RESMI OSMANI
ROMAN
Në proces krijimi
Kreu IX
LAMTUMIRË ILIRI
Skodër-Rizon, vjeshtë
229,pranverë 228
1
Për mbretëreshën kjo ishte
një natë e pagjumë, tronditëse, mundonjëse si një makth.
Armiku ishte te porta.
Kishte shkelur praghyrjen
e Ilirisë. I dukej se ndjente deri thellë
qënies së saj rrapëllimën e armëve, rropamën e luftës, rënkimet dhe klithmat e
të plagosurve, zhurmën e hapave të rënda të legjionarëve, athëtirën e shkrumbit
dhe tymit të shtëpive të kallura në flakë,
që e sillte era që frynte nga jugu i
vendit. Ajo ndjente rënkimin e thellë e të dhimbshëm të nëndheut të Ilirisë, që
vinte si një goditje shungulluese tërmeti, ngado ku shkelte thundra romake. Ishte
një klithje ulëritëse, që dridhte e trondiste të madh e të vogël.
Armiku ishte te porta.
Kishte zbritur nga përtej deti
i perëndimit në brigjet e Ilirisë, si re e zezë, e kobshme: dyzet mijë
legjionarëtë veshur në hekur, dyqind anije si dyqind kuçedra. Vinin të
pushtonin dhunshëm e të nënshtronin ilirinë. Të skllavëronin e robëronin, të
vrisnin e plaçkisnin, kishin sjellë me vete vargonjtë e rëndë për të lidhur këmbë
e duar popullin e vendit të saj.
Armiku kishte shkelur tokën e
Ilirisë.
Tokë e shtrenjtë, e bukur dhe e
dashur , e mbrujtur me gjak, mund e djersë nga breza të tërë. Zotat i kishin dhënë
gjithë të mirat: fusha pjellore, lumenj e liqenj të kulluar, dy dete valëshkumë,
anëdet me bukuri si në përrallë, kodra e male mbuluar me borë, pyje të pafund, qiell
plot dritë e kaltërsi, dhe në këto vende çonin jetën ilirët, burra trima,
kreshnikë e gra si zana. Fati e kishte sjellë që ajo të mbretëronte e printe këtë
vend, ti mblidhte ilirët e së njëjtës gjuhë
nën një çati, dhe kur kjo ëndërr po përmbushej, mbrriti armiku i egër.
Jo. Toka e ilirisë nuk e duronte thundrën e huaj. Ajo do të ndizej zjarr e flakë,
dhe në të do të përvëlohej pushtuesi. Kur lufton në shtëpinë tënde, të ndihmojnë
dhe muret e gurët e saj. Edhe qëmoti, kishin ardhur e kishin ikur pushtues të
tjerë, ishte derdhur shumë gjak, pushtuesit kishin ardhur e ikur, por Iliria
kishte mbetur, se vendi dhe populli nuk mund të çbëhen, rrënjët e tij janë të
ngulura fort e thellë në atë truall. Shumë ishin vrarë, kishin vdekur apo skllavëruar,
por populli është si livadhi, që pas kositjes, me shiun e parë mbin më i
dendur.
Teksa ishte përhumbur në këto
mendime, u përmend. Komandanti i gardës priste te porta. E porositi që të niste
me një frymë lajmëtarë të shpejtë, të mblidhej këshilli i ”Miqve të mbretit”.
Kalorësit e shpejtë u nisën, çanë errësirën
dhe troku i shpejtë i kuajve prishi heshtjen e natës.
2
Dita sapo kishte feksur, e mugët,
e zymtë.Për nën kështjellë, mbi qytet, në liqenin Labeat dhe fushëtirën rreth lumenjve
kishte rënë mjegulla e zbardhëlleme, që nuk linte të shquhej gjë veç majës së
malit dhe kodrave për rreth. Nga perëndimi ,era po grahte një tufë re të zeza
ngarkuar me shi.
Kur mbrritën Miqtë e Mbretit, në
lidje dielli ishte ngritur dhe dërgonte midis të çarave të reve tufa rrezesh të
zbehta, që nuk ia hiqnin dot zymtësinë asaj dite.U mblodhën në dhomën e punës të
mbretëreshës.Sado që Teuta u mundua të rrëfehej e qetë dhe të mos e jepte
veten, ata panë se nata e pagjumë dhe tronditja e thellë shpirtërore kishte lënë
vulën në fytyrën e saj me dy gjysma rrathësh të errët rreth syve.
- Miqtë e mi. Lajmi që do të dëgjoni
nuk është për mirë, përndryshe, është i keq. Roma na ka sulmuar. Vala e tyre që erdhi mga deti, është si një vërshim
që ka përmbytur brigjet tona. Forca e tyre dhe numri, janë të mëdhaja, ngaqë
ata janë një fuqi e madhe luftuese e pushtuese.
Miqtë,
pohuan se ishin në dijeni të sulmit romak.
-Në
fillimin e kësaj lufte, për të ardhur keq, nuk ka as trimëri as heroizma, por
ka me shumicë tradhëti. Dhimitër Fari, dorëzoi flotën e Korkyrës dhe gjithë ujdhesën.
Është bashkuar me pushtuesin dhe po sulmon tok me ta mbretërinë. Apollonia dhe
Dyrrahu, siç pritej , i hapën portat pushtuesit. Nën kërcënimin e legjioneve të
romës, dhe ndërmjetësimit të Farit, krerët e atintanëve,parthinëve dhe penestëve
pranuan nënshtrimin dhe u bënë tributarë.
Flota romake i është drejtuar bregdetit dalmat, kurse këmbësoria pasi ka përshkuar
Taulantinë ka sy synim Skodrën. Ushtria jonë, në pamundësi për luftë ballore është
tërhequr duke dhënë goditje anësore dhe e ka përgjakur armikun. Një pjesë e
ushtrisë së Skerdilaidit është ngujuar në Dimal dhe Antipatria, pjesa tjetër, me
vetë Skerdilaidin po vendoset për mbrojtjen e Skodrës. Flota u tërhoq në veri,
në Nutria dhe Narbone e qytetetet e tjera të bregut. Miq, dua të dëgjoj këshillat
dhe fjalën tuaj, çiltërsisht, sido që të jetë ajo.
Teuta foli
ngadalë, duke rrokëzuar çdo fjalë e me zë të ulët, ashtu siç flitet në një mort,
me shikimin të përhumbur diku larg si ti drejtohej hapësirës së gjithë Ilirisë.
-Detyra jonë,
mbretëreshë, është ta mbrojmë vendin nga i huaji, me luftë. Asnjë pëllëmbë tokë
nuk duhet lëshuar pa u njomur me gjakun e armikut. Ata duhet ta shohin se ne
jemi dalzotës të trojeve tona dhe të fatit të njerëzve tanë.
- Këtë vend
na e kanë lënë trashëgim të parët dhe ne e kemi detyrë tua lemë fëmijëve tanë,
jo të pakësuar,por të shtuar e të begatuar. Kjo arrihet duke e mbrojtur atë nga
i huaji që e kërkon me forcën e armëve. Nuk duhet të dëshpërohemi, se lufta nuk
është vetëm një betejë, por një përpjekje e gjatë, që ndoshta do të vazhdojë me
vite dhe ne një ditë do ta fitojmë se
jemi në të drejtën tonë.
-Tradhëtari
i pafytyrë e i pabesë, greku që si dhimbet Iliria, duhet ta shpaguajë tradhëtinë.
Koka e tij duhet të ngulet në një hu dhe të vendoset në tregun e Skodrës që
kushdo ta shohë se çfarë çmimi ka tradhëtia!
-Qëndresa
dhe vetëm qëndresa është rruga e vetme. Edhe po të humbet një betejë, edhe po të
humbet një luftë, nuk duhet të humbet shpresa dhe besimi. Populli ynë nuk do ta pranojë dhe durojë
zgjedhën e huaj, ai do të luftojë për lirinë. Na mbetet që t’i prijmë.
-Luftë deri
në ushtarin e fundit, deri në anijen e fundit, deri sa të shkrehet shigjeta e
fundit dhe të gjuhet shtiza e fundit. Armiku duhet të kalojë mbi trupat tanë.Vdekja
në fushën e luftës është nderi i burrit. Turpi le të
mbulojë tradhëtarët e pabesë.
Teuta i miratoi fjalët e tyre.
-Keni folur me zemër, keni
folur me shpirt, trimërisht e burrërisht. Me të tillë burra Iliria asnjëherë
nuk do të jetë e turpëruar. Nuk na mbetet veç të bëjmë detyrat. Dërgoni lajmës
në fiset e malësive që të japin kushtrimin dhe burrat të zbresin për të pritur
armikun me luftë. Mbani të bashkuar dhe aftësi për të luftuar ushtrinë e
mbetur. Vetë, do të jem me ushtrinë që do të mbrojë Skodrën. Zotat na dhënçin
forcë!
* *
*
Lajmësit vinin njeri pas
tjetrit, kaluar apo më këmbë, të lodhur e të drobitur, jo vetëm nga udhët e
gjata që kishin përshkuar por nga e keqja e mynxyrshme që do t’i kumtonin mbretëreshës.
Nga ajo që kishin parë me sytë e tyre e që s’ua nxinte goja ta thoshin.Mbretëresha
i priste vetë. Oficeri i rojes i përcillte në kabinet. Ata hynin kokulur e si të
turpëruar e të ndjerë në faj, për ato që do t’I thoshin ngaqë e dinin që do ti
sillnin mërzi : vargu i humbjeve niste me Korkyrën. Flota , ajo pjesa e shpëtuar
, ishte hapërdarë në hapësirën detare për tu strehuar në anëdetin dalmat dhe
grykderdhjen e Buenës, për të mbrojtur Skodrën. Pushtuesi i ndihmuar e i udhërrëfyer
nga tradhëtari Fari si dhe nga dredhitë e holla djallëzore dhe hiletë përçarëse
të romakëve, blerja e krerëve të fiseve të mëdhaja, ushqimi i shpresëës së tyre
për tu shkëputur nga mbretëria, kishte shtënë në dorë ultësirën bregdetare deri
në prapatokën e Dyrrahut. Qëndresës burrërore të ushtrisë dhe popullsisë armiku
i ishte përgjigjur me terror, vrasje, djegie, plaçkitje e përdhunime, me qindra
ishin ata që ishin vënë nën prangat e skllavërisë e pastaj me anijet ishin dërguar
në tregjet romane të skllevërve.
Çdo lajm ishte si një helm vrastar, që binte në shpirtin e saj pikë- pikë
përherë e më i hidhur, që i mpinte e i rëndonte
gjymtyrët, por jo zemrën, jo mendjen. Në zemrën e saj kishte shumë trimëri dhe
në mendje shumë mençuri e kthjelltësi.
Ishin ato, që në ato çaste të orëve të liga, i duheshin më shumë se kurrë, për
të marrë vendime e për të prirë.
Buzëmbrëmje. Dielli ishte në të
perënduar. Dita kishte qënë e gjatë si një makth pa fund. Ndjente dhimbje koke
dhe lodhja drobitëse e kishte dërrmuar shtatin e saj. E ndjeu nevojë të delte për
pak ajër,ta rrihte era. U drejtua për në bedenat e kalasë. Oficerëve të
truprojes u tha ta linin vetëm. Mbajti zonjat e shoqërimit,por edhe ato ca hapa
prapa.
Vuri duart mbi gurët e bedenave.
E ftohta e tyre i erdhi e mirë dhe iu duk se midis saj dhe tyre u vendos ajo
lidhja e natyrshme që zbriste deri thellë në themelet e asaj kështjelle dhe
truallit të saj, ngaku buronte forcë dhe qëndresë. Hodhi sytë nga perëndimi. Qielli skuqte si
plagë e përgjakur. Atje dallgët e detit rrihnin përjetësisht brigjet. Deti i
saj, deti i dashur i Ilirisë. Ishte përpjekur ta zotëronte, ta ruante atë
pasuri ngaku shtetasit e saj vilnin të mirat e detit. Aty lundronin si mjellma
krenare e të bukura liburnat e shpejta, që ishin krenaria e flotës, në roje që
nga deti të mos i vinte e keqja Ilirisë. Ajo ishte në dijeni që në popull atë e
quanin “Mbretëresha e detit”, por ajme, mbretëria e saj ishte dhunuar, nga
brigjet e përtejme armiku kishte mësyrë. Ai tashmë kishte shkelur sterenë dhe
zotëruar detin. Ajo ndiente rënkimet e dallgëve, deti i vrarë e i dhunuar, oshëtinte
e ngrinte dallgë zemërimi sikur karenat e galeve[1] romake të kishin hapur plagë në syprinë të tij.
Vetiu sytë i shkuan nga jugu. Jugu i bukur i Ilirisë, plot dritë dielli, kaltërsi
qielli, me blerimin e ullishave, nga ku frynte era e ngrohtë e jugës që sillte
pranverën e çelte lulet, me katundet e qytezat e ngritura si çerdhe shqiponjash
mbi shkëmbinjtë e bregut. Pastaj fusha e plleshme e Taulantisë, hambar i
grurit, që rriste kuaj vrapi të shpejtë. Atje tashmë kishte shkelur këmba e të
huajit.
Ktheu kryet nga veriu. Gati u mallëngjye.
Majëmalet ishin ende të përshkënditur nga rrezet e fundit sogjetare të diellit
në perëndim dhe mbi ta kish nisur të binte mjegulla e përhinjtë. Male, male e
prapë male, të bukur, me thepa të egër e të frikshëm,që synonin qiellin, lugina,
pyje e çeltira, ujvara shungulluese e të bukura si në ëndërr. Malet ku ajo
kishte lindur e ishte rritur. Atje kishin foletë shqiponjat. Malet me burra
kreshnikë që mundeshin me ariun dhe ndesheshin me ujkun, me vasha si zana, ku fjala
ishte fjalë dhe besa besë, ku lahutarët
këndonin epet e tyre trimërore stërgjyshore
të lavdisë që s’kishte mort. Malet ishin të lira. Për të parën herë ndjeu lehtësim, atje këmba mizore e armikut
nuk kishte shkelur, por jehona e së keqes kishte mbrritur dhe atje. Kishte dërguar
lajmës që burrat nën armë të vinin në ndihmë për mbrojtjen e Skodrës. E dinte.
Ata do të përgjigjeshin. Do të linin parmendat në arë, krrabat në stane, sëpatat
në pyje, do të përqafonin fëmijët, do të ndaheshin nga të dashurat dhe një e nga një apo në grupe ata do të zbrisnin
tatëpjetë.E dinin që po shkonin edhe drejt vdekjes, por ajo ishte vdekje në emër të jetës. Ishin
si pikat e shiut, që bashkohen në rrëkeza pastaj derdhen në prrenj e më tej në
lumin njerzor të mbrojtësve të vendit dhe lirisë. Ky ishte populli i saj.
Nisi të frynte erë dhe mbrëmja
po freskohej. Teuta ndjeu se dikush i hodhi mbi supa pelerinën. Duhet të ishte
Brikena, por kur ktheu kokën pa që ishte Skerdilaidi. Të dy nuk folën.
Skerdilaidi trupmadh hapi krahët dhe e
rroku në parzëm. Ajo psherëtiu dhe mbështeti kryet në supin e tij, pastaj i
tha:
-Sa mirë bëre që erdhe. Kjo vetmi
brenda kësaj kështjelle bëri që të më kaplonte mërzia. Qenke plagosur? Ç’farë
lajmesh na sjell?
-Pa pasoja,një e gërvishur
shpate. Do dëshiroja që lajmet të ishin të mira, por s’janë të tilla. Romakët
po e pushtojnë ultësirën dhe bregdetin. Drejt Skodrës është nisur legjioni i
Lacios, që është më mizori i ushtrisë së tyre. Eja të bisedojmë brenda se do të
ftohesh.
U kthyen në dhomën e punës, kundërmonte
aromë dylli nga djegia e qirinjve. U ulën në divan. Në një tryezë të ulët u shërbyen
fruta dhe shurup mjalti. Skerdilaidi ngjëroi disa kokrra rrushi dhe piu me etje
një kupë ujë. Teuta nuk preku gjë me dorë.
-Më thuaj.
-Ne po tërhiqemi me luftë. Asnjë
pëllëmbë s’kemi lëshuar pa u ndeshur. Romakët po e paguajnë me gjak. Nuk kanë
guxuar të futen në thellësi të vendit. Ushtrija jonë po dobësohet e pakësohet
ndërsa ata janë mizëri. Ushtarët nga fiset e parthinëve, penestëve dhe atintanëve,
u bindën krerëve të tyre dhe bashkë me komandantët u tërhoqën dhe na braktisën. Pati nga ata që
kundrejt pagës u bashkuan me ushtrinë e Farit. Një pjeasë të trupave i kam lënë
në Dimal, në Lis dhe pjesën tjetër e kam sjellë në mbrojtje të Skodrës, e cila
asesi nuk duhet të bjerë në dorë të armikut. Ajo është zemra e mbretëris dhe po
pushoj zemra së rrahuri, mbretëria vdes.
Skodra ka mure të forta dhe do ta mbrojmë.
-Vëlla Skerdilaid, muret e
gurta, sado të forta qofshin, nuk e mbrojnë dot një kështjellë. Atë e mbrojnë
muret e gjokseve të burrave dhe e mposhtin tradhëtitë.
-Burrat nuk na mungojnë. Nga
fiset e malësive, daorset, labeatët, ordejtë, pirustët, bile dhe nga Dardania, kanë ardhur për tu vënë nën armë
qindra burra. Me ta po formohen njësi të reja dhe po stërviten me ngut në përdorimin
e armëve dhe mënyrat e luftimit.
Pas një heshtjeje të shkurtër,
Teuta, ia nguli vështrimin Skerdilaidit dhe i tha:
-E di që romakët kanë urdhëruar
që të më kapin, të më vënë hekurat, të më dërgojnë në Romë të mbyllur në kafaz
si egërsirë, të më shëtisin rrugëve, si shenjë të triumfit të tyre. Ke dëgjuar
për këtë?
Skerdilaidi nuk iu përgjegj.
-Por,Teuta, bija e Ademarit
fisnik, gruaja e Agronit, mbretëreshë e Ilirisë, veç e vdekur bie në dorë të
armiqve gjakësorë. Kam ditë e javë, netë të tëra pagjumë që mendohem. Ku kam
gabuar, ku kemi gabuar? A mund të ma thuash. E kërkoj përgjigjen nga ti që je
gjeneral dhe komandant i zoti, si njeri i familjes, vëllai i Agronit.
-Mos e mundo veten, mos e cfilit shpirtin me të tilla pyetje. Gabimet
janë njerzore, nuk ka njeri të pagabueshëm.
Teuta
nuk priste këtë përgjigje, ndaj këmbënguli.
-Mos më
kurse. Thuaji gjërat ashtu siç janë dhe ashtu si i gjykon.
Skerdilaidi u zu ngushtë, por sido qoftë,Teuta kërkonte një përgjigje.
Mendoi se nuk duhet ta lëndonte, mjaft ishin për të telashet e kësaj lufte.
Kryesorja ishte mbrojtja e Skodrës, këto brejtje gërryese të ndërgjegjes, po të
vazhdonin, e kthenin shpirtin në gërmadhë.
-Fati i
kësaj lufte nuk u vendos në fushbetejë. Tradhëtia nuk i la vend as trimërisë as
zotësisë, që ushtrisë dhe komandantëve tanë nuk u mungojnë. Tradhëtia është si
thika e ngulur pas shpine. Roma është e njohur për përdorimin e përçarjes. E thëna “Përça e sundo” për ta vlen po aq sa edhe
fushbeteja. Tradhëtia e ka emrin Dhimitër Far, po aqë sa ai janë edhe krerët e
fiseve që iu nënshtruan Romës pa luftë dhe e ulën qafën nën zgjedhën e
pushtuesit. Ja që edhe burrat shiten! Kërkon të dish ku kemi gabuar? Po t’i
them ashtu si i gjykoj unë, por s’është e thënë që doemos të kem të drejtë.
Së pari; që Dhimitër Farit i
besuam dhe i dhamë shumë pushtet në ujdhesën e Korkyrës, që ishte pika jonë më
e fortë. Me të kemi futur gjarprin në gji. Ai i dërgoi letra senatit dhe i ftoi
romakët të nisnin luftën kundër nesh. U rrëfeu edhe sa ushtarë dhe anie do të
kishim ne në luftë dhe si ishin të vendosura.
Së dyti; ne u gabuam kur menduam
se Roma nuk do ta kapërcente detin për të sulmuar ilirinë dhe përgatitjet tona
nuk qenë të mjaftueshme.
Së treti; flota dhe ushtria jonë
u gjendën të copëzuara e të shpërndara nga jugu në veri, të pazonjat për një përballje
ballore me armikun. Nuk e di në se janë bindëse këto arsye.
Teuta miratoi në heshtje me një
përkulje të lehtë të kokës.
-Tani do të flas si politikan:
në këtë luftë mbetëm të vetëm, pa aleatë, pa përkrahje. Maqedonia dhe Epiri nuk
përmbushën zotimet e tyre. Gabuam që nuk afruam Dardaninë. Ata janë gjaku ynë.
Them që në politikat për qëndërzimin e pushtetit dhe njësimin e shtetit dhe rëndimin
e taksave, u kemi lënë pak hapësirë krerëve të fiseve të mëdhenj që para nënshtrimit
nga Agroni ishin thuajse mbretër. Ata vetëm sa gjetën rastin dhe u shkëputën.
-Si thua, e kemi humbur këtë
luftë?
-Është heret për ta thënë. Romakët kanë zaptuar ultësirën bregdetare dhe
bregdetin. Ushtrinë po e shpërndajnë duke krijuar garnizone në tokat e
pushtuara. Kësisoj e pakësojnë aftësinë e tyre goditëse dhe kalojnë në
mbrojtje. Nuk guxojnë të hyjnë në brendësi dhe luginat. Pjesa më e madhe e
vendit vazhdon të jetë e lirë. Po afron dimri që ka për tu krijuar vështirësi.
Ne do ta vazhdojmë qëndresën. Armikut do ti pakësohen ushtarët, ne do të na
shtohen. Kështu i shoh unë punët. Më e ngutshmja nga të gjitha, tani është
mbrojtja e Skodrës.
Teuta psherëtiu.
-Ndryshe do
të qe po të jetonte Agroni.
-Ka të
ngjarë, por gjithsesi, kupto që Roma është një fuqi e madhe. Dalja e saj në
brigjet e Ilirisë, është vetëm të hedhë një kryeurë për të pushtuar gjithë siujdhesën
dhe lindjen: Ata synojnë Maqedoninë,Greqinë, Thrakën, Bizantin dhe Azinë e Vogël,
për ta rrethuar gjithë Mesdheun me një unazë, që do të jetë Perandoria Romake.
Ky është shkaku i parë i kësaj lufte dhe jo ato që thuhen për gjoja piraterinë
apo vrasjen e ambasadorit. Vendndodhja jonë në këtë hapësirë u bë shkak që ne të
jemi të parët. Pas nesh u vjen radha të tjerëve,por fatkeqësisht ata ende nuk e
kuptojnë, për këtë nuk u gjendën në krah tonë. Prandaj mos kërko fajin te
vetja. Të tjerat le t’ia lemë kohës.
3
Skerdilaidi kishte ikur prej kohësh në lëmin ku ishte vendosur ushtria e
mbrojtjes së Skodrës. Aty ndodheshin edhe komandantë e gjeneralë të tjerë.
Ishte koha tu rrëfehej romakëve se kush ishin ilirët dhe Iliria. Do të ishte si
një përplasje e reve të stuhisë, ngaku do të shpërthenin rrufe të zjarrta, që
do të shkrumbonin shumë jetë njerzore e bubullima shungulluese, që do të
jehonin anembanë për të rrëfyer gjëmën e asaj lufte.
Teutën po e ndihmonin të vishej. Brikena dhe zonjat e
tjera të shërbimit, i veshën parzmoren dhe suporet e çelikta, i mbërthyen
tokzat dhe rripat, në kërcinj i veshën nëngjunjëzat e bronzta, i ngjeshën
brezin dhe shpatën e shkurtër, në kokë përkrenaren me krifë të bardhë bishtkali
pastaj mbi supa i hodhën pelerinën ngjyrë vjollce. Kur mbaruan ato u mrekulluan
me pamjen e mbretëreshës, u dukej se në atë sallë të kështjellës kishte zbritur
perëndesha e luftës.
Garda, me djem e burra sokola, e
gatshme të vdiste për të, e priste jashtë kështjellës. E hipur mbi kalin e saj
të luftës, që hingëllinte e s’përmbahej, u vu në krye të rreshtimit. Pas i
shkonte armëmbajtësi me shtizë mburojë,
hark dhe kukuren e shigjetave. Kur zbritën të tatëpjetën dhe dolën nga lagjia e
jashtme e qytetit, shquajtën në largësi, në rrugën që vinte nga Lisi, lëmin e
luftës. Aty midis dy kodrave të ulta, në rrugën e vetme që shkonte për Skodër e
prisnin armikun. Lëmi ishte përforcuar me hendeqe të thellë, në mezhdat ishin
vendosur pjerrtas hunj të trashë majëmprehtë, porta e rëndë ishte e mbyllur me
mastar e kllapa druri. Lëmi në shpinë dhe në të dy krahët ishte i mbrojtur nga
kodra dhe këmbsoria e lehtë e harkëtarëve
dhe hobetarëve. Armiku ishte i detyruar të sulmonte ballas. Lëmi ishte ngritur
mjeshtërisht dhe vendi ishte zgjedhur mençurisht.
Porta u hap dhe Teuta me gardën
hynë në lëmë. Ushtarët dhe oficerët patën ndjesinë se në lëmin e luftës kishte
zbritur një zanë luftëtare, që i burrëronte dhe trimëronte, u jepte forcë krahëve
dhe qëndresë e trimëri në zemër. Shumë prej tyre e shihnin për herë të parë.
Ajo, i zbriti kalit me shkathtësinë e një kalorësi, hoqi përkrenaren, buzëqeshi dhe i përshëndeti.
Kur e panë, ashtu shtathedhur, armëngjeshur e me bukuri rrëzëllenjëse, ata u
bindën se bukuria e saj nuk ishte legjendë por e vërtetë, kurse trimëria dhe
guximi shprehej në qëndrimin dhe gjith pamjene saj. Brohoritja “Rroftë Mbretëresha”
e dalë nga gjokset e burrave, ushtoi e fuqishme dhe jehona e saj u përhap në
gjithë hapësirën.
Për mbretëreshën ishte ngritur
çadra e madhe e vendkomandës. Aty erdhën Skerdilaidi dhe gjeneralët e oficerët
për ti uruar mirseardhjen dhe për t’i shpjeguar përgatitjet e luftës për
mbrojtjen e Skodrës.
* *
*
Legjioni i Lacios, me pesëmijë këmbësorë dhe pesëqind kalorës, i nisur nga
Dyrrahu, hyri në tokat e fisit të Albanëve, shkretoi e dogji fshatrat dhe
qytezat që gjeti përpara dhe rrugëtoi drejt Lisit. Periferinë e qytetit, buzë
lumit, e kapën pa vështirësi, por kur provuan të merrnin me sulm brezin e dytë
të mureve dhe Akrolisin, hasën në qëndresë
të fortë dhe muret e kështjellës ishin të qëndrueshëm e gati të papushtueshëm
pa një rrethim të gjatë dhe ata hoqën dorë. Rrugëtuan në dy drejtime: në udhën
rrëzë kodrave të ulëta që të shpinte në Skodër, ndërsa një pjesë, përshkuan
fushën e nënoriundit[2] për të ngjallur frikë nëpërmjet terrorit, djegieve, plaçkitjeve
dhe skllavërimit të djemve dhe vajzave të reja. Pjesa më e madhe e popullatës, për
të shpëtuar mori arratinë drejt Skodrës Lisit dhe iu ngjit maleve.
Ishte mesditë kur legjionarët
romakë u shfaqën para lëmit ilir. Ranë në fushëtirë jo larg lëmit, si një re e
zezë korbash. Kaloi kohë deri sa u rreshtuan sipas manipulave të ndarë në këmbësorë
të rëndë e të lehtë dhe në të majtë qindshet e kalorësve. Ata nuk ngritën lëmë,
ngaqë nuk prisnin që të sulmoheshin nga ilirët. Një grup i pararojës u afrua
deri atje ku si zinin shigjetat. Teuta e hipur mbi një pod, pa jo pa kërshëri këta
ushtarë të huaj të ardhur nga përtej detit. Mbi krye mbanin përkrenare të
stolisura me pupla. Parzmoret e tyre ishin me pafka metalike dhe supore. Mburojat
ishin të mëdhaja katërkëndore, ndryshe nga të ilirëve që ishin të rrumbullakta.
Kishin të veshura tunika që u arrinin deri te gjunjët dhe sandale me rripa që u
qarkonin pulpat. Ishin të armatosur me shpata të shkurtëra të ngjeshura në brez
dhe ushta të gjata majëmprehta. Ky ishte armiku. Kërcënues dhe vetbesues.
Larg, pas legjionarëve, u dukën
disa ngrehina si kulla të drunjta që i tërhiqnin shumë pendë qesh. Ilirët ishte
hera e parë që shihnin të tilla kulla . Ato ishin gurhedhëse dhe shtizagjuajtëse,
që romakët i quanin katapulta dhe i kishin pjesë të armatimit për rrethimet dhe
sulmet mbi kështjella dhe lëmenjtë e luftës.
U dha kushtrimi.Ushtuan brirwt dhe tamburet. Ushtarët ilirë zunë vendet, me armët ngjeshur,
të heshtur, të vendosur, por jo të trembur. Ishin në të drejtën e tyre, në tokën
amë. Luftonin për nderin dhe lirinë e vendit dhe njerëzve të tyre. Djalli nuk
ishte aq i zi sa thoshin , veçse ishte më i shumtë në numur. Romakët nuk u ngutën
të sulmonin. Kur ra nata, në të dy anët u ndezënzjarre, netët ishin ftohur. Dukej
sikur fusha ishte mbjellë me mijëra yje. Teuta dhe Skerdilaidi, që të mos e
linin armikun të çlodhej organizuan jashtë lëmit sulme të veçuara me çeta të
vogla kundër pararojes dhe praparojes. Fushimi romak gjithë natën u gjet nën
goditje dhe nuk mbylli sy. Çetat sulmonin, vrisnin ca legjionarë dhe tërhiqeshin
me të shpejtë në errësirë. Romakët nuk i
ndiqnin ngaqë u druheshin kurtheve.
Lufta e vërtetë
nisi të nesërmen, bashkë me rrezet e para të diellit mëngjesor, që i fshehur
pas reve, nxirte syrin e ndritur si të donte të shihte fushën e luftës dhe të
ishte dëshmitar i asaj që do të ndodhte. Legjionarët sulmuan me radhë të
ngjeshura, me ushtat kërcënuese të shtrira para. Të heshtur, me hapa të rëndë,
vetbesues, toka dridhej nën këmbët e tyre dhe tringëllima e metalit të armëve
shungullonte ajrin. Përpara prinin ushtarë që
mbanin trina druri dhe lopata, sëpata e kazma. Vrapuan drejt ledheve dhe në
trumba iu turrën gardhit me sëpata e lopata për ta shkallmuar dhe për të
mbushur hendekun e hedhur trinat në të çarat, që prej aty të turreshin në
brendësi të lëmit ilir.Teksa ata jepnin e merrnin me gardhin, para tyre, në
mbrojtje të shigjetave ilire që binin si shi, një tubë ushtarësh i mbulonte me mburojat e mëdhaja,
ndërsa shigjetarët dhe hobetarët gjuajtën mijra shigjeta dhe gurë. Të njëjtën bënë
edhe ilirët. Reja e shigjetave u derdh si tufë grerzash mbi legjionarët, me
goditjen e shtizave u prapsën sulmuesit e gardhit. Nga të dy anët ranë të vdekurit e parë. Vala e parë e sulmit romak u
thye. Lëmi u mbajt. U bënë edhe sulme të tjera. Legjionarët derdheshin valë-valë.
Teuta nuk u largua. Ndiqte me ankth luftën. Niste lajmës, jepte
porosi. Ngazëllehej me trimërinë ilire, drithërohej kur shihte të rënët, rënkimet
nga dhimbja e plagëve, ligështohej nga gjaku i derdhur dhe ndjehej e çliruar
nga angështia kur shihte legjionarët që prapseshin. Në mesditë ajo e la
vendkomandën dhe shkoi te luftëtarët, u dha zemër, u lëvdoi trimërinë,zonjat e
saj të shoqërimit mjekonin plagët e të plagosurve, u jepnin ujë,u lagnin buzën
atyre që jepnin shpirt. Kur e dalluan,nga lëmi romak,filluantë hidhnin drejt
saj gjyle guri nga katapultat dhe njw breshër shigjetash, por ajo nuk u tërhoq,
e kishte marrë në sy rrezikun, tashmë ajo ishte thjesht një ushtare, mbrojtëse
e vendit të saj, e gatshme të ndeshej ballas me armikun, qoftë edhe nëse duhet
të jepte jetën. Në zemrën e saj kishte shumë guxim, shumë trimëri, shumë
urrejtje për armikun dhe shumë dashuri për ata qindra luftëarë që bënin jetën
fli. Kur u pa që jeta e saj ishte në rrezik, gardistët e qarkuan dhe
Skerdilaidi dha porosi ta nxirrnin jashtë rrezikut.
Afër mbrëmjes,
në pjesën veriore, legjionarët arritën të shkallmonin një pjesë të gardhit,
mbushën një pjesë të hendekut dhe hynë brenda lëmit, nisi përleshja e ashpër
trup me trup, aq e ashpër ishte ndeshja sa aty u bë një pirg me trupat e të rënëve
dhe gjaku rrodhi rrëke. Aty ndeshsesh krenaria romake me trimërinë ilire. Teuta
që e ndiqte me shqetsim atë përleshje,dërgoi një lajmës dhe menjëherë mbrojtësve
u erdhi në ndihmë nga jashtë garda e kalorësve të mbretëreshës. Sulmuesit të zënë
në kurth u tërhoqën ose u vranë.
Në pamundësi
për ta pushtuar lëmin ilir, romakët që nuk nguteshin e vunë nën rrethim. Ditën
e tretë, ata kapën karvanin që sillte ushqime dhe armë për luftëtarët. Lëmin e
kërcënonte uria. Pasdite, romakët afruan katapultat dhe nisën të hedhin drejt
grupimeve të ilirëve gjyle guri që
shungullonin dhe kur godisnin në shenjë, thyenin eshtrat e të goditurve,
ndërsa nga sheshoret e pjesës së lartë, shkreheshin me vërtik ushtat që vërshëllenin
si gjarpër dhe fatziun që goditesh e përshkonin tejmatanë. Atyre s’u ruheshe
dot. Nga lëmi i gjuajtën me shigjeta të ndezura por nuk arritën ti digjnin.
Prej atyre përbindshave që villnin gurë e ushta ranë shumë ushtarë. Për të
llahtarisur të rrethuarit dhe për tu ngjallur në shpirt frikë, romakët nisën që
drejt lëmit të hidhnin koka të prera e të përgjakura të ushtarëve të vrarë ilirë.
Ata që i njohën kokat e shokëve të tyre i zuri tmerri dhe iu shkrehën fuqitë.
Ky armik ishte mizor dhe i paburrëri, aq sa nuk kishte nderim për të rënët në
luftë. Ca më vonë, nga katapultat u hodhën coftinat e shtazëve të ngordhura
,qen e mace, që kur binin në tokë, plasnin dhe u delnin rropullitë, era e
qelbur u përhap gjithandej. U dëgjuan fjalë se ato ishin të molepsura nga kolera dhe ata
mund të vdisnin nga sëmundjet.
E para, me
këmbënguljen e Skerdilaidit dhe komandantëve, nga lëmi iku Teuta. Në mesnatë,
ushtarët e cfilitur,të lodhur e të drobitur por edhe të dërrmuar moralisht dhe
të frikësuar nga sëmundjet që mund të merrnin, e braktisën lëmin e luftës edhe
luftëtarët u mbyllën në Kështjellën e
Skodrës.
Legjionarët
tashmë e kishin të hapur rrugën për në Skodër. Të nesërmen kur arritën aty, e
panë se ajo ishte thuajse e papushtueshme dhe duhej mbajtur nën rrethim të gjatë.
Skodra u
mbajt.Në mbrojtje të saj, ishin ngritur i madh e i vogël. Veç ushtave e
shigjetave, nga bedenat e mureve breshëria e gurëve, pisës së shkrrë dhe vajit
të djegur derdheshin si shi mbi sulmuesit.
Skodra që
ishte zemra e mbretërisë ,falë qëndresës heroike të banorëve te saj dhe
ushtrisë, nuk u pushtua. Romakët u tërhoqën drejt Dyrrahut.
* * *
Këshilltarët
dhe dinjitarët e shtetit menduan se qëndrimi i mëtejshëm i mbretëreshës në Skodër
ishte me rrezik. E nesërmja nuk dihej se çmund të sillte. Këshilli i “Miqve të
mbretit” vendosi që ajo dhe thesari i shtetit të mërgonin në Rizon, ku ajo do të
ishte e sigurtë dhe e mbrojtur. Kur ia thanë vendimin e tyre, ajo kundërshtoi:
-As mos
e ndërmendni, nuk marr arratinë, nuk e braktis Skodrën dhe qytetarët e mi. S’më
tutin romanët. Në duhet me dek,vdes bashkë me ta,me nder dhe armë në dorë.
Vendi im është këtu, në qytetin e Pleuratit dhe Agronit, qytetin tim dhe trashëgim
i Pinit.
Më i moshuari i miqve që shquhej për urti e mend, i tha
si me të lutur:
-Biija ime, ti je kreu i mbretërisë
dhe i duhesh asaj dhe popullit të Ilirisë edhe për shumë kohë të tjera. Këtu je
në rrezik. Vdekja jote si shërben askujt. Kur bie koka, trupi i shtetit rrëzohet.
Kur vritet bariu, kopenë e shqyejnë ulqërit.Ti që gjithmonë na e ke dëgjuar
fjalën, dëgjoje edhe këtë herë. Shko në Rizon këtu do të mbetemi ne dhe
popullit nuk do ti mungojë fjala e mençur për atë që duhet të bëjë dhe si duhet
të veprojë.
Më në fund ajo u bind dhe pa
vonesë nisën përgatitjet. Do ta shoqëronte një qindshe e gardës, ndërsa në
Rison do të krijohej një njësi me besnikë nga fisi i saj i ardejve. Në vend të
Lisinit, që ishte vrarë, komandën e gardës ia ngarkoi Enos. Edhe Brikena do të
shkonte me të e do të mbetej në shërbim të mbretëreshës. Për
të shmangur rreziqet nga hasja e legjioneve dhe flotës romake, udhëtimi do të bëhej
me një anije të vogël nëpërmjet liqenit
Dokleat. Nga bregu verior i liqenit do të mbrrinin me kuaj në Olçin ku i priste
anija mbretërore dhe Batua besnik. Thesari në monedha ari, argjendi, shufra ari
dhe stolitë e çmueshme u vendosën në arka dhe u mbartën me mushka deri në molin
e Buenës ku i priste anija.
Kishte hyrë vjeshta e tretë dhe
kishin nisur shirat që s’kishin të rreshtur. Frynte era e veriut që shtynte retë
e zeza e të ulta dhe në liqen ngriheshin dallgë që e heponin dhe vaisnin anijen
e vogël që timonieri e drejtonte me vështirësi. Teuta kishte qëndruar në kuvertë
me duar të kapura në litarët e velës. Nuk e shqiste dot shikimin nga kështjella
e Skodrës. S’ja nxinte goja s’ja thoshte zemra t’i linte lamtumirë. Ajo po
largohej, pa e ditur në se do arrinte të kthehej aty sërish. Nuk i dihet asnjëherë
se çfarë fati dhe fundi zotat u kanë
caktuar vdektarëve. E mbytën kujtimet. Me këtë ikje që i ngjante një arratije
apo braktisjeje, ajo po linte pas të paarritura ëndrrat e saj, ëndërrat e
Agronit. Zotat, kushedi pse nuk kishin dashur. Kishin dërguar nga përtej detit
mynxyrën që do të pllakoste si një mallkim Ilirinë dhe do të ndërpriste në mes
synimin e saj. Sido që e ligështuar, brenda saj regëtinte ajo flakëza e pashuar
e jetës dhe e besimit se e keqja do të tejkalohej dhe Iliria sërish do të ishte
e lirë dhe e bashkuar. Edhe nëse nuk e
arriti ajo, do të vinin brezat e tjerë të luftëtarëve, që nuk do ta duronin
zgjedhën e të huajve. Se jeta e një njeriu është e shkurtër, por jeta e
popullit është e përjetshme dhe etja për
liri, është e barazvlefshme me jetën, me ajrin, ujin dhe dritën. Është zjarri i
lirisë, ushqimi që mëkon kryengritjen te çdo brezni. Teksa teuta përjetonte
dhimbjen e ndarjes, anija arriti në breg. Aty i prisnin kalorësit e gardës dhe
pa vonuar morën rrugën për Olçin. Batoni dhe një anije e armatosur e flotës së
admiral Orgesit i priste në mol. Edhe pse deti ishte i tallazitur dhe egërsuar,
me të ngarkuar thesarin, për të shmangur ndonjë hasje të anijeve romake, që
kishin marrë drejtimin e veriut ata morën
rrugën për në gjirin e Rizonit. Mbrritën në mbrëmje. Deti, i qarkuar nga malet,
ishte i qetë e miqësor. Hodhën urën në murin e molit dhe Teuta e ndihmuar nga
Brikena zbriti në tokë, përballë
pallatit- kullë të fëmijërisësë saj.
4
Dimri i atij viti qe i zymtë.
Qielli mbulohej nga dyndja e reve të zeza, ditët errësoheshin si në muzg. Retë
gërnjare, ushtonin kur përplaseshin dhe në zemrim e sipër gjuheshin me rrufe,
flaka e të cilave u hapte plagë të zjarrta. Nga humbellat e plagëve derdheshin
si lot dhimbjeje vrundujt e ujit, binin shira të rrëmbyer e të pandalur si të
ishte fundi i botës. Fryheshin, azdiseshin e tërhuzeshin prrenjtë që zbrisnin
nga malet. Pastaj retë duket sikur pajtoheshin shkriheshin e bëheshin njësh. Kubeja e plumbtë e qiellit mbulonte
Rizonin si të donte ta shtypte, pastaj papritur u varën tatëpjetë duke u
dridhur në erë fluturzat e fjollës së borës dhe mbuluan tokën e çatitë me
pelerinën e bardhë teksa pemët i veshi me argjend. Bota zbardhej si në ëndërr
dhe mbylleshin rrugët e shtigjet.
Ditët e netët, të zëna për dore
hidhnin vallen e tyre të stinës, vinin dhe iknin. Teuta i përcillte me ankth.
Bashkë me to vinin dhe iknin lajmës. Kumtet që sillnin ishin të dhimbshme e të
pashpresa. Kishte gjashtë muaj që luftohej. Nuk pushonte së derdhuri gjak.
Qytete fshatra dhe krahina të tëra binin nën goditjen e armikut. Dimër pa gëzim.
Dimër dëshpërues. Në prushin e vatrës nuk piqeshin gështenja, lahutarët nuk këndonin
këngë kreshnikësh, përralltarët nuk rrëfenin prralla dhe gojdhana, në oborret
dhe sheshet fëmijët nuk luanin me topa bore e nuk rrëshqisnin në akull. Botë e
ngrirë. Dimër i dëshpëruar.
Teuta, e mësuar me punë e
mbushte kohën dhe ditët me veprimtari të paprerë: çdo fillim jave, ajo shtronte
një mëngjes pune, ku priste zonjat e aristokracisë dhe fisnikërisë vendëse dhe
këmbente me to të rejat dhe kumtet që vinin nga krahinat e vendit. Merrte pjesë në kuvendet e burrave, pajtonte
gjaqet dhe me të drejtën e saj
sovrane jepte drejtësi për gjyqet dhe ankesat midis fiseve për
pyjet, kullotat, burimet e ujit të ujitjes dhe ankesa të tjera që asaj i vinin.
Shkruante letra, niste lajmëtarë dhe mundohej që kudo të ngjallte besim se ditët
e mira do të vinin.
Në Rizon erdhi Skerdilaidi dhe admiral Orgesi. U gëzua për ta. Edhe ata u gëzuan që e takuan, por i
trishtoi pamja e saj. Ata rrathët e zez rreth syve, ca rrudha të lehta në cepat
e buzëve dhe çuditërisht shumë thinja që ia argjendonin kryet. Dukej se këta
muaj kishin rënduar shumë mbi të. Në më pak se tre vite mbretërim, ajo kishte
ndritur si yll në qiellin e Ilirisë, me bëmat e saj, forcën, guximin dhe trimërinë.
Vërtet që e kishin kryer së bashku atë
vepër, por ajo ishte shpirti dhe zemra, kurse ata krahët. Fati e deshi që ai
yll të shkëputej nga qielli i lavdisë, por linte pas në errësirë një ndriçim
verbues që do të mbahej mend në qindravjeçarë.
I
njoftuan se romakët e kishin quajtur të përfunduar atë luftë dhe fushata për ta
kishte marrë fund. Njeri nga konsujt, Centumalo, me një pjesë të ushtrisë dhe të
flotës ishte larguar për në Romë. Konsulli tjetër, Albino, qëndroi bashkë me një
pjesë të ushtrisë dhe dyzet anije të flotës në Dyrrah për të dimëruar dhe këqyrur e mbajtur nën kontroll viset e
pushtuara. Gjithë ku kishte shkelur ushtria romake ishin vendosur garnizone për
të mbikqyrur fiset e nënshtruar apo të pushtuar. Vala e qëndresës po binte. Vendit po I shterrnin burimet ekonomike dhe
njerzore. Romakët ishin bërë zot të pjesës më pjellore të vendit dhe gjithë anëdetit.
Pjesa e brendshme e vendit ishte e lirë: Dasaretia, Kandavia, Ardia, Penestia
dhe vendet në luginat e lumenjve dhe para bjeshkëve.Të lirë ishin edhe
qytetet-fortesa të Dimalit dhe Antipatrias. Romakët nuk kishin guxuar ti
shkelnin. Dhimitër Fari, e kishte marrë shpërblimin për tradhëtinë e tij:
sundimin e Farit, Isës dhe bregdetit dalmat deri në kufi me gjirin e Rizonit.
Thoshin se ai nuk ishte i kënaqur, kërkonte më shumë, të shpallej mbret i
Ilirisë!
Kështu ishin gjërat.
-Nuk u gjend një bir nëne ilire,
që t’ia hiqte qafe Ilirisë këtë bir bushtre të lindur nga një greke?
-Jemi përpjekur, por ruhet
shumë, e kanë marrë nën mbrojtje romakët. Me sa duket u duhet edhe për më vonë
për pisllëqe të tjera.
Ata bujtën dy net në Rizon, pastaj
ikën me rrugë tokësore. Deti ishte me rreziqe.
* *
*
Tinëz, pa kuptuar si të donte ti
fshihej dimrit, pranvera u shfaq e drojtur, me frymën e saj të vakët dhe puhizën
që vinte nga deti. Dielli në qiellin re rralluar, nisi të derdhte bujarisht
dritën lbyrse. Natyra po ngjallej. Farërat e fjetura nën borën e ftohtë në tokën
e kopshtit të pallatit u zgjuan dhe buisën duke nxjerrë mbi dhe syrine tyre të
gjelbër. Kumbullat,mollët dhe dardhat, frynë sythet dhe çelën lulet e bardha.
Shihte perma pemën,shihte lulja lulen dhe një ditë si një befasi,pemët veshën
velin e bardhë të luleve,si fustan nuserie. Është flamuri I pranverës që hedh
hapat e parë të rrugëtimit. Ato duket sikur thërresin:”O njerëz,erdhi
pranvera.”
Pranvera erdhi, por në zemrat e
njerëzve s’kishte gëzim. Ishte pranvera e parë e robërisë.
Në Rizon mbrriti një dërgatë e
“Miqve”.Roma dërgonte ftesë që ambasadorët e Mbretërisë Ilire të shkonin për
bisedime atje për të arritur paqen.
Teuta u mendua gjatë para se të përgjigjej.
-Kjo nuk
do të jetë paqe, por nënshkrimi i robërisë dhe njohjes së Romës si zonjë të
Ilirisë.E si mund të pranohet një paqe e tillë me armikun ulur brenda vatrës së
shtëpisë?-pyeti ajo.
-Një
paqe, sido qoftë, është më e mirë se një luftë pafund, e pabarabartë dhe e
pashpresë. Paqja do të na japë kohë të mendojmë dhe të gjejmë mundësi e mënyra
sesi të shpëtojmë vendin dhe ta shporrim armikun andej nga ka ardhur.
Teuta
pranoi. Zgjidhje tjetër nuk kishte.
Ambasadorët
e bisedimeve për paqe do të ishin: Skerdilaidi nga froni mbretëror, admiral
Orgesi nga flota dhe ushtria dhe bujari Plarent si përfaqësues i fisnikërisë.
Nisja do të bëhej sa më shpejt nga Dyrrahu me një anije romake.
5
Për
bisedime me dërgatën ilire, senati ngarkoi konsullin Centumalo që ishte edhe njeri
nga fituesit e luftës. Ai i vonoi bisedimet se gjoja ishte i zënë me punë të
tjera që nuk prisnin. Ndërkohë, një shoqërues i senatit, për dy-tre ditë i shëtiti
ata nëpër Romë . U foli për lashtësinë e qytetit të ndërtuar mbi shtatë kodra.
Roma në atë kohë ishte qytet i madh perandorak, me afro një milion banorë. Me
rrugë të gjera të kalldrëmta ku s’kishin të rreshtur karrocat, që zhurmonin me trokëllimin shurdhues të rrotave
. I shpunë të shihnin parkun e ujësjellsit gjigand, që ata e quanin”Aquaduk”i
shëtitën në brigjet e lumit Tevere, që përshkonte qytetin ,dy brigjet lidheshin
me ura guri me harqe. Në kodrën e Palatinit të mbushur me pallate të bukura, rrëzë
tij, në një fushëtirë ishte forumi madhështor me ballinën plot shtylla mermeri,
ku mbante mbledhjet senati. Pranë tij gjendeshin tempujt e Besëlidhjes(concordia)
dhe të Saturnit e Dioskurëve me
arkitekturë madhështore, ballinat zbukuruar me gdhendje në mermer dhe kolonada
graniti e mermeri. Më tej ishte tregu i
madh i qytetit që gëlonte nga njerzit dhe zhurmonte nga thirrjet e tregtarëve që
ftonin blerësit për mallrat e tyre.
Në mbrëmje, të lodhur, u kthyen në
bujtinë.
-A e dini pse po na e punojnë këtë
rreng dinak? Që ne të bindemi për madhështinë dhe fuqinë e Romës, që Iliria të
na duket e vogël, e prapambetur dhe e pazhvilluar. Të lodhemi, të mërzitemi dhe
të pranojmë pa kundërshtim kërkesat e tyre. Mbajeni parasysh, bisedimet ata do ti fusin në
atë hulli sikur zaptimi i vendit tonë është një ndihmë që na jep Roma për të na
qytetruar! - U tha shokëve bujari Plarent.
Ditën e katërt erdhi në bujtinë
ftuesi i senatit dhe u tha se zotrinjtë e lartë ambasadorë i priste Konsulli i
ndritur Centumalo dhe senatorë të tjerë. Bisedimet u bënë në një nga mjediset e
forumit. Konsulli dhe senatorët shoqërues
ishin veshur thjesht,me rrobe të bardha, me sandale dhe për zbukurim kishin
unaza dhe gjerdanë të artë me shqiponjën romake.
Konsulli Centumalo,i pyeti nëse u
kishte pëlqyer Roma, pastaj u tha se aty banonin aq banorë sa kishte popullatë
Iliria. Pastaj ai nisi një bisedë me përshtypjet nga lufta në Iliri. Admiral
Orgesit i tha se anija “Liburne” ishte një mrekulli inxhinierike dhe zonjë e
detit, e shpejtë, e manovrueshme dhe e aftë për të dhënë goditje. Atë do ta
prodhonin në puntoritë e tyre dhe do ta bënin pjesë të flotës luftarake. Ai e përgëzoi
Skerdilaidin për zotësinë dhe aftësinë luftarake të ushtrisë së tij në betejën
e Skodrës, por u la të kuptonin se ata kishin bërë shumë gabime, që edhe pa to,
Roma do ta kishte fituar atë luftë.
Ilirët prisnin që ai të hynte në
thelbin e bisedës, kushtet për arritjen e paqes, por konsulli nuk ngutej. Ai
foli për forumin, senatin, ligjet e romës dhe vlerat e qytetarisë romake. Kur vërejti
që ambasadorët po e humbnin durimin dhe po shfaqnin shenja mërzie, ai hyri në qëllimin
e takimit.
-Armët romane triumfuan mbi atyo
ilire. Ne e fituam këtë luftë. Ka ardhur koha që asaj ti jepet fund, ne të
marrim frytet dhe ju të pranoni pasojat.
-Konsull, arritët një fitore me
tradhëti!
-Zotëri, në luftë, qëllimi përligj
çdo mjet. Kalimi i gjeneral Farit në anën tonë, e bëri më pak të përgjakshme këtë
luftë dhe me më pak humbje. Kjo u shërben të dy palëve. Apo jo?- pyeti senstorët
që s’bzanin. Ata miratuan me një përkulje të kokës.
Për një çast ra heshtja. Pastaj
konsulli vijoi:
-Paqja që po ju parashtroj, ka për
bazë arritjet e deritanishme të luftës që u bë. Ne vendosim garnizone dhe vemë
nën mbrojtje fiset e atintanëve, taulantëve,
e penestëve, që e pranuan me dëshirë kujdestarinë tonë. Mbajmë të pushtuar
Orikumin, Aulonën, Apolloninë, Dyrrahun dhe Lisin. Pjesa veriore e Ilirisë
Dalmate, ujdhesa e Farit, Isës dhe anëdeti deri në qytetin e Narbones, pranë
gjirit të Rizonit i jepet në sundim Dhimitër Farit. Por Roma është fisnike. Nuk
e zbëjmë Ilirinë. E njohim për trashëgimtar Mbretin Pin dhe i lemë në shtetin e
vet tokat në veri të Lisit, qytetet e Skodrës, Olçinit, Buduas deri në veri të
gjirit të Rizonit, përfshi edhe qytetin me të njejtin emër. Mbretëria e mbetur
ilire nuk duhet të ketë asnjë të drejtë dhe nuk mund të ndërrmarë asnjë veprim
kundër qyteteve të Apolonisë, Dyrrahut dhe Lisit. Kjo mbretëri do të jetë
tributare dhe do të paguajë njëqibd talente ari në vit. Nuk do të ketë të drejtë
gjithashtu që të lundrojë me më shumë se dy anije në jug të lisit, por edhe këto
të paarmatosura. Kuptohet, mbretëresha Teuta duhet të dorëhiqet nga froni i
mbretërisë. Pres të dëgjoj përgjigjet tuaja.
Ambasadorëve të ilirisë u ikën
fjalët,u dukej sikur mbi krye u kishte rënë tavani i senatit. Ndjeheshin të zemëruar
e të turpëruar. Ishte një paqe turpi, ashtu siç i kishte paralajmëruar Teuta.
-Kushtet e vëna nuk pranohen.
Kjo nuk është paqe por turp dhe nënshtrim! Iliria kthehet në një feud romak-
tha jo pa zemërim Skerdilaidi. Ju duhet ti largoni trupat nga Iliria. Nuk jemi
kundra që të lini garnizone në disa qytete të anëdetit nga veriu në jugë të vendit.
Atëhere konsulli përmendi atë
të thënën e famshme të Aurelianit se “Fitimtarët kanë gjithmonë të drejtë, se
bota është e burrave dhe drejtësia në majë të shpatës”. Roma nuk e kishte në
praktikën e saj të lëshonte ato toka, që i kishte pushtuar me forcën e armëve e
që për to ishte derdhur gjak.
-Si ta gjykoni, princ e
gjeneral. Mund të mos pranoni. Jemi në pragvere, legjionet i kemi gati, galetë
në Brundisium, nuk ja përtojmë të bëjmë sërish një shëtitje nëpër Iliri, por këtë
herë do të humbisni gjithëçka. Nuk do të jemi kaq bujarë sa këtë herë.
-Kësaj nuk I dihet. Nuk është e
hijshme për një konsull të kërcënojë në shtëpi të tij miqtë e ftuar- ndërhyri
Plarenti.
-Këtu biseda jonë mbyllet.
Sekretarët do të sjellin pergamenat me kushtet e paqes. Nuk mbetet veç ti nënshkruani
dhe të shkoni në vendin tuaj. Lundroni pa frikë e të sigurtë se Roma nuk I vret
ambasadorët,-vërejti ai me cinizëm, duke pasur parasysh rastin e ambasadorit
Gai.
Me hir apo me pahir, me duart që u dridheshin, ata e nënshkruan
marveshjen e paqes. Pa vonesë, u nisën për në brigjet e Ilirisë.
* * *
Në Rizon,
njeri pas tjetrit e nga rrugë të ndryshme, arritën pjestarët e pleqësisë dhe
miqtë e mbretit, që i kish thirrur Teuta. Takimi u bë në sallën e mozaikëve
.Zotronte një heshtje e rëndë si të ndodheshin para një gjëme dhe ajo që do të
dëgjonin ishte vërtet një gjëmë. Të gjithë ndiheshin fajtorë. Nuk kishin mundur
t’i delnin për zot vendit dhe popullit të tyre. Për Ilirinë kishin pllakosur
ditët e zeza të robërisë. Pritej të vinte Teuta. Dhe ajo hyri në sallë, me çape
të ngadaltë, me tipare të ngurtësuara, por me atë pamjen krenare që si shqitej
asnjëherë dhe që i jepte madhështi dhe detyronte respekt e nderim. Ishte veshur
me kujdes e sqimë, dhe në krye kishte vënë kurorën mbretërore thurur me ar e
gurë të çëmuar, simbol i sundimit dhe mbretërimit. Përshëndeti miqtë që u ngritën
në këmbë në shenjë nderimi dhe i uruan shëndet e të mira. Ajo u ul në fron, në
krye të vendit dhe u tha:
-Të
nderuar e të respektuar bujarë e fisnikë. Këta gjashtë muaj kanë ndodhur ato
ngjarje që ju i kini jetuar dhe i dini. Si dënim nga zotat, apo nga paaftësia dhe pazotësia ime dhe e juaj,
Iliria u pushtua nga Roma. Ne e humbëm luftën. Por, kjo nuk duhet të na dëshpërojë
dhe ligështojë. Edhe qëmoti , të huaj kanë ardhur dhe ikur, Iliria sërish është
mëkëmbur. Roma e fitoi këtë betejë, por lufta do të jetë e gjatë. Nën hirin e
zjarrit të kësaj lufte që po shuhet gjendet prushi i shpirtit liridashës, që do
të ndezë zemrat e burrave për ta shporrur të huajin nga trojet e Ilirisë. Roma
bëri kërkesë që të arrihet paqja, për ti dhënë fund kësaj lufte. E pranuam këtë
kërkesë, sepse vendi është i lodhur, i shkatërruar dhe me burime të shterrura. I
duhet paqja që të mëkëmbet dhe marrë veten. Dërgova në Romë ambasadorët me fuqi
të plotë vendimmarrëse. Ata e nënshkruan paqen. Bujari Plarent do tu vërë në
dijeni për kushtet e saj.
Plarenti,
pa u ngutur, qetësisht, shkoqiti një për një kushtet e paqes. Në përfundim ai u
tha:
-Mbretëria ilire pushon së qeni. Roma njeh Mbretërinë Ardiane dhe Pinin si mbret të saj. Kufiri i kësaj
mbretërie në jug është vija e drejtë nga Lisi në anëdet, në veri Gjiri i
Rizonit dhe lumi Naretva. Mbretëria Ardiane duhet të heqë dorë nga çdo e drejtë
apo lakmi ndaj trojeve të tjera të Ilirisë. Në jugë të Lisit nuk duhet të
lundrojnë më shumë se dy anije tonat, por edhe këto të paarmatosura. Mbretëria është
tributare e Romës dhe do të paguajë njëqind talente ari në vit. –Tha këto dhe
heshti. Fjalët e tij të fundit ishin si kapaku që mbyll një arkmort.
Pllakosi një heshtje e rëndë mbytëse,
që të merrte frymën. Heshtjen e prishi Teuta.
-Miqtë e mi. Bashkë luftuam, u përpoqëm
dhe bëm gjithsa mundëm për të ngritur dhe fuqizuar Mbretërinë Ilire si shtëpi të
përbashkët të gjithë fiseve të një gjaku e të një gjuhe, që ishte ëndrra dhe
amaneti I mbretërve Pleurat dhe Agron. Nuk e arritëm. Breza të tjerë me siguri
do ta arrijnë. Gjithsesi, u falnderoj për gjithsa keni bërë dhe këshillat e
urta që më keni dhënë.
Pas kësaj ligjërate,Teuta hoqi
nga kryet kurorën mbretërore dhe e uli mbi tryezë.
-Që nga ky çast unë heq dorë nga
froni dhe nuk jam më Mbretëreshë e Ilirisë. Unë nuk kam lindur mbi fron. Fati e
deshi të isha gruaja e mbretit Agron. Mbi fron ka lindur Pini, që është biri,
gjaku i Agronit. Mbretëria i takon atij. Kujdesuni ti vini një mëkëmbës të
drejtë, të mençur dhe dalëzotës.
Me këtë veprim,tubimi u mbyll.
Për
mbrojtjen e jetës së Teutës, këshilli mori vendim që garda me njëqind ushtarë, të
mbetej me mbretëreshën e dorëhequr, në shërbim për gjithë jetën. Pagesa për
mbajtjen e saj do të bëhej nga thesari i mbretërisë.
6
Gjatë
gjithë kohës së luftës,Triteuta bashkë me të birin Pinin, gjëndej e mbyllur dhe
e mbikqyrur me roje të fortë në pallatin –kullë të Dhimitër farit në ujdhesën
me të njejtin emër.
Kur mësoi
për tradhëtinë e tij, Triteuta pasi zbrazi mbi të gjith mllefin për ato veprimë
të turpshme e të paburrëri i tha se do të
ndahej prej tij dhe bashkë me djalin do të shkonte në Rizon të mblidhej me të
motrën.
Dhimitri, zot
i ujdhesave dhe anëdetit dalmat, thuajse mbret, i tha qetësisht por kërcënueshëm
se ajo me të birin vetëm e vdekur mund të dilnin nga ai pallat.Ta hiqte nga
mendja çfardo mundësi largimi, pastaj disi i zbutur i tha:
-Kur u
martuam,të premtova se do të bëj mbretëreshë të Ilirisë. Fjalën do ta mbaj.
Tashmë që Teuta, motra jote e dashur u dorëhoq nga froni, Pini është mbret i
Ardianëve. Deri sa të rritet për të mbretëruar unë do të jem mëkëmbësi i tij. Thuajse mbret dhe ti
mbretëreshë!
-Mbretëresha e një tradhëtari- turfulloi ajo.
Dhimitri, para se të shkonte për të qeverisur pjesën
e tij të mbretërisë së shkëputur, vuri në pallat roje të forta dhe dha porosi që
askush të mos hynte apo dilte. Pë
Tritetutën përgjigjeshin me kokë.
Triteuta
dhe Pini ishin të burgosurit dhe pengu për të arritur synimet e tij.
Një mëngjes rojet kapën një burrë të
panjohur, që ishte fshehur pas një kthine. Kur e pyetën kush ishte nga ishte
dhe pse kishte ardhur aty, ai vetëtimthi nxori posht këmishës së gjatë një thikë
dhe i sulmoi rojet, plagosi njerin prej tyre dhe u turr drejt portës, por nuk
arriti. Rojet e kapën dhe e lidhën. Nuk vonuan dhe vunë në dijeni gjeneralin. Ai dha porosi ta vinin nën torturë deri sa të rrëfente qëllimin
e tij. Ashtu bënë. Ai rrëfeu se ishte aty për të vrarë gjeneralin tradhëtar dhe
të hakmerrej për Ilirinë. Tjetër fjalë nuk tha. E torturuan deri sa u vdiqi në
duar.
Dhimitri e dinte se pas këtij vrasësi
ishte dora e Teutës. Sa të ishte gjallë ajo grua nuk do të hiqte dorë që ti
merrte jetën. Ishte pengesa e vetme në rrugën e tij drejt fronit të mbretërisë.
Mëndja e tij dinake shestoi mënyrën sesi duhet ta shmangte nga rruga e tij.
Ishte koha, bile ishte i vonuar.
Një javën e parë të majit, ndaj të gdhirë, u sulmua
befasisht garnizoni romak i qytetit të Narbones, që gjendej pak më në veri të
gjirit të Rizonit. Ushtarët të zënë në gjumë e në befasi u vranë që të gjithë. Askush
nuk shpëtoj. Sulmuesit i përpiu nata dhe kurkush nuk e dinte kush ishin, nga
erdhën dhe ku shkuan.
Dhimitrin e thirrën në Dyrrah
për të dhënë spjegime. Ai e kishte të gatshme përgjigjen:
-Konsulli im. Prapa këtij sulmi
të beftë e të përgjakshëm të kryer me burracakëri, fshihet dora e Teutës
hakmarrëse. Me natyrën e saj krenare, ajo nuk mund të pajtohet me humbjen e
luftës dhe të fronit. Sa të jetë e gjallë ajo, nuk do të ketë qetësi as Iliria
as Roma.
Pasi iku Dhimitri,konsulli
thirri komandantin e një manipule dhe dha urdhër:
-Teuta të kapet, të vihet në
hekura dhe të dërgohet në Romë. Aty le të vendosin etërit senatorë se ç’do të bëjnë
me atë grua.
* *
*
Brikena ishte në ditët e fundit të shtatzënisë. Befas ajo ndjeu të prera
dhe dhimbje të forta dhe i plasën ujrat.
I erdhën në ndihmë dhe e shtrinë në shtratin e dhomës së gjumit. Ujë në djersë
ajo jepte e merrte, aq sa nga dhimbja që të mos bërtiste kafshonte duart. Lajmëruan
Enon. Ai vrapoi dhe i tronditur qëndroi në sallon. I këpusnin shpirtin rënkimet
dhe ofshamat e Brikenës. E tillë ishte ardhja e njeriut në jetë, me dhimbje,
gjak e lot.
Ishte në këtë kohë që një nga
rojet erdhi duke vrapuar e dihatur:
-Romakët ,- I tha ai,- po na mësyjnë
nga deti dhe nga toka.
Eno e harroi Brikenën, vrapoi në oborr dhe dha
urdhër që garda të rreshtohej. Ishin dy gale romake trirremshe që po vinin
drejt molit, njëhershe me to, nga udha rrëzë malit, buzë detit po vinte një
manipul me këmbësorë të rëndë, të veshur në hekur e të armatosur gjer në dhëmbë.
Dukej që synonin portën veriore të murit rrethues të pallatit.Ç’kërkonin
romakët në Rizon?pas nëshkrimit të paqes.Rizoni ishte pjesë e mbretërisë
Ardiane. Kuptohej se ata s’vinin për mirë. Dërgoi një ushtar që të lajmëronte edhe mbretëreshën. Ushtarët I ndau
më dysh, njeri për të pritur romakët në mol dhe tjetri në rrugën para portës së
pallatit.
Galetë u afruan duke manevruar
me kujdes, hodhën mbi murin e bregut urat, zbritën në tokë dhe u rreshtuan
sakaq.
Enua u doli para.
-Kemi urdhër nga kosulli Albino,
të arrestojmë dhe ta marrim me vete Teutën,- I tha prijsi i manipulës dhe nxori
një rrotull pergamene me urdhërin e konsullit.
-Te mbretëresha,mund të kaloni
vetëm mbi trupat tanë të pajetë, qe përgjigja e Enos dhe ai vrik nxori nga
milli shpatën.
Nisi një përleshje e egër.
Legjionarët u turrën përpara me ushtat gati për goditje. Gardistët u mbrojtën
me mburoja dhe flakën turrshëm ushtat e tyre, disa romakë u goditën dhe u dëgjuan
klithmat e dhimbjes. Enua trim e i vendosur, tendosi çdo muskul, çdo nerv në
dyluftimin me romakun, jepte dhe priste goditjet dhe do ta kishte vrarë por
atij i erdhën në ndihmë shokët.Legjionarët më të shumtë në numur, ecnin përpara
me hap të ngadaltë duke dhënë goditje, gardistët tërhiqeshin duke u mbrojtur.
Pranë murit të kështjellës ata u gjendën të rrethuar, formuan një rreth duke mbështetur
njeri-tjetrin, por romakët shmangën ndeshjet trup me trup dhe nisën të gjuanin
me shtiza dhe shigjeta. Gardistët nisën të bien një e nga një, por edhe nga
romakët të shumtë ishin të rënët. Krenaria dhe ashpërsia fodulle romake ndeshej
me trimërinë dhe besnikërinë ilire. Enua u gjend i rrethuar.
Nga brenda pallatit u dëgjuan
piskamat e një fëmije. Enua u drodh
dhe u mallëngjye. Brikena kishte lindur. Ndoshta ishte djalë, djali i tij
kishte ardhur në jetë. Jo, kjo nuk ishte kohë për të vdekur, duhet të jetonte që
të rriste djalin e tij. Por për të shpëtuar jetën e foshnjës, ai duhet të jepte
të vetën. Prapa shpine ishte muri, përpara tre romakë që donin ta zinin të
gjallë. Ishin të veshur me hekur.Enua ia nguli sytë të parit të tyre. Zbuluar
kishte vetëm grykën. Me shpejtësi rrufeje nxori nga brezi thikën dhe ja nguli
romakut në fyt deri në dorezë, gjaku i tij i spërkati fytyrën, por edhe atë e
goditën. Fuqitë iu prenë, tejzat e gjunjëve ju shkrehën, sytë ju terratisën,
trupi iu hepua dhe nisi të binte ngadalë. Në sy i mbeti kaltërsia e qiellit, drita,
blerimi i faqes së malit për karshi dhe në
dëgjim jehona e zërit të fëmijës
së sapo ardhur në jetë. Ai e ndjeu veten çuditërisht të lehtë dhe u fundos ngadalë në një hon të thellë të përshkwnditur nga drita.
Teuta kur
dëgjoi piskamat e foshnjës, që erdhi në jetë,shkoi te lehona. Brikena e
kapitur, në shtratine lehonisë, pa e ditur se çfarë po ndodhte përjashta i buzëqeshi.
Teuta e puthi në ballë. Foshnja ishte vajzë. Teuta hoqi nga gishti unazën e artë,
me diamante e rubinë dhe figurën e saj në relief, i mori dorën Brikenës dhe ia
vuri unazën.
-Kije
kujtim prej meje. Kam një dëshirë të fundit: vajzës veri emrin tim, quaje Teuta. Lamtumirë zonjat e
mija, lamtumirë Iliria ime-tha me ngashërim dhe u largua nxitimthi.
Në portën e pallatit dëgjoheshin goditje të forta. Romakët po e shkallmonin që
të hynin brenda.Më në fund porta ra dhe sulmuesit hynë brenda pa ndonjë qëndresë.
Kërkuan nga të gjitha anët ,dhomë më dhomë, skutë më skutë por Teutën nuk e hasën
askund. Pyetën shërbenjëset dhe zonjat e shoqërimit, ato thanë se nuk e panë
nga shkoi. Në pjesën e prasme të pallatit, në fund të një korridori të gjatë
ishte një derë e vogël. Ushtari romak e shtyu dhe doli jashtë. Pa një grua që
po i ngjitej me shkathtësi shkembit të thiktë, që ishte prapa pallatit. Ja behën
dhe të tjerët. Ai ngriti harkun që ta godiste, por oficeri e ndali.
-Jo. Mos e shkreh harkun. E duam të gjallë. Nuk ka ku të shkojë.
Ata nisën
të kacavireshin me zor nëpër shkëmb,
rrëshqisnin nga myshku i lagët, por Teuta u humbi nga sytë. Në gjysmën e lartësisë,
shkëmbi kishte një rrafsh, që nuk dukej
nga poshtë. Kur arritën aty panë që ajo, kishte sosur në pjesën e sipërme. Veshur me
xhubletën e bardhë, dukej sikur mbi shkëmb kishte mbirë një lule madhështore
zambaku. Flokët e shpleksura ja valëviste era, me krahët e hapur, dukej si një
gjeraqinë që do të merrte fluturimin drejt hapsirave qiellore. Me zor dhe duke
u kacavjerrur ,më në fund legjionarët arritën aty, por Teuta nuk ishte. Të
habitur ata panë njeri-tjetrin. Nën shkëmb ishte një hon dhe më posht në një
grykë të thellë rridhte një prrua i zhurmshëm ujëplotë e i rrëmbyer. Zbritën me
litarë,por trupi i saj s’ishte askund, pastaj shkuan në grykderdhjen në det,por
edhe atje nuk e gjetën trupin. Ishte si ta kishte përpirë dheu. Ata hoqën dorë
nga kërkimi.
Kur u
kthyen në oborr dhe po mblidhnin të vrarët
e të plagosurit, ata pyetën kopshtarin plak të pallatit:
-Ku shkoi mbretëresha?
Ai nuk foli,por ngriti gishtin tregues nga
qielli.
Epilog
Këtu i erdhi fundi rrëfimit për
mbretëreshën e ilirisë,Teutën, që mbretëroi vetëm tre vite. Pas dorëheqjes ,
historia hesht, nuk dihet më tej jeta dhe
fati i saj, por vendin e historisë e ze kujtesa e popullit me legjendat dhe
gojdhanat që s’janë të pakta. Në to është bazuar edhe fundi i këtij libri.
Teuta ndriti si një yll, ishte
një grua e shquar, që flaku tej mendësitë nënçmuese të kohës për gruan. Krenare
e bukur, e mençur, me karakter të fortë,
trime, guximtare, shtetare e zonja, e aftë për të marrë vendime dhe për të
luftaur e vënë në jetë. Luftoi për një ëndërr: Bashkimin e trojeve ilire në një
shtet dhe ilirëve nën një çati të përbashkët dhe thuajse qe duke e arritur.
Ishte si një fatalitet historik,që Roma fuqia më e madhe e kohës, ju drejtua lindjes dhe së pari Ilirisë.
Pushtimi romak,nuk e mposhti
frymën liridashëse dhe shpirtin kryengritës të ilirëve. U deshën tre luftra, të
njohura si luftrat Iliro-Romake, të shtrira në një hapsirë kohore gjashtëdhjet vjeçare.Nëvitin 167 para erës së
re, pasi mundi mbretin Gent, më në fund Roma nënshtroi Ilirinë dhe Konsulli
Paul Emili shkatrroi, rrënoi, grabiti, plaçkiti dhe dogji mbi shtatëdhjet
qytete të Ilirisë, e plugoi tokën e tyre dhe hodhi kripë që të mos mbinte as
bar. Por edhe pas kësaj vijuan kryengritjet dhe përpjekjet për liri, le të
kujtojmë ato të Batos. As një herë nuk rreshtën, ato u përcollën brez pas brezi
deri në arritjen e pavarsisë së shqipërisë së cunguar më 1912.
Edhe pas njëzet e tre
qindvjeçarëve, ëndrra e Teutës, është pjesë e mendimit dhe aspiratave të
shqiptarëve për tu bashkuar në një shtet. Ja pse Teuta ka mbetur në kujtesën
historike të iliro-arbëroro-shqiptarëve dhe është për ta burim krenarie si edhe
mbretërit parardhës e pasardhës: Glauku, Pirrua, Bardhyli, Pleurati, Agroni,
Genti, që janë shquar për bëmat e tyre. Ata janë pjesë e krenarisë sonë
kombëtare, ngaqë në trojet ku ata mbretëruan janë rrënjët tona historike e
gjenetike. Emri i saj, Teuta apo motërzimi
Tefta është i dashur dhe i pëlqyer te shqiptarët. Prindërit e zgjedhin atë për
të quajtur vajzat e tyre. Me emrin e Teutës ka klube sportive, shoqata
kulturore brenda vendit, në trojet ku jetojnë shqiptarët dhe në mërgatë. Me emrin e saj jepen çmime. Artistët
e kanë bërë atë objekt të veprave të tyre në skulpturë e pikturë, shtatorja e
saj është vënë në monedha.
Shpresoj që edhe ky libër, të shërbejë
për përjetësimin dhe njohjen e veprës dhe jetës së saj, që është pjesë e
historisë sonë.
Fund
Mars-shtator 2013.