Fatmir Terziu
“Krijimtaria letrare e Jusuf Gërvallës, poezitë e tij, si dhe proza artistike e publicistika përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në rrugën e zhvillimit të artit e të mendimit shqiptar”, ka thënë shkrimtari Ismail Kadare. Por duke parë atë që Jusuf Gërvalla është figurë e rëndësishme e veprimtarisë politike kombëtare, pa të cilin është vështirë të ndërtohet sinteza programore e lëvizjes politike të shekullit XX, natyrshëm nuk duhet harruar se ai është intelektuali që ka lënë gjurmë në fusha të shumta të artit, si: letrar, përkthyes, publicist, kompozitor e artist, të cilin e ndërpreu fati historik kombëtar. Ai është poeti e prozatori, që u formua në gjirin e kulturës kombëtare dhe nën ndikimin e krijuesve të mëdhenj botërorë. Ai është modeli i së djeshmes që mund të bëhet shembull i së ardhmes.
Jusuf Gërvalla, sidomos në poezi ka lënë gjurmët e tij të sinqerta dhe mbi to ka vlerat lapidare. Duke lexuar poezinë e tij ndjenja e tërë kompleksit shqiptar vjen si një ekran në tërë ndjesinë tënde. Poezia “Skena nga jeta e fshatit” është pikërisht ky ekran nga ku ushtron funksionin e tij mesazhier ky skenar tipik poetik i autorit. Në këtë ekran gjithëngjyrash vjen e qartë fjala. Fjala e goditur poetike që në gjuhën e kritikut Agim Pepa e nëkupton të lidhur ‘me dashurinë për tokën, për njerëzit, për idilin, për Atdheun”.
Në këtë poezi materialja që rrethon natyrën ndikohet me potencialin e kësaj fjale poetike: “dritarja e avulluar semaveri i çajit edhe vjeshtë/i tillë i lirë rrethuar me sendet që vjetërohen/përmbi rafte ftonj një plakë si pikture/a nuk qenka vallë krejt zjarri një trillim/bien gjethet e në kopsht femra kotet në luhajë/me goditje të rënda imagjinate me një botë prej letre/tek gjej ngushëllim mes sendesh që s'janë më/atje diku në botën time atje diku larg/eja përsëri netve të vona si hije që sajon/pak frymë njeriu e pak dritë qiriri.”Por fakti që kjo poezi lexohet qartë si një artikulim ndjenjash e bën atë që të krijojë gjurmëlënie shpirti.
Poezia tjetër e tij nën vëzhgimin tonë “Nga memoaret e një shëtitësi” flet në gjuhë më të kthjellët. Kapërcimin e situatave autori e krijon me modelin e fjalës poetike, tipike të krijimtarisë së tij. Pikërisht duke qëmtuar këtë model të fjalës poetike, qartësinë e mendimit të tij, te pikasja e çmuar poetike dhe tematika e vyer, të cilat bëhen të pranishme në vargjet e mëposhtme, do të thoshim se ai pa e mbivlerësuar është një sipar kuptimplotë i një gjuhe të pasur kombëtare: “kur u ktheva nën pullazin tim mbuluar me kashtë/nën qepallat e lodhjes e të kohës botën/e në botë s'kish tjetër pos shkëlqim ari e qelqi/mbi rrashta e penda të larta zogj alumini/kish edhe uri edhe poetë edhe ujëvare në botë/kish njerëz prej druri e kafshë të buta kudo/kish edhe hieroglife dy fjalë dhe gjurmë që s'fshihen/kish lumenj të egër e fosile të lashta/mes muresh të trasha fshesa dhe minj.”
Ngjyrat dhe elementët përbërës të tyre, krijojnë një ‘memorandum’ kuptimplotë tek poezitë e tij. Poezitë “Pluhur e ngjyrë”; “Libri i shenjtë”; “Libri dhe deti” etj kanë në thelb pikërisht këtë preambulë poetike që siguron deri në detaj mitin real me atë figurative, atë pra që e konverton këtë poezi në një thesar të krijimtarisë shqiptare. Lexojmë poezinë “Pluhur e ngjyrë” dhe gjejmë pikërisht ato elementë që lidhen me sytë si një detaj për lidhjen me ambientin dhe me ngjyrimet e tij: “Sytë e tu qiell çerdhe e lumë i pakapërcyeshëm/ndërsa jam përgjumur përmbi tavolinë/im vëlla dhe fëmijëria ime pemën e kanë vjelë/kanë korrur kallinj/ime ëmë ka zier ftonj/shelgjet kanë vajtuar/si poeti sentimental në vjeshtë/- po asgjë s'është zverdhur./Duart e tua pushim diçka si ujë zgjojnë/ndërsa kam ecur shtegut rrëzë mali krejt vetëm/në njërin krah shkurre zogjsh/në tjetrin gështenjat/dhe gjarpërinj./Im vëlla të ka dashur të ka marrë dhe tash nuk je/as ti as ai s'jeni dridhmë plot fletë/nga fluturimi yt tash vetëm ngjyrë/dhe pluhur ka mbet'.”
Në poezi të shumta të autorit shihet zbërthimi i idesë me tematikën si një element shumëkuptimor. Tek poezia “Tash po vij” vargjet: “fëmijë që buzëqesh mbi krahun e nënës kur pret/para shitores qumështin - tash po vij i pikëlluar/në shportën time pemë e fletë/dhe shije gjumi./Kur të zgjohem do të iki/tash po vij në prehrin tënd, meme/tokë e zezë e lapidar, bajame e verdhë./Dashuri e paluar si arni në arkë/oh s'mund ta them/as ta rrëmbej./Tash po vij/por di se në ngjyrën e pelhurës vetëm pluhur/mbi buzëgazin tënd të shtrenjtë.”
Poezia “Libri i shenjtë” e këtij autori madje më kujton edhe një detaj të treguar në konfidencë nga shkrimtari Aleko Likaj. Një lidhje e hershme e mikut tim Likaj me të mirënjohurin Pandeli Koçi në vitin 1975 do të sillte një takim të papritur të redaktorit Koçi, Likajt dhe Jusuf Gërvallës. Ishte viti 1979, kur Gërvalla punonte redaktor i shtëpisë botuese “Naim Frashëri”. Në shtëpinë e tij, përballë “Mihal Durit” në Tiranë, ishte i ftuar Alekua, pasi Pandeliu ishte redaktori i parë i librit të tij të parë “Guximi”. Dhe krejt në mënyrë befasuese aty ndodhej edhe Jusufi me romanin e tij “Rrotull” dhe disa poezi, ku poezia “Libri i shenjtë” kishte sjellë disa detaje. Gërvalla në fjalën e tij kishte sjellë këto detaje që lidheshin me fatin e botimeve nën Serbi dhe nën diktatin serb, pasi poezinë “Libri i shenjtë” serbët dhe redaktori serb nuk donin t’ja botonin. Kështu ishte ky detaj i thjeshtë që më pas u pa në mjaft poezi të tij.
Madje tek “Lufta dhe arti” Gërvalla flet disi drejt: “Tutje gjithnjë akull/Këndej gjithnjë zjarr/Unë jam syri i Aladinit/E shoh veten si digjem/në betejën e tmerrshme/të fjalës/e të mendimit/Me shenjtëri të mallkuar/me përfytyrimin e qartë/e krijoj/Në mua shushurijnë dete/të qena/në ëndërr/S'po flas kotnasikot/Mund t'i merrni fjalët e mia/e të niseni nëpër botë/Unë s'kam guxim/Kuptoj se pa dritën e tyre/Nuk do/ta di rrugën nëpër dritë/Janë krijuar prej frenimesh/prej kthesash theqafjesh/dhiaresh të shenjta/zigzage/Unë nuk i shoh yjet/pështjellë në terr/Gjithësia e ftohtë/nuk e ka gji diellin/Sikur të mos e ftohte/ana e errët e planetit.”
Të njëjtën gjë ai plotëson edhe tek poezitë “Qenie, varr as frymë”; “Njeriu i zi” etj: “një shishe hermetike/grykëngushtë/lëfytgjatë/në murin prej argjile/në detin e ëmbël/në lëkurën me pore drite/në ballsam të largët egjipti/një një të miliontin yll/në çdo kristal/në çdo gur të çmuar/bima mugullon në terrin e tokës/në qullin e baltës/qenie, varr as frymë/sy i zbrazët/nga gjithë bukuria mbeti vetëm kjo/e prekshme e flakët dhe e pakuptueshme/seç po lebetitem po më dridhet buza/zëri im i djeshëm se ku u bë/amshim i zbrazët/si syri që më sodit me plotëninë e trilluar/i ndritshëm e i thatë si mermer i zi/dashuria e të çmendurit nga frika/mes të gjithëfuqishëmve/një gogol druri mbuluar me të tharat e vjeshtës/një leckë e një enë e ndryshkur/ca pulla sedefi/në shesh i nxora gjithë rekuizitat e parajsës/e syri i zbrazët në roje sodiste/dhe përgjonte pamundësinë time të mundshme”.
Poezitë e mëposhtme kanë një afërsi imagjinare dhe tepër domethënëse:
“Njeriu i zi”:
Jam i sigurtë, kurrë s'do të bëj vetëvrasje
Kaq i hekurosur, i mirëfilltë, si arsyeja
E kam vrarë orën e murit me armën e nxehtë
Dhe kam ikur prej librit të përhitur që më shëmton
Me bukurinë e tij
“Vdekja s'është dobi as moshë as lindje e re”:
Drurin e vjetër të tavolinës, shtizën, patericën
Boshtin e lavjerësin, rrapicën e bronztë, lëkenë
Nurin e derdhur si pluhur mbi dritare në mesnatë
Strallin e pikëlat e vesës që shpërthejnë
Me rrezen e parë të dritës në agun vjeshtor -
Nuk ka komente:
Posto një koment