e premte, mars 13, 2009

NE FRONIN E POEZISE

Vaid HYZOTI


-SHENIM PREZANTUES PER DY VELLIME POETIKE-


Petraq Riston vetem para disa ditesh e solli se pari Fatmir Terziu pas nje studimi serioz te poezise se tij. Ky autor ka rreth tri dekada qe boton krijime serioze, duke “ngjallur besdi” tek klanet e ndryshme letrare, qe ne pamundesi “per te folur keq” e mbeshtollen me heshtje poezine e tij. Petraqi kembengules vazhdoi te sjelle krijime “me te renda’, derisa arriti tek vellimi “Loje shahu ne shekulli e XXI”. Dhe me indeferenti “u gjallerua” ne perballjen me nivelin poetik, me kete poet , qe ka te vecanten e tij ne gjurmimin dhe veshtrimin metaforik te jetes;ne konsonimin e krijimeve, qe po t’i shohesh me kete sy, edhe krijimi “me i parendesishem’ mund te recitohet.
Per lexuesin e “Fjales se Lire” po sjell edy analiza per dy nga vellimet poetike te Ristos shkruar ne vitet perkatese te botimit.

Poeti Risto në “Karrigen e së vërtetës”

Rreth vëllimit poetik “Lojë shahu në shekullin XXI”

1.

Është fakt: Viteve të fundit botimet letrare janë shtuar në mënyre të dukshme. Në këtë mori botimesh, kryet e vendit e zë poezia. Por sa emra autorësh mbeten, sa libra shiten, a i përshtaten shijeve, a e kanë nivelin artistik për t’u pëlqyer nga lexuesi? A ka parametra matës së cilësisë së botimeve? Përderisa shumicën e botimeve e lexojnë vetëm autorët (!), është i tepërt komenti. Thënia e Henry Heinesë “ ... demokracia është fundi i letërsisë. Secili është i lirë të shkruaj aq keq, sa ç’ka dëshirë, por asnjë s’ka të drejtë të shkruaj më mirë se ai. Liri e barazi në stil...” , më vjen ndërmend tek shoh botimet e viteve të fundit në Shqipëri. Të gjithë shkruajnë poezi, me qindra është numri i poetëve; në emër të poezisë moderne e të kohës ka ndërtime të habitshme të figurave letrare dhe artistike, tërsisht jashtë natyrshmërisë së krijimit, spontanitetit, të bukurisë
artistike të të shprehurit. Këto lloj thurjesh krijojnë vetëm vlerat e antiartit!
Është në dukje pozitive nisma e kahershme e Ministrisë së Kulturës për konkursin vjetor të Pendës së artë dhe të argjendtë. Por mos qofsha i gabuar, shpesh çmimet ndahen ende pa u dorëzuar botimet (mos qoftë e thënë) ende dhe pa shkruar veprat! Klanet e sotme letrare diktojnë çmimet, orientojnë opinionet, përbëjnë juritë, që çdo komponent përbërës i aureolës letrare, kurora e çmimeve të jetë e paragjykuar rreth një numri të përcaktuar krijuesish, si bartësit e vetëm të vlerave artistike. Gjithsesi, në këtë rast, më vjen në mendje një poezi e kahershme e Petraq Ristos për hierarkitë letrare që janë “Me sy bufi e spaleta akulli” nën diell.

2.

E quajta të udhës të shfaq këto opinione, ndërsa kam në dorë librin “Lojë shahu në shekullin XXI” të poetit Petraq Risto. Njihem me poezinë e Petraqit që herët, kur botonte vëllimin e tij të parë “Zjarre që rriten”(1976). Dhe ndiej vërtetë kënaqësinë artistike se “ Zjarret...” që vlojnë te poeti, janë rritur aq shumë, sa që duhej “të ngrohnin” për nivelin mjaft të lartë artistik, jo vetëm lexuesin e gjerë, po edhe kritikën “e ftohtë”, hiearkinë letrare “me spaleta akulli” të klaneve të sotme. “Faji” i autorit është se ai vazhdon të jetë poet në kuptimin e vërtetë të kësaj fjale dhe, si i tillë, nuk mund të hyjë lehtë në “klanin modern” të bla-bla-bla-ve letrare. Që nga libri i parë dhe deri te ky i fundit, Petraq Riston e pat mbështjellë vetëm heshtja. Arsyeja është e lexueshme: “Klani” e ka të pamundur ta krikojë për nivelin artistik, ndërkohe që nuk
do t’ia japë “hisen” për ta vlerësuar. Vetëm në vitin 2005, si për çudi, libri “Lojë shahu...” i nxiti disa kritikë dhe poetë të shkruajnë, madje dhe me superlativa, për poezinë e Ristos. Por ende në shumë antologji, brenda dhe jashtë vendit, ky autor “i shpëton” vëmendjes, si padashur.
Ky libër lë shenjë, mbetet për t’u vlerësuar dhe analizuar për tematikën, strukturën artistike, figuracionin e, mbi të gjitha, për larmishmërinë metaforike, që rrallë e gjen, rrallë e has në qindra botime të viteve të fundit.

3.

“Lojë shahu në shekullin XXI”, në vetvete një metaforë e goditur, është me pretendime tematike, me shtrirje hapsinore, me fokus të drejtuar thellë në histori, në botën e brendshme shpirtërore të njerëzve, në politikë, në jetën sociale, në Tiranë e në mbarë globin. Globi, me meridianet dhe paralelet, përbën një skakierë poetike nga ku merr lëndën dhe impulset shpirtërore poeti. Parë në këtë sy, libri mund të konceptohet hera-herës si një poemë unike me të gjitha “lëvizjet” e shahut brenda saj, me gjendjen e brendshme shpirtërore të lojtarëve, me fituesin dhe humbësin dhe paharruar “spektatorin” ( kupto lexuesin), që është përjetues sa edhe autori në këtë lojë gjigande. Autori është i ulur në “ karrigen e së vërtetës” ndaj është i besueshëm. Prej këtu përçon përjetimet e tij me njerëzit dhe zogjtë që të gjejnë udhën apo qiellin e vërtetë për të fluturuar, pa
u gënjyer nga qielli i xhamtë. Të citoj të plotë poezinë “Pa leje”, ku çdo vlerësim apo koment artistik do të ishte i tepërt. “ Në pranverë dallëndyshet nuk i gjetën foletë/ i kishin pa leje ndërtimi/ madje dhe i zoti i shtëpisë - pa leje/ veten kish vrar/ nga dëshpërimi./ Bari kish çelur pa leje/ luledelet pa leje, gjithashtu/ - në transvestit qenë kthyer lulet/ kishin marrë sekset e bletëve/ dhe fluturonin lulet qiejve kuturu/ duke belbëzuar: blu-blu-blu.../ Pa leje ëndrrat, të qeshurat - pa leje/ pa leje mitingjet, natyrisht,/ një majmun krijuar nga loja e rrufeve/ të gjithëve pa leje na përqeshte tinëzisht./ Evropa s’na jep leje, Amerika ende jo/ pa leje Dielli dhe Hëna ndriçojnë fatalisht/ në shqiptarët dhe në mijëvjeçarin e tretë (o bobo!)/ nuk kemi leje se kemi bisht...”. A ka tablo më të plotë artistike bashkë me poezinë tjetër “Shqiptari” për të shprehur gjendjen e sotme të
vendit, me humorin e hollë e dhe satirën për politikën e sotme?
Ciklet “ Kutia e zezë e tokës”, “Lojë shahu...”, “ Jeta” e të tjerë, duket sikur me të drejtë janë përkthyer dhe në anglisht, si një gjuhë tejet komunikative për mesazhet e rëndësishme artistike që kumtojnë. Nga detajet e holla, nga vëzhgimet poetike me një natyrë metaforike, autori di të kalojë në sintezë poetike, me lojën e fjalës, me ndienjë e çiltërsi poetike, me metafora të fuqishme, me lojën e anës semantike të fjalëkuptimshmërisë, me kontrastin e fuqishëm. Nga njëherë, duke përçuar një gjendje apatike të trishtuar, nganjëherë me vendosmëri poetike, autori merr një pozicion mjaft të përcaktuar për të paraqitur idetë: në Shqipëri gjithnjë e mira rrinë pranë së keqes, (së keqes kërcënuese që mezi pret t’i zë vendin se mirës), ashtu siç rri semantikisht fjala tabut me fjalën tabu ( oh, sa shumë tabu ka sot në Shqipëri) , fjala himn me fjalën hi, apo Berlin me bier dhe
lind e tjerë.
Kultura e gjerë, rendja dhe përjetimi i përditshëm sa në një vend në tjetrin, nga Tirana në Nju Jork, kalimi nga lashtësia në ditët e sotme me personazhe historikë, fate letrare dhe kolosë të letrave, bën që “loja e shahut” të marrë një hapësirë të gjerë, jo vetëm në anën fizike apo historike, por dhe në atë ideore. Lirshmëria, shpengimi i të shprehurit metaforik, vë pranë e pranë personazhe dhe mjedise të kohërave të ndryshme, të miteve dhe religjoneve, të Zotit që duket sikur qëron një portokall, kur ndodhesh dhjetë mijë metra lart në një udhëtim me avion, apo të ndiesh mërzinë e Juri Gagarinit, zhgënjimin e tij kozmik.
Për thellësinë e ndienjave, fluiditetin e të shprehurit, të duket se ka diçka “kozmike” edhe në poezitë e ngrohta lirike të dashurisë, të marrëdhënieve të përditshme, ku një detaj i thjeshtë bën të brufullojnë zogj mendimi që marrin start për hapësira të mëdha. Të tilla gjen jo vetëm në vjershat me karakter “soditës”, ku autori duket sikur është indiferent, por më i dukshëm del ky mendim në poezinë “Një sup i njomë në kabare”, e cila në ndjesinë e autorit “na zbret nën dhè/ na ngre mbi dhè”.

4.

... dhe vijmë sërish në fillimin e këtij shkrimi. Në vargun e botimeve të shumta, ky vëllim i Petraq Ristos është një majë, jo vetëm për autorin, por edhe për letërsinë e sotme shqiptare. Kësisoj, autori është në avanguardën e krijuesve të sotëm të talentuar, gjë që meriton studim më të thellë në kritikë dhe estetikë. Madje, është në nderin e këtyre të fundit, (këtu përjashtojmë profesor Alfred Uçin, i cili me kurajo në gazetën “Drita” u ndal posaçërisht në këtë libër), dhe një detyrë e përgjegjshme për të evidentuar këto vlera, për të orientuar hullitë për mbarësinë e krijimeve letrare. Vepra të tilla nuk duhen lënë në harresë, nuk duhen mbështjellë me stofin e heshtjes, sepse përbëjnë maja të këtyre viteve dhe të letërsisë shqipe në përgjithësi.




GJITHE JETËN SURVEJUAR NGA VETËTIMAT

Shkas nga vëllimi poetik “Hallelulja”


“Isha në Tiranë dhe desha të takoj Petraq Riston. Kisha një porosi nga Amerika për të. Në Bibliotekën Kombëtare shumë të njohur e kishin takuar dhe ai sapo qe larguar. Kishte vajtur në Muzeun “Mezuraj” aty pranë dhe kishte shkëmbyer, në këmbë, një bisedë me Moikomin. Më thanë me siguri që duhet të jetë te qendra kulturore “Pjetër Arbnori”, ku pritej të hapej panairi i librit. “Sapo iku”, më thanë dhe atje. U solla sa u solla dhe i telefonova në shtëpi. “U nis për në një shtypshkronjë ku qepim librat”, më thanë…”.
Kjo është një pjesëz nga rrëfimi i një mikut tim, që tregon se Petraq Risto është gjithnjë në lëvizje, të gjithë i takon për një përshëndetje, shkëmbim mendimi, një autogaf libri, takim me autorët që ai boton, për menaxhimin e shtypshkronjës modeste, pastaj kthehet sërish në sallën e Bibliotekës Kombëtare, ku e pret lap-topi i gatshëm për punën tjetër, “lëvizjen tjetër”, atë krijuese… Po të hyjmë e të flasim me gjuhën letrare, pra, të hapim atë “bahçe” të përzemërt të Petraqit, ku lëvizja dhe figurshmëria tashmë janë bërë pjesë e të përditshmes krijuese, poeti është në një shtjellë tornadoje poetike, në një lëvizje të vrullshme, në një ngjitje të admirueshme nga vëllimi në vëllim, duke na tokur të gjithëve me tematikën e gjerë të krijimeve, duke rendur pas figurave poetike (sa i dashuruar është pas metaforës dhe metonimisë!) dhe duke na lënë për një çast të
befasuar në ripërtypjen e kuptimshmërisë që merr fjala kur qëndiset mjeshtërisht nga behet impulsive të brendshme poetike, nga duhma e zhgënjimit, nga zemërata poetike. Vetëm brenda tre viteve pas botimit të librit “Lojë shahu në shekullin e XXI”, do të vijojnë publikimet e tjera “Mënd+afsh”, “Engjëlli me virus H5N1” dhe së fundmi “Hallelulja”… E të gjitha këto të përfshira tek “Enciklopedia e zhgënjimit”.
U duk se me librin “Lojë shahu…”, që u mirëprit dhe u pranua gjerësisht nga kritika dhe mendimi estetik shqiptar dhe më gjerë, poeti kishte arritur majën, kulmin e tij krijues. Që në arkitekturë dhe në përdorimin metaforik të fjalës ky botim solli risi në letërsi. Botimet e mëvonshme të Ristos do të sillnin kulme të reja, çka flet për një poet “në lëvizje”, kërkues, ambicioz, tepër serioz dhe asnjëherë me poezi të kalkuluar vetëm në laboratorin mendor, por edhe gjithnjë besnik i natyrës së tij me ndjeshmëri lirike. Se gjithçka ai e shkruan me shpirt.
Poezia e Ristos shpreh poetikisht të përditshmen shqiptare, me realitetin e zymtë dhe me përshkënditjet e ëndrrave. Ajo i kushtohet “ …duarve të fuqishme…në forcën e të cilëve fshihet urrejtja e atyre që dashurojnë jetën,…fshihet dashuria e atyre që urrejnë vdekjen” (poezia “Duar të fuqishme”, shkruar vetëm nëntëmbëdhjetë vjeç!). Për ilustrim do të sillja dhe një fragment nga poezia e rrallë “Porta e Ferrit”. Nuk mund të ketë poet që mos të ketë shkruar një poezi për atdheun. Madje, të duket që ky motiv kaq i rrahur është aq i konsumuar, sa dashje pa dashje do të shkasësh në deklarime të përgjithshme, në tone të njohura e të tjera të këtij soji. Por Risto është aq origjinal, sa dhe në një motiv kaq të njohur, na sjellë një poezi të veçantë, një përjetim metaforik të pahasur më parë. Se atdheu është “gënjeshtra në pikën e fundit të gjakut”…Punëtorët që
mbajnë në krahë Portën e madhe të Ferrit”, ajo Porta: kore e freskët plage… dhe pastaj arkivoli i shtrirë në sallën evropiane të kishës,/ prifti druhet të bëjë kryqin nga që rrotull të shumtët janë muslimanë”…Ky është atdheu i Petraq Ristos me “…formën e këllëfit braktisur prej shpatës”.(Te “Engjëlli... po për atdheun kish shkruar “me formën e vrimës së çelësit...” . Në poezinë “Porta e Ferrit” çdo fjalë pikon dhimbje. Një dashuri e pafundme, një protestë poetike. Për kë? Dhe lexuesi mendon e përjeton të përditshmen e vet, hapat që hedh nga zgjimi tërë ditën e ditës. Ja, ti që dashuron poezinë e arrirë, admiron fjalën e dhembshur, do shkallën, bokërrimën, asfaltin, pallatin, kopshtin, të afërmin… Mate hapin, mate fjalën…Se fjala vret, se fjala dhemb…Se je ti vetë që përbën a je përbërës i atdheut.
Vëllimi poetik “Hallelulja”, i pagëzuar kështu nga komponimi sinjifikativ i fjalës “halle” dhe “lule”, shpie më tej arritjet, nivelin e krijimeve të Petraq Ristos. Është një bashkëbisedim, një qëndrim i përcaktuar qartë, rrjedhë e një bisede të vazhdueshme, e kërkimeve krijuese të autorit nëpërmjet tre personazheve-simbolë: Zoti i Madh, zoti shtet dhe alteregos poetike. Është loja e përditshme për t’u përleshur me jetën, kërkesa ngulmuese për ditë me më shumë diell, është shpikja e lojës: “…unë kundër vetes./Dhe unë luaj me veten, qesh me veten, vjedh veten, godas veten, / urrej veten, pështyj veten, vras veten…”.
Në një mënyrë a një tjetër, është veçanti e të përjetuarit artistik të Ristos ky bashkëbisedim i përjetshëm njerëzor. Të ndalesh në ciklin “Shitblerje universale”, ku me metaforat vetëtitëse e paralelizmat e goditura, matet poetikisht “temperatura” e kohës që jetojmë, ku gjithçka shitet e blihet, përveç prangave që “ruhen për të shiturit”, ndërsa dallëndyshet “shiten pa fole, ngaqë kanë dyatdhe…”. Po shqiptarët sot sa atdhe kanë kur me shumë se 1/3 e tyre kanë mërguar për të jetuar? Gjithçka u shitka dhe u blika, e paska një çmim, vetëm hallet… “hallet nuk shiten: kushtojnë shumë”.
Poeti është i pakapshëm. Ai lëviz, zëri i rrjedh, i gurgullon. Në secilin krijim të tij që të ndalesh, çuditërisht ke dëshirë ta lexosh me zë, se të gjitha poezite e Ristos janë të recitueshme. Kuptohet që çdo krijim është një bashkëbisedim me shpirtin në dorë të poetit, në kërkimin për mirëkuptimin e lexuesit, për ta tërhequr në përjetimet e brendshme, në sfidën që i bën mizerjes së përditshme të veseve shoqërore, në luftën simbolike për të kthyer O në 1, në “Udhën e Qumështit”, në vajtjeardhjet në New Jork… Dhe pas lodhjeve dhe endjeve, pas vrapimeve e dufeve, pas dhimbjes së kokës së rënduar nga streset, të fton të pish hënën si aspirinë. Se shpëtimi është vetëm diku atje lart, se në gjallje njeriu është në luftë të përhershme për mbijetesë. Vetëm halle, halle, ku poeti vë pranë lulet e krijimeve të ndjera të tij.
Pret të vijnë si një oaz, si një pushim i këndshëm poezitë e hershme të moshës së rinisë. Pret vetëm krijime për dashurinë, për syrin e zi, për buzët qershi, për duart me kallo, për… Se këto ishin shtampat sunduese të poezisë së atyre viteve kur poeti ishte vetëm 18-20 vjeçar. Por në ciklin e gjerë që na paraqet Risto shohim ato tone që përshkrojnë dhe sot në tërësi poezinë e tij, ndonëse në moshë sapo “Adoleshencen e ka zënë gjumi në prehërin e pjekurisë dhe pjekuria mendon në shtratin e adoleshencës”. (Poezia “Në ditëlindjen time”). Është e kuptueshme edhe nga ky cikël dhe në vazhdimësinë krijuese të mëvonshme që P.Risto vinte në letërsinë shqiptare me zërin e vet të veçantë, me botën e tij të shqetësuar me qytetarinë e krijimeve poetike, pa u shpinëkërrusur nga hierarkitë krijuese të çdo kohe.
Poezia e Ristos është plotësisht jashtë skemave të të vargëzuarit. E mbështetur tërësisht në vargun e lirë, tepër e rreptë në ritmin poetik, ajo me misionin që merr përsipër për të qenë një rrjedhë e shpenguar e mendimit, kurrësesi s’mund të mbetej e kufizuar, e ruajtur nga gardianët e vargjeve të matur. Në ndjekje të shprehjes së figurshme, vargu merr forma të ndryshme, kadenca ritmike të ndryshueshme, aq sa të mbartë plotësisht mendimin poetik. Autori shtresëzon metafora pas metaforash, duke e bërë lexuesin tepër të kujdesshëm që pas kënaqësisë timbrike, t’u rikthehet edhe njëherë të lexuarit, të vështrojë me kujdes arkitekturën e figurshme. Lirshmëria e të shprehurit e ngre dhe e ul poetin në tokë e në qiell në një çast të vetëm. Ja një shembull domethënës si përvijohet lëvizja, përfytyrimi nëpërmjet të shprehurit metaforik:

“Merrmëni me vete
Bekomëni me ujin ku sapo u la bilbili dhe mos thoni: ç’ujë i magjepsur!
…kur kam dhembje koke pij Hënën aspirinë.
Dashuria e fuqishme: stuhi gjeomagnetike
të kthen në glob me aureola drite.
Engjëjt me aureolë mos janë materie të shpirtërave?”

Apo në një tjetër poezi shohim se përplasja dhe afrimi i antitezave me metaforën, e bën më të vibrueshëm krijimin, të shprehurit plot kolorit dhe lirizëm: “Vishem me heshtje të bardhë pa e ditur se do të kthehem në mumje”.
“ Kërkova Petraqin dhe ishte e vështirë. Të gjithe i kishte takuar dhe të gjithë më thonin “sapo iku”, do të vazhdonte rrëfimin miku im. Se me krijimet e tij, sidomos në vëllimin e fundit “Hallelulja” Petraq Risto është nën ndjekje, në “survejim të vetëtimave”, duke lëvizur shpejt, me siguri dhe maturi. Nëse më parë në vëllimin “Engjëjt me virus H5N1” kishte një poezi të titulluar “Do të ble një majë mali”, me vëllimin e sapo botuar, autori e vendos veten në “majë”, në arritjet më të mëdha të poezisë së sotme shqipe.

Nuk ka komente: