e premte, nëntor 14, 2008

Kur ‘tundimi’ vjen nga Hyzoti


Fatmir Terziu

E “çuditshme” kjo e shtuna e tregut. Por më e ndjeshme vjen ajo nën penën e Hyzotit që gatuan një të shtunë tregu, në sytë e gruas. Në këtë poezi vec asaj që vjen e ndjeshme në fjalë, mendim dhe domethënie, është edhe bashkëveprimi i alteracionit me asonancën, një kombinim i përkryer që të kujton krijime me vlerë dhe më së shumti në poezinë shqiptare ndeshesh me poezinë e F. Nolit. Poezia “E shtuna e tregut” është në fakt një emocion dhe një praktikë e zhdërvjellët më vete. Elementët, detajet, fjalët janë pjesë jetike. Bukuria qëndron në përzgjedhjen, renditjen e tyre. Në këtë mënyrë kjo poezi kap vlera të vërteta. Ja ndiqeni me kujdes ritmin e saj nën bashkëveprimin e alteracionit me asonancën: “Kohën dhe karrocën shtyj-
Sa e besdishme!-
Gruaja-nervoze
Për rritjen e çmimeve!”

Dhe më pas po e njëjta gjë, me një ndjenjë tërheqëse dhe frymë frymëzimi. Bukur lexohen këto vargje dhe ngjallin kuptime të ndryshme, aq të domosdoshme për të zhbiruar edhe elemente të dukshëm e të padukshëm të qenies njeri, jashtë një kornize të quajtur ‘morale’, por që vjen nga arsye tundimi: “Dhe nis e bën skontimin e listës./Unë shtang i trembur,s’kam më fuqi:”. Këtu është aspekti psikoanalitik që aq bukur e sqaron Frojdi në lidhje me elementin e ndjeshmërisë, që në fakt në poezi është ashtu sic Benjamin e quan, një figurinë në mendjen e poetit, ku praktikat gjejnë fuqinë e argumentit nëpërmjet figurave. Në ktë vazhdim të poezisë organizimi i lirshëm i bashkëtingëlloreve krijon efekt të ndjeshëm në vargjet e Hyzotit, sidomos kur ai mbart edhe ngarkesë shprehëse të llojit shpirt-imitues:
“Një vajzë më kalon pranë…
Ish vajzë a ishte perri!
Tremben mos i këputet mesi,
Në më çik me gjoks-
Do më zërë korrenti,
Nëse pak e luan
Të hatashmen qepallë,
Fryma do më merret,
Do më mbysë të gjallë…
-Sille karrocën,ku të hedh frutat?
Unë shkundem,ftillohem,
Kujtohem për gruan.”

Edhe poezitë e tjera të prura nga Hyzoti si “I vogël në Nju York”; “Vjehrra dhe Presidenti i Amerikës” ; “FORT PO SHNDRIT AJ DIELL…” apo edhe “VDIQ NJE FEMIJE…” kanë një parim organizues të figurave tipike të lidhura me përsëritjen e tingujve që Hyzoti, shpeshherë i përdor me kujdes. Por në tërsinë e asaj që është realizuar është se këtu kemi të bëjmë me një varg poezie dhe jo me renditje fjalësh sipas prurjeve mendore, që jo pak herë shfaqen në mesin e krijuesve. Ndjehet fuqia e fjalëve që bëjnë që pamja e fiksuar përpos leximit të poezive të jetë një përfytyrim i shumë gjërave. Kjo është arma e poezisë, motoja e saj për të thënë shumë me pak fjalë. Ajo që duhet vëzhguar më ndjeshëm është dicka që vjen nga nxitimi, paksa i poetit. Hyzoti këtë mundohet ta shmangë, gjithësesi ajo diku ndikon padashje dhe krijon një hapësirë. Tek poezia Fort po shndrit aj Diell” më duket se duhet pak kujdes, sidomos në këtë pikë. Është një poezi dhimbëse, vjen nga praktika personale, të ndjeshme, plagë-gërryese, por në poezi, edhe pse poezia frymëzohet nga këto ndodhi, gjithmonë sensi i tragjikes, duhet të jetë paksa mënjanues. Hyzoti ndryshe nga realizimet e tjera ndjen pak më tepër në këtë ‘pozi të dhimbshme’. Gjithësesi ajo që vjen nga Judith Buttler, kur flet për sekulizmin shpirtëror të njeriut këtu ka një lidhje të pashmangshme, ka një arsye më të qartë për ti dhënë kësaj poezie një faturë sfidante. Është pikërisht ky sekulizëm që vjen në vargjet: “Fort po shndrit aj diell,por unë paskam ftohtë,/Tek shpejtoj Manhatanit ne avenune e peste…/Te kisha ca para të ngjitesha në “Empire state”/Tek më e larta ndertesë/Të afrohesha me diellin.” Më tej është ironia që mer formë të ashpër, të pamëshirshme, që arrin deri në dhimbje. Ajo është përdorur këtu të japë efektin e duhur. Dhe e ka realizuar, duke mbetur një sipar figurative i domosdoshëm që paraqet fatin e një emigranti në udhësitë e pashpirtshme të botës që e rrethon: “Jam robtuar,qorruar,s’di ku më shpien këmbët:/Avokati telefonon për tre mijë dollarë./Eshtë fund muaji dhe në shtëpi më prêt landlordi-/Qeraja duhet larë./Shkoj i jermuar,se s’do te dijë çifuti…” Inversioni ose përmbysja që sjell këtu Hyzoti ka frymën e nevojshme për të kuptuar arsyen, që më pas lidhet me atë që ushqehet nga folklori shqiptar, duke simbolizuar durimin: “Jo avull,po nga goja nxirrte tym të zi,/Me pozën e të prekurit :Faleminderit por bisnesi,/Uollstriti…më fal,por ikni në shtëpi…/Ku të iki?Në çast të gjithe grataiçelat/Më ngjanë me male,me Bjeshket e Namuna./Dhe rrezet e diellit më tepër më dridhnin./Ndihmomë ,o këngë e popullit tim,/Më gjej një udhë të piqem/Me Mujin dhe Halilin!”

Nuk ka komente: