Nga Edmond Ismailati
Rrethit të Tepelenës, natyra i ka dhuruar një bukuri të larmishme gjeografike. Përveç maleve, kodrinave, fushave, luginave, lumenjve, ujvarave, kanioneve, honeve, pasurive nëntokësore dhe ato botanike e shtazore është i pasur dhe me një numur të konsiderueshëm shpellash,... Në vështrimin litologjik, në rrethin e Tepelenës, shkëmbinjtë përfaqësohen më shumë nga depozitimet flishnore dhe ato Kuaternare dhe formacionet gëlqerore ku këto të fundit duke filluar që prej gëlqerorëve të Jurasikut e deri tek gëlqerorët litotamnikë të Neogjenit, të cilat si pasojë e evolucionit gjeologjik kanë një zhvillim të vrudhshëm të formave të shumëllojshme të karstit, ku kanë mundësuar egzistencën e shumë puseve e shpellave karstike, ku më të shumtat gjenden në malësinë e Kurveleshit, ku disa prej tyre kanë tërhequr edhe një pjesë të mirë të studiuesve, speleologëve dhe arkeologëve si vendas dhe ata të huaj. Shpellat nga vetë vendndodhja por dhe nga konstrukti i tyre me një pamje po aq të bukur por dhe të mistershme e imponojnë si vendasin por edhe udhëtarin për t'u kthyer në eksplorues të tyre. Ky kuriozitet më ka tërhequr edhe mua qysh në fëmini duke u insipruar nga Speleologu francez Norbert Kastere i cili ka studiuar shpellat e mëdha Karstike në Francën qëndrore ku janë zbuluar edhe paraardhësit e njeriut të sotëm, njeriu i kromanjonit,... të cilat i ka përshkruar në librin "Jeta ime e nëndheshme" vendosa që të bëja disa kërkime pioniere nëpër rrethinat e vendlindjes time.
Dihet nga vetë banorët e qytetit Memaliaj por edhe nga vizitorët, të cilët e kanë vizituar rivierën e lumit Vjosë që përqafon tre pjesët e këtij qyteti, në Jug, Lindje dhe Veri. Në krahun Jugor ku përplaset dhe bindet rrjedha e lumit Vjosë të quajtur ''Kasapanë", duke filluar që prej shkëmbit të thepisur me lartësi që ndodhet më lartë shkëmbit të Balenës e përgjatë rrjedhjes deri tek shkëmbi i Rosave, ekzistojnë një seri shpellash njëra pak më e thellë se tjetra. Shpella këto të identifikuara nga banorët e qytetit por nga thellësia e tyre ato mbeten të identifikuara edhe guva si të atyre përmasave që shfrytëzoheshin për vendbanime nga heremitët. Përmasat e përafërta të këtyre guvave fillojnë nga më e vogla në hyrje 2.5 m e gjerë, 1.5 m e lartësi, gjatësi 2 m e deri tek më e madhja me përmasa të përafërta, në hyrje me gjerësi 5.m, 2.5 m lartësi dhe me gjatësi mbi 7-8 m. Të gjitha këto guva në gjatësi kanë një mbyllje të konstruktit konik. Deri aty nga fundi i vitit 1990 këto guva thelloheshin më pak dhe zgjateshin më shumë nga veteranët minatorë të cilët indentifikuan shtresa qymyguri dhe i shfrytëzonin ato për lëndë djegëse, për të përmbushur nevojat e jetesës. Edhe pse dihet që të parët tanë kanë banuar nëpër brigjet e lumenjve, në këto shpella nuk ka asnjë gjurmë arkeologjike, edhe pse s'janë bërë gërmime. Kjo vjen pasi nga përmbytjet e përvitëshme prej lumit janë tërhequr nga vetë rrjedha dhe si e tillë ngelen vetëm hipoteza.
Një fakt desha të theksoja, pasi shumë pak banorë të një numuri simbolik e dinë (kush ka studiuar për ndërtim miniera në teknikumin e memaliajt) se, duke zhvilluar praktikën në lëndën e gjeologjisë në terren, të drejtuar nga Prof. Bujar Mini, i cili kishte studiur në Poloni për gjeologji miniera, na tregoi më lart shkëmbit të Balenës, se në fillimet e shkëmbit të madh e të thepisur, duke ecur me radhë në pritje të njëri-tjetrit, nëpër një vijë rrugice të gjatë që vazhdonte tek tre metrat, dhe jo më shumë se 20 cm e gjerë, pamë deri në lartësinë sa na prekte dora, skelete peshqish dhe guackash të dimesioneve të ndryshme të bëra trup me shkëmbin qysh prej miliona vjetesh. Kuriozitet ky që mbas një muaji, duke u ndihmuar nga bashkëmoshatari Bardhyl Karalliu, e kam shuajtur duke u lëshuar i lidhur me litar dhe kam shquar më shumë specie të përmasave të ndryshme. Vendë ky që ja vlen për të tërhequr vëmendjen e studiuesve.
Këto shpella zakonisht shfrytëzohen më shumë në stinën e verës nga plazhistët për hije apo për të drekuar. Shpesh nëpër gjatësit e tyre ndizen zjarre nga gjuetarët e peshkut të cilët kalojnë natën por edhe duke shijuar gjahun e tyre. Pa harruar që moshatarët adoleshentë para viteve '90 duke u inspiruar nga filmat me piratë si "Ishulli i Thesarit" apo romani "Shpella e Piratëve" e Petro Makos, shpesh herë nga kërcunjtë që nxirte Vjosa për gjatë dimrit i shfrytezonin për të kufizuar hyrjen e shpellave, ndiznin zjarre, piqnin ndonjë misër hamullor, mëllenjë, peshk apo pëllumb, lanin gjuetin e peshkut, bretkocës, iriqit, breshkës, vrisnin ndonjë karkalec zhapik apo zhabë dhe i rreshtonin sipas madhësis, dikush pinte ndonjë pufte për të imituar cigaren dhe të veshur kokë e këmbë me fierza duke mbajtur në brez shpata të improvizuara, harqe dhe shigjeta. Në këtë moshë më kujtohet si tani, kam qënë me bashkëmoshatarin tim Sinan Bilaj kur kemi qënë duke mbledhur gorica nga ana e përtejme e Vjosës, në Juglindje të saj, (nga krahu i Kapmit,100 m mbi shkëmbin Pllaka). Duke u shkëputur i vetëm, rastësisht jam përbadhur me hyrjen e një shpelle, përmasat e hyrjes të së cilës ishin të një galerie si të turjelizuar në shkëmb. Isha pothuajse vetëm 10 m dhe po tentoja i vetëm të hapja rrugën që ishte e zënë nga një lukuni të dendur degëzimesh prej ferrash të cilat e kishin zaptuar komplet hyrjen e shpellës dhe vazhdonin duke humbur nëpër errësirën e krijuar drejt gjatësisë së saj edhe pse ishte meseditë me diell. Kurioziteti më shtyti akoma më shumë pasi shpella nga ferrat që ishte e izoluar më çonte të mendoja se ishte e pa eksploruar për kushedi se sa vite. Hyrja e saj ishte në drejtimin e Jugut dhe vendi ishte shumë i thatë edhe pse ishte 20 m larg një përroi. Duke vazhduar të hapja rrugën me një hu të fortë, në afërsi 5 m largë hyrjes po dëgjoja një gërthitje prej egërsire që sa vinte e dëgjohej më shumë. Sinqerisht kam qënë vetëm 11 vjeç dhe aty kam njohur më shumë frikën dhe jam trembur shumë dhe jam larguar me hurin në dorë duke u zbrapsur e duke vështruar prej errësirës së shpellës se mos shquaja befas kanosjen fizike që vetëm se po e dëgjoja në ato momente. Shpella ndodhet nga ana e përtejme e lumit në pyllin dhe kodrën me të njëjtin emër Karaule. Është afërsishtë 80 -100 m mbi shkëmbin Pllaka në drejtim të pyllit, në lindje për nga mali i Shëndëllisë, ose disa metra nën rrugën me gurë që kanë ndërtuar italianët, ku sot kanë mbetur vetëm fragmente.
Nga çfarë më bëri të tërhiqesha ende se kam vizituar këtë shpelle por edhe asnjëherë nuk e kam dëgjuar të flitet apo përmendet. Më duhet ta vizitoj edhe një herë mbas kaq vitesh për t'i dhënë një përshkrim më të qartë, pasi në ato momente frika ka bërë përshkrimin e saj. Këtë shpellë pa emër, e kam pagëzuar "shpella e frikës". Kjo më shtyn që në një rast të mundshëm mbas kaq shumë vitesh do të realizoj një eksplorim të saj. I shtytur nga kjo kurreshtje, u'a bëra të ditur disa bashkëmoshatarëve. Ishte Bardhyl Karralliu, një djalë i fuqishëm ku me një llambë miniere në dorë vetë i dytë, kishte vizituar një shpellë në fshatin Maricaj, ku më pas u identifikua me "shpellën e Dokos''. Shpellë kjo që ndodhej në thellësit, në afërsi të zemrës së shkëmbit që dikur ka mbajtur po të njëjtin emër me të fshatit Maricaj, dhe më pas e deri më ditët e sotme njihet me "Shkembi i Dokos". Ai ishte nisur për të kërkuar monedha floriri, pasi në monizëm pretendonte të dilte jashtë shtetit si peshëngritës, në ballkaniadën që zhvillohej në Turqi. Atë vitë doli Pirro Dhima me të tjerë edhe pse Bardhyli kishte kapur normat që konkuronin pretedentët, nuk u përkrah (për mua ngelet një kampion i pa shpallur, pasi për moshën që kishte nuk kishte pretendent). Ai i inspiruar nga çfarë i kisha treguar për shpellën që nuk munda të futesha, kishte dëgjuar se në një shpellë të madhe, mendohej se mund të gjente ndonjë thesar. Ai shprehet se një shpellë që e kishte piketuar, me ndihmën e një çobani të zonës me mbiemër Gucaj që ishte i afërmi i një studenti që vazhdonte shkollën e mesme teknikum miniere në Memaliaj, nuk e kishte lënë të ngelej e misterëshme për të. Sipas tij duke folur në kofidencë, shpella ishte e madhe dhe e thatë. Nuk kishte gjetur asgjë përveçse nën ndriçimin e projektorit të tij, në murret e saj kishte shquar figura, (të pikturuara apo të gdhendura nuk mbaj mend, pasi ka kaluar një periudhë prej më shumë se 20-vjetësh) dhe në dyshemenë e saj kishte shquar mbishkrim të një greqishteje të vjetër, pasi Bardhyli rridhte nga një familje që ishin lexues dhe greqishtfolës, dhe nuk mundi ta kuptonte.
Duke u munduar të risjell kujtesën për gjithëçka që ka lidhje me shpellat, nuk isha i sigurt se për kë shpellë na kishte folur veterineri Mazllëm Hoxha i cili ishte vënë në mes të një rrethi të formuar nga një grup i djemve të mëhallës, nga vëllai i tij Flamur Hoxha, Kujtim Guma, unë, dhe shumë të tjerë. Ai fliste me një entuziazëm duke e përzier edhe me një shprehje që ''nuk kam për t'u futur më atje'' pasi ulja ishte bërë duke u varrur me litar të lidhur në mesë. Pas kaq kohësh që ka kaluar, koha e gjatë ka bërë punën e vetë në dobësimin e kujtesës, dhe kjo më linte të dyshoja se do të ishte ndonjë gropë e thellë natyrore, dhe jo shpellë. Gjithçka ishte e mjergullt. U deshën të kalonin po më shumë se dy dekada, që të mësoja më shumë rreth kësaj shpelle. Ishte botimi më i ri me shumë vlera "Rrugët e jetës më shpien në Labovë" të prof. Thanas Hoda që mbarova së lexuari para pak ditësh, i cili në këtë vëllim ka shkruajtur edhe për rrethin e Tepelenës. Duke u referuar fakteve që përcillen nga ky vëllim, në shkrimin "Kishat në shkëmb dhe gjurmët e Krishtërimit" të hedhur në 5 faqe, përcjell fakte shumë interesante që lënë për t'u dëshiruar edhe nga studiuesit e vlerave historike, arkiologjikë dhe speciologë. Është pikërisht ''Shpella e Dokos'' e cila ishte projektuar për t'u eksploruar nga një grup shokësh. Nga që kjo shpellë është në brendësi të shkëmbit me lartësi 20 m, me hyrje nga faqja me prerje të pingult, e bënte të vështirë futjen në të. Me dëshirën e tij Mazllëm Hoxha, pranoj të lidhej me litar dhe të ulej për të eksploruar shpellën Kish e cila në faqet e saj të mbredshme, ka ikona të vjetra murale të Krishtit dhe të Shën Marisë dhe të shënjëtorëve të tjerë, të cilat rruhen në gjendje shumë të mirë, duke i rezistuar edhe agjentëve atmosferik. Autori shpjegon se hyrja në këtë shpell bëhej nëpërmjet një shkalle prej druri, pasi të çarat që shquheshin me lehtësi, tregonin se në ato kanë pas qënë të karfosura mbajtëset e shkallës. Eksploruesi i shpellës kishë, në mbrendësi të saj la një libër me emrat dhe firmat e të gjithë grupit, Mazllëm Hoxha, Thanas Hoda, Stavri Jani, Dhimokrat Çami, Jorgo Kuremeno, Gëzim Velaj, Petrit Shena, Floresha Seranaj. Autori shkruan se ''Ai libër historie me firmat tona duhet të jetë atje edhe sot''. Prof. Thanas Hoda përmend se është edhe një kishë tjetër tek shkëmbi i Ylyneçit me lartësi tek 15 m, e ngjashme me këtë të shkëmbit të Dokos, si për nga pozicioni por edhe nga mbulimi i faqeve të brendëshme me pikturat e vjetëra murale, të ndërtuara me përzierje leshi dhe veze. Autori e ka vizituar edhe këtë kishë që ndodhet në brendësi të shkëmbit bashkë me mësuesit Milo Dilo, Konstandina Zhongo, Luan Xheneti, Sotir Sotiriu, Sezai Bungo.
Nga ç'kam dëgjuar, është për t'u ndalur pak më shumë në këtë shkëmb, edhe pse këtë treve e kam përshkuar si kalimtar. Ky shkëmb, nga banorët e kësaj zone, njihet si pjesë e malit të Gribës që ndodhet i tendosur mbi lumin Vjosë, në fshatin Dorëz, përballë fshatit Kalivaç dhe tek ky shkëmb është edhe një pus me thellësi 3-4 m. Në qytetin Memaliaj e më tej, njihet edhe sot si shkëmbi i Kalivaçit apo shkëmbi i Dodones, siç është quajtur dikur ky fshat. Ky shkëmb është nga më të diskutuarit, jo vetëm në qytetin e Memaliajt, Tepelenës por edhe nga banorët e trevave për qarkë se është folur shumë herë nga bashkëmoshatarët, por edhe nga më të moshuarit se ekziston një vrimë me një perimetër të madh, ku nuk i dihet sa shkon gjatësia e saj në shkëmbë dhe nëse komunikon me ndonjë dalje në drejtim tjetër, mendohet se në brendësi të saj, është fshehur një thesar i madh qysh nga koha e pushtimit otoman. Disa dyshojnë se ndoshta është ai i Ali Pashë Tepelenës. Edhe pse vendasit dhe të ardhurit nga rrethet e tjera kanë kërkuar, por nuk kanë mundur të bëjnë kërkime të plota pasi në të është e banuar me bletë të egra dhe e mbushur me hoje të mjaltëruara. Madje edhe me lëndë aksplozime është tentuar por më kot. Aty kanë filluar dhe janë lënë gjurmët e para për ndërtimin e hidroçentralit të Kalivaçit nga një kompani italiane. Edhe kjo kompani, pasi punimet e saj për pak muaj i bëri vetëm me shpërthime, e braktisën menjëherë, sikur të kishin gjetur thesarin. Padyshim edhe përgjatë punimeve, banorët e zonës e përqark, sikur ta dinin që do të braktiseshin punimet, pasi shpërthimet ndoshta bëheshin edhe për gjetur enigmat.
Tepelena siç çdo trevë tjetër është e pasur dhe me një seri shpellash të tjera, sidomos ato të zonës së Kurveleshit si shpella e Lek Petës në Progonat, Shpella e Kasarit, Sterra e Çikës apo shpella e Dragotit kanë tërhequr studiues të vendit dhe të huaj si amator dhe profesionistë. Arkeologët dhe speleologët shqiptarë duhet të bëjnë më shumë kërkime në to pasi mund të jenë shumë gjurmë arkeologjike që janë ende të groposura dhe ka ardhur koha për t'i ekzaminuar ato. E them këtë pasi shumë shpella në Shqipëri janë lënë pas dore përsa i përket eksplorimeve. Shpella këto siç janë dhe të tjera në Shqipëri ku mund të jenë banuar që nga koha e neolitit. Theksoj se, si për specialistët vendas duke kërkuar një bashkëpunim edhe me ata të huaj duhet të tërheqin kampione prej shtresave pas shtresave të ndryshme nëpër shpella pasi mendoj se do të ketë gjurmë hiri prej zjarri të cilat do të na zbardhin, se mund të jemi ne ata pasardhës të këtyre banorëve që mund të kenë shpikur zjarrin. Një tjetër vend që tërheq shumë interes që dikur ka qënë qytezë dhe ka pas komunikuar me atë të Bylisit është Kalivaçi. Është një vend i pasur me shpella si ajo e shpellës së Magjes dhe shpella tek Hambari. Nga vendasit flitet se shenjat që janë gjetur në brendësi të tyre mendohet se kanë pas qënë banuar prej heremitëve. Këtë e forcon dhe biseda me një mbi 100-vjeçare Deko Tusha e cila tregon edhe një ndodhi me përfundim tragjik të lidhur me këto shpella e cila është trashëguar me shumë fanatizëm duke udhëtuar nëpër shekujt e fundit vetëm në pak njerëz të rrethit familjar.
Më shumë interes janë edhe të dhënat e mbledhura nga banorë të fshatit Bënçë por edhe përgjatë një bisede që kam pasur me krijuesin Engjelli Shehu, për shkrimin e tij dokumentar "Bënça" të publikuar në revistën "Tepelena në Shekuj", për shpellat e fshatit të tyre ku janë një dëshmi tjetër që tregojnë shfrytëzimin e trye për banesa nga disa fise ilire si; Bathësi, Bishqevi, Bukthi, Ludova, Tola dhe Dilqni ku kanë bërë jetë që i përket periudhës së komunitetit primitiv. Prej këtyre fiseve dhe sot e kësaj dite shpellat mbajnë për toponime emrat e tyre si; Shpella e Toles, shpella e Bathësit, gryka e Dilanit, shpella e Bishqevit. Nga këto fise, pasardhësit e tyre janë sot banorët e fshatit Bënçë. Në këto shpella janë gjetur pllaka dhe qeramika tek shpella e Toles dhe shpella e Bishqethit të cilat nga ekzaminimet, dalin të p.e.s. Shpelle tjetër është ajo e fshatit Beçisht në vendlindjen e Ali Pashë Tepelenës ku nga vendasit njihet si shpella e Kuqe. Në fshatin Dorëza, në Milos kemi shpellën e Divanit dhe po në këtë fshat është dhe shpella e Xhelilit ku mbi këtë shpellë është dhe "Vendi i mirë''. Kam dëgjuar prej kohësh për Shpellën e Gogës ose ''Sisë e Gogës'' e cila ndodhet në fshatin Salari në vendlindjen e heroit Selam Musai. Edhe pse kam kaluar disa herë në këtë treve, nuk kam pasur mundësi për ta vizituar por për të shuar kureshtjen mbi shpellat në këtë trevë, në bisedë e sipër me z. Misto Musta më foli për aqë sa mbante mend, pasi e ka vizituar në një moshë shumë të re. Ai thotë se, kjo shpellë e ka marrë emrin prej lagjes ku banojnë fisi Gogaj në lagjen Elezaj dhe në brendësi të shpellës kullon gjithmon ujë dhe nga kjo gjendje atmosferike janë krijuar në tavanin e saj të dala që varen në formën e sisëve apo të gjinjëve ku janë krijuar dhe stalaktide të përmasave të ndryshme. Gjithashtu janë dhe shpella në Skënderë tek zalli.
Shpellë që tregohet më shumë interes nga vendasit për t'u studiuar pasi janë gjetur dhe gjurmë të vjetra banimi si shpella e Gllavës që mban dhe emrin e të njëjtit fshat që ndodhet, gjithashtu edhe shpella e Arrëzës së Madhe që mban emrin po të fshatit. Shpella e Mezhgoranit është një tjetër shpellë e njohur nga vendasit si dhe për nga rëndësia e saj. Kurse Shpella e Lek Petës në Progonat, shpella e Kasarit, shpella e Mëmës së Ujit, shpella e Leklit, janë vizituar dhe është treguar interes edhe nga vizitorë, studiues të huaj nga Italia, Zvicra, Austria, Greqia, Belgjika, Hollanda , ...etj, të cilët janë ndodhur aty nga vitit '92 e në vazhdim. Ata janë shoqëruar dhe mirëpritur më së miri nga mikëpritja e vendasve. Madje ky i fundit, me ndihmën e një harte që e kishte sjellë me vete enkas për të vizituar një shpellë, kishte ndërprerë menjëherë punimet, me të gjetur një shpatë të groposur, padyshim që ka qënë me vlera historike, ku nuk dihet se kujt epoke i përkiste. Dihet që vetëm ishte shumë e vjetër dhe se ishte pak më e vogël se një shpatë. Kjo u mësua prej një bariu të moshuar që e shoqëronte të huajin, i cili nga mënyra se si u ndërpre gjithçka mbas gjetjes së shpatës, dhe mos kthimit të të huajtit për të vazhduar kërkimet, lindën pyetjet e banorëve të asaj treve, të cilët morën një përgjigje nga bariu, për aq sa dinte, si okular që ishte e më pas fjala mori dhenë, pa i dhënë rëndësi mësimit të emrit të bariut, por grabitjes të së huajit dhe arratisjes së tij! Nuk kaloi shumë kohë dhe më gëzoi fakti që këshilli i ministrave të qeverisë Meksi miratoi dhe publikoi vendimin Nr. 451, datë 16.09. 1993, me 9-të pikat për miradministrimin e shpellave ku në pikën 1-ë ''Shpellat e eksploruara dhe ato të paeksploruara në territorin e Republikës së Shqipërise mbrohen dhe administrohen nga shteti, si pasuri natyrore kombëtare'' dhe pika 6-të ''Ndalohet marrja e objekteve të ndryshme të zbuluara në shpella'' padyshim që do të ketë vënë në gadishmëri çdo shtetas të ndershëm.
Me që jemi duke folur për grabitjet e pasurive kombëtare nga të huajt më duhet të theksoj se në rrethin e Tepelenës ky fenomen është përsëritur edhe herë të tjera. Mos gabohem, por në një prej behareve mbas vitit '92, ka qënë një emigrant tepelenas nga fshati Dukaj, i cili kaloi pushimet në fshatin e tij, bashkë me punëdhënësin e tij grek. Ardhja e pronarit ishte se, me t'a mësuar se argati i tij ishte nga fshati Dukaj e trajtonte shumë mirë, pasi i ati i tij kishte qënë në atë trevë, në luftën italo-greke dhe i kishte lënë djalit të tij amanet një hartë, ku i tregonte, emrin e fshatit shqiptar dhe 18 hapa largë një gorice të madhe që ndodhej në mesë të një are, k'u kishte fshehur një thesar me flori. Përgjatë një nate me hënë, si pronari greke dhe argati i tij shqiptar kishin gjetur thesarin dhe ishin larguar për tërë natën për andej nga kishin ardhur. Ky lajm bëri bujë pasi banorët e fshatit e kishin verifikuar këtë gjurmë me t'u zbardhur dita por edhe me largimin e tyre si ato të lakuriqëve të natës. Lajm ky që edhe pse u lexua në një nga gazetat lokale të asaj kohe, u la me aq, sikur të ishte ndonjë gavetë e vjetër lufte, edhe pse për këtë të fundit nuk duhet toleruar gjithashtu, nëse do të gjendej. Ky fakt më lë të dyshoj se nga këta ushtarë, janë bërë edhe bastisje nëpër shtëpitë ku i ka zënë nata, apo janë mikpritur. Dhe një fakt tjetër është se në rumbujat e '97-ës ku të gjithë i'u vërsulën për të rënuar shtetin, duke grabitur, ç'të mundënin, një i liruar prej burgut të Bënçës, Tepelenë, rrëmbeu gurin që tregonte moshën e kalasë së Ali Pashë Tepelenës dhe e shiti miliona dhrahmi në fqinjin jugor. Lajm ky që përveç zërave që qarkullonin nga vendasit, u lexua edhe në një nga gazetat më me zë të asaj kohe, në jug të vendit.
Një interes të veçantë tregojnë edhe gropat, hinkat, dolinat, puset si ato natyrore dhe ato të ndërtuara nga dora e njeriut. Në fshatin Memaliaj janë "Gropa e Batallëve" dhe ''Gropa e Bilos''. Në malin e Shëndëllis është një gropë më e madhe sa dallohet që prej qytetit Memaliaj, Tepelenë, fshatit Salari që ndodhet përballë, apo më mirë të them deri në ato treva që u jepet mundësia të shquajnë këtë mal. Edhe nga distanca të tilla që përmenda më sipër por edhe kur ndodhesh brenda në thellësitë e saj të duket vetja si në një kështjellë të përmasave gjigante. Në moshën e shkollës tetëvjeçare, ne si klasë sportive mundësuam të kryenim një marshim nën drejtimin e mësueses kujdestare Fatbardha Lika. Edhe pse dukej qartë se ajo ishte shtatëzane, morëm rrugën për të pushtuar majën e malit Shëndëlli ose siç ma ka shpjeguar në ato kohëra bashkëmoshatari me origjinë i besimit të krishterë Dr. Kristaq Basho ku kishte dëgjuar se kohë më parë njihej si mali i Shen Ilias dhe se në jug të Shqipëris ka pasur edhe kisha me emrin Shëndëlli. Kishte disa ditë që kishte hyrë pranvera dhe bora nga gjysma e malit e larte, nuk kishte shkrirë. Unë me shokët e klasës, Viron Dine, Vladimir Dervishi ishim shkëputur disi nga klasa dhe kur mbritëm në brezin k'u fillonte bora pothuajse e kishim kaluar gropën e Shëndëllis e cila edhe pse bardhonte prej dëborës, dukej si një humnerë, por më të frikëshme se ato që përshkohet me shoqërimin e rrjedhës së lumit Bënçë që nga zemra e Kurveleshit e deri sa vjen duke u zbutur në fshatin Veliqot. Donim dhe njëzetë minuta të kapnim majën e malit ku janë dy të thepisurat si brirë në drejtim të qiellit. Po në këtë majë që im vella e kishte kapur vite më parë, më kishte thënë se ka një vendë strehim të sajuar nga çobanët që verojnë por edhe një pus uji, ku në atë pikë të vapës i etur për ujë, ai vetë mbas disa përpjekjesh kishte bërë të mundur të futej në t'ë, dhe të mbushte ujë, pasi atë ditë, pusi nuk kishte paisjet e njerrjes së ujit.
Kushtet e saj shëndetësore e detyruan gjithë klasën bashkë me ne, që të ktheheshim. Sa herë që hapja dritaren, asgjë nuk më pengonte të përballesha me Malin dhe gropën e tij që nga memaliotët por edhe banorët e rrethit Tepelenë e kanë pagëzuar "Zemra e Shëndëllis". Me të ardhur kulmi i beharit, nisem bashkë me vëllanë dhe dy shokët e tij për të pushtuar zemrën e malit Shëndëlli, një mrekulli kjo me përmasa gjigante që i'a ka dhuruar natyra. Për aq sa qëndruam dhe kontrolluam imtësisht në atë zonë, nuk gjetëm eshtra njerëzish përveçse të ndonjë bagëtie që mund të ishte rrëmbyer për ushqim nga bishat apo shqiponjat. Nën ndikimin e këshillave të herë pas herëshme të vëllait nuk preka asnjë bombë apo granatë që ndeshëm atje, pasi kur kishte qënë pak vite më parë me disa shokë të tij, njëri prej tyre E. Selmani kishte gjetur një bombë me siguresë të hequr dhe e mbante me një dorë e me tjetrën i binte për t'a hapur dhe t'i merrte barutin. Ishte një aventur adoleshentësh e cila në ato momente me t'u identifikuar nga një tjetër moshatar i tyre, Fatmir Mema, bëri të mundur që t'ia hiqte nga duart dhe kur e ka vërvitur më të poshtë, shumë largë prej tyre, bomba është vetëasgjesuar. Po në këtë ''Zemër mali", nga një shpërthim, ka lënë gishtërintë edhe memalioti Bashkim Halil Hysi disa vite më parë. Në rrëzë të malit, shtrihet fshati Kashisht.
Në brendësinë e saj pashë se kishte shumë pjesë dhe mbeturina të lëndës ushtarake si mitraloz, belçikë, gjerdan fishekësh të shkrehur, helmeta, granata dhe bomba dore që kishin ngelur që nga lufta Italo-Greke. Luftë kjo që kush e kush të kapte më parë majën e malit e sidomos dy të ngriturat që njihen si dy majat. Nga gojëdhënat e partizanëve dhe vendasve kashishtjot që banojnë në rrëzë të këtij mali thonë se ushtria greke u gjend vetëm 5 minuta më parë dhe të gjithë italianët që ishin midis dy majave dhe fillimit të gropës nga ana e sipërme u vranë e disa duke u sprapsur përgjatë luftimit i përpiu humnera e zemrës së malit. Ky pesë minutësh i dha dhe fitoren ushtris greke dhe një humbje shumë të thellë ushtrisë fashiste italiane. Humbje kjo që detyroj dhe vetë themeluesin dhe drejtuesin e fashizmit italian Benito Musolinin, që të vinte në fshatrat e Tepelenës, Buzë dhe Gllavë që ndodhen në rrëzë të malit, jo vetëm për të verifikuar dhe vetë vështirësit e terrenit por edhe për të mobilizuar dhe drejtuar vetë operacionin kundër Greqisë.
Këtë fakt e kam jo vetëm nga rrëfimet e ish partizanit Halil Elmaz Hysi të cilën e kishte nga bisedat me partizanët e tjerë, ku shprehej se në atë mobilizim i'u bashkuan edhe disa tepelenas, por edhe u rikujtua nga një 86 vjeçar italian Pietro Ventriçe. I moshuari pinte gjithmonë kafe tek ''Kafe Europa" në Bruklin, Nju Jork dhe fliste një anglishte me aksent. Me t'ju prezantuar shqiptar, ai filloi të çelej në fytyrë, duke më pyetur direkt, se a e njihja shkrimtarin tonë Petro Marko? Po iu përgjigja duke i treguar me dy fjalë se, letërsia shqipe, krenohet me romanet e Petro Markos, pasi proza e tij e fuqishme solli risi të vërteta në letërsinë shqiptare dhe e bëri atë, një nga personalitetet më të shquara të kulturës shqiptare. Është një nga luftëtarët e brigadeve internacionale që ka marr pjesë në Luftën e Spanjës dhe në luftimet e tjera antifashiste nëpër Evropë. Më 1940 burgoset nga italianët dhe kryen atë në kampin e ishullit Usitika ku ka lënë të botuar edhe një nga romanet e tij më të mirë "Nata e Ustikës". Më 1944 bashkohet me rradhët e partizanëve italianë në Luftën Antifashiste. Por, më ndërhyn ai, duke vazhduar , ''adashi im ka qënë i internuar në vendëlindjen time Ustika afër Palermos'', u shpreh ai, dhe tregonte për jetën dhe kujtimet edhe të disa të internuarve të tjerë që i kishte njohur atje. Ai tregonte se kishte qënë ushtar për disa muaj në qytetin e Korçës, pasi e kishin mobilizuar me forcë, ku në të kundërt do ta burgosnin siç vepruan me të tjerët. Përshtypjet e tij për Korçën ishin nga më të mirat. Ai e krahasonte atë si një ''Francë e vogël në mes të ballkanit''.
Në vazhdim, pasi mësoi se isha nga Tepelena, me thotë emrin e malit Shëndëlli, ku ushtria italiane pësoi disfatën më të madhe në luften italo-greke, dhe vizitën që kreu Benito Musolini po në këtë treve. Ai shprehet se e njihte mirë këtë disfatë, pasi jo vetëm nëpërmjet një shokut të tij që ishte në rradhët e formacioneve të luftimit, por kjo humbje e thellë e detyroi Benito Musolinin që të shkonte dhe ta shikonte vetë terenin qe i solli disfatën ushtrisë së tij dhe mbajti një fjalim për t'i rimobilizuar e dhënë kurajo ushtarëve, k'u më 28 mars të vitit 1941 e drejtoi vetë luftën në krye të armatës së nëntë italiane. Pas kapitullimit të fashizmit Pietro Ventriçe u kap rob nga ushtria naziste dhe vuajti për disa vjet burg në kampin nazist në Gjermani. Por kujtimet e Pietro Ventriçes që lidheshin me Shqipërin e kishin çuar që të interesohej akoma më shumë. Ai shprehej se relievi i Shqipërisë ishte po aq sa i thyer por edhe i radhë për nga bukuria dhe pasuria që fshihte nëpër gjiret tij ky reliev. Këtë e kishte ndeshur edhe ne disa lexime që kishte bërë si para dhe pas luftës se dytë botërore. Flitej për disa shënime të arkiologut italian Luigi Maria Ugolini i rekrutuar ''Cardini'', i cili kishte udhëhequr një mison arkeologjik italian në shqipëri, midis viteve 1930 dhe 1936 dhe kishte eksploruar mbi 60 shpella të humbura, gjerësishtë në jugë-perëndim të Shqipëris. Një prej këtyre ishte dhe shpella e Dragotit me vlera prehistorike, në afërsi të Tepelenës, vazhdonte të shprehej PietroVentriçe. Ai thoshte se Cardini kishte bërë gërmime të detajuara në këtë shpellë shumë produktive dhe ishin shumë të pasura me depozita arkeologjike, ku dyshemea ishte e formuar me dhè të kuq të ngjeshur e përzier prej copëza gurësh dhe poçerish të thyera të epokës së vonët të Bronzit dhe të Hekurit.
Ventriçe shprehet se "Nëse kërkon më shumë infromacione rreth misionit arkeologjik të Cardinit në Shqipëri, mund të gjeni vetëm tek një fltetore shënimesh të tij që ndodhet në arshivat e ''Istituto Italiano di Paleontologia Umana'', në Romë. Sa herë që takoheshim tek kafeneja me Pietron, më rifreskonte ç'ka kishim biseduar, por më me detaje se herën e parë. Nga kureshtja ime për memorien e tij, nuk i shpëtoj pyetjes se, - ''Si është e mundur që pas një kohe kaq të gjatë i mbante mendë dhe me hollësira''. Ai u shpreh se kishte një ditar në italisht, që e shfletonte sa herë kërkonte të fliste me të kaluarën e tij dhe i inspiruar nga leximi i një ditari të një ish-ushtari italian Giani Granzotto, që kishte qënë në Shqipëri, në frontin e luftës italo-greke më 1941, kishte ndëmend ta botonte. Më premtoj se do të ma bënte të njohur për aq kujtime të tij, që lidheshin me Shqipërin. Që prej asaj dite, nuk u pamë më për afro një vitë. Ai më kërkoi "Natën e Ustikës" të Petro Markos dhe një përkthyes të italishtes. Shëndeti i tij u keqësua. Më vonë mësova se kishte ndruar jetë, dhe ishte shoqëruar për në banesën e fundit prej disa patriotëve dhe moshatarëve të tij që e njihnin, pasi jetonte i vetëm edhe i braktisur prej të dy fëmijëve të tij. Pietro ishte një njeri shumë i mirë, dhe do të ishte me më shumë interes sikur të dija më shumë rreth kujtimeve të tija, apo t'i lexoja ditarin, që nuk i dihet ende fati.
Po në fshatin Kashisht është një pus i madh i cili është krijuar si pasojë e rrjedhjeve të përrenjëve Kamçisht, përroit të Bathishtes dhe përroit të Barit ku në anën lindore të këtij pusi të madh të formuar, dallohen gjurmë nga rruga e Mitros, pasi kështu njihet nga vendasit. Rrugë kjo që për vendasit shprehen se, ka vlera arkeologjike me moshë të papërcaktuar ende ku dhe ndërtuesi i rrugës është i paidentifikuar edhe sot e kësaj dite. Një tjetër gropë e quajtur "Gropa e Hasan Dedës" ndodhet në fshatin Lopës, ndërsa në malë të Salarisë ndodhet "Gropa e Madhe" ose e njohur ndryshe nga vendasit "Gropa e Kordhës" të cilat janë stera me ujë. Mbaj mend se para viteve '90 -të duke dëgjuar bisedat e vendasve, këto stera me ujë frekuentoheshin nga dy familje mjekësh vlonjatë të cilat çdo vitë beharonin një muaj në mal, ndyshe nga të tjerët që vërshonin të kridheshin sa më parë në det. Me interes flitet edhe për "Pusi i Hasmërive'', kështu i thërasin banorët e fshatit Selckë pasi në këtë vend hidheshin trupat e atyre që vriteshin për hasmëri. Nga dora e njeriut janë edhe dy puse në fshatin Shalës në vendin e quajtur Dulluk.
Aty nga vera e vitit '92, edhe pse kanë kaluar një kohë e gjatë, më kujtohet biseda me bashkëqytetarin tim, zotin Manxhar Majko i cili për nga mosha është gjyshi im. Kur e kam pyetur për bukuritë natyrore dhe shpellat të cilat ndohden në antiklinalin e Kurveleshit, përveçse disave që i kam përmendur më lartë ai shprehet se në fshatin Progonat është edhe një shpellë e madhe që quhet ''Shpella e Draganit'', njëkohësisht edhe për një tjetër shpellë të thellë si një pusë gjigantë e cila gjendet në fshatin Gusmar dhe mban po të njejtin emër "Shpella e Gusmarit''. Xhakua nuk e prejashtonte edhe vendlindjen e tij Lekdushin, për nga bukuritë e radha që i ka dhuruar natyra. Janë dy puset e Majës së Mollës në malin e Lekdushit (Suhagora), vazhdonte të tregonte ai. Puse këto me një thellësi mbi 15 m. Ajo që krijon një pamje të rradhë në këtë trevë është shkëmbi i kuq i Stomries në jug-perëndim të Lekdushit i cili qëndron si një flamur, ku në të çarat, vrimat e vogla në brendësi të tij, janë shfrytëzuar nga bletë të egra për zgjoje dhe për folera nga shqiponjat. Nga vendasit njihen edhe dy kullat erozionale të cilat ndodhen në livadhet e Lerës në Lekdush. Kulla e madhe është mbi 35 m e lartë, kurse kulla e vogël rreth 15 m e lartë. Në vitet e para mbas '90-tës, të dy kullat janë vizituar nga gjeografi zviceran Christophor Bauman i cili ka botuar edhe një shkrim në numrin e parë të gazetës ''Lekdushi''. Midis Lekdushit dhe Progonatit ndodhet edhe prerja e Gurrës e cila krijon një tjetër pamje të radhë. Vëmendjen të tërheqin edhe, Klifi i Luzatit i cili është me përmasa gjigante dhe është mbi 400 m i lartë, dhe me përmasa më të vogla janë shkëmbi i Rabies, shkëmbi i Damësit
Ja vlenë të përmendim se disa prej atyre shpellave që përmendëm më lartë bashkë me disa të tjera të cilat janë futur në listën e monumenteve të natyrës shqiptare k'u në ''World Database on Protected Areas'' gjetëm edhe të dhëna që japin të saktë lartësinë e vendodhjes së tyre mbi nivelin e detit. Ato janë: shkëmbin e Prerë i Dukaj i cili ndodhet në lartësin 300 m mbi nivelin e detit, Kaninonet e Nivicës në lartësin 760 m , Triavgat e Gllavës në lartësin 1,160 m , Tarraca erozive e Bënçës në lartësin 570 m, Lugjet e Dhëmblanit në lartësin 800 m, Ujëvara e Progonatit në lartësin 1.000 m, Mogilat e Vasjarit që ndohen nga lartësia minimale 100 m e deri tek më e madhja në lartësin 154 m mbi nivelin e detit dhe shtrihen nëpër një sipërfaqe prej 40 ha, Pusi i Shëndëllis në lartësin 1.432 m, Shpella Mëma e Ujit në 1.165 m, Stera e Çikës në 890 m, Shpella e Lek Petës në 1.150 m, Shpella e Ujit - Dhëmbël në lartësin 970 m, Vrima e Shkëmbit në 1.110 m, Buza e Bredhit - Luzat 1.432 m, Shpella e Mezhgoranit në 850 m, Shpella e Leklit në 400 m, Burimet e Ujit të Ftohtë në 220 m,
Por përveçse shpellave, guvave, gropave, shkëmbinjëve dhe kanioneve, puseve natyrore, rrethi i Tepelenës është i pasur edhe me puse dhe galeri të ndërtuara nga dora e njeriut. Mbaj mend se prof. Nasho Basho ishte i pari që na ka treguar si klasë përgjatë mësimit në natyrë, se duhet të bënim kujdes kur ecnim nëpër fushën që ndollej në jugë të shkollës 8-vjeçare ku mësonim në atë kohë, për arsye se aty ndodhej një gropë e madhe që dikur është nxjerrë qymyrguri. Por më vonë, përgjatë studimeve në teknikumin e Memaliajt ishin prof Adem Malasi, prof Bujar Mini dhe takimet e shpeshta me heronjtë e punës Rexho Idrizi dhe Tahir Mehmeti Kallëmbi dhe veteran të tjerë të cilët na kanë dhënë një pasyrë më të qartë, për çdo hapë të shfrytëzimit të qymyrit me galeri dhe puse, në këtë rreth. Sipas atyre është se, para luftës së dytë botërore, aty nga vitet 1914-1916, është zbuluar vendburimi i qymyrgurit të Memaliajt, nga gjeologë italianë, francezë dhe austrohungarezë. Mbas disa vitesh, ushtria italiane e shfrytëzoi atë me hapjen e një pusi mbi 60 m, në fushën që ndodhet në krahun jugor të qytetit Memaliaj, midis shkollës 8-vjeçare dhe bregut të lumit Vjosë. Në vitet në vazhdim, ishte një shoqëri italiane që hapi sektorin e parë dhe bëri shfrytëzimin e shtresave me dy galeri dhe një tranverbak, në veri-lindje të Memaliajt, në të djathtë përtej lumit Vjosë dhe i ndërpret punimet si shkak i përfshirjes së vendit në luftën e II -të botërore. Si fillim nxirreshin 4-5 karroca me qymyrë në ditë, shprehej një nga ish-pionierët minatorë, Rexho Idrizi. Mbas çlirimit, për shfrytëzimin e shtresave të qymyrgurit në sinklinalin e Memaliajt u hapën 3 puse në sektorin e tretë, 1 pusë në sektorin e katërt, 2 puse në zonën e quajtur 4/8, galeri në Canaj, 3 puse në Danaj dhe galeri në Izvor, plus edhe tunelet që përdoreshin për magazimin e lëndës eksplozive që përdoreshin për shrytëzimin e minierave.
Kështu në mënyrë të përmblellur u mundova të paraqes sa më qartë duke dhënë sa më shumë të dhëna të dokumentuara për pasurit e egositemit të trevës tonë të tepelenës si dhe aspekte nga gjeografia, gjeologjia, speleologjia, historia dhe dukuri të tjera specifike që karakterizojnë Tepelenën tonë.
Shkurt 2009 / New York
Nuk ka komente:
Posto një koment