Tregim
Nga Fatmir Terziu
Ashtu qetë-qetë u mbështet mbi dorak. Mes gishtave trazoi ftohtësinë kacarumçe të tij. E gjithë nata me freskinë e saj, ende të ndjeshme dimërore në ikje e sipër, kishte ndikuar mbi të. Pastaj ktheu pëllëmbën e së majtës në formë gjethe delli dhe u shtriq me gjithë të në dorë. Pasi ndjeu dy-tre kërcitje brinjësh dhe një oh të lëshuar në ajri, filloi të kërciste gishtat. Shikimi i kishte mbetur andej nga dritarja. Tërhiqte, mblidhte e lëshonte gishtat në atë ministërvitje trupore. E gjitha, sa andej nga dritarja, dielli lëshoi një rreze verdhoshe në ngjyrë ari që dukej se ishte në lëvizjen mëngjesore turavrap të shkundte veprimin e tij të çastit. U ngrit sërrish në këmbë ashtu me ndihmën e atij shkopi, ku doraku më i trashë e dyherëkthyer gati ofshante nën peshën e tij trupore. Eci disa metra për nga dritarja. vështroi qetësinë që stilohej nën fluskërimin e "gonxheve" dimërore, që ngjanin si në një kupshore me kokra misri për kokosha. E bardha që vishej nga çasti në çast i dukej si një rrobe të cilën natyra e vishte ashtu në atë qetësi, që në fakt zotërohej aty në dhomën e tij dhe natyrshëm prishej jashtë dritares nën pushtetin e lëvizjeve monotone të pemëve, e gjithshkaje frymëmarrëse. Teksa nisi të kërciste papandehur dhe krejt instiktivisht gishtat ra në mendime.
-“Mos i kërcit gishtat!”-
-“Pse të bezdis?!”
-“Ah, jo i dashur, jo. Asgjë e jotja nuk më besdis, kurrë s’më shqetëson më shumë se shëndeti yt, sot, nesër e përgjithmonë në këtë jetë”.
-“Ah, shëndeti… E ç’lidhje ka kërcitja e gishtave të mi me shëndetin?”
-“Ka shpirti im, ka. Në këtë revistë, ja mere, lexoje, dhe shiko mirë se ç’shprehin ato foto.”
-“Ua, ua, ua”
-“E sheh pra? Kur të plakesh do të të dridhen gishtat…”
-“Po pse e paska quajtur këtë sëmundje ‘click’, mos ka të bëjë me…
Dhe ashtu me atë bisedë iku ora. Ora ikte shpejt ato ditë. Ikte e askush nuk e kuptonte ikjen e saj. Ishin ditët e para të vitit dhe të gjithë ishin në shushatjen dhe amorfimitetin e ditës festive. Ditës që tradicionalisht edhe këndej festohet ndjeshëm.
***
Për një burrë të asaj moshe, dyzetë e katër vjeç, i ndarë nga gruaja katër javë më parë se të mbyllej viti, dukej si një problem i zgjidhur seksi. Një mënyrë e tillë me një të dashur në moshë të re, gati sa dyfishi i moshës së tij, dhe pikërisht në një konditë të tillë, aspak nuk përbënte shqetësim. Të shtunave pasdite ai ishte thuajse në pushtetin e saj. Një shtëpi e paguar nga shteti për të dashurën e re, që ishte hequr si e sëmurë, ishte gati një mrekulli. Ajo vazhdonte një kurs. Ai punonte pesë ditë në javë në një punë dhe të shtunave ishte bodygard në një klub nate. Por të shtunat i mjaftonin për tu rigjendur pranë saj, pas orës 12-të të natës. Aty ai gjendej sërrish në avazin e tij të para orës gjashtë, kohë në të cilën ai i jepte të puthurën e fundit asaj.
Sa vinte pas orës 12-të të natës ai shkonte drejt e në dhomën e gjumit, ku mbushej me aromën e rradhë e të papërsëritshme të parfumeve që spërkaste ajo dhe gjendej në butësinë dyfishe të krevatit dhe trupit të saj. Ajo gjithmonë e priste pa asnjë rrobe në trup. Ashtu në atë ngrohtësi dhome vetëm një ambiencë rozë sundonte gjithandej. Perde, mbulesa e orendi kishin një gjuhë. Kishin gjuhën e gllabëruar nga roza e saj e preferuar.
Pastaj, të dy i drejtoheshin dushit. Dushi zgjaste aq sa çdo gjë sillej nën pushtetin e papërgjegjshmërisë trupore. Ah, harrova, ata të dy preferonin wiskin dhe atë kurrë nuk e ndanin.
“A ju duket se ju mungon gruaja?”-pyeti ajo.
“Më mungoni ju, dhe vetëm ju, për disa orë”- u përgjigj ai.
Pastaj të dy trupat e përkëdhelur fare pak nga dielli gati u ngjeshën aq shumë sa në atë gjysëmerrësirë dhome me telajo rozë dukeshin si një trup. Ai sulmoi me të puthura pastaj trupin e saj, dhe ajo gati u zhduk nën jorgan. Ai u tërhoq më shumë dhe sërrish filloi ta puthte në gjoks. Pastaj nuk kishte më vend aty nga fundi i krevatit, ku zakonisht shtriqen këmbët e tyre. E gjitha përfundoi me dihatje të acarruara…
***
Në mëngjez gjithshka ishte ndryshe. Dhoma dukej me një modelim tjetër. Perde të tjera zinin vendin e atyre rozë dhe thuajse e gjitha shkonte më shumë afër të bardhës. Edhe ai në zgjim e sipër dukej i përhumbur në atë bardhësi. Ajo me tabakanë në dorë i qëndronte tek koka. Kafeja dhe disa biskota ishin paramëngjezi për të. Ai buzëqeshi. Pastaj u ngrit. Shtriqi duart dhe iu drejtua dritares.
“Unë jam këtu!”-i tha ajo.
“E di, por dikush është atje larg”- shtoi ai. “Kohë më parë kështu e kam patur kafenë. Kështu më zbardhej e parfumosej dhoma. Kështu…”
“E di i dashur, e di…, por”
“Po, çfarë?”
“Tani je këtu dhe kaq”
“Jo…, jo”
“Të paktën më jep një të puthur…”
“Të puthurat i mbaruam mbrëmë, dhe ato mbaji mënd…”
“Siiii?”
Ai bëri nga rrobat. Pastaj nga karrigja e vetme në dhomë. Dhe sërrish shikimin e kishte nga dritarja. Sa bëri të vishte rrobat, ashtu i përkulur të rregullonte pantallonat, një goditje në kokë e la përtokë. Ajo klithi. Ulërima e saj solli në derë disa nga komshinjtë e asaj godine dykatëshe ku banonin katër familje afër e afër.
***
Kur u përmend dorën ia kishte mbërthyer fort dhe ia ledhatonte gruaja e tij. Ajo, e dashura e pak ditëve pas asaj ndarjeje qëndronte në këmbë. Ai fshiu sytë dhe herë shihte njërën dhe herë tjetrën. Ato nuk folën. Pastaj ai lëvizi paksa dhe gruaja i foli: “Ajo më tha se më kishe kërkuar…Ja erdha. A nuk i kishim thënë njëri-tjetrit se në nevojë e në rrezik duhet t’i jemi më parnë njeri-tjetrit?”
Ai u tërhoq. Tërhoqi dhe shkopin. U mbështet mbi dorak dhe fshiu buzët. Pastaj i puthi dorën gruas së tij që e ledhatonte lehtë e lehtë.
Ndërkohë mjekët e prishën qetësinë. E panë me kujdes dhe u larguan. Gruaja iu qep pas.
“Ju lutem më tregoni a do të ecë normalisht si më parë?”
“Goditja ka qenë pas kokës, dhe i ka dhënë anomali. Por ne shpresojmë se çdo gjë do të jetë në rregull”- u përgjigj më i moshuari prej tre doktorëve.
Pastaj ajo hyri me një frymë në dhomën e tij. Ai ishte vetëm. Mbështetej fuqishëm mbi dorak dhe dridhej i tëri. Ajo nuk foli më. Ai filloi të kërciste gishtat...
Nuk ka komente:
Posto një koment