e martë, shkurt 17, 2009

Ambasada e Kosovës feston njëvjetorin e Pavarësisë



Fatmir Terziu

Ambasada e Republikës së Kosovës në Londër festoi madhërishëm njëvjetorin e Pavarësisë së shtetit më të ri të botës. Hoteli “The May Fair” në Stratton Street, në zemër të Kryeqytetit britanik mbajti emocionet, urimet dhe përshëndetjet e një dite madhështore. Një sallë moderne, e tepër mikpritëse reflektonte në sytë dhe në pamjet e buzëqeshura të të ftuarve, stilin tipik shqiptar të festimit dhe të mikpritjes, edhe pse në dhe të huaj. Ambasadori i parë i Republikës së Kosovës, Dr Muhamet Hamiti ishte personazhi kryesor i sallës, por në fakt ai ishte më popullori dhe më i zakonshmi në mesin e diplomatëve të shumtë, politikanëve, intelektualëve, afaristëve, studentëve dhe aktivistëve të shumtë shqiptarë dhe të huaj.
Festivja e kësaj dite për Ambasadorin Hamiti natyrshëm ka qenë e nisur ditë më parë. Ai festoi mes shqiptarëve të “Bashkimit të Shoqatave Shqiptare” që u zhvillua në Hammersmith, festoi mes studentëve në LSE, mes të ftuarve të “British Albanian Kosovar Council”, festoi në Dominion Centre në Ëood Green etj. Një javë e tejngarkuar festive. Një javë që kulmoi me këtë festim në hotelin tepër domethënës e tashmë historik për shqiptarët. I tillë për vetë shansin e madh të kësaj dite dhe të festimit shqiptar në të.
Në këtë festë ishin të ftuar dhe të pranishëm figura të shquara dhe të përkushtuara të shqiptarisë dhe problemit të Kosovës. Ishin miqtë e mëdhenj të Kombit shqiptar Dr Noel Malcolm, John Hodgson e mjaft të tjerë. Në fillim i përshëndeti të pranishmit ambasadori Hamiti. Në fjalën e tij ai uroi të pranishmit dhe siguroi ata se Kosova tashmë është në rrugën e progresit. Në fjalën e mëtejshme ambasadori Hamiti theksoi arritjet njevjecare të Kosovës. Zoti Hamiti tha atë që pak kohë më parë e kishte shprehur solemnisht edhe Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu. Duke iu referuar fjalëve të Presidentit ai shtoi “se Lirisht mund të them se është një vit i dëshmimit të Kosovës si shtet i pavarur në shumë rrafshe, kjo edhe në pjesën e parapërgatitjes për shpalljen e pavarësisë së vendit, por edhe në pjesën e mëvonshme të zhvillimeve tona. Mendoj se Kosova ka arritur të japë sinjale të mira se mund të funksionojë si një shtet demokratik i vlerave perëndimore, si një shtet që ka ofruar shansin që të jetë atdhe i të gjithë qytetarëve. Kosova në këtë kuadër ka pasur një kujdes të veçantë në garancitë dhe trajtimin e të gjitha etnive, flas për etnitë pakicë që janë në Kosovë. Kosova, palëkundshëm ka theksuar vizionin e vetë për shpejtimin e hapave të tij për të qenë t integruar në BE dhe në NATO. Po ashtu mund të them se Kosova me gjithë vështirësitë objektive që ka pasur para vetes, është dëshmuar me një qeverisje, për rrethanat tona, të suksesshme, kjo karshi sfidave të shumta dhe me një përpjekje të veçantë për rigjenerimin ekonomik të vendit. Janë kryer edhe shumë punë në tre katër rrafshe të punës; është kompletuar struktura qeverisëse e shtetit, është ndërtuar Forca e Sigurisë së Kosovës, janë vënë themelet e ndërtimit të Agjensisë Kosovare të Inteligjencës dhe në po të njejtën kohë është krijuar mekanizmi apo Këshilli Nacional i sigurisë. Çështja e dytë është se Kosova ka arritur të ketë njohjen e 54 vendeve të botës demokratike dhe të ndërtojë misionet e veta të para diplomatike në vendet më të rëndësishme të botës. Po gjatë kësaj periudhe kemi arritur të kemi një korpus legjislativ që nga kushtetuta e deri te ligjet bazike që dalin nga pakoja e presidentit Ahtissari.”
Pas fjalës së zotit Hamiti përshëndeti edhe përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme britanike, që në fjalën e tij solli edhe përshëndetjen e Ministrit të Jashtëm zotit David Mileband.
Mësohet gjithashtu se në këtë ditë në mbarë Kosovën, me manifestime të ndryshme është festuar njëvjetori i pavarësisë. Veprimtaritë zyrtare kanë nisur orën 11:00, me një seancë solemne të Kuvendit të Kosovës, ku kanë folur Presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, Kryeministri Hashim Thaçi, Kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi. Manifestime tjera festive janë mbajtur sot edhe në shume mjedise të vendit tonë, ku përmes organizimeve të ndryshme qytetarët kanë kremtuar njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Nuk ka komente: