e diel, tetor 26, 2008

Roman apo Novelë?!



Fatmir Terziu

Para pak ditësh përfundova së lexuari librin “Disgrace” (“Turpi”) të shkrimtarit John Maxwell Coetzee, një Afrikano-Jugor që tashmë jeton në Australi. Coetzee me librin “Disgrace” fitoi titullin Booker Prize, dhe më vonë u bë fitues i Çmimit Nobel në Letërsi në vitin 2003. Kur ai botoi këtë libër kritika e quajti të dobët dhe madje e kualifikoi si një novelë. Të tjerë nuk u nxituan të bënin ndonjë kundërshti, por shtuan se në letërsinë e sotme format e prozës së gjatë nuk kanë shumë rëndësi nga emërtimi që ata marrin. Për pasojë edhe vetë autori më pas nuk dëshiroi debatin, por u mjaftua me gëzimin e çmimeve. Përshembull, Russel Celyn Jones, në “The Times” e quajti “një novelë e madhe nga një prej autorëve që shkruajnë në gjuhën angleze sot”. Por ajo që ishte më interesante në këtë mes ishte fjala e Justin Cartwright, që në “Daily Telegraph” theksoi se “Coetzee kap me mjeshtëri dilemën e të bardhëve në Afrikën e Jugut, në një roman nga cilësia dhe në një novelë nga urtësia”. Sakaq në gazetën “The Independent”, Boyd Tonkin do të anashkalonte këto debate dhe do të sillte një detaj që sillej vetëm në një pikë, atë të vlerave të librit: “një mjeshtëri-pjesë, ndoshta libri më i mirë që mban çmimin Booker Prizë në dhjetë vitet e fundit”.
Duke parë këto debate për librin e Coetzzes, ndoqa edhe dy ndërhyrjet e Faruk Myrtajt dhe Ndue Lazrit për librin e fundit të shkrimtarit, Pëllumb Kulla. Edhe unë që në fillim dua të theksoj se nuk dua të futem në debat, por as edhe të kundërshtoj Myrtajn apo Lazrin, por thjesht të kontribuoj në një fushë që sot ndoshta kërkon më shumë vëmendje. Është gjinia e romanit që ajo vjen në ditët tona me atë formatim njohurish që na janë dhënë për të, dhe me kaq mundësi që net ë gjejmë sot Perëndimit të lexojmë për të. Së pari diçka për romanin, edhe njëherë, pa tentuar tu japë njohuri të tjerëve, as që të ndikoj në mendimet e tyre dhe bagazhin e mjaftueshëm që ata kanë për këtë. E ritheksoj se si Myrtaj dhe Lazri, janë pena të njohura dhe të respektuara. Mendimet e tyre janë të vlefshme dhe sot shumëkush i mirëpret ato në mënyrën dhe stilin që i shprehin, por në këtë rast mendoj se klasifikimi i librit të Kullës fillon pikërisht me vlerat që ai mbart, jashtë tentativës për ta klasifikuar atë, se ai ka formatin e tij.
Romani (nga lat. lingua romana – gjuhë romane) është lloj i madh i prozës. ai e ka zanafillën në shkrimet e para në gjuhën romane, që dalloheshin nga veprat poetike të shkruara në latinisht. Romani mendohet të jetë lexuar nga shtresa të gjera shoqërore, që e shikonin letërsinë si mënyrë argëtimi. Vepra e Servantesit, Don Kishoti, është vlerësuar si roman i mirëfilltë në traditën e romanit evropian. Don Kishoti, është një roman që u ndërpreu rrugën llojeve kryesore të prozës para tij: romanit Kalorsiak dhe romanit pikar. I pari trajtonte trimëritë e kaloësve, moralin e tyre , ndërsa I dyti jetën e disa njerëzve që bridhnin nëpër botë dhe gjithçka u ecte mbrasht. Don Kishoti parodizon me mjeshtëri gjithë vlerat e kësaj letërsie dhe moralin shoqëeror të asaj kohe. Ky zhvillim, përmes mohimit të llojit, mbeti karakteristikë e romanit, që nga lindja e tij e deri në ditët tona. Romanin realist I shekullit XIX lindi si kundërvënie ndaj romanit sentimental të periudhës së romantizmit, kurse romani i shekullit XX, si kundërvënie e romanit realist të shekullit XIX.
Romani është lloj i ri letrar, i shfaqur pqr herë të parë në epokën moderne, në kohën e zhvillimit të madh të njohurive shkencore dhe të industrisë së shtypit, kur morali patriarkal i epit po shkatërrohej nën trysninë e fuqishme të shoqërisë së re industriale. Institucioni i ri i familjes, roli i individit, po bëhej epiqendër e prozës në përgjithësi, pra edhe e romanit.
Romani nuk kufizohet me asnjë nga rregullat e ngurta të poetikës. Ashtu si epi, edhe ky trajton tablo të gjera jetësore, por pa qenë i detyruar të zgjedhë tema të rëndësishme. Romani trajton fatin e heroit të vet me po aq madhështi sa epi, por ky personazh është një njeri i zakonshëm në labrinthin e madh të jetës, me një ndryshim që në librin e Kullës, personazhi i tij është një demon i jashtëzakonshëm politik i lindur si njeri, por i dominuar mbi njerëzit. Romani është po aq objektiv sa epi dhe, në të njëtën kohë, përmban elemente të theksuara psikologjike, duke depërtuar deri në skutat e errëta të unit e të shpirtit të njeriut. Shmangie nga rregullat e ngurta të poetikës vihen re edhe kur krahasojmë romane të autorëve të ndryshëm në kohë te ndryshme, të cilat është vështirë t’i futësh në një lloj të vetëm. Romani është zhvilluar nëpër rrugë të ndryshme, gjithmonë duke zhvendosur modelet e dhëna më parë. Sot ai vlerësohet si një dukuri më vete, si një formë që ndahet në lloje të ndryshshme. Fabula e romanit zakonisht është shumë e ndërlikuar dhe nuk zhvillohet në mënyrë të njëtrajshme. Brenda një romani gjejmë disa linja zhvillimi, që mpleksen me njëra-tjetrën. Kërkesa për tematikë të gjerë ka bërë që të krijohen një radhë veprash të lidhura në cikle, si: “Komedia njerëzore” e Balzakut, “Duke kërkuar kohën e humbur” e Marsel Prustit etj.
Por duke ditur se ka romane që realizohen në një formë eseje, siç janë romanet e Sartrit, të Kamysë etj, klasifikimi i një vepre në është roman apo jo nuk ka ndonjë rëndësi të madhe sot, pasi rëndësi ka si e sa vlen që kjo vepër të mbijetëojë në konkurrencën në rritje të saj edhe në lëvrimin shqiptar. Përshembull, Dostojevski me romanin e tij me strukturë gati të romanit kriminalistik trajton çështje të rëndësishme psikologike e shoqërore, madje edhe politike, ku përfshihen edhe të folurit e brendshëm të personazhit, duke u bërë kështu paraardhësi i romanit modern.
Romani modern nuk mbështetet shumë në fabulë. Le të kthjellohemi paksa më qartë në këtë pikë. Xhojsi, shkrimtar me origjnë irlandeze, në romanin “Ulisi”, paraqet vetëm një ditë nga jeta e personazheve të vet në Dublin, mirëpo përmes shtrirjes së kohës subjektive arrin gjerësi epike të jashtëzakonshmme. Ai mbështetet në metodën e përroit të ndërgjegjes, të dhënies së përjetimeve, ndjenjave e mendimeve të gërshetuara me njëra-tjetrën, pikërisht ashtu siç lindin në trurin e njeriut. Mbështetur në elementin e kujtesës, në përgjthësi të kujtesës spontane, ose dhe të intuitës. Më tej edhe romancieri francez Marsel Prusti ka krijuar një roman në gjashtëmbëdhiete vëllime. Sipas një kritiku të madh francez, ky roman është një “vepër e papritur e paklasifikueshme”, që shënon një “ndërprerje” në traditën letrare, më qartë e flak debatin dallues midis tradicionales novelë-roman. Një tjetër romancier i madh modern, Franc Kafka, në romanin “Procesi” ofron një botë, ku fati i njeriut është krejtësisht jashtë vullnetit të tij. Veprat e tij shpesh janë të papërfunduara, siç e thotë edhe vetë, “historitë e mia janë njëlloj mbylljeje e syve”.
Por, ama një gjë duhet të jetë e qartë dhe nuk duhet të nxitohemi, pasi sot kritika thekson se edhe romani i ri modern mund të klasifikohet. Për arsye studimi, por edhe për të pasuruar dijet për romanin, teoricienë të ndryshëm mendojnë që klasifikimi i romanit duhet bërë sipas tematikës që trajton. Sipas këtij parimi, romani ndahet në shoqëror, psikologjik ,historik, roman dashurie, me aventura, policor, politik, social etj. E meta e këtij klasifkimi qëndron në mundësinë e shtrirjes pa kufi të llojeve dhe në faktin që disa romane nuk mund të përfshihen vetëm brenda një lloji.
Një parim tjetër klasifikimi bazohet në qëndrimin e autorit dhe tonin e romanit sipas të cilit kemi: roman sentimental, didaktik, humoristik etj. Teoria e formalistëve rusë jep edhe një klasifikim sipas mënyrës së ndërtimit të subjektit. Kështu ka roman zinxhiror, roman unazor, roman paralel etj. Lloji i parë mbështet në fillimin e ngarjes së re aty ku mbaron tjetra; romani unazor nënkupton një kuadër brenda të cilit zhvillohen ngjarjet, si: “Udhëtimi rreth botës për 80 ditë” i Zh. Vernit; në romanin paralel zhvillohen disa linja njëkohësisht, si romani “Ana Karenina” i Tolstoit ose “Lumi i vdekuar” i Jakov Xoxës etj.
Në studimet për romanin, sidomos për historinë e zhvillimit të tij, shpesh veçohen dy lloje: romani realist dhe romani modern. I pari karakterizohet nga një fabulë e fortë, e zhvilluar me analizë psikologjike të karaktereve, me rrjedhë të natyrshme zhvillimi të ngjarjes, dhe tregimtari është i sigurt në ato që thotë. Romani modern shpesh nuk përban ndonjë fabulë të caktuar. Në të gjithçka ndodh brenda një kohe subjektive, pozicion i tregimtarit është jashtëzakonisht i ndërlikuar dhe perspektiva e tregimit e lëvizshme. Vitet e fundit kanë lindur nënlloje të reja, si: romani i përroit të ndërgjegjes, romani postmodern, antiromani etj.

Në letërsinë shqiptare romani është zhviluar vonë. I pari romancier i letërsisë shqiptare në kuptimin e mirëfilltë të fjalës është Ndoc Nikaj, i cili ka trajtuar tema të ndryshme nga shoqëria shqiptare në prag të pavarësisë. Ndonjë nga romanet e tij, si “Shkodra e Rrethueme”, edhe sot mund të lexohet me kënaqësi.
Ndërmjet dy luftrave botërore lloji i romanit nuk u zhvillua shumë, megjithatë të kësaj kohe kemi romanin sentimental të Haki Stërmillit “Sikur të isha djalë” dhe më vonë Romaní “Pse” të sterjo Spasses.
Zhvillimin më të madh romani shqiptar e mori rreth viteve gjashtëdhjetë, kur u shfaqën disa shkrimtarë të medhenj në letërsinë shqiptare. Të kësai periudhe janë romanet: “Lumi i vdekur” nga Jakov Xoxa, “Ra Berati” nga Bilal Xhaferri, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur” dhe “Prilli i thyer” nga Ismail Kadare, “OH!” i Anton Pashkut, “Sheshi i unazës” nga Zejnullah Rrahmani, “Shkëlqimi dhe e shokut Zylo” nga Dritëro Agolli etj.

Pra, duke parë këtë rrjedhë që ka ndikuar në rrugën e romanit dhe klasifikimin e prozës, sot nuk ka shumë rëndësi se si dhe qysh quhet një libër. Ai, pra libri, sipas kritikës së sotme, sot varet nga “dëshira” e autorit dhe gjërësia e problematikës që ai trajton. V. Mehmeti na sjedh një fakt tjetër bindës nga krijimtaria e shkrimtarit Ismail Kadare. Novela e Kadaresë "Ditë Kafenesh" që u botua edhe në anglisht para disa kohësh ka qenë e botuar vetëm në gazetë në vitin 1962, por më vonë ajo u bë pjesë e romanit "Qyteti pa Reklama".

Nuk ka komente: