot-Watt në Edinburg për degën
Mikrobiologji. Kisha lexuar për kryeqytetin e Skocisë që ishte
shumë i bukur prandaj nuk hezitova të zgjidhja Edinburgun.
Zgjodha mikrobilogjinë si degën që do të më jepte mundësinë
për të eksploruar zhvillimet e fundit në shkencat biologjike.”

EDINBURGU

Pranimi në këtë universitet ishte vetëm hapi i parë i
realizimit të ëndrrës së Migenes, mbasi egzistonte vështirësia e
sigurimit të burimeve financiare. Britania, nga vendet e Europës
Perëndimore, ka taksat më të shtrenjta universitare. Migena
filloi kontaktimin me fondacionet shqiptare kryesisht
fondacionin Soros në Tiranë, si dhe me fondacione të tjera në
Britani. Fillimi nuk qe shumë premtues, thotë ajo, dhe i dukej
se për mungesë fondesh do ta humbiste këtë shans. Gjithsesi
me grantet e fondacioneve si dhe me ndihmen financiare të
familjes, ajo arriti të mbulojë financimin për vitin e parë.
“Synimi im ishte sa të filloja universitetin, thotë ajo. Por më
vonë i kisha vënë qëllim vetes që të arrija rezultate të larta
akademike e t’i kërkoja universitetit ndonjë bursë nderi.” Por
pas gjithë këtyre përpjekjeve, pengesa e fundit ishte marrja e
vizës. Për shkak të procedurave të tejzgjatura për dhënien e
vizave për shtetasit shqiptarë, ajo arriti në Edinburg në tetor të
vitit 1994, tri javë me vonesë nga dita e fillimit të simestrit.
“Mbërritja në Edinburg ishte sa mbresëlënës aq dhe e
vështirë, thotë Migena. Për herë të parë më duhej të përballoja
gjithçka vetë.Vështirësia qëndronte në dy nivele. Së pari,
studentët e tjerë kishin krijuar miqësitë dhe për mua ishte e
vështirë të depërtoja në rrethet e ngushta studentore. Së dyti,
duke humbur pothuaj tri javë leksione kalimi i provimeve ishte
jo aq i lehtë. Tri ditë mbas arritjes, pata një takim me
koordinuesin e kursit. Ai, duke ditur prejardhjen time nga
Shqipëria dhe fillimin me vonesë të universitetit, në mënyre të
sjellshme më paralajmëroi se s’duhej të mërzitesha në qoftë se
ngelesha në provimet e simestrit të parë, pasi kisha të drejtën e
përsëritjes. I jam përgjigjur atij me ngulm, “Unë s’kam ngelur
në asnjë provim deri tani dhe nuk mendoj pse duhet të filloj
tani.” Që nga kjo bisedë Migena premtoi me vete se do të dilte
sa më mirë në provime e t’u tregonte pedagogëve atje, se, në
kundërshtim nga paragjykimet, shkolla shqiptare i kishte dhënë
asaj formim të kënaqshëm shkencor si dhe ambicien për
konkurencë e arritje të larta.
Fillimisht ajo vajti me kasetofon për të regjistruar gjithë
leksionin dhe të kishte mundësi ta ripërpunonte gjatë studimit
të saj privat. Fatmirësisht në provimet e vitit të pare Migena
doli nga të parat e kursit. Pedagoget ishin aq të impresionuar
dhe e ndihmuan me referenca të shkëlqyera për aplikimet që
ajo bënte për bursë. Në fund të vitit të parë ajo takoi zëvendës
principialin e universitetit, Dr.Brown, te cilit i kërkoi anullimin
e taksave universitare. Mbështetur në rezultatet e saj akademike
si dhe në vështirësitë financiare, Këshilli i Lartë i Universitetit
miratoi anullimin e taksave që ishin 8,000 pounds (14,000 $).
Ky ishte lehtësim i madh pasi tani ajo e kishte më të lehtë
pagesën për koston e përditshme të jetesës.
Si ka studiuar Migena gjatë këtyre katër viteve të
universitetit, përpjekjet, këmbëngulja dhe disiplina e hekurt
në arritjen e suksesit, e tregojnë provimet e saj përfundimtare,
ku arriti të marrë diplomë të klasit të parë. Gjithashtu ajo doli
jo vetëm studentja a parë në kursin e Mikrobiologjisë por edhe
studentja e parë në gjithë Fakultetin e Shkencave Biologjike.
Për këtë arsye mori dhe dy çmimet më të larta të nderit dhënë
nga Heriot-Watt University. Por Migena është modeste e s’tregon
më shumë. Duhet t’ia nxjerrësh fjalët si me darë. Kur u ktheva
në Amerikë e u telefonova prindërve të saj që banojnë në Dallas,
ata më treguan diçka për vajzën e tyre. Migena kishte ardhur
nga Edinburgu me pushime verore pranë familjes dhe një
korrespondent i Radio Korçës erdhi në shtëpi e mori në
intervistë. Përgjigjet e saj ishin aq të shkurtëra e të thjeshta, sa,
korçarët që e dinë mirë ç’janë universitetet britanike, kur e
dëgjuan emisionin e radios, nuk u kënaqën.

MIGENA NE BOTEN E OKSFORDIT

Vajza e Korçës fitoi nga Universiteti Heriot-Watt medaljen,
“Watt-Club Medal”—Medalja e argjendit dhënë studentit me
rezultatet më të larta në Fakultetin e Biologjisë dhe “Loise-
Fletcher Memorial Prize”, çmim i dhënë për studentin me
rezultatet më të larta në kursin e Mikrobiologjisë.
Ishin këto çmime që e ndihmuan Migenën të fitojë të drejtën
për të vazhduar doktoratën në Universitetin e Oksfordit, një
ëndërr e objektiv që ajo ia kish vënë vehtes prej kohësh. Pranimi
në Oksford ishte për të një gëzim i veçante pasi ajo e kishte
admiruar Oksfordin si një nga qendrat ku kishin hedhur rrënjë
arsimi dhe kultura europiane. “Të bëhesha pjesë e këtij
komuniteti, thotë ajo, ku të kisha mundësi të prezantoja
potencialin intelektual shqiptar, ishte një emocion dhe mision
i veçantë.”
Oksfordi dhe Kembrixhi janë dy Universitetet që janë
ndërtuar, e akoma funksionojnë, mbi bazën e kolegjeve.
Kolegjet filluan si manastire, me një organizim të pavarur
arsimor e kulturor për aristokracinë britanike. Përmes shekujve,
kolegjet e Oksfordit u shtuan e u zgjeruan duke u bërë qendra
elitare kulturore në Europë. Sot Universiteti i Oksfordit
funksionon mbi bazën e kolegjeve dhe fakulteteve që së bashku
koordinojnë mësimdhënien dhe kërkimin shkencor. Në pesë
dekadat e fundit Oksfordi ka shtuar fushat e studimeve
kërkimore-shkencore duke forcuar e duke i dhënë drejtim të ri
rolit tradicional të të mësuarit.
Tradita dhe cilësia akademike janë bazat e Universitetit të
Oksfordit. Gjatë historisë Oksfordi ka nxjerrë burra e gra të
adhuruar nga çdo sferë e veprimtarisë njerëzore, të cilët kanë
studiuar ose kanë dhënë mësim në Universitet. Midis tyre
përmenden katër mbretër, 46 fitues të çmimit Nobël, 25
kryeministra, 18 kardinalë etj.
Migena doktoratën në Oksford e kreu në departamentin e
Biokimisë në lidhje me Brasenose College. Brasenose College
është themeluar në vitin 1509 dhe frekuentohej kryesisht nga
fëmijët e pasanikëve. Ndër akademikët e njohur të kolegjit
përmendet nobelisti e shkrimtari William Golding. Gjithashtu
në këtë kolegj kanë studiuar stërgjyshi i Xhorxh Washingtonit,
presidentit të parë të Amerikës, si dhe gjyshi i John Adams,
presidentit të dytë të Amerikës.

Për doktoratën Migena u financua nga Wellcome Trust si dhe
fitoi Overseas Student Awards. Është interesante të theksohet
se fillimisht në Universitetin e Oksfordit nuk pranoheshin
femrat, megjithse qyteti ishte themeluar nga një femër. Gratë
u pranuan për herë të parë në Oksford në vitin 1878 por ato
nuk kishin të drejtë të diplomoheshin. Në Brasenose College
femra e parë është diplomuar në vitin 1974 dhe kjo datë
koinçidon me vitin kur është lindur Migena.
“Kërkimin shkencor, thotë Migena, e kreva në laboratorin
e profesor David Sherratt, geneticist i njohur që ka studiuar
rekombinim gjenetik të A D N në bakteria. Studimi im ishte
fokusuar në mekanizmat molekulare që kontrollojnë
rekombinimet gjenetike në bakterien E.Coli. Mbas tre viteve
rezultatet e kërkimit tim shkencor i botuam në një nga revistat
më prestigjoze në fushën e biologjisë molekulare. (The EMBO
Journal, Vol.21 No 14.)

Pas mbrojtjes me sukses të doktoratës ajo fitoi titullin
“Doktor i shkencave,” në korrik 2002. Mbresat e dorëzimit të
titullit “Doktor,” atë ditë, i përshkruan Bahriu, babai i Migenës:
“Bashkë me gruan, thotë ai, ishim të ftuar në ndërtesën e teatrit
te Oksfordit, ku zhvillohej ceremonia. Ne ishim ulur në sallën
e madhe tok me prindërit e tjerë kryelartë e krenarë anglezë,
por edhe nga vendet e tjera të botës. Përveç emocionit, ishte
kënaqësia më e madhe që kam ndier ndonjëherë në jetë. Ç’fat
i madh që ndodhesha aty, ku më kishte sjellë vajza ime…”
Por Migena ishte më pak e emocionuar. E mësuar me këto
lloj festimesh ajo e kishte mendjen më shumë për planet e së
ardhmes. Para saj tani ishin hapur perspektivat dhe rrugët e
pa fund të shkencës. “Gjatë doktoratës, thotë ajo, më lindi
dëshira që të merresha jo vetëm me kërkimin shkencor në
nivelin akademik. Doja që të eksploroja dhe se si zbulimet dhe
përparimet shkencore kanë efekt mbi zhvillimin e shoqërisë së
sotme. Për këtë arsye vendosa që, pas doktoratës, të bëja një
‘internship’ për komisionin europian në Europë, në
departamentin për shëndetësinë dhe të drejtat e konsumatorit.
Duke shpresuar që së shpejti Shqipëria do të bashkohet me
komunitetin europian, kjo mundësi m’u duk ideale për të luajtur
në një farë mënyre rolin e ambasadorit jozyrtar. Fillova punën
në Bruksel ku kontaktova me komisionin që organizonte
raportin mbi asocacionin e Shqipërisë me Europën. Gjatë
diskutimit që pata me ta u përpoqa të theksoja nevojën për të
analizuar situatën në Shqipëri me spektër të plotë e jo me gjykim
të njëanshëm. Pavarësisht nga situatat e ndera politikoekonimike,
Shqipëria ka potencial njerëzor e natyror që mund
t’i sjellë kontribut komunitetit europian. Imazhit shqiptar që
përfaqësohet nga politikanët e tanishëm i mungon disi serioziteti
dhe pjekuria që gjendet midis intelektualëve dhe komunitetit
të moderuar shqiptar.”
Mbas mbarimit të internshipit në Bruksel, Migena u kthye
për të vazhduar në Universitetin e Oksfordit si punonjëse
akademike shkencore në Departamentin e biokimisë. Kërkimin
e tanishëm shkencor ajo e ka në vazhdim më të thelluar të
arritjeve shkencore të doktoratës, për të zgjeruar kuptimin mbi
rregullimin qelizor të rekombinimeve gjenetike.

“URA E PSHERETIMAVE” - BRIDGE OF SIGHS

Me Migenën vizituam disa nga kolegjet më të vjetra të
qytetit. Mjedisi ku qëmdrojnë madhërisht ndërtesat e kolegjeve
që formojnë zemrën e Universitetit, sot konsiderohet si grupi
më i dalluar, fin, i ndërtesave në Europë. Më tej kalojmë në
“Urën e psherëtimave,” një urë e vjetër në hyrje të rrugës së
Universitetit. Ura është ndërtuar mbi një hark gurësh mbi rrugë,
dhe lidh dy ndërtesa ballë për ballë. Është vazhdim i traditës
që studentët e diplomuar parakalojnë nën këtë urë, ekuivalent
i një lloj harku triumfi, të duartrokitur nga banorët e qytetit të
cilët qëndrojnë në të dy anët e saj. Nën këtë urë ka parakaluar
edhe Migena, midis vargut të gjatë të të diplomuarve, veshur
me pelerinën karakteristike të zezë dhe me kapelen e zezë në
formë libri. Emërtimi “Ura e psherëtimave” nuk e ka kuptimin
romantik të vuajtjes së të dashuruarve, por është simbol i fatit
dramatik të studentëve që mbeteshin në provime e i thoshin
“lamtumirë” Oksfordit. Ata hipnin mbi këtë urë e derdhnin
lotë me psherëtima.

E pyes Migenën: “Ke dëshirë të kalosh edhe njëherë tjetër
nën urë?” Me pamjen serioze të fytyrës ajo ma ktheu: “Do të
isha e lumtur sikur të shihja të parakalonin aty edhe studentë
të tjerë shqiptarë. Për mua, suksesi i studentëve shqiptarë në
nivelet më të larta akademike dhe kulturore shfaq atë potencial
të admirueshëm njerëzor që kemi ne si komb. Potencial që në
një farë mënyre duhet të jetë burim frymëzimi, vetbesimi e nderi,
por që në të njëtën kohë duhet të shihet si përgjegjësi. Përgjegjësi
për të nxitur etjen e të rinjve shqiptarë për të studiuar. Përgjegjësi
për të inkurajuar intelektualët shqiptarë të zhvillojnë karrierat
profesionale në Shqipëri e për ta pasqyruar pasurinë e
potencialin e kombit tonë në botë. Është tragjike të shohësh
largimin në masë të intelektualëve shqiptarë. Është tragjike që
për brezat e rinj s’ka asnjë stimulim moral ose financiar.”
Migena tregon se si në shtetet e tjera me vështirësi financiare
si Brazili, Argjentina, Bullgaria, Rumania, pavarësisht nga
krizat financiare, qeveria e institucionet, janë të angazhuar në
përkrahjen e nivelit arsimor e shkencor. Vetëm si shembull,
për në Oksford, qeveria e Brazilit financon çdo vit disa bursa
për studentët, me kusht që me mbarimin e studimeve, të kthehen
në Brazil e të kontribuojnë në zhvillimin e vendit për një
periudhë minimale prej pesë vjetësh. Një angazhim i tillë deri
tani s’është marrë nga qeveria shqiptare. A nuk do të ishte ky
një stimulim që do të rizgjonte etjen e të rinjve shqiptarë për të
studiuar? A nuk do të ishte më mirë sikur diaspora shqiptare e
institucionet private të hiqnin dorë nga financimet e konkurseve
të bukurisë dhe të fillonin të investonin e të përkrahnin
financiarisht konkurset e olimpiadat shkencore e kulturore?
Ne kemi nevojë për shkencëtarë, artistë e inxhinierë për të
ndërtuar vendin në standartet që kërkon koha dhe shoqëria
moderne, thotë ajo.
Sipas Migenës, përse historia e kultura shqiptare në botën
e huaj, në shumicën e rasteve prezantohet nga analistet e huaj.
Ka ardhur koha, thotë ajo, që ne si shtet të investojme në
studimet tona historike e kulturore. Ne duhet t’i paraqesim botës
bagazhin tonë historik e kulturor përmes studiuesve shqiptarë.
Në këtë aspekt bashkëpunimet me institucionet e huaja kanë
avantazhe të disaanshme. Së pari, studiuesve tanë u krijohet
mundësia të kryejnë punë cilësore dhe të publikojnë në botime
të njohura ndërkombëtare, gjë që do të rrisë njohuritë mbi
Shqipërinë në nivelin ndërkombëtar dhe do të nxisë interesin e
të huajve mbi çështjet shqiptare. Së dyti, do të ndihmojë
studiuesit shqiptarë të sjellin mentalitetin shqiptar e botëror në
linja të përbashkëta. Diçka që do të ishte shumë e dobishme në
shkencat politike e diplomatike sepse për momentin, Shqipëria
vuan ndjeshëm nga një mospërputhje e gjuhës politike
shqiptare me atë europiane. Universiteti i Tiranës në
bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit duhet të fillojnë projekte
konkrete për studime historike, antropologjike e politike të
çështjeve delikate për Shqipërinë, duke ofruar mundësi studimi
e bashkëpunimi me universitetet e huaja që kanë eksperiencë
në këto fusha.
“Le të mos e lemë potencialin shqiptar të japë fryte vetëm
në botën e huaj. Le të përkrahim etjen për dituri që ka qenë e
mbetet një virtyt i shqiptarit. Shembujt e mirë i kemi, le ta
përdorim këtë si inkurajim për të ardhmen.” Ky ishte dhe
mesazhi i fundit i intelektuales së shquar shqiptare.
…Kur u largova nga qyteti ndjeva se Oksfordi s’ka nevojë
për stinën e ëmbël të pranverës sepse atë ia krijojnë studentët
në të gjitha stinët. Janë vetë shkollarët që i japin gjallëri, energji
e bukuri ambientit. Një nga këto lule është dhe Migena jonë.