e mërkurë, shtator 21, 2011

Romani “Grykës” i Terziut, vlerë në kolanën e letërsisë shqipe


Vilhelme Vranari Haxhiraj
Lakuriqësia e kohëtranzicionit në romanin “Grykës” të Fatmir Terziut.

Fatmir Terziu, ky shkrimtar bashkohor, ky shqiptar i mirë dhe i palodhur, ka dhënë vlera të mëdha në disa fusha; si në gazetari e publicistikë, në kritikë letrare, në kinematografi, si dhe në krijimtari letrare. Në fushën e letrave autori ka dhënë sprova të suksesshme në poezi dhe në prozën e shkurtër (tregim dhe novelë). Me një aktivitet tejet të ngjeshur, mjaft të pasur , tejet koherent dhe shumë cilësor brenda një dhjetëvjeçari, ai sot ballafaqohet me artin modern botëror dhe pranon sfidën në të gjitha sferat ku ai lëvron. Është fitues i disa çmimeve në letërsi si çmimi “Kadmus”- Greqi; “Pena e artë” Kosovë; “Mirënjohje e Bashkisë Sarandë” etj ...
   Para dy muajsh Terziu ishte fitues i një konkursi ndërkombëtar në kinematografi, i vlerësuar me  çmim, nga tri juri ndërkombëtare (Kanada, Australi dhe Zelanada e Re). I lidhur si mishi  me kockën me vendlindjen, Elbasanin, atë e shqetëson fati i bashkëqytetarëve të tij, që është nën  kërcënimin vdekjeprurës të metalurgjikut. Kjo ishte tema tronditëse që e renditi atë në vendin e parë.
     Fatmiri duke qenë kërkues ndaj gjithçkaje të mundshme, të arritshme që ia lejojnë shqisat, intelekti dhe mundësitë fiziko-mendore, nuk ndalet dhe provon të bëjë diçka të re, por më të vështirë, më të sofistikuar e cila kërkon vullnet, punë dhe kohë. Së fundmi ia arrin qëllimit dhe krijimtaria e tij letrare, jo vetëm u pasurua nga pikpamja sasijore por edhe nga ana cilësore. Tashmë, qysh nga fundi i vitit 2010 ai i ka dhuruar lexuesit romanin e tij të parë me titull “Grykës”. Për fat ky libër më ra në dorë para një muaji. E lexova me një frymë dhe e rilexova për ta shijuar si duhet.
   Sa e dëgjon titullin e romanit” Grykës”, para teje shpaloset një botë e huaj, që nuk të ngjitet për shtat, sepse është e  pangopur dhe gjithë ligësi për koshiencën e çdo njeriu me norma. Dhe menjëherë i virtytshmi pyet ndërgjegjen: “Më thuaj Zot, këto ndodhin në Shqipëri?!” Fatmir Terziu, si çdo shqiptar, larg vendlidndjes kërkon të bëj sa mundet për atdheun. Jo më kotë gjithë ata shqiptarë që jetojnë e punojnë në emigracion për të evidentuar historinë dhe kultiurën shqiptare i kam quajtur ambasadorë të paemëruar të Shqipërisë.
Dashurinë, mallin për Atdheun, dhimbjen për problemet sociale, keqardhjen për tjetërsimin e njeriut, ankthi për mungesën e qytetarisë, të cilat shqetësojnë çdo njeri që e do vendin e tij, Fatmir Terziu i ka shprehur më  së miri në romanin “Grykës”.
    Në kontrast me titullin është ballina e parë e librit, ku adhuruesi i letërsisë e vëren me kujdes...mes perëndimit të purpurtë në të bronztë që iku dhe agut të kristaltë mëngjesor që pritet të vijë, ku spikatin e kaltëra dhe ngjyra rozë e agimit, fle e qetë një femër. Edhe pse përjeton ëndrrat e saj rinore, ajo dhe gjithë qenia e saj e dëlirë, e pafajshme, si buzëqeshja e foshnjës,  paraqet rrezik për të qenë preh e  epshit shtazarak të grykësve, që gjithçka të mirë që shohin apo që ekziston diku në planet, duhet të bëhet pronë e tyre me çdo kusht.
      Pas dedikimit të autorit, familjes së tij, tek e cila gjen forcën dhe frymëzimin, që e pason  parathënia dinjitoze dhe profesionale e  Z. Kristaq Turtulli, të bije në sy një paragraf në kornizë, që për shkrimatrët të cilët në veprat e tyre kanë reflektuar ndaj problemeve sociale të dhimbshme që përjeton shoqëria shqiptare, e marrin me mend se në ato rreshta është sentenca e romanit. Po të doni pranojeni, po të doni, mos e pranoni, por kjo është e vërteta e hidhur. Lexojini këto rreshta të autorit dhe pastaj gjykoni! Janë këto fjalë të mençura që vijnë për lexuesin si një shkëndijë që do t’ju ndriçojë ndërgjegjen  dhe do t’ju rris kureshtjen për ta lexuar romanin pa hezitim.
      “Ata janë çdo gjë, ata janë zyra, ata janë ligji. Ju do të mbeteni vetëm viktima sociale, apo edhe
ato do ti vuani në forma të ndryshme. Pa punë. Pa familje. Me tytën e pistoletës tek koka. Sa vetë janë zhdukur gjatë kësaj kohe?! A nuk bëhen javë për javë emisione për të zhdukur? A thua se është kohë e mesjetës dhe nuk i gjendkan njerëzit? Një mace dhe një qen gjendet më shpejt,se sa një njeri.”- më thoni, çfarë nuk është e vërtetë këtu? E vërteta shtjellohet nga autori në të gjitha faqet e romanit, ku bëhet një analizë e thellë, filozofike, psiko-sociale e shoqërisë sonë në dy kohë: dje në diktaturë, e cila me varfërinë që mbolli, solli pasojën që ishte koha e dytë, ajo e ndryshimeve të mëdha politiko-sociale, por me një epsh, me një etje të paparë për t’u pasuruar sa hap embyll sytë, me urdhër të peshkut. Askush nuk pasurohet pa punuar. Pikërisht se si janë pasuruar një pjesë e mirë e pasardhësve të diktaturës, Fatmiri na e jep në tabaka të argjendtë mes romanit të tij psiko-social. Ai që e vërenë, e kupton. Kurse dikush që e vuan, reagon...
 
    Drama e romanit.

      Faktikisht në këtë libër nuk trajtohet një temë, por disa tema që kanë të bëjnë me Grykësinë, pangopjen. Grykësia i ngjan Lubisë së përrallave, që sa më shumë ha, aq më shumë i hapet oreksi. Dramat e librit zhvillohen në Shqipërinë e mesme, dhe kryesisht në zonat kufitare të të dy shteteve, Shqipëri-Maqedoni. Aty ndesh trafikun e paligjshëm, ku në një kazan ziejnë të huaj dhe vendas. Këta nisin nga njerëzit e thjeshtë dhe deri në sferat më të larta të shtetit, që komandohen nga një dorë e padukshme. Në qendër të romanit është korrupsioni, kjo plagë e përbotshme që po grryen shoqërinë në mbarë universin. Ky problem madhor që me të drejtë shqetëson autorin, del si rastësisht qysh në hyrje.
    Një grup vajzash të reja, që kanë përqafuar normat e kohës, me ëndrra për një jetë të re, më të begatë, por jetojnë me shqetësimin e ndodhive në qytetin e tyre. Ndaj kërkojnë të gjejnë të vërtetën. Dhe këtyre bisedimeve si të paqëllimshme ato duan t’i venë një emër dhe e quajnë “E Diela e Fjalës”. Ky emërtim ka të bëjë me lirinë si nocion dhe lirinë vetjake që individit shqiptar i ka munguar dhe ende i mungon. Edhe pse janë nga familje me një pozitë politiko- shoqërore, si Monda Huta (e bija e deputetit), Menda (gruaja e shefit të policisë) apo vajza e Prokurorit etje...ato i shqetëson zhdukja pa nam e nishan e disa femrave, ose vrasjet makabre në mes të qytetit. Terziu përmes narracionit, i cili të lë përshtypjen se vet ai është faktor i pandarë i gjithë rrjedhës së ndodhive që trajtohen në roman. Ai rrëfen thjeshtë, me shumë finesë, me një gjuhë të pasur me figura letrare dhe nënkuptime, me fjalë të reja me të cilat pasuron fjalorin e
gjuhës shqipe, që duket sikur e nxit lexuesin të kërkojë drejtësi për vete e për komunitetin. E bukura e magjishmja në këtë roman, qëndron te thjeshtësia e gjuhës, për të cilën thuhet:  Thellësia dhe vlera nuk mbështeten mbi lulet e metaforës, por në thjeshtësinë dhe madhështinë e mesazhit të destinuar për të arritur në adresë të lexuesit (Mihai Antonescu)”  
     Në kërkim të zgjidhjes së enigmave dhe dilemave, ai ka skalitur portrete, ku secilit i ka veshur kostumin e vet në përputhje me karakterin që ka. Çdo personazh ka fytyrën dhe vendin e vet në roman që karakterizohen nga ngjyrat e kohës. Mënyra e njohjes së tyre, përmes mjeshtërisë së penës së Fatmirit, e bënë lexuesin të adhurojë atë që është për të dashur dhe të urrejë atë që është negativ. Ngjarjet dhe personazhet nguliten në kujtesë për vendin që zënë, por do të veçoja Monda Hutën, Tritanin. Ndërsa shefi i policisë, Subi, të ngjall mëshirë për karakterin e tij pervers, tipik i njeriut mesjetar që e do gruan vetëm për seks dhe për t’i dhuruar një trashëgimtar. Është rast i rrallë që një autor mashkull të mbaj qëndrim kritik për një fenomen denigrues ndaj femrës, si Fatmir Terziu.
    Në faqet e romanit shikon femra që mund t’i krahasosh lehtësisht  me robotët, të cilat funksionin e tyre e kryejnë më së miri. Këto janë të një marke, me të njëjtën veshje, njëlloj si jeta e tyre parazite, madje e pakuptimtë.  
 Rrëfimi i Ulko Çopisë për vjedhjen e kaut dhe vënia  etij në provë, janë aq të goditura se tregon më së miri varfërinë dhe tjetrësimin e njeriut në diktaturë.
Ja si shprehet Terziu në lidhje me trashëgiminë e gjithë të këqijave  që nga  koha e diktaturës.
   “Kishte kohë që ky vend kishte ngecur në pengesa të shumta prej këtyre marifeteve që luante paraja, që luante fuqia e “Botës së Floririt”. Por shansi kishte trokitur në derë. Zoti e kishte dhënë dhuratën e tij. Dëshmia historike, fshihej tek ai thes i zi, tek ato eshtra…”

Koha në të cilën zhvillohen dramat
 
    Kurse tema trajtohet, përmes kohëtranzicionit të gjatë, ku e sotmja lidhet me të shkuarën e diktaturës komuniste. Tema është e gjerë dhe shtrihet si në kohë dhe në hapësirë. Terziu përmes personazheve enigmatik kërkon zanafillën e këtij korrupsioni, këtij deformimi psikik të njeriut. Për të zgjidhur ekuacionin me shumë të panjohura, ai kërkon fjalëkalimin, ose Kodin. Autori e shpreh mjaft mirë në paragrafin e mësipërm, ku mjaft qartë del se e vërteta historike, pazarllëqet që janë bërë nëpër tregjet e Ballkanit, është fshehur nën tokë. 
Herë-herë në roman duket sikur autori Terziu aludon me historinë tonë kombëtare, të cilën e kanë shkruar të huajt. Shpesh gjatë leximit të duket sikur pewrsonazhet bëjnë dy jetë: njëra në tranzicion dhe tjetra jeton ende në diktaturë. Edhe sot janë “Ata” që bëjnë “ligjin”. Fund e krye romani është i mbushur me plot enigma, me mjaft dilema që gjatë leximit të krijojnë një ankth frymëmarrës. 
   Personazhet duke zhbiruar në të shkuarën të njëri-tjetrit, lidhin fijet e së djeshmes me të sotmen. Mjeshtërisht autori tregon se pangopja, Grykësia bën që edhe më i besuari, sekretari i partisë t’i shkelë parimet, pasi kërkon mjetin për të arritur qëllimin. Përdor atë, më të dobtin që ka një njollë në biografi, duke i dj hënë një kockë e bën mashë për të kapur kokën e gjarpërit.
   Shtrirja në gjerësi problematike e temave është aq e larmishme, sa kujt mund t’i shkonte në mend, veç Terziut se bijtë dhe bijat shqiptare, të cilët morën rrugët e kurbetit, i lanë nënat mes katër mureve të shtëpisë dhe bisedojnë me letrat. Autori i ka shndërreuar ata në “njerëz letër”, sepse një letër as mallin e prindit e shuan dhe as i shërben atyre në atë moshë kur kanë nevojë për kujdesin e fëmijëve.    
    Në fund të fundit romani bënë fjalë për një kohë epidemie ku e gjithë shoqëria është e sëmurë. Bukur e ka krahasuar Terziu me sëmundjen e paralizës që nis nga këmbët dhe që ngjitet me shpejtësi drejt kokës. Ngjason me peshkun që për faj të peshkatarit qelbet nga koka. E keqja nis nga njerëzit e thjeshtë deri tek ata që drejtojnë shtetin, bëjnë politikat.  I tillë është i sëmuri nga babëzia edhe pse në karrocë me rrota, edhe pse me një këmb në varr, jep urdhëra, bën trafik të paligjshëm, vret njerëz që janë viktima të pangopjes së tij, transferon miliona në bankat e Zvicrës, prostituon edhe ai i vdekuri dhe i pakalluri,mes një luksi të jashtëzakonshëm, në vila luksoze inekzistente për syrin e kujtdo. Nga ferri ku jeton jep urdhëra dhe emëron presidentë dhe kryeministra.
   Me të drejtë autori duke vendosur në gojën e personazhit më simpatik, që vleeëson realitetin, shprehet: “Ah kjo grykësi, është pamje sa personale aq edhe zyrtare, apo jo?” – bëri sikur pyeti Monda...
   Dhe ti pasi ke mbaruar së lexuari pyet veten: “Kështu do të vazhdojmë, të zhytur në llomi dhe krim, në imoralitet dhe korrupsion? E meritojmë këtë pasiguri të sotmes dhe dilemën për të nesërmen? Edhe sa do të durojmë vallë?! Vetëm një Zot e di...”
   Urime Fatmir! Tema është sa e gjerë, po aq aktuale dhe e vështirë.