e hënë, shkurt 02, 2009

Sistemi poetik i Lasgushit në një monografi



Anton Çefa



Në vitin 1978, studiuesi e kritiku letrar Sabri Hamiti, në një përmbledhje të tijen të poezive të Lasgushit me titullin simbolik "Vdekja e Nositit", pajisur me një studim analitik, shkruante: "Poezinë e Lasgushit e ka përcjellë kritika letrare shqipe edhe në kohën kur është botuar nëpër revista e publikime të ndryshme, edhe mbas daljes në libra të veçantë. Mirëpo, edhe sot në shqip nuk kemi një shkrim monografik mbi veprën poetike të tij." Kjo gjendje ka vazhduar deri në ditët e sotme. Si për çudi të këtij fakti, për poezinë e Lasgushit - këtë poet që i përket jo vetëm letërsisë shqipe por edhe asaj botërore - kemi në dorë të parën monografi dhe këtë në gjuhë të huaj: "The Myth of Lasgush", vepër analitike me vlera të mëdha shkencore, e studiuesit Anastas Kapurani, botuar në Upfront Publishing LTD, United Kingdom, në v. 2004.

Është i gjatë vargu i punimeve studimore për poezinë e Lasgushit. Ai fillon me Çabejn, (artikull i vitit 1929), dhe vijon me Nonda Bulkën (në një shkrim panoramik për letërsinë e kohës), Skënder Luarasin (një artikull gjithashtu panoramik, me titull "Letërsia moderne në Shqipëri", në gjuhën serbo-kroate), Mitrush Kutelin, Kristë Malokin. Myzafer Xhaxhiun, Vehbi Balën, Rexhep Qosjen, Sabri Hamitin dhe Frida Idrizin. Ismail Kadare, në "Ftesë në studio" e ka çekur poezinë e Lasgushit dhe ka dhënë disa të dhëna me interes për jetën e tij në kohën e diktaturës. (Nuk jam plotësisht në dijeni nëse është bërë ndonjë studim i tillë nga v. '90 e këndej).

Rexhep Ismaili në pasthënien e librit të tij "Poezia e Mihail Eminescu-t", duke kritikuar studiuesit e metodës krahasimtare, që kanë bërë fjalë për ndikimet e Eminescu-t tek poezia e Lasgushit dhe duke argumentuar faktin që "epërsia e Lasgushit ndaj Eminescu-t është e dukshme, ka shtruar problemin shumë të rëndësishëm që "kur flasim e shkruajmë për poezinë është mirë të nisemi përherë nga teksti konkret, të bëjmë interpretimin e tij dhe interpretimin e figurave poetike e nocioneve, për të gjetur verifikimin e tyre një herë brenda sistemit poetik të autorit, e pasi të bëjmë këtë punë të kërkohen lidhje e përngjasime." (Për këtë paragraf dhe të mësipërmin, shih: Sabri Hamiti: "Lasgush Poradeci - Vdekja e Nositit", f. 46).

Meqë, poeti ynë i madh ka krijuar një sistem poetik krejt të veçantë, në të gjitha elementet përbërëse të tij, studimet serioze që janë bërë, në një mënyrë a në një tjetër, dashur a padashur, e kanë vënë në dukje këtë dukuri tejet rëndësore për veprën e Lasgushit. Me vetëdije e me një saktësi shkencore, këtë e ka realizuar studiuesi Sabri Hamiti. Në "The Myth of Lasgush" (një vepër e vëllimshme me 306 faqe), Kapurani, në përpjekjet e tij të mundimshme për zbulimin, ndërtimin dhe funksionimin e sistemit poetik lasgushian, na ka dhënë me një origjinalitet të theksuar mekanizmin aq të sofistikuar të këtij sistemi. Monografia ka këtë strukturë: "Në kërkim të një miti", "Kur miti ka lindur", "Gjuha që flet miti", "Brenda dhe jashtë shtëpisë së yjeve të Lasgushit", "Poezi të përkthyera". Në fund janë dhënë disa shënime për Poetin dhe referencat.

Hallkat që përbëjnë zinxhirin e sistemit poetik tek "Miti i Lasgushit" a nocionet -figura (signs), që e përbejnë atë janë: ylli, liqeni, dashuria, vdekja, dhimbja, fjala, përjetësia, natyra, pluhuri yjor dhe zalli i brigjeve të liqenit. Secila prej këtyre nocioneve-figura ruan identitetin e vet simbolik, por në një kërkim të pandërprerë, duke pasur një uri përvëluese për dritën e së panjohurës, ato pasurohen me shtresa të reja kuptimore-figurative, më të larta e më të përsosura, dhe lëvizin drejt njohjeve të reja, duke e çuar sistemin poetik drejt një përimtimi gjithnjë e më të përkryer, që rritet në formën e një spiraleje.

Kryehallka e këtij zingjiri është Ylli. Ai shënon gurin e themelit të poetikës lasgushiane, që duke u bërë vatra kryesore e "kuzhinës së kuptimit", (sipas Roland Barthes), d. m. th. magjja ku gatuhet brumi poetik, të ofron shtegun e parë dhe më të rëndësishmin në studimin e metodës krijuese të poetit.

Për Lasgushin, krijimi poetik është hyjnor. Ai vjen tek krijuesi në krahët e një ylli të zjarrtë:

Sbret një yll prej lartësie,

Një të ndritur shkrepëtime

Posi flakë e posi hije

Ajo rinë në zemër time.

Drita dhe energjia e yllit, çka dëshmojnë njohje dhe përjetësi, "fjalës së palosur i hapin kindin e një pale", poeti frymëzohet dhe ajo që ai krijon është "një këngë gjaku": "Ndjej në gjit' një këngë gjaku".

Për Kapuranin, poezia lasgushiane - kënga e gjakut - karakterizohet nga dimensioni i saj universal. Si energji mitike që nuk është kurrë në pushim, por në një kërkim të përhershëm për ide e forma të reja, ajo shtyn përpara në mënyrë organike udhëtimin prej Sizifi të vetëtransformimit deri sa arrin në transhendencë. Ajo është "dritë njohjeje" dhe "drirë përjetësie". Kështu kënga e gjakut, "materia poetika" që krijon poeti ynë i madh; është një energji e tipit të ri, aparati struktural që ftillon dhe organizon me mjeshtëri këtë shndërrim të pazakontë të energjisë, është një "triadic matrix," që konsiston në Dhimbjen, Yllin, Dashurinë.

Veçoria kryesore e strukturës poetike të Lasgushit qëndron në faktin se infrastruktura e poetit është një përzierje e veçantë e dritës dhe errësirës, ajo të drejton nga hapësirat qiellore në abiset e errëta. Shkëlqimi poetik vezullon në "jetë e vdekje përqafuar".

Me sistemin e tij poetik, Lasgushi ka shtjelluar me një poetikë të lartë e origjinale edhe një filozofi vetanake, duke u futur në hulli ontologjike,siç është gjeneza e yjeve. Është dashuria, një etje e pashtershme e saj, që i mban gjallë yjet, të cilët "prej mosgjëje zunë fill / plot me jetë e mall të valë."

Në një kapitull të veçantë, shqyrtohet "Gjuha që flet Miti". Autori ka theksuar që gjuha e Lasgushit karakterizohet nga një origjinalitet i përtejmë, që e dallon nga të gjithë poetët tanë, dhe ka dhënë me aftësi natyrën e kësaj gjuhe. Fjalën lasgushiane, ai e krahason me një kupë kristali, që merr dhe reflekton dritë e heshtje vazhdimisht. Çka endet në karpetin e kuptimësisë është një mozaik shumëngjyrësh, një peizazh fijesh të zjarrta të thurura me imtësi e delikatesë në flakën e tyre të një heshtjeje që digjet. Fjala, "nocion e figure", formohet si "shape eterne brenda shapelessness".

Gjithë lava Sausurreane e kuptimësisë ka një krater të vetin të pashoq, nga i cili shpërthen herë pas here për të ardhur tek ne. E gdhendur prej një dore mjeshtri, fjala lasgushiane, kjo "fshehtësirë e ndezur në fill prej shkreptime" është më e mira dhe e më e bukura fjalë që është krijuar ndonjëherë në poezinë shqipe. Kësaj veçorie të stilit komunikues të Lasgushiti i shtohet një tjetër veçori: aventurat befasuese që sendërton poeti me fjalën e tij, që për autorin përbën "një nga teknikat e komunikimit të pashpikur ndonjëherë". Spikasin në gjuhën poetike të Lasgushit emërtimi i "ndjenjave bipolare", siç i ka quajtur vetë Poeti në studimin e tij "Poezi et coetera", dhe që, nuk janë vetëm ndjenja, po edhe dukuri të jetës, natyrës dhe kozmosit.

Duke zbuluar sistemin poetik të Lasgushit, autori ka përmisuar me mendjemprehtësi edhe në shtresat e pafiksuara të tekstit artistik, duke "lexuar" në "vendet e zbrazëta" të këtij teksti, siç i ka emërtuar esteti W. Iser.

Rëndësore, veç zbërthimit origjinal të sistemit poetik lasgushian, është vlerësimi shumë i lartë në rrafsh shoqëror i kësaj poezie për kohën që është shkruar, d. m. th. kryesisht për vitet '20 të vendit tonë, dhe për kohërat tona të mëvonshme a, siç e ka thënë autori, brenda mitit të sistemit poetik të tij, "Lasgushi krijoi një mit të ri, mitin e përjetshëm të gruas dhe të dashurisë për të"; çka për gjendjen shoqërore të vendit tonë, në kohën kur shkruante, "Lasgushi u vu në rolin e pionierit, . . . e drejtoi atdheun në rrugën e gjatë e të mundimshme të emancipimit e të prosperitetit", të një mendësie qytetëruese dhe të çlirimit shpirtëror. Në kapitullin e fundit "Jashtë dhe brenda shtëpisë së yjeve të Lasgushit", autori na ka dhënë mitin e jetës dhe, më tej, mitin e përjetësisë së tij; ai ka treguar se me qëndrimin e tij dinjitoz gjatë dekadave të diktaturës, poeti i ka dhënë popullit të vet mësimin tejet fisnik të kundërvënies ndaj saj. "Martirizimi i tij - shkruan autori - është një mit në vetvete?Ai ka një armë vdekjeprurëse: mitin e heshtjes së tij".

Në "The Myth of Lasgush", termi "mit" është përdorur nga autori në disa shtresa kuptimore. Përveç kuptimit kryesor, d.m.th. "rrugës tek shtëpia e poetit", termi është përdorur dhe për vetë jetën e poetit, siç e cekëm në paragrafin pararendës. Në një rast tjetër është thënë: "Poeti krijoi një mit të ri: mitin e gruas dhe të dashurisë së saj", etj.

I rrëmbyer nga lënda poetike që shqyrton, i mrekulluar nga miti lasgushian, stili i Kapuranit në parashtrimin e ideve, situatave poetike, interpretimin e strukturave teksture, gjuhës dhe elementeve tjera të poezisë lasgushiane, karakterizohet jo vetëm nga thellësia e mendimit, mprehtësia, por edhe nga hijeshia; stili i autorit është edhe ai poetik dhe i ekzaltuar, shpesh mjaft i sofistikuar.

Referncat teorike lidhen me emra autoritetesh të njohura botërisht në fushën e filozofisë, estetikës, gjuhësisë, kritikës letrare, poezisë si: Roland Barthes, Ferdinand De Saussure, Jacques Derrida, Martin Heidegger, Terence Hawks, Jacques Lacan, F. O. Mathiessen, Pablo Neruda, Friedrich Nietzsche. Ndërsa për trajtimin me konkretësi të mitit, autori ka vlerësuar Eqrem Çabejn dhe Ismail Kadarenë.

Studiuesi i parë i poezisë së Poradecit, Çabej, në vit.1929 e ka cilësuar Lasgushin si poet "të cilin Shqipëria do t'ia falë njëherë botës". Me monografinë "The Myth of Lasgush" të dr. Kapuranit, është bërë hapi i parë shumë i rëndësishëm drejt jetësimit të mendimit profetik të studiuesit tonë të madh. Vlerën studimit ia shton përkthimi nga ana e autorit i njëzet e pesë poezive të poetit, në të cilat autori ka bërë përpjekje për ta ruajtur jo vetëm idenë, por edhe mekanizmat teknike të poezive.

Nuk ka komente: