e premte, tetor 28, 2011

VIZITË MBRESËLËNËSE, NË BABRRU TË KRYEQYTETIT



(…dhe një takim me valltaren popullore brilante, Xhevahire Gashi )
Nga: Murat Gecaj
Publicist – Tiranë
1.
Këto ditë të fund-tetorit 2011 po mbajnë të bukura, janë të ngrohta e me diell, si të ishte pranverë. Prandaj ta ka ëda të shetisësh, sidomos në anët e kryeqytetit Tiranë, si në Parkun e Madh, në zonën e Kombinatit, deri afër Malit të Dajtit e tjerë. Por sot, unë e bashkëshortja Katerina zgjodhëm një drejtim tjetër, pra shkuam në zonën e Babrrusë. Pasi udhëtuam  me dy autobusë, u ndalëm në afërsi të shkollës 9-vjeçare “Bajram Curri”. Ishte ora, kur nxënësit ndodhesin të gjithë në mësim dhe unë bëra një foto të ndërtesës nga jashtë.

Takim i përzemërt…Nga e majta: Xhevahirja e Katerina
Pastaj gjetëm në udhë, që na priste bashkëkrahinasja jonë, Xhevahire Gashi, bijë e “Mësuesit të Popullit” Elez Gashi. Me atë na lidhin shumë vite të jetës, por në mendjen tonë ajo është e “ngulitur” valltarja brilante popullore ose “flutura e Tropojës”, nderuar në shumë festivale e veprimtari kombëtare dhe pjesëmarrëse që në moshë të re, në Festivalin Ndërkombëtar të Moskës. Megjithëse është jo mirë nga gjendja shëndetësore, ajo gjen forca për të qenë kurdoherë buzagase e dashamirëse me të afrëm e të njohur të shumtë. Prandaj dhe, me raste, bën vizita tek ata. Kështu, një vizitë të tillë kishim planifikuar sot te bashkëkrahinasi ynë, nga Shipshani i Tropojës,  Sheh Arif Hoti.
Që të shkonim në vendin e parashikuar, hipëm në një autobus qytetës, i cili e qarkon zonën e Babrrusë dhe pastaj zbret në qendër të kryeqytetit. Tashmë, ajo anë e Tiranës sonë është populluar, sidomos nga banorë të rretheve veriorë, të ardhur këtu pas  vitit 1990. Ata kanë ngritur shtëpi të bukura e dikush vila, për rreth të cilave sheh dhe mjaft pemë frutore, baçe me lule të llojeve të ndryshme. Shumë prej atyre banorëve kanë hapur veprimtari private dhe shërbejnë në dyqane ushqimore, me zarzavate ose veshje etj. Për t’ua plotësuar nevojat e shkollimit të fëmijëve, në qendër është ngritur një shkollë 9-vjeçare, ende pa ndonjë emër të veçantë. Atë pata mundësi ta fotografoja, kur nxënësit ishin në orën e pushimit dhe nga hapësira e shtrirjes së saj dukej se kishte klasa të bollshme dhe aty mësonin shumë nxënës.

Shkolla 9-vjeçare, në qendër të Babrrusë-Tiranë
Sapo arritëm në vendin e punës së Arif Hotit, ai na priti me ngrohtësi e dashamirësi. Pas përshëndetjeve të rastit, bëmë biseda për krahinën  tonë të bukur, Malësi e Gjakovës (Tropojë), përmendëm të njohur të përbashkët  e tjerë. Ndërkaq, me një shënim dashamirës, ai më dhuroi një libër të tij me vjersha e me përmbajtje fetare, mundësuar nga tropojani Kristal Hykaj. Por, gjithashtu, edhe unë i dhashë librin tim të ri, “Rrahin zemrat arbërore” (Tiranë, 2011). Pasi shkëmbyem kartvizitat, u ndamë me përzemërsi dhe i premtova  Arifit se fotot, që bëmë bashkë, do t’i stampoja dhe do t’ia dërgoja së shpejti.
2.
Por unë e bashkëshortja ime nuk mund të udhëtonim për në qendër të kryeqytetit, ku banojmë, pa i bërë një vizitë në shtëpi mikes e koleges sonë të mirë, Xhevahire Gashi. Kështu, në këthimin përsëri me autobus, në afërsi të shkollës “B.Curri”, u ndalëm te banesa e saj me qera. Me ne, u përball i pari djali Albani, i cili do të shkonte të merrte ilaçe për të jemën. Ndërsa për ne janë të njohur, që në vegjëli edhe fëmijët e tjerë, Kozeta e Ana, Taulanti (ky emigrant) dhe Bardhyli e Fatmiri, këta dy të fundit edhe valltarë popullorë.
Pasi kaluam përmes një oborri me pemë dhe nëpër shkallët, në të dyja anët plot me vazo lulesh shumëngjyrëshe, para na doli bashkëshorti i Xhevit, Gani Vidrica. Sakaq, m’u kujtua fëmijëria jonë në  fshatin Bujan, ku kishim bërë bashkë shkollën fillore, por dhe pak vite në qytetin “B.Curri”, kur ai shërbente në ndërmarrjen e ndërtimit. Brenda kësaj shtëpie mikpritëse, me njerëz të qeshur e dashamirë, pimë kafe e bëmë biseda të ndryshme. Ne folëm edhe për librat e lexuar dhe për shahun, që Ganiu e ka pasion që në rininë e tij.
Aty na tërhoqi vëmendjen edhe një pasion shumëvjeçar i Xhevahires, punimet artistike të veshtjeve popullore të krahinës. Bile, një veshje të tillë mjaft të bukur, të një vogëlusheje malësore, e pamë edhe në vendin e punës së Arifit, që ajo ia kishte dhuruar me kënaqësi.



Punim artistik i Xhevahire Gashit
Pas kësaj vizite e takimi të ngrohtë me Xhevahiren dhe të shoqin, Ganiun, ne erdhëm në shtëpinë tonë, në Rrugën “Karl Gega”. Ndërkaq, sollëm ndërmend edhe sa e sa bashëkrahinas të tjerë, me të cilët kemi mbajtur lidhje e kemi dëshirë të pijmë një kafe. Ndër ta, janë dhe motrat e Xhevit: Nora, Valentina, Zhaneta e Lili, kjo emigrante në Kanada. Por, padyshim, takimi sot me valltaren e papërsëritshme popullore Xhevahire Gashi dhe familjarë të saj, zuri një vend  të veçantë në kujtesën tonë.
Tiranë, 28 tetor 2011