e diel, maj 19, 2013

(Ik)identitet




Sot është melankolia në erë dhe trishtimi në bar” (Charles Kuralt).

Nga Fatmir Terziu

Bishtkorr* i ngulur në rrasë varri. Kali
trokthin ia ka qepur lotit në flakë
bota me të cilën ringjallej
ankthi dhe riti i përkujdesjes
vetë imazhi i mjeshtrit tejkallet
hi në karnavazin e vetë ikjes
në garë kuajsh identiteti i dhimbjes.

Vazhdon katalogu me kuaj
të faqoset konspiracioneve
ja kapakët dhe fletët
lavdi e vegjetacioneve gjuhore
speciet që lindën nga gjeneratorët
florë imazhesh dhe perceptimesh
si një pëlhurë majisen ditënetët
mbetur mbi kolona shkrimesh.

Pazar dhe udhëkryq betejash
si një kohë e ngarkuar mbi kuaj
lëviz melankolia
e ftohtë, drobitëse e huaj
mbi barin e varreve që rivdesin
erë e trishtë e identiteteve
fryn dhe vetëm fjollat mbesin...

Ja shkurrëzat dhe barishtet
përthyer pa damarë
përshkojnë rrymat heshtake
si një kodër e tërhequr zvarrë
vetë kjo dritë vertikale
firmos një peticion mbi varr
që ikja identitare të ndalet.


*Bisht kali: i cili ka qenë i ankoruar si një shenjë e pikëllimit për vdekjen e zotërisë së tij.