Mihal GJERGJI
Ali Pashë
Tepelena mes Londrës dhe Kostandinopojës
Perandoria Osmane në shekullin e fundit të
mbijetesës, ndërsa kalonte krizat më të thella politike dhe shoqërore, me një
ekonomi të rrënuar dhe aleanca të brishta
e të paqëndrueshme me fuqitë evropiane, detyrohet të shtyp me gjak çdo
lëvizje të lirë, çdo përpjekje
sovraniteti të popujve, të cilët i qeverriste prej shekujsh me metoda
bizantine. Në këtë hark kohor, por jo vetëm kaq, Vilajetet shqiptare të para veçmas
njëri tjetrit, mandej Shqipëria në tërësi dhe brënda saj njerëzit që e
popullonin atë, kryesisht prijësit e tyre, janë bërë objekt gjykimesh e vlerësimesh
nga sundimtarë të Ballkanit, Evropës dhe më gjerë; nga historianë, studiues e
mendimtarë të ndryshëm e të shumtë, janë bërë objekt reference nga poetë,
shkrimtarë e producent kinematografie. Pra, gjithsesi kemi të bëjmë me faktorë
të jashtëm, pavarësisht nga pesha apo rëndësia që kanë patur në raport me kohën
dhe ngjarjet.
Po faktori shqiptar, jo vetëm veprimet, por
edhe zëri i tij, cili ka qënë? A është artikuluar e dokumentuar; më tej akoma,
ç’farë ndikimi ka patur në këtë arenë ngjarjesh intensive, bisedimesh apo luftrash
të pargjakshme, konfrontimesh apo aleancash të detyruara? Pikërisht, këto janë
vitet kur prijësit shqiptarë, konkretisht Ali Pashë Tepelena, mendon tërësisht
si shqiptar, gjykon e vepron si i tillë dhe në marrëdhënie me fuqitë evropiane
të kohës është evidentuar si një faktor imponues, me një ndikim të padiskutueshëm
te Porta e Lartë dhe me një mision fisnik të publikuar para tyre: të mbrojë
interesat e vendit të tij, Shqipërisë. Historiani Irakli Koçollari, i cili
meriton të quhet historiani më i suksesshëm i Ali Pashë Tepelenës, në veprën e
tij të sapobotuar: “Ali Pasha dhe Shqipëria në arkivat britanike” trajton pikërisht
zërin, peshën dhe ndikimin e faktorit shqiptar. Pra, për herë të parë, nga
thellësia e arkivave sekrete britanike njihemi me materiale të papublikuara, me
veprime konkrete diplomatike të Ali Pashë Tepelenës, njohjen perfekte nga ana e
tij të situatës jo vetëm brënda pashallëkut që sundonte, por të gjithë
teritorit shqiptar, të situatës në Ballkan, të zhvillimeve në Evropë dhe të
krizave që kalonte Perandoria Osmane, me mprehtësinë dhe largpamësinë e këtij
sundimtari.
Para se t’u referohemi materialeve arkivore të
shoqëruara edhe me analizat konçize, por mjaft domethenëse të autorit, le të veçojmë
shkurtimisht pjesë nga studimet për faktorin shqiptar, gjurmimin dhe
evidentimin e vlerave të tyre të krijuara e të trashëguara në breza, të cilat,
dosido, kanë lënë gjurmë të thella, sidomos në arkivat e Bizantit, Venedikut
dhe Aragonës, kryesisht të prijësave që kanë projektuar dhe realizuar qëndresa
të pakrahasueshme kundër invadorëve, të cilët kanë shkeluar vëndin e tyre kohë
pas kohe.
“...Që dy mijë vjet e tëhu janë të shkruara dhe
nuk përmëndet gjëkundi që gjatë kësaj kohe të ketë ardhur nga jashtë një komb
tjetër dhe të jetë vendosur në trojet e Shqipërisë...Duke mos u druajtur se po
përgënjeshtrohem nga historia dhe, duke
besuar se nuk do të mendohet që kam dëshirën t’i zmadhoj gjërat, pasi çështja i
përket një kombi të cilit unë i takoj, mund të them se populli shqiptar në
kohët e hershme ka qënë një popull i madh, banues në dy pjesë të mëdha të
Europës dhe të Azisë, që nga Triestja deri në Sivas. Në Anadoll, ky komb në
kohët e vjetra mbeti nën pushtimin e Persisë, Greqisë, Romës dhe shteteve të
tjera të mëdha...”(Sami Frashëri: “Shqipëria dhe shqiptarët”, Tiranë 2002, f
207). Meqënëse studimet serioze të Koçollarit, duke filluar me librin e tij të
parë e duke vazhduar me këtë të fundit, të cilin e kemi bërë objekt reference në
këtë analizë të shkurtër, ka një linjë mendimi të përcaktuar qartësisht, pra
njohjen reale me faktorin shqiptar dhe kontributet e tij, e në veçanti edhe me
aktorë konkret e të rëndësishëm të kësaj rrace, të njohur e të vlerësuar jo vetëm
në teritoret e gadishullit ballkanik, por në shumë shtete të Evropës, le të ndalemi fillimisht te arvanitët, “...kjo
pjesë e gjakut tonë larguar nga toka amë nëpër mugëtirat historike drejt jugut
dhe e vendosur përjetësisht aty, pothuaj nëpër tërë teritoret greke, përbën
padyshim një pjesë të patjetërsueshme të historisë së kombit tonë...pa
biografinë e tyre, historia e Kombit tonë do ishte e cunguar...kjo farë e ashpër
dhe krenare përllogaritet të jetë rreth 3 milion në shtetin e sotëm
grek”(I.Koçollari: “Arvanitët”, Tiranë 1994, f 5).Objekti i kësaj vepre
studimore është pasqyrimi i gjëndjes së Shqipërisë (Arbëria) në shekujt XII- XVI.
Sikurse dihet që çdo vënd njihet nga popujt e
tjerë përmes historisë së tij të veçantë, mendimtarëve që ka nxjerrë, e që kanë
rrezatuar me mënçurinë e tyre edhe përtej sinoreve të vendit të orgjinës, prijësave apo atyre që kanë lënë gjurmë në
dokumentimin e kësaj historie, Koçollari, duke iu referuar arkivave, hedh dritë
vlerësimi nga faktori i jashtëm mbi familjet e princërve shqiptarë, duke
filluar me Gjon Muzakën (1280) e duke vazhduar me privilegjet që u siguron
Princi i Tarentos (1304) breznive të këtyre princërve, “Albëve, Shpatajve,
Katerukeve, Biskezineve, Aranitëve, Leceneve, Turbacajve, Markove, Skurajve,
Zeneviseve, Bucazeve, Logoreskeve, Mataseve, etj...”(I.Koçollari, “Arvanitët”,
Tiranë 1994, f 17), e duke vazhduar me Gropajt, Progonët, Komnenët, Vranat,
Topiajt, etj. Të gjitha lëvizjet e shqiptarëve drejt jugut, kryesisht në
teritoret e lira e të papulluara greke, si në Zaqintho, Qefaloni, Peloponez,
(ndërsa kohë më vonë në drejtim të brigjeve italiane) etj, organizoheshin pa
qënë nevoja e ushtrimit të forcës luftarake, edhe pse shqiptarët ishin të
përgatitur dhe tepër aktivë, por këto dyndje s’kishin asnjëherë karakter
pushtues dhe lëvizjet e kësaj popullate të mirëorganizuar (pa përjashtuar
shtysat e institucioneve të specializuara të Bizantit të tronditur nga grindjet
e brendëshme sikurse edhe nga kërcënimet konkrete të serbëve, bullgarëve,
katalanasve, etj) kishin një identitet të plotë kombëtar. Koçollari ka
pasqyruar tiparet më domethënëse e përcaktuese të portreteve të disa prej prijësave
shqiptar, si Leon Sguro, Dhimitër Rendi, gjeneralëve Marino, Mihal, Nikolla,
Gjergj dhe Aleks Vrana, Karl Topia, Gjin Bue Shapata, Petro e Mërkur Bua,
Krokodil Kladha, Nikolla Griça, Meksi Buziqi, Dhimitër Laskari, e shumë të tjerë.Te
disa prej tyre, të cilët kanë merituar jo vetëm vëmendjen por edhe vlerësimin e
nderimin e mbretërve të Evropës, Koçollari ndalet më gjatë. Në vitet 1509-1510,
Mërkur Bua ishte në shërbim të Mbretit të Francës, Ludovikut, ndërkohë që
Perandori i Gjermanisë Maksimilani, i kërkon
aleatit frances ndihmën e arvanitasit Mërkur Bua, i cili kryesonte 500 kalorës
me luftëtarë të gjakut të tij. Në ndihmë të trupave gjermame Mërkur Bua
zhvilloi dy beteja: e para në Flandër, për
t’u ndeshur me Karlo Egmon, i cili kishte marrë forcërisht Dukatin e Geltherit,
ndërsa e dyta në Dukatin e Bavarisë kundër Kontit Baladino.
“I befasuar dhe i entuziazmuar së tepërmi për këto
dy fitore të njëpasnjëshme të Mërkuar Buas, Mbreti Maksimilan organizoi një
pritje dhe ceremoni madhështore në të cilën i akordoi atij titullin e Kalorësit,
i dha një feud dhe i vuri në brez një kolloan të çmuar me vlerë 1000 florinj. Në
vazhdim të ceremonisë Mbreti gjerman e veshi atë me dorën e tij me një pelerinë
të qëndisur me ar, e puthi atë përpara të gjithëve dhe e shpalli Gjeneral të Parë
të tij” (I.Koçollari: “Arvanitët”, Tiranë 1994, f 137-138). Krokodil Kladha, i
cili s’qe nënshtruar dhe s’e njihte autoritetin e Sulltanit, apo kryengritësi i
dy popujve siç e cilëson Koçollari këtë luftëtar dhe prijës të përmasave të mëdha,
është një tjetër personalitet i spikatur i gjakut arvanit. “Në vitin 1456,
teritoret e familjes Kladha ishin zgjeruar nga fusha e Elios, në rripin e Gjuhës
së Gjirit të Spartës, tek Kakovulia, ku kështjella e Bardhunës kontrollon
kalimin drejt Manit Qëndror.Duket se, pikërisht, kjo rritje e fuqisë ekonomike,
e zotërimeve të shumta të tokave dhe fshatrave, me siguri ka shqetësuar
administratën turke, e cila shikonte bashkë me to rikthimin e Kladhajve në
fuqinë dhe vëmëndjen e dikurshme përpara popullsisë së Moresë” (I.Koçollari: “Krokodil
Kladha”, Tiranë 2009, f 79). Lufta 16 vjeçare turko veneciane (1463-1479) bashkë
me traktatin e detyruar të paqes të pranuar e nënshkruar (1480) edhe nga
venecianët e pafuqishëm përballë fuqisë osmane, solli edhe ndryshime të shumta
e tepër shkatërruese për faktorin shqiptar, i cili u gjënd i braktisur nga
Venediku dhe i kërcënuar seriozisht nga osmanët. Në kuadër të zbatimit të kësaj
marrëveshjeje, “në radhët e stratiotëve, që venecianët kishin piketuar dhe përzgjedhur
për t’i larguar nga teritoret e tyre të “rebeluara”, janë emrat e kryengritëve
të njohur Rali, Paleologu, (ky i fundit nga nëna shqiptar dhe nip i Komnenit),
Krokodil Kladha, me një formacion prej 150 luftëtarësh, Bohali, Buziqi, Bua,
etj...Në këto rrethana, forcat pushtuese turke do ta kishin rrugën e hapur për
kontrollin e plotë të territoreve problematike të panënshtruara. Pikërisht, nga
kjo kohë fillon riemigrimi i shumë familjeve shqiptare të Moresë drejt Republikës
së Venedikut dhe mandej në teritoret pulieze, napolitane, siçiliane e më gjerë”
(I.Koçollari: “Krokodil Kladha”, Tiranë 2009, f 139).
Faktori shqiptar është bërë objekt studimi jo
vetëm nga intelektualë të këtij gjaku, por edhe nga shumë autorë të huaj,
kryesisht gjatë shekujve XVIII, XIX dhe XX, sigurisht edhe në vijimësi. Mes këtyre
të fundit ka edhe “dyshues” , të cilët, më shumë nga ndikimet sesa nga padija
apo mosnjohja e historisë shqiptare, s’kanë nguruar të ngrenë pikëpyetje mbi
nacionalizmin shqiptar, sikundër shkruan Nathalie Clayer në librin “Në fillesat
e nacionalizmit shqiptar”, Tiranë, 2009. Kjo na bën të mendojmë se, jo rrallë
inteligjenca e ka humbur lirinë e saj, duke krijuar kështu një varësi gati të
padukshme nga fryma përgjithësisht arrogante dhe aspak miqësore e politikave të
një vëndi karshi një vëndi tjetër, apo për arsye të tjera, gjithsesi të
pajustifikuara, të cilat e zbresin krijuesin nga lartësitë e destinuara për të
qëndruar dhe e përdorin si pjesë të makinerisë së tyre propagandistike. “...Të
tilla të “dyshimta”, vlerësohen edhe përpjekjet, kërkimet, hulumtimet dhe
botimet e intelektualëve arbëreshë të mesit të shekulli të XIX si ato të
Vinçenso Dorsa, Xhuzepe Krispi, Anxhelo Maski, dhe të arbëreshëve të tjerë të
Kolegjit të San Dimitre Koronës, për orgjinën e shqiptarëve, të gjuhës shqipe,
ndriçimin e historisë së tyre, pranisë dhe rolit të tyre në histori, etj. Puna,
krijimtaria dhe roli i tyre, në këto kohë, për zgjimin e ndërgjegjes kombëtare është
vlerësuar si ende e paformuar, pra e dyshimtë për t’u vlerësuar si përpjekje të
para të këtij karakteri”(I.Koçollari: “Gjetje të reja mbi fillesat e
nacionalizmit shqiptar”, Tiranë, më 25 nëntor
2012, kumtesë e mbajtur në Akademinë e Shkencave me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë).
Por, po ti referohemi rezistencës së pandërprerë antiosmane të organizuar në mënyrë
jo rastësore, përgjithësisht nga popujt e Ballkanit dhe veçanërisht
nga shqiptarët, do
kuptojmë se shtysat e saj janë të brendëshme, është pikërisht shqiptarizmi
filli i ndritshëm dhe i dukshëm që i ka bashkuar, është ndërgjegjia ajo që ka
prodhuar këtë qëndresë solide përballë faktorit shtypës dhe imponues të
Perandorisë Osmane. “Shqipëria nuk u mposht kurrë për sa kohë jetoi Skënderbeu...Mbrojtësi
i krishtërimit vdiq; s’kish kush t’ia zinte vendin e t’i mbante të bashkuara
fiset. Osmanët përparuan me shpejtësi. U rrëmbyen venedikasve qytetet e
bregdetit njërin pas tjetrit dhe pushtuan Shkodrën pas dy rrethimesh të
ashpra...Qysh prej asaj kohe, historia e Ballkanit është historia e kalbëzimit
të Turqisë dhe e rilindjes së popujve të pushtuar”(Edith Durham: “Brenga e
Ballkanit”, Tiranë 1990, f 21, 22.)
Aparatin perceptues të zhvillimeve të pritshme
dhe laboratorin e analizave të realiteteve të prekshme, fuqitë evropiane e kanë
të lakmueshëm për nga lartësia, por të ndryshëm nga njëri tjetri. Britanikët
japin gjykime të ftohta e korrekte, sikurse edhe hapat e tyre në fushën e
diplomacisë, politikës dhe shërbimeve sekrete, janë tepër të studiuara, të
kujdesshme dhe gjithmonë në funksion të interesave të Mbretërisë. Sipas Ibrahim
Manzur Efendi, Ali Pasha kishte preferencë të veçantë për kombin dhe gjuhën
angleze. Këtë e kishte konstatuar kur Veziri i kishte kërkuar francezit të
shkruante pikërisht në gjuhën angleze gjithçka që mund të thuhej për qytetin e
Pargës, ndërkohë që Ibrahimi nuk mund të shkruante mirë në këtë gjuhë. “Duhet
mësuar vazhdimisht, më tha Aliu. Është mirë që njeriu të njohë gjuhën e armiqve
e të fqinjve të tij...francezët janë budallenj, por janë më të sinqertët dhe më
trima se evropianët e tjerë...por ai qafiri, Pukëvili, nuk është francez i
mirë. Ai do grekët. Kur të marrë vesh se unë jam bërë zot i Pargës, besoj se do
të vdes nga marazi...Pukëvili është një idiot që ka shumë inisiativë dhe
shpeshherë ka bërë atë që mendoja unë”(Ibrahim Manzur Efendi:”Kujtime për Ali
Pashën”, Tiranë 2003, f 127). Në veprën “Ali Pasha dhe Shqipëria në arkivat
britanike”, përmes dokumentacionit të njohur për herë të parë nga lexuesi,
besoj jo vetëm shqiptar, mësojmë fakte mjaft intriguese për kohën, synimet e britanikëve
ndaj Ali Pashës, synimet e vërteta të Rusisë ndaj pashallëkut të Janinës, këmbënguljen
dhe synimet e francezëve në qëndrimet e vazhdueshme destabilizuese të Pashallëkut
dhe përpjekjet e parreshtura të tyre për denigrimin e figurës së Vezirit të Janinës,
mësojmë se kush e impononte prishjen apo ndërprerjen e marrëdhënieve mes Ali
Pashës dhe fuqive evropiane, pra sa përgjegjës dhe objektiv ishte Ali Pasha në
veprimet e tij diplomatike, etj.
”…A kanë përgjegjësi këto fuqi europiane, të
paktën në kujtesën historike, për shpërfilljen, braktisjen dhe fatin e vonuar
në robëri të shqiptarëve? Kur dhe për ç’arsye u shfaq tek ato interesi për
Ballkanin perëndimor dhe kur përfundoi ky interes politik apo ushtarak, ku si
rrjedhim ngjau braktisja e këtyre popujve, liderëve dhe ëndrrave të tyre për
mëvetësi dhe indipedencë?(I.Koçollari: “Ali Pasha dhe Shqipëria në arkivat
britanike”, Tiranë 2013, f 65). Martin Lik, s’është as i pari dhe as i fundit
zyrtar britanik që kontakton apo detyrohet të hartojë korespodencë diplomatike
me Pashain tepelenas. Thuajse në mënyrë intensive jo vetëm korespondencë, por sytë
dhe vëmëndjen te Veziri i Janinës e kanë mbajtur edhe përfaqësues të tjerë të
lartë të Mbretërisë Angleze, si Xhorxh Kaning, Xhon Morier, Lordi Nelson, Artur
Paget, Robert Adair, Aleksandër Boll, Hudson Lowe, Thomas Maitland, Uilliam
Bentinck, etj. Vlen të përmëndet fakti se qëndrimet dhe veprimet e Ali Pashës i
ndiqte me interes të veçantë edhe Mbreti i Anglisë, i cili jepte sygjerimet e
tij lidhur me hapat që duhet të ndërmerrnin të dërguarit e tij. “Në raportet
dhe mesazhet e misionarëve britanikë, evidentohen premtimet e pambajtura të vetë
qeverrisë britanike ndaj Pashait, në raport me korrektësinë, sakrificat e këtij njeriu, i cili parashikohej se do të kishte
pasoja të rënda për aleancat dhe mbështetjen e dhënë Anglisë pa miratimin e
Portës së lartë dhe në kundërshtim me interesat politike të Perandorisë”
”(I.Koçollari: “Ali Pasha dhe Shqipëria në arkivat britanike”, Tiranë 2013, f
457). Mes këtij dokumentacioni mësojmë edhe dy fakte interesante: është
dokumetuar rasti kur Ali Pasha ka ndërmjetësuar dhe ka bindur Portën e Lartë për
vazhdimin e bisedimeve mes kësaj të fundit dhe Qeverrisë Britanike, për
rinovimin e marrëveshjes së paqes, sikurse edhe faktin tjetër: Ali Pasha ka
luajtur rol vendimtar në shkatërrimin e grupimit të Mustafa Bajraktarit, me
lidhje të fuqishme dhe inflyencë në Portën e Lartë. Në veprën “Ali Pasha dhe
Shqipëria në arkivat britanike”, me mjaft interes është dokumentimi i një
refleksioni personal të Vezirit të Janinës, i shkruar në gjuhën italiane.
”Që në vështrimin e parë ai të afron idenë e
qartë se ky Guverrnator-Pasha kishte ngritur në Pashallëkun, apo shtetin e tij,
institucione të profilizuara dhe të qëndrueshme: kabinetin, sekretarët,(ministrat),
por kishte edhe një protokoll të formatuar mjaft mirë. Me këtë evidencë tepër
korrekte, si produkt i këtij protokolli të admirueshëm, mund të rrëzohen të
gjitha pretendimet keqdashëse për diletantizmin dhe primitivitetin lindor në
administratën dhe administrimin e Pashallëkut.” ”(I.Koçollari: “Ali Pasha dhe
Shqipëria në arkivat britanike”, Tiranë 2013, f 411). Është
zëri i Aliut, mendimet
dhe fjala e
tij që flasin për herë të parë, sigurisht me lexuesin. Ky relacion përmbledh
dhe pasqyron në mënyrë kronologjike dinamikën e marrëdhënieve dhe ngjarjet
reale të zhvilluara me britanikëve dhe Ali Pashës, pa përjashtuar edhe raportet
e këtij të fundit me francezët dhe Portës së Lartë, si dhe ndërvarësinë mes
fuqive evropiane. Duke njohur me këto detaje, krijojmë bindjen se cilat kanë qënë
motivet e qëndrimeve apo sjelljeve diplomatike ruse, franceze e kështu me radhë.
Konkretisht, rusët, në ndryshim nga britanikët, vendosin lentet e ortodoksisë për
të parë rracën shqiptare, këta njerëz, të cilët, më shumë sesa besnik të
religjioneve, janë besnik të vetvetes dhe adhurues të atdheut të tyre. Francezët,
edhe pse janë banorë të vendit që ushqeu dhe rriti një brez të tërë
iluministësh, filozofësh dhe reformatorësh, çuditërisht kanë mbajtur thuajse të
njëtin qëndrim: petku ‘civilizues’ i veprimeve të tyre të dukshme, s’ka mundur
ta mbulojë vrerin e urrejtjes, e cila,
edhe pse pa arsye argumentuese, është kultivuar në vijë linerae: dekadë pas
dekade, duke mbushur e kapërcyer kështu edhe hapësirat e shekullit.
Ali Pashë
Tepelena “...u sulmua intensivisht edhe prej francezëve. Mbi të u derdh një lumë
i tërë shkrimesh me akuza , fyrje dhe gjer urrejtje e cinizëm gati rracor për
shkak të ndëshkimeve dhe dështimeve të planeve të Bonopartit ndaj teritoreve të
Ballkanit”(I.Koçollari: “Ali Pasha dhe Shqipëria në arkivat britanike”, Tiranë
2013, f 13). Serbët dhe grekët, gjithmonë të preferuar të rusëve aqsa të
përkëdhelur të francezëve, brenda oreksit të tyre për të gllabëruar teritoret
tona, kanë projektuar e zbatuar në mënyrë sistematike edhe shfarosjen e
fqinjëve të tyre shqiptarë, si një pengesë serioze për arritjen e qëllimeve
ekspansioniste. Madje, veprimet e tyre intriguese kanë arritur të ndikojnë edhe
te Porta e Lartë, ta bëjnë edhe atë pjesë të marrëveshjeve të fshehta, sikurse
është edhe ajo me Patriakanën e Stambollit, për ndarjen dhe zhvendosjen e popullsisë
shqiptare mbështetur në besimin e tyre fetar.Këto qëndrime të ushqejnë bindjen
se kisha lindore ka arritur te sendërtojë këtë besim brënda teritoresh të
caktuara (Lidhja e shenjtë katolike+Rusinë ortodokse Pan-Sllave), siç është
edhe shteti grek, pasqyrë e një “shoqate greqishtfolëse,…ku mund të hyjë e të
dalë kush të dojë…prandaj me të drejtë Sarkozi e quajti Helladën “Shtet të
paligjshëm dhe fallsifikator”(Besnik Imeri: “Epiri”, Tiranë 2012, f 165). ’Alfabetin’
me të cilin është shkruar dhe vazhdon të shkruhet gjuha e urrejtjes, s’e kanë
shpikur njerëzit e gjakut tonë, s’është ‘atribut’ i shqiptarëve, përkundrazi,
janë ata që sapo përmënda më lartë. Ne jemi prangosur brënda lirisë tonë, jemi
mënjanuar nga drita e diturisë me të cilën kemi ndriçuar botën (Diokleciani,
Kostandini i Madh, Valentiniani I, Anastasi I, Justiniani, Julian Apostati,
Niketë Dardani, encikolopedistë, mendimtarë e filozofë: vëllezrit Frashëri, Vëllezrit
Dino, Hasan Tahsini, strategë, vezirë e pashallarë pa fund), jemi ngushtuar të
jetojmë në varfëri brënda vëndit tonë me pasuri pa fund. Sigurisht, duke
trajtuar të shkuarën e largët, edhe pse përciptazi, duket sikur vazhdojmë të ëndërrojmë.
Të kapesh
fort pas lavdisë së dikurshme është një absurditet, shprehet mendimtari ynë
Branko Merxhani, ndërsa më tej vazhdon: “Sot s’ka mbetur asnjë turk i ditur që
të ëndërrojë përrallat turanike. Asnjë grek me mëndje të shëndoshë, sot nuk
mburret se është stërnipi i Perikliut. Edhe Romanët e sotëm e kanë harruar prej
shumë kohësh orgjinën e tyre. Jeta e popujve nuk ësht veçse Mrekullia e
Zhvillimit...Sytë tanë nuk janë mësuar akoma të shohin me simpati Diellin e
Intelektit. Ku janë kujtimet tona të shoqërisë? Ku është uniteti ynë
sentimental? Ku është kultura jonë? Shqipëria nuk e ka ngrehur akoma Faltoren e
saj”(Ndriçim Kulla:”Antologji e mendimit shqiptar”, Tiranë 2003, f 335-336).
Pikërisht, gjithë kjo përpjekje e intelektualëve dhe historianëve tanë, në rastin
konkret e Koçollarit, bëhet në funksion të kësaj kulture, të kujtesës kombëtare
dhe tempullit të dijes, të ëndërruar aq shumë nga përfaqësuesit e iluminizmit
tonë, sepse ideali dhe dija janë i vetmi ushqim i shëndetshëm për fuqizimin e
Atdheut. Jo vetëm kaq, por shqiptarët, kjo rracë evidente me tipare të
spikatura, vazhdojnë të jenë po ata: bashkëpunues dhe humanë, zotër brenda
vëndit të tyre, adhurues të lirisë jo vetëm për vete, asnjëherë pushtues, por
gjithmonë të gjakosur e gjymtuar nga pushtuesit.
Të lexosh
historianin francez Gabriel Remerand, është njëlloj si të lexosh Pukëvilin, apo
thënë ndryshe, përpos burimeve të shumta të shfrytëzuara si objekt reference
nga ana e tij, ky i fundit ka ndikuar në mënyrë të dukshme te historiani të
cilit i referohemi. Gabriel Remerand ka shfrytëzuar pjesë nga dokumentat
arkivore të Ambasadës franceze në Kostandinopol. Po ç’farë konkretisht? Kryesisht
i është referuar korespondencës së përfaqësuesve të vendit të tij të akredituar
pranë Portës së Lartë nga viti 1794 deri në vitin 1823. Ka shfrytëzuar notat e
Sebastianit, të Latour-Maubourg-it dhe të d’Anderossy-it, drejtuar Portës së
Lartë dhe përgjigjet e kësaj të fundit. Është ndikuar tërësisht nga korespodenca e misionarëve francezë të akredituar
në Arta, Zante, Korfuz, Janinë, Patras etj, dërguar Ambasadës Franceze në
Kostandinopol. Ka konsideruar si të vërteta të pakundërshtueshme mendimet dhe
gjykimet e pasqyruara në korespodencën e
komisarëve Perandorak (Bessieres, Lesseps,Cesar Berthier dhe Donzelot) me
ambasadën e vendit të tyre në Kostandinopol, sikurse u është referuar raporteve të hartuar nga dragomanët;
Jouannin, Wiet, Ducaurroy, Desgranges etj, gjatë viteve 1817-1822. Gabriel
Remerand, u është referuar edhe letrave të Ali Pashë Tepelenës dërguar Portës
së Lartë, apo Donzelot, Latour Maubourg, Sebastianit, Aubert Dubayet etj, por gjykimet rreth këtyre të
fundit janë përsëritje apo vazhdimësi e mendimit të pandryshuar francez:
konsideracionet mosbesuese, qëndrimin armiqësor dhe vlerësimet më negative për
atë që s’mundën as ta përdorin, as ta anashkalojnë e aq më pak ta nënshtrojnë,
Ali Pashë Tepelenën. Po me këtë gjuhë shkruan edhe për shqiptarët, sepse Aliu
s’ishte veçse përfaqësuesi i tyre. “Organizimi shoqëror, të paktën te shqiptarët,
ndikon shumë për të krijuar konfuzion...Tokë e zgjedhur për trazira dhe
kryengritje, Epiri dhe Shqipëria, gjatë historisë së tyre, kanë ofruar vetën
një varg të gjatë rrebelimesh kundër qeverrisjes së sulltanëve. Ushtritë osmane
hynin me kujdes të madh në ato vënde fizikisht torturuese, të krijuara për
guerilas, të banuara nga popullsi gjysmë të egra, pjestarët e së cilës, që në
fëmini janë ushtruar në artin e luftës partizane e që jeta e vet iu dhimbset aq
pak, sa edhe e të tjerëve. (G.Remerand:
“Pashai i Janinës”, Tiranë 2004, f 21) ”
Paçka se janë vetë francezët (gjithmonë në
bashkëpunim me grekërit dhe ata që i evidentonin apo quanin kundërshtarë të
Aliut) ata që kanë projektuar e nxitur anarkinë brënda Pashallëkut të Janinës;
anarkinë fetare, anarkinë morale, anarkinë patriotike, pse jo edhe anarkinë
sociale (duke financuar me shuma të mëdha monetare dhe mjete luftarake grupe të
caktuara në interes të veprimeve të tyre destabilizuese), e megjithatë, pas
gjithë këtyre poshtësive guxojnë të bëjnë akuza ndaj shqiptarëve. Një tjetër
francez, në momente të caktuara shkruan edhe gjëra objektive: “...Është e
vërtetë se të gjitha këto informacione unë i merrja nga grekët, të cilët edhe
pse ishin gjithmonë shkaktarë problemesh, në këtë rast ishin të indinjuar me
anglezët, të cilët i kishin tradhëtuar bashkëfshatarët e tyre, duke ua lënë
kishat dhe manastiret mahametanëve”(Ibrahim Manzur Efendi:”Kujtime për Ali
Pashën”, Tiranë 2003, f 148.)Pra, të përcaktosh si shkaktarë problemesh ata tek
të cilët mbështetesh, konkretisht te grekërit, të cilët i shërbenin Vezirit të
Janinës me një ndjenjë të padiskutueshme inferioriteti, ndërsa francezëve në
kushtet e marrëveshjeve të fshehta, me synimin e vetëm: rrëzimin e Pashait
tepelenas nga froni, sigurisht që është qëndrim objektiv.
Në historiografinë franceze publikohet hapur qëndrimi
kundërshtues ndaj sjelljeve dhe veprimeve që britanikët mbanin lidhur me
Pashain e Janinës. Bëhet fjalë për qytetin e Pargës, marrjen e të cilit Aliu e
pagoi shumë shtrenjtë. Vlera e vërtetë financiare mund të jetë shumë më e madhe
nga sa dokumentohet. “Turp për kombin egoist që kënaqej kur shikonte të luhej
në këtë mënyrë me jetën dhe lirinë e një populli! Turp Anglisë!... Anglezët
kishin shitur gjithçka, edhe vetë Zotin..(A.Duma “Ali Pasha” faqe 79, Tiranë
2002”.
Në fillesën e kësaj analize kam vendosur
përballë dy gjykimeve të njejtin njeri, të njëjtin prijës, por në dy kohë. Në
rastin e parë ai është i gjallë, është në krye të pashallëkut, i shëndetshëm,
energjik, i rrethuar nga mirënjohja dhe vlerësimi që të imponojnë lartësitë ku
je ngjitur, pse jo, edhe nga frika e të pafuqishmëve të cilët i shërbenin, i
pushtetshëm dhe plot shpresa të reja. “Pika ku kam arritur nuk është fundi i
shpresave të mia”. Kështu do t’i deklaronte Veziri i Janinës Pukëvilit, në një
prej takimeve të realizuara me të, ndërsa ky i fundit e pohon një gjë të tillë
në kujtimet e publikuara mbas largimit nga pashallëku shqiptar.
Në rastin e dytë ai është veçse i vdekur, një
kokë madhështore që vazhdon të sundojë me pamjen e saj, e ndarë nga trupi që e
ushqente me gjakun e veçantë shqiptar. “Koka ruante një pamje madhështore e të
tmerrshme, sa turqit i shmangeshin të trembur kur e shikonin. Hurshidi, kur ia
treguan mbi një tabaka të argjendtë, u çua dhe u përkul tre herë përpara saj.
Gati-gati, atë çast ai dëshiroi të meritonte një fund të atillë, aq admirim
kishte ngjallur te barbarët, trimëria e Aliut...( Aleksandër Duma: “Ali Pasha”,
Tiranë 2002, f 143). Është përsëri Ali Pasha. Tashmë, ai s’ka asgjë të vetën,
veçse lavdinë, atë s’mund t’ia përvetësojë askush dhe asnjeherë. I kanë marrë
Janinën që e deshte aq shumë, Artën, Prevezën, qytetin e bukur të Pargës,
limanet joshëse, fushat pjellore dhe malet që i kishte strehën e tij të sigurt.
Ia kanë marrë ata, të cilëve u dha lirinë, grekërit, ata që i shërbenin
besnikërisht nga frika e rrebelimit…. Ai s’është më, ndryshe do xhindosej, do
kërkonte majtas e djathtas kapedanët e tij, do... Edhe njëqind jetë të tjera të
kishte, përsëri do t’ua kushtonte njerërve të gjakut të tij dhe Atdheut të
cilit i përkiste.
Sikurse dokumentat arkivore të cilat mbajnë brënda
tyre të vërtetat e kohës të cilës i përkasin, aq e rëndësishme është edhe
memoria kolektive, kujtesa popullore, e cila ka lënë gjurmë në epikën
historike, sepse duhet ta pranojnë historianët faktin që, kjo ka qënë mënyra e
hershme që ka zëvëndësuar kronikat, në kushtet kur shkrimi s’kishte lindur
ende. Thirrjen që Ali Pasha i bën kësaj ndërgjegje, apo shqiptarizmit të bashkëkombasve
të vet, e pasqyron shumë bukur edhe francezi Emile Legrand, i cili, rreth
viteve 1870 mblodhi dhe publikoi vargje te nje poeme të panjohur nën
titullin:”Vaje per Ali Tepelenën”, botuar në Paris në vitin 1886. Vargjet e kësaj
poeme kalonin me nderim, pse jo, edhe me nostalgji gojë më gojë, nga njëri brez
te tjetri, te shqiptarët, të cilët popullonin thuajse shumicën e teritoreve që
sot administrohen nga shteti grek: “Se do vijnë në dheun tënë dhe t’u vënë nën
pushtet/Dhe Atdheun tonë të bukur do ta shkelin për ibret/po dhe nderin do humbasim,
në na vënçin ndënë këmbë/dhe në turp të madh do mbesim, do të jetë gjëmë e
rëndë/”(I.Koçollari: “Vaje për Ali Tepelenën”, Tiranë 2010, f 51). Askush
s’mund të jap mendime të shterura, analiza të përfunduara apo gjykime profetike:
kush drithëron më shumë dhe kush jeton më gjatë në kohë, i gjalli apo i
vdekuri?. Jeta fillon dhe mbaron si një rrotullim planeti rreth vetes apo
Diellit. Ndryshe ndodh me arkivat. Ato s’ndryshojnë me kohën, vazhdojnë të jenë
po ato, si para dy apo treqind vitesh, veçse, bashkë me vitet që rrjedhin në
mënyrë të natyrshme dhe jashtë çdo vullneti njerëzor, rimarrin vlera të reja,
tamam siç ndodh me verën: sa më e vjetër aq më e vlerësuar. Të rrëmosh brënda tyre është njëlloj si të
futesh brënda një tempulli, të gjesh atë
për të cilin është ngritur, sepse dedikime të tilla s’mund t’i bëhen kujtëdo,
veçse atyre që e meritojnë ngjitjen në këtë lartësi adhurimi. Po a mund të
flitet me të vdekurit, apo më saktësisht, me vdekjen që u është imponuar?
Sigurisht, por këtë privilegj s’mund ta prekin të gjithë, vese historianët dhe
studiuesit e talentuar, të cilët dinë të depërtojnë në thellësi të kohës, si
arkeologët në thellësi të shtresave të tokës. Ka një ngjashmëri interesante.
Toka në të cilën jetojmë (natyra na kë dhënë
veçse strehën për të banuar), mban brënda vetes më shumë të vdekur sesa të
gjallë, të cilët, çdo ditë i lëndojmë duke shkelur sipër tyre me këmbë. Jo të
gjithë vdesin nga pleqëria, sëmundja apo epidemitë. Luftrat kërkojnë gjithmonë
pjesën e tyre, por shumicën e të larguarve i ka vrarë urrejtja, ky kacer i
çuditshëm dhe i pashërueshëm i rracës
njerëzore. Po cilat janë gjykimet dhe vlerësimet e njerëzve që kanë
patur fatin të takohen e bisedojnë me Vezirin e Janinës, Ali Pashë Tepelenën? Ja
si e përshkruan britaniku Holland në librin e tij “Travell in the Jonian Isles”
i cili ka vizituar për herë të parë Pashallëkun e Janinës në vitin 1813. “Në
qoftë se do të përpiqesha të përshkruaja tiparet e Aliut, do të flisja për
fytyrën e gjerë e të mbushur, për ballin e lartë e të madh që përshkohej nga
rrudha të shumta e të thella, për vështrimin e mprehtë ku nuk dukej asgjë
mizore; hundën e kishte të hollë e të bukur, goja dhe faqet të fshehura nga
mjekra e gjatë e bardhë, që i binte mbi gjoks, i dukej vetëm kur fliste. Ishte
me një shëndet më të pakët se ai që mund të shihet zakonisht te turqit…Tërësia
e tipareve dhe shprehja e fytyrës kishin një bukuri të pakundërshtueshme, kurse
balli, veçanërisht, një pamje shumë madhështore…Më pas kam patur raste të
depërtoj në atë fizionomi. Nën një sipërfaqe të rrafshët e të lëmuar, digjet
zjarri përvëlues i një forxhe”.
Ali Pasha, si
figurë karizmatike dhe e njohur publikisht, ndodhet mes dilemave të ngritura
nga mungesa e informacioneve: i përkiste vetëm Vilajetit të Janinës, Ballkanit
apo më gjerë? Doemos që Ali Pasha i kalon kufijtë ballkanikë, madje imponon qëndrimet
e kancelarive europiane. Këto dilema
vazhdojnë kryesisht për formimin shoqëror apo kulturën e tij administrative,
veset apo virytet që manifestonte në sjelljet publike, qëndrimin e vërtetë ndaj
besimtarëve, mundësitë për të ndihmuar më shumë faktorin shqiptar apo mungesën
e interesimit sa duhej lidhur me të, qëndrimin ndaj vizitorëve të huaj e mandej
ndaj zbuluesve apo misionarëve kryesisht europianë, etj. Mendimet janë të
shumta e po kaq të ndryshme. Francezët e akuzojnë Ali Pashën se kishte adaptuar për rregull politik: të vinte
kryqin kundër gjysmëhënës dhe gjysmëhënën kundër kryqit. “Adhurues i zjarrtë i
Muhametit me myslimanët fanatikë, materialist përpara bektashinjve, me të cilët
tregonte një panteizëm të admirueshëm, gati-gati i krishterë me grekët, me të
cilët pinte për Shën Marinë, ai duke lejuar lulëzimin e të gjitha ideve fetare,
krijoi kudo partizanë...(A.Duma: “Ali Pasha”, Tiranë 2002, f 34). Pra, në njëfarë
mënyre, Duma na jep të kuptojmë se Ali
Pasha ishte vetë Zoti (atë që shkruan Hygoi për Bonopartin: “…njeri me çapin
prej vigani/guximi i tij s’kishte kufi/kështu të bëhet i thosh Zotit/se dua unë
në s’do ti”). Madje, një gjë të tille e qartëson në vijimësinë e gjykimeve të
tij: “Mosbesues te Zoti, përçmues, njeri që donte vetëm veten, që mendonte
vetëm për vete, dyshues ndaj kujtdo që kishte pranë, i guximshëm në plane, i
patundur në vendime, i palëkundur në ekzekutime, i pamëshirshëm në hakmarrje,
harbut në sjellje, i thjeshtë, i dhunshëm, i zhdërvjellët, i ndryshueshëm sipas
rrethanave e i llogjikshëm në egoizmin e tij, një Çezar Borgia i kthyer në
mysliman; mishërimi ideal i politikës fiorentine, princ strap...(A.Duma “Ali
Pasha” faqe 33, Tiranë 2002)”. Ndryshe mendojnë britanikët lidhur me Ali Pashë
Tepelenën, mendime të cilat meritojnë t’i vendosim përballë njëri tjetrit. Koçollari
na sjell edhe gjykimin e Smart Hyges lidhur me Ali Pashën, pasqyruar këto në
“Travels in Sicily, Greece and Albania” dhe publikuar në vitin 1820 në Londër. “Gjykuar
nga karakteri dhe veprimet e tij, dikush mund të mendojë se as pendimi, as
humanizmi dhe as dhembshuria nuk e pengonin në ndërmarrjen e çdo
barbarizmi...Aliu as që e ka treguar ndonjëherë veten ashtu si tiranët lindorë,
të paarsyeshëm në kryerjen e akteve mizore. Fakti që ai ka braktisur me të
vërtetë interesin apo rehatinë personale, fakti që pasiguria rreth tij është e
dukshme dhe ai kërcënohet ndjeshëm, flasin për vendosmërinë në rrugën që
synonte. Pra, unë s’jam dakort me atë që mund të ketë përfolur dhe shpifur
dikush se ai ka vrarë nëna...Jeta e njeriut në Turqi vlerësohet nga kënde krejt
të ndryshme nga ç’e vlerësojmë ne evropianët. Shumë nga këto akte që ne i
kosiderojmë nga më mizorët, në Lindje, ato do të konsideroheshin si veprime
politike mjaft të mënçura”(I.Koçollari:”Policia sekrete e Ali Pashës”, Tiranë
2009, f 295-296). Të tjerë studiues mendojnë se masakrat e Ali Pashës ndaj
Hormovës apo Kardhiqit, kanë patur arsye mosbindjeje apo pabesie të këtyre të
fundit ndaj Pashait dhe jo arsye morale. Në veprën e tij për Ali Pashën,
stërnipi i Shanishasë, Ahmet Myfiti, pohon mbas shumë arsyetimesh se; zakonet e
shqiptarëve të asaj kohe (para dyqind vitesh) nuk e lejonin dhe sigurisht nuk e
pranonin dhunimin e femrave. Veç asaj, po të ishte e vërtetë se kardhiqotët dhe
hormovitët dhunuan seksualisht Hankon dhe Shanon, këtë të fundit, disa vite më
vonë s’mund ta merrte për grua djali i Kapllan Pashës, pashait të Delvinës.
Shumë pikëpyetje
shtrohen lidhur me terapinë intensive që mund të përdorte Veziri i Janinës për
shëndoshjen e faktorit shqiptar. Ende nuk disponojmë materiale, të cilat të
hedhin dritë mbi fakte që do na ndihmonin për të nxjerrë përfundime. Nuk dimë nëse
Ali Pasha ka mundësuar shkollimin e shqiptarëve (ndoshta të preferuarve të tij)
në Angli, Turqi apo vënde të tjera. Nuk
dimë nëse faktori shqiptar i shkolluar, në gjykimin e Ali Pashës do ishte më i
besueshëm apo jo? A i kishte
kapacitetet e duhura Janina për të kënaqur interesat e Pashait? Qyteti i Janinës,
jo vetëm si qëndër e pashallëkut, por edhe ndër më të rëndësishmit ndër qytetet e Shqipërisë,
kushtëzuar kjo nga popullata, “vendosur në një luginë pjellore dhe e punuar
mirë, i shtrirë mbi shpatin e lartësive që zbresin deri në bregun perëndimor të
një liqeni të bukur, që ndodhet në fund të luginës e që nga veriu e nga lindja
dominohet nga pjerrësitë e thepisura e të pyllëzuara të një vargmali të Pindit,
mbuluar me borë gjatë pjesës më të madhe të vitit, qyteti i shfaqet që larg
udhëtarit si një stacion shlodhjeje i rregulluar me kujdes midis
malesh(G.Remerand, “Pashai i Janinës”, Tiranë, 2004, f 82). Se ç’farë planesh
ka patur lidhur me forcimin e lidhjeve mes njerëzve të gjakut të tij, të përçarë
keqas edhe nga fuqitë europiane, ende s’i kemi në dorë, por një gjë është e vërtetë:
me Pashallarët e tjerë shqiptarë ka bashkëpunuar ngushtësisht. Në vitin 1787
Ali Pasha mori pjesë në një ekspeditë të komanduar nga guvernatori i Rumelisë,
Mehmet Pasha, i cili u dërgua nga Porta
e Lartë. Objektivi i kësaj ekspedite ishte goditja e rebelit kryengritës,
Pashait të Shkodrës, Kara Mahmutit. Ishte një periudhë kohore tepër e vështirë
për Perandorinë Osmane, sepse konfliktet ushtarake të zhvilluara mes saj dhe
Rusisë në shumë teritore, e kishin dobësuar shumë ekonomikisht dhe
ushtarakisht. Ali Pasha, në mënyrë të heshtur mbështeste çdo rebelim të
pashallarëve shqiptarë, sikurse edhe atë të Kara Mahmutit.Që Ali Pasha kishte
shkuar pa dëshirë në këtë fushatë ushtarake, e vërteton fakti i largimit të tij
nga rrethimi i qytetit të Shkodrës dhe bashkimi i trupave të tij me forcat
osmane të vendosura në Austri. Mbas njohjes me dokumentacionin të cilit ju
referuam, mund të themi me bindje se shpresa e madhe (ndoshta jo e vetme) e Pashait tepelenas ka qënë Mbretëria Angleze,
e cila e braktisi në momentet më të vështira të tij.
Irakli Koçollari na sjell konkluzionet e
studiuesit britanik Xhon Begëlli, lidhur me braktisjen që Britania e Madhe i
bëri Ali Pashë Tepelenës. “Në vitin 1822, Britanie e Madhe ishte gati të
mbështeste pavarësinë e tij (indipedencën e Ali Pashës), pasi Perandoria Osmane
dukej se ndodhej në procesin e shpërbërjes; por kur një sulltan më i fortë,
Mahmuti i II, kishte parandaluar prishjen (e Turqisë), ishte në interesin e
Anglisë të ruante integritetin Turqisë kundër mësymjeve, ekspansionit të
Rusisë”(John W. Baggally: “Ali Pasha and Great Bitain”, Oxford, London 1938, f
80). S’mund të tjetërsohen të vërtetat që flasin nga arkivat sekrete: qëndrimi
bizantin i Turqisë ndaj shqiptarëve, qëndrimi përçarës dhe poshtërues i francezëve,
pabesia dhe mosbesimi i rusëve, mosmirënjohja e anglezëve ndaj ndihmës aq të
vyer që u kishte afruar Ali Pasha në momentet e tyre të vështira në marrëdhëniet
me Portën e Lartë dhe braktisja e tij. Edhe pse kohët ndryshojnë, asnjëherë
viktima s’mund të detyrohet të zbukurojë sjelljen e kundërshtarit të djeshëm që
i ka plagosur trupin dhe shpirtin.
Mes profesorëve tanë të mirënjohur, ka edhe të
privilegjuar, të cilët para 25 apo 30 viteve bënin vizita zyrtare në Athinë,
mbase edhe për interesa kulturore, por më tepër sesa këtyre të fundit dhe
interesave kombëtare, besoj se u shërbenin përunjësisht idhujtarëve të tyre, të cilët u krijonin
privilegje dhe i promovonin.Disa prej tyre takoheshin edhe me Koçollarin, i
cili, megjithëse djalë i ri (në moshën e Kapitenit Lik) ishte punonjës në sektorin
e diplomacisë, konkretisht në Ambasadën shqiptare në Greqi. Atherë, ndoshta e kundronin
Irakliun nga lart poshtë, ndërsa kur i shikoj pjesmarrës në promovimin e
veprave të këtij të fundit, në sallat e tejmbushura me personalitete të të
gjitha fushave, intelektualë dhe lexues entuziastë, kryesisht brezi i ri
studentor, në përshëndetjet e tyre (s’mund të them të detyruara!) dalloj edhe
një ndjenjë fajësie, mbase është pendesa për ndihmën (e munguar!) që mund t’i
jepnin këtij krijuesi të talentuar dhe guximtar. Vlen më shumë ndihma në kohën
e duhur sesa korigjimi i ndërgjegjes me stimuj të vonuar moralë. Sigurisht që
edhe vlerësimet e merituara publike e motivojnë krijuesin, por kur kryhen në një
frymë të shëndoshë institucionale, në rastin konkret të inicuara nga Ministria
e Arsimit apo Akademia e Shkencave. Këtyre të fundit askush s’u bëhet pengesë,
sikurse s’mund t’u ndalojë edhe dorën për t’iu drejtuar Institucionit të
Presidentit. S’e di se kur dhe cilet duhet te meritojnë titujt e lartë te
fisnikerise: dikush mbas vdekjes, apo edhe disa prej atyre që i kemi mes nesh,
por që s’arrijmë t’i evidentojmë e mandej promovojmë, në kushtet kur besojmë se
jemi të lirë për ta bërë një punë të tillë?! Sigurisht, gjithmonë bëhet fjalë për
ata që e meritojnë këtë vlerësim institucional. Ndërkohë, besoj se Irakliu, pavarësisht
se teritoret tek të cilat ndalet kanë një vijë gjeografike të caktuar, ngjarjet
të cilat analizon i kalojnë kufijtë e Vilajetit të Janinës e të Gadishullit
Ballkanit, ndërsa jehona e tyre dëgjohet në portat e kancelarive
evropiane. Prandaj autori s’i përket vetën Tepelenës, për faktin se
merret me njërin prej bijve të shquar të këtij qyteti, s’i përket vetëm Janinës,
të cilës i bën skanerin politik, ekonomik dhe shoqëror në një nga periudhat e vështira
të sundimit osman, s’i përket vetëm Pargës, Sulit, Prevezës apo Artës. Jo,
sepse ai s’i përket pjesës, por të gjithës, dhe e gjitha është Shqipëria.
Në veprën dinjitoze “Popull i ndaluar”, botuar në
Prishtinë në vitin 1990, akademiku Rexhep Qosja, me mprehtësinë e mendimtarit
dhe kurajo të pakrahasueshme, trajton deri në detaje platformat antishqiptare të
hartuara e zbatuara me kujdes nga qarqet e larta të politikës shtetërore serbe
ndaj popullit të Kosovës; mungesën e lirisë, të drejtën e flamurit të tyre kombëtar,
të drejtat e mohuara të shkollimit, të drejtat e punësimit, mohimin e
promovimit të kulturës së tyre kombëtare, deri edhe detyrimin për të fshirë nga
kujtesa e trashëguar këngët dhe vallet e tyre aq të bukura, pra pushkatimin
shpirtëror para se të realizonin ekzekutimin e tyre fizik. “Jam marrë me
trajtimin e çështjeve që trajtohen në këtë vepër, para së gjithash dhe mbi të
gjitha, si itelektual shqiptar, domethënë si krijues shqiptar, i cili e përjeton
thellë fatin e popullit të vet, i cili ka të drejtë, madje, detyrë morale që ta
mendojë në thellësi fatin e popullit të vet, i cili fatin e vet, si njeri dhe
intelektual, ia nënështron fatit të popullit të vet. E çështjet për të cilat
shkruhen në këtë vepër janë, në radhë të parë, çështje intelektuale,
mbipolitike, e kjo domethënë se janë çështje ekzistenciale, jetike të popullit
shqiptar sot. Dhe jo vetëm
sot.”(R.Qosja: “Popull i ndaluar”, Prishtinë 1990, f 26.) Në këtë kuptim,
askush s’mund ta quaj herezi, nëse flasim për popullatat shqiptare të mbetura
brënda trojeve të tyre, por nën administrimin e shtetit grek, si Janina, Arta,
Preveza, Parga, Suli e qëndra të tjera të shumta të banuara historikisht nga
shqiptarët, për rrënimin e
institucioneve të tyre të kultit, për mungesën e shkollave në gjuhën e tyre
amtare, pra në gjuhën shqipe, për pasuritë e tyre të ngurtësuara në bankat e
Igumenicës apo Janinës, për të drejtën e munguar të promovimit publik të folklorit
të tyre të mrekullueshëm, por të mbushur me dhimbje. Pra, kjo popullsi
shqiptare e shkëputur nga trungu amë, s’mund të quhet e ndaluar? Sigurisht, e
tillë vazhdon të jetë. Me të drejtë mund të pyetet: referuar dokumentacionit
arkivor britanik, vëndet ku janë shkruar e mandej nisur korespodencat e
emisarëve të tyre të veshur me petkun e ndërlidhësve qeverritarë, a do të
konfiguronte në një farë mënyre edhe piketat e kufirt të athershëm
administrativë apo teritoreve që zotroheshin nga Ali Pashë Tepelena? Doemos që
po. Vepra e Koçollarit, aqsa historianëve dhe studiuesve, skurse edhe lexuesit
jo vetëm shqiptar, do shërbejë si referencë për brezin e ri të diplomatëve tanë,
kryesisht atyre që janë shkolluar në vëndet me kulturë e qytetari të spikatur.
Po të shikojmë me kujdes mënyrën e hartimit të këtij dokumentacioni të
pasqyruar në veprën “Ali Pasha dhe Shqipëria në arkivat britanike”, do
konstatojmë edhe shëndetin kulturor të popullit britanik, në rastin konkret të
përfaqësuesve të Mbretërisë. S’ka arësye pse të mos e admirojmë një mënyrë të
tillë respekti dhe vlerësimi reciprok mes zyrtarëve, pavarësisht nga hierarkia
e tyre, sikurse edhe përkushtimin gati idealist ndaj vëndit të cilit i përkasin.