Lindita Agolli
I nderuar z. Fatmir, nisur nga shkrimi juaj per ItakaGrua, rrekem te them dicka per cfare mendoj e perjetoj nen efektin e leximit te vargjeve te Traboinit. Dhe, edhe kjo qe po them ne adresen tuaj, mendoj se eshte mire te publikohet.
AUTOGRAF
ese meditative
Autorit tri fjalë
Mendimit tri kohë
Përjetimit tri përmasa
Të lexosh një libër, do të thotë të prezantohesh me një autor. Të lexosh një të dytë prej tij, do të thotë të kuptosh të parin. Të lexosh të tretin, do të thotë ta pëlqesh atë si autor. Të kërkosh më pas që të lexosh çdo libër të një autori, do të thotë se e njeh veprën e tij.
Këtë që sapo thashë, nuk e kam lexuar askund. E thashë në këtë formë vetëm pasi ndjeva, kuptova dhe njoha gjithë krijimtarinë e K. Traboinit.
Janë katërmbëdhjetë libra, në arsenalin e të cilëve renditen vlera artistike, historike, etiko-estetike; vlera të kuptimit esencial të jetës në proces; vlera të komunikimit njerëzor të ngritur në art si vlera më e spikatur sociale…përmbi të gjitha, katërmbëdhjetë libra me pasuri gjuhësore, që i shtohen themelit të vlerave kombëtare.
Prej tyre janë shtatë me poezi, lirika, dhe një album poetik. Por është e pamundur të mos e gjesh lirikën dhe poezinë edhe në librat e tjerë, ku proza duket të jetë vendosur në një pentagram dhe jo në një faqe të zakonshme libri.
“ItakaGrua” më erdhi këtë mbrëmje të 1 Nëntorit 2008 si dhurata më e bukur që mund t’i bëhet një njeriu të dashuruar pas librit. Por unë jam një grua dhe, si e tillë, kam në duar një dhuratë më shumë: librin dhe vetveten. Mënyra se si depërton tek unë fjala poetike që më vjen nëpërmjet ItakësGrua, është e vetmja gjë që më shkujdes nga vëmëndjet për të bërë vlerësime. Tendenca për të thënë diçka që vetëm se stoliset me pëndët e vlerësimit, s’është gjë tjetër veçse përpjekje e pashpresë për të thënë atë që në mënyrën më të përvetëshme e thotë poezia autentike dhe mua, do të duhet të hyj brenda asaj bote, porta e së cilës hapet nëpërmjet vargut.
Titulli dhe përkatësia
Shfletoj dhe gjej në një prej faqeve poezinë që i përket titullit. E thjeshtë, si një këngë me ritëm deri diku folklorik, më duket se thotë shumë pak për atë ItakëGrua që qëndron në bashin e poezive. Athere bëj diçka të pazakontë. U vendos si titull “ItakaGrua” shumë prej poezive; si “Lirika në detin e sirenave”, “I dashuruar me një karficë”, “Zhvishu”, “Si Zorbë”, “Ego poetike”, “Pengjet e mia”, “Kuti i vlerave”, “Hajku i vdekjes”, etj. Bëjeni dhe ju.
A nuk duket se është titulli që ka copëza shpirti nga cilido varg, nga cilado poezi?! Duket si lojë fjalësh, por nuk është. Emri-Grua dhe Itaka-metafore, ose anasjelltas, rrinë aq bukur në njëra tjetrën, në një harmoni të papërsëritshme. Ato zhvendosen herë njëra dhe herë tjetra në krye të fjalës dhe ma lëvizin mendimin, ma trondisin shpirtin sikur të jem e pranishme njëkohësisht në dy botë.
Midis tokës dhe detit, midis pritjes dhe kthimit, midis harresës dhe mallit, midis vuajtjes dhe arritjes, midis dëshirës dhe pamundësisë, bëhem GruaItakë që prej zanafillës,e vetëdijshme për çfarë më parë nuk dija nga vetja. Më vinë ndërmend legjendat, copëz prej të cilave jam, copëz prej të cilave bëhem. Nuk di në jam Itaka apo Gruaja. Njëra prej të dyjave ecën përbri meje, por nuk shihemi. Jemi brenda njera tjetrës, por nuk njihemi. Jemi kuptimi i tjetrës, por nuk e dimë.
Vjen Poeti të na e thotë!
Mishëruar në njëra tjetrën si një e vetme, transformohemi fuqishëm në tre elementë jetësorë të domosdoshëm, në tre dimensione gjigande të pamatshme, në tri vlera të pushtetshme pa kufi.
Mëmëdheu i mishëruar
Shihem në pasqyrë dhe harroj fytyrën. Bëlbëzoj ca vargje homerike me pamjen e portave të Itakës: “Këndomë, o Zanë, të urtin burrë që u end
Për sa vjet poshtë e lart pa plang, pa shtëpi
Si shtroi përdhe të shenjtat ledhe t’Trojës
……………
Shumë vojti zemra e tij në det me dallge
.......etj, etj...”
(Homeri “Odiseja” Kënga e I, 1976)
Pastaj nis rrugëtimin në vargjet e Poetit:
“Më mirë një kthim ala Zorbë në vatrën e vjetër
Anipse i trishtuar prej varfërisë e mjerimit
Do ta ndjesh veten më mirë se kudo tjetër.”
Pasqyra para së cilës qëndroj, shumëfishohet dhe më tregon pjesëza të qënies.
Pjesëza ishullore ku kemi lindur, Tokë ku dëshiron
“të rrosh në një gjeth, të rrosh në një cicërimë
në një fllad të mëmëdheut të rrosh
edhe pas vdekjes ”.
Të rrosh atje ku pengjet e kthimit janë një jetë e tërë me dhimbje, ku rrugët
“kanë e s’kanë kthim” për të gjithë ata që ikin me plagën e ndarjes.
Arti i mishëruar
Nuk bën më punë pasqyra. Nuk ka nevojë për sy tek ndihesh Fjalë e Varg.
Poeti rrëmben gjithçka nga një Grua dhe e shndërron fytyrën e saj në To…
Poezia dhe Ese-ja ngrihen përmbi ItakënGrua dhe zaptojnë përmasat shpirtërore
deri në vetmohim.
“Në ereksion për njërën – orgazëm për tjetrën
pa ditur kurrë ku fle dashuria…” poeti jep peng kohën e Gruas!
Kohë të cilën “pas udhëtimesh në vise të largëta” ia kthen përsëri Asaj, por kësaj here të transformuar në Ar... si “e vetmja mirësi që mund t’u bëj
grave të atdheut tim dhe grave të gjithë botës
thesarin që ma falën sërish t’ua kthej…”
E pamundur për t’u thënë në këtë formë e në këto përmasa me logjikën e mendjes më të ndritur!
E pamundur për t’u shprehur plotësisht pa lënë asnjë të çarë sikur të përdoreshin për matje dhe shpikjet më të fundit të shkencës!
E pamundur për të bashkuar dhe përjashtuar njëkohësisht tre dimensione që s’janë njëra tjetra, por gjenden në njëra tjetrën - Ese’ja, Poezia, Gruaja.
GruajaItakë e mishëruar
Hyj brenda saj dhe gjej Pritjen e gjatë të Gruas dhe Udhëtimin e mundimshëm të një Burri. Ai, më merr për dore me kujdesin se mos më thyejë. Më tregon çfarë jam e çfarë s’jam për një burrë, më tregon fokusin e syve të mia. Ja galeritë e mia të padukshme, më thotë, hyrë dhe gjej në to sekretin e ngjizjes me jetën…sekretin e ekzistencës së dy shpirtrave në një. E, nëse shpirti njerëzor do të përfytyrohej si një shpend që shpalos krahët lart në qiell, do të shihnim se në të janë të mishëruara të dyja gjinitë njëkohësisht. Do të shihnim se ekzistenca nuk është tjetër veçse bashkimi i dy gjinive në shpirtin e përbashkët njerëzor.
Dy personazhe në një, që më çojnë larg në imagjinatë dhe krejt instiktivisht, nëpërmjet një zinxhiri të padukshëm e abstrakt, më sjellin mendimin se Poeti nuk është thjesht ai “ngacmuesi”. Është shumë më shumë se kaq.
Në njëfarë mënyrë është vetë Ai që shfaqet në përmasa të tjera, ende të panjohura për botën e Gruas; përmasa që kanë të bëjnë me një marrëdhënie të pakonsumuar kurrë në gjithë kuptimet e saj, e cila ngacmon fantazinë dhe në cast krijon imazh të ndryshëm nga e deritanishmja për Intimitetin.
Në këtë aspekt, poezia tek une trasmetohet ashtu siç është ndjerë, siç ka ardhur në muzën e poetit. Unë e pranoj atë në atë forme që natyra ime e brendshme e pranon.
Dhe ne…unë, ti…teksa Poeti trajton Gruan dhe natyrën e saj, a mundemi ta shmangim dot të menduarit rreth Tij?!
E mëpastaj, deduktoj se ndoshta as Ai vetë nuk ia ka njohur vetes tipare të cilat shpalosen nëpërmjet vargjeve, për shkak të një lloj marrëdhënieje të veçantë me Femëroren.
Ka shaluar Fjalën Poetike dhe i afrohet aq shumë gardhit të imagjinatës femërore.
Ka përqafuar Ndjenjën dhe i afrohet aq shumë njerëzores.
Ka shpalosur Shpirtin dhe e ka kthyer në vlerë.
E paskëtaj, si të mos besosh se Poeti dhe ItakaGrua ia arritën të takohen në këtë libër?!
Nuk ka komente:
Posto një koment