e diel, mars 29, 2009

Letër e hapur: Përse është kaq i mefshtë zëri Juaj



Letër e hapur:

- Kryetarit të Republikës së Kosovës, z. Fatmir Sejdiu
- Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Jakup Krasniqi
- Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi
- Kryetarëve të kuvendeve komunale të Republikës së Kosovës

Zotërinj të nderuar!
Sublime është kjo liri. Ndodhi e paimagjinueshmja. Shumë gjak u derdh. Shumë lot u thanë në sytë e nënave, të baballarëve, të motrave, të vëllezërve... Shumë nëna mbetën me duar në gji, kur bijtë e tyre, në luftë me armikun barbar, ktheheshin në arkivole, e tani, së fundi, dëshmorët e UÇK-së, të pakursyer ranë në altarin e lirisë. Titanike ishte kjo luftë, vetëm e vetëm që të jemi të lirë, si të gjithë të tjerët.
Falë miqve shekullorë ndërkombëtarë, me ndihmën e mbështetjen e tyre, arritëm ta jetësonim ëndrrën shekullore të shumë brezave. Tani ju me të drejtë e përmendni kontributin e këtyre brezave dhe të miqve tanë.
Nëpër burgjet serbe na torturonin, na shkaktonin vuajtje të tmerrshme, deri në vrasje, porse idealet nuk mundnin të na i vrisnin, as shpirtin luftarak nuk arrinin të na e thyenin.
Në qoftë se kontributin e këtyre brezave ju e përmendni vetëm për kurtuazi dhe këto elozhe për kontributin ndër breza i bëni për formalitet, sa për shpëlarje goje, dijeni se të gjitha këto do t’i futni në burgun e harresës, që do të ishte më rëndë se burgjet serbe.
Siç dihet, çdo brez për ideal primar ka pasur lirinë nga okupatori. Pavarësia, apo mëvetësia, nënkuptonin bërjen zot për fatet tona, të çliruar nga dhuna dhe terrori, nga shfrytëzimi dhe trajtimi gjenocidal i barbarisë sllave.
Duke e ditur gjendjen e pasluftës, me një ekonomi të shkatërruar, e dalë e varfër nga një ekonomi e mjerë nga shfrytëzimi shekullor kolonial dhe duke e ditur se politika vendore i kishte duart të lidhura për të vepruar, disa ideale vriteshin që në zanafillë.
Porse, nuk ishte në idealet tona që në Kosovë të lulëzojnë korrupsioni, nepotizmi, droga, prostitucioni, makutëria... Nuk ishte në idealet tona që amoraliteti të shpallet moral, punëtori i ndershëm, qoftë fizik, qoftë intelektual (i degraduar skajshmërisht) – budalla, kurse profiterët, matrapazët e të korruptuarit – heronj!
Gjendja e mjerueshme e arsimit dhe e shëndetësisë, që janë bazë për një popullatë të shëndoshë dhe breza të arsimuar, që janë e ardhmja e Kosovës, e vë në dilemë se sa e rëndë është të qiten në peshoren e udhëheqjes efektive të qeverive për këta 10 vjet të kaluar. Është shqetësuese ndarja e komunave në baza raciste, metodë apo fenomen i shovinizmit e i fashizmit, të cilat gjithnjë do të derivojnë destabilitet.
Si ka mundësi që ndërkombëtarët të kenë këso qëndrimi joparimor, kështu që mbi baza raciale 5% të serbëve, në emër të decentralizimit, t’u jepen rreth 30% të territoreve? Ç’të thuhet, në këtë kontekst, për qytetet e Kosovës, me nga qindra mijëra banorë “të pacentralizuara”?! Madje, për të qenë edhe më paradoksale, serbët nuk janë të kënaqur as me kaq, ata e duan Kosovën të tërën!
A ka gjë më absurde, antipropagandë më të keqe, sesa kur paratë e Kosovës, në emër të sigurisë, qiten jashtë vendit, ndërsa investuesve të jashtëm u bëhet ftesë që të investojnë në Kosovë, duke propaganduar sigurinë!? Ironike, qesharake dhe joserioze!
Ku mbetën morali e patriotizmi i udhëheqjeve të deritanishme, të cilët, si akt moral, asnjëherë nuk dhanë dorëheqje për shkak të presioneve joparimore të ndërkombëtarëve, që nuk përkonin me parimet universale dhe me idealet e tyre? Si nuk dha asnjë qeveritar dorëheqje për afera korruptive, ngaqë deri dje ishin “fukarenj”, e sot janë “bosa”?! Si ndodhi që asnjë nga të korruptuarit, uzurpatorët, matrapazët apo hajdutët nuk doli para gjyqit të drejtësisë? Fjala është para gjykatësve ndërkombëtarë, se, zaten, këta gjykatësit, që ishin vegla të aparatit serb, “irredentës dhe armiqve të popullit”, vetëm me një seancë gjyqësore i jepnin deri 100 vjet burg, për më tepër dihet fakti që këta vetë janë të parët në listën e korrupsionit. E rëndë është kur vetë hajni çirret “zëreni hajnin” e le më të bëjë gjyq! Kjo i bie, sikur ajo meseleja për gruan e përdalë, e cila lut shoqen t’ia mbajë dobiçin, sa t’i thotë asaj putanë.
Si është e mundur që asnjë kriminel lufte kurrë nuk doli para gjyqit, kur dihet se këto “demokracitë” perëndimore ata i liruan nga burgjet – nga burgu i Mitrovicës?
Përse është kaq i mefshtë zëri Juaj për kriminelët serbë, për të pagjeturit, kur dihet që kufomat e tyre si lecka janë katandisur gjithandej Serbisë, ndërsa asaj, Serbisë pra, i lejohet të manipulojë me krimet e luftës, duke u shtirur sikur ajo na qenkësh viktimë!? Si është e mundshme që asnjëherë nuk u ngrit çështja e dhunimeve të atyre qindra apo mijëra femrave shqiptare, të poshtëruara dhe të lënduara përjetësisht?!
Zotërinj të nderuar, është frustuese për të burgosurit politikë kur lexojmë (e dëgjojmë) fjalimet tuaja, që kanë një diskrepancë mes elozheve dhe realitetit:
1. Sot e kësaj dite statusi i pazgjidhur i të burgosurve politikë.
2. Përse, vallë, Shoqatës së të Burgosurve Politikë dhe SHBP-ve komunale (përjashtim bëjnë disa komuna) të mos u bëhet ftesë zyrtare, qoftë me rastin e shpalljes së Pavarësisë, qoftë me rastin e njëvjetorit të Pavarësisë? Përse kjo mospërfillje, apo doni të na nanurisni me fjalë të ëmbla të patriotizmit...? Pra, ju nuk deshët që gëzimin ta ndajmë së bashku? Sigurisht ju mjaftojnë juve gëzimi e hareja, ndërsa neve vuajtjet dhe elozhet tuaja.
3. Si bën që të mos pyetet SHBP-ja me rastin e hapjes së dosjeve, “lustrimit”, kur ky “lustrim” ka kaluar mbi kurrizin e tyre. Në Kosovë nuk ka pasur komunistë, ka pasur kriminelë, tradhtarë dhe kolaboracionistë.
4. Neglizhenca dhe mospërfillja juaj na vret edhe atëherë kur ju drejtohemi, e ju e bëni veshin shurdh. Ka mbi një vit e gjysmë që i jemi drejtuar Kuvendit Komunal të Prishtinës që të caktojë vendin për vendosjen e shtatores së udhëheqësit të demonstratave të vitit 1968 – Osman Dumoshit. Një vit më parë ishte bërë kërkesa që me rastin e 40-vjetorit jubilar të demonstratave të vitit 1968, manifestim ky nën patronatin e kryeministrit Hashim Thaçi, të bëhej shpalosja. Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk e miratoi, ndonëse e kishte propozuar vendin, madje duke kaluar dy herë nëpër procedurat administrative, pra mbetej vetëm të nxirrej në Kuvend.
Prapë iu drejtuam Kuvendit Komunal të Prishtinës që me rastin e 2 shkurtit, gjashtëvjetorit të vdekjes së Osman Dumoshit të na bëhej e mundshme vendosja e shtatores, porse as këtë herë nuk u bë!? Përse, vallë, shtatorja të qëndrojë në garazh? Së fundi iu drejtuam edhe organeve republikane, porse edhe këtë herë kemi heshtje mortore. Përse, vallë, dhe deri kur kështu?
Mbetemi me shpresë se këto vërejtje do t’i keni parasysh, duke mos na sjellë në zhgënjim dhe frustrim.

Sami Dërmaku, anëtar i Kryesisë
Shoqata e të Burgosurve Politikë

Nuk ka komente: