e enjte, tetor 02, 2008

Naracioni realistik dhe koha e mitit në romanin e Pëllumb Kullës



Fatmir Terziu

Naracioni realistik i romanit më të ri, “Vdekja e Enver Hoxhës”, të shkrimtarit shqiptar Pëllumb Kulla është strukturuar nga një mirëkuptim i kohës si një sukses infinit i tipikes, momenteve të papërsëritshme, vetëpërmbajtjes, por të gjitha këto të lidhura me shkas pazgjithshmërisht. I besuar në këtë strukturim, në trajektoren e të njohurës “kritike” dhe zhvillimit të saj në aspekte jashtë-familiare, është një sens tjetër i kohës, kohës së njerëzve dhe shkallëve biologjike që përfundojnë në ciklin lindje-vdekje. Kulla e gjen këtë të fundit, vdekjen, për të bërë një marëveshje me lexuesin. Por ndërsa vdekja vjen nga shkallë të njohura e tepër argumentative, natyrshëm të shpien të gjesh lidhjet të cilat vetëm pak ditë më parë i pati njëjësuar autori Bel Jacobs, duke marë shkas nga libri “Thinning the herd: Tales of the Ëeirdly”. Ndërsa libri i Cynthya Ceilan, gjen një pikë referimi tek “Dita e të Vdekurve”, që meksikanët e kanë si ditë të kujtueshme, libri i Kullës, gjen arsye tjetër të krijojë antitezën e një fraze që shkonte për shtat kohës së fillit të kuq, se Enver Hoxha kishte vetëm lindje. Dhe kjo duket që tek kreu i pare tek “FYTYRA E TË VDEKURIT” që vjen në stilin e autorit si një “Rrëfim i një grimiori”, ku autori shkruan: “Kur tingëlloi zilja e portës mua as që më shkonte ndërmend që ai kish vdekur dhe pas gjysmë ore, unë do ta shikoja me sytë e mi, të pajetë, të shtrirë sagjatë, nën një çarçaf të bardhë.”
Pra vdekja e tij vjen si një literacion shkrues, ndërsa ajo i kundron realitetit dhe faktit të rrethit ciklues të lartpërmendur. Libri i Ceilan, duhet shtuar këtu se trajton sublimen që ndodh kur jeta merr fund, ndërsa libri i Pëllumb Kullës, gjen arsyen të shtjellojë vdekjen si vdekje, ose “ Vdekja e Enver Hoxhës” në alteracionin shënues “shumë romane në një”. Kështu në se “Thinning the herd: Tales of the Ëeirdly” trajton vdekjet e qindra emrave në historinë botërore, midis të cilëve edhe të Attila The Hun (406-453) njërit prej njerëzve më të njohur për të këqijat e tij në histori, romani i Pëllumb Kullës trajton vdekjen e diktatorit komunist shqiptar të një gjysëmshekulli monist. Dhe më së fundi ndërsa libri i Celian është për të sjellë në medje të lexuesit emra pas emrash që kanë pikëtakim dator në histori, “Vdekja e Enver Hoxhës” është ajo që paralajmëron vetë autori që në hyrje: “Ky libër tregon për Shqipërinë, por nuk është histori. Është një sprovë mbi një nga temat e saj qëndrore, morale. Kam përdorur vetëm dy emra të vërtetë: atë të sovranit dhe të gruas së tij. Emrave të sundimtarëve nuk ke se si t’u shmangesh. Është një lloj haraçi që ata u paguajnë krijuesve, kur rrinë aq gjatë në krye të vendit. Për vërtetësinë e ngjarjeve unë ve dorën në zjarr dhe ndryshe nga të tjerët, unë e ve edhe sikur ai të jetë i ndezur! Vetëm titulli i librit mund të shkaktojë diskutime, ngaqë ka gjithnjë e më shumë zëra, që thonë se Enver Hoxha nuk ka vdekur ende.”
Dhe këtu natyrshëm vec dyzimit njerëzor për vdekjen e Enver Hoxhës, apo figurës që depërton në brendësi të fjalës, vjen edhe aspekti në dy kohë. Këtë aspekt Stephen Jay Gould, në studimin e tij të emergjencës së konceptit të kohës njerëzore dhe kuptimit të saj në dy kohë si infinitive, pra pavdekësi ideologjike, apo e trashëgueshme në sjedhje, veprime e qeverisje, shpeshherë e maskuar në demokraci, ka argumentuar se ka gjëra që janë larg të menduarit me të vepruarin, ka gjëra që janë në dilemë me realitetit, ku frika e sqaruar nga Nietszche është një argument më shumë. Këto dy modele të kohës; kohës së papërsëritshme dhe kohës imagjinare që të ndjek nga pas natyrshëm u shkojnë për shtat diktatorët që limtin e kohës së qeverisjes së tyre e kanë me vdekjen, me fundin e tyre. Pra nëse Kulla gjen forcë të thotë atë që ndjen, se vdekja ende nuk ka ndodhur, ky the kohor duhet parë mirë dhe kuptuar saktë. E para qëndron tek fakti se ajo, pra koha e ndarë, mbetet një realitet regresiv dhe e dyta sepse identifikohet si një argument konservativ. Më saktë sepse koha e një gjykimi të tillë është një eksperiencë njerëzore, dhe është lidhur me jetën e njeriut, por asnjëherë si një armë individualiteti. Edhe pse koha këtu riciklohet prapë nuk është vështirë ta dallosh atë që Frederic Jameson shtjellon në lidhje me hapësirën e prezantimit, për të cilën ai mendon se është më domethënëse se fjalët, është një vizatim modern më vete: “Atë kohë flitej shumë për luksin që mund të shihej atje, por pamja e parë që po më shfaqej mua sapo shkela në të, ishte ajo e një bodrumi. Në bodrum gjetëm nja katër vetë me rroba të bardha, që seç diskutonin pranë një njeriu të shtrirë e të mbuluar me një çarçaf, që m’u duk i lagur. I tërë trualli i katit të nëndheshëm ishte i lagur. Çarçafi linte të dukeshin qartë format e njeriut që dergjej aty i vdekur, i lënë krejtësisht pa vëmendjen e mjekëve.”
Dhe pastaj vjen si në një lidhje të ngushtë me populloren që përkon me “… krihet e lagjja digjet”, ndërsa humori tipik i Kullës, sfidon kohën dhe sjell një këngë që këndohet, ku edhe vargjet qortojnë në heshtje:“Kush më merr mua/Merr yll, jo grua!…”
Këtu kuptohet qartë se vdekja është një shpërfillje por edhe një dyzim frike. I vdekuri i Kullës nuk është i ndryshëm, por tipik. Ai ka lënë litarin mbi varr dhe kështu frika e pason rrëfyesin në dy kohë sërrish: “Pamja që m’u shfaq para syve ishte edhe më e llahtarshme se atëherë kur hyra. Në këtë hapësirë të nëndheshme nuk kish mbetur as edhe një qenie e gjallë. Nuk ishin më doktorët, nuk ishte Teloja. Aty tani ndodhej vetëm trupi i Komandantit, i mbuluar me çarçafin e bardhë, i lënë vetëm, si i harruar, si i braktisur, si një objekt që nuk rrezaton më as autoritet, as frikë. Frika ishte aty në ajër, por ishte një frikë e një lloji tjetër. Ishte ajo e njohura e vjetër, që nuk më ndahej netëve të fëmijërisë, kur ndonjë i afërmi ynë vdiste dhe unë e përfytyroja se do të më shfaqej sapo të isha vetëm. Ja, tani isha vetëm me një tjetër të vdekur, por po aq të frikshëm, sa ata që më rrinin pezull në errësirat që më dukeshin pa fund tek më merrej fryma nën jorgan. Ish një i vdekur madhor ky, një njeri që tani mund të ngrihej, të flakte çarçafin dhe të më thoshte me zë të rëndë: “Cili je ti, mo?”
Në romanin e Pëllumb Kullës del qartë, se historia është një ëndërr në të cilën karakteri i tij i piketuar dëshiron të ngrihet, udhëheqë, sundojë, por historia është një ‘temporalitet linear’, që nuk mund të keqpërdoret me termat e veta, me ligjësitë personale. Në këtë kontekst mjaft shkrimtarë gjendet të dyzuar, dhe në kuptimin e riskimit historik, ata japin vetën e dytë, si për të dalë nga situata. Pra në këtë situatë naracioni duket paksa tërheqës dhe aspekti tregues, që vjen me pijen e me detajen e tjera në roman, jepet në një mënyrë të tillë që studiuesi i mirënjohur Homi Bhabbas e quan një ‘detyrim të panevojshëm’. Por në planin tjetër, ajo që shton Bhabbas është një risk që lidhet me kulturat, kun ë këtë rast kultura shqiptare natyrshëm duhet të kishte një ndalesë të tillë, që lidhet me shumë arsye në roman. “…Njësoj si unë, ai paskësh bërë një stazh të plotë në Paris. Ish specializuar për operacione plastike dhe kish emër të mirë në rrethin e grave të udhëheqjes. - Por, më beso, tjetër është lëkura e njeriut të gjallë dhe tjetër është ajo e të vdekurit. Për ideal, e tmerrshme! Të lutem, shoku Betim, ndihmomë! Ma hiq litarin! Kjo është ngjarja më e llahtarshme që më ka goditur në jetë. Jo, jo. Nuk flas për humbjen e shokut Enver. Kjo, po se po! Flas për problemin që më ka ndodhur mua. Rrezikoj shumë, më beson? Për ideal! Dhe ndërkohë më kish shpënë përpara Enver Hoxhës, që vazhdonte të dergjej shtrirë sagjatë, mbuluar me atë çarçafin e lagur. Mjeku zgjati të dy duart dhe me një shpengim, që unë nuk ia mendoja dot vetes, ia zbuloi fytyrën. Portreti që më goditi sytë ngjallte llahtarë. Nuk mund të përqasja kollaj fytyrën më të njohur të jetës sime, atë fytyrë që më qe shfaqur përditë dhe nga shumë herë gjatë tërë viteve që unë ndodhesha mbi këtë hise të rruzullit; fytyrën më të kudogjendur, në muret, posterat, ekranet, faqet e shtypit, pullat postare, malet; fytyrën, për të cilën, ishte përdorur aq shumë mermer, allçi, bojra, beton, zaje lumi, trupa njerëzorë të veshur njësoj në faqe stadiumesh; jo, nuk mund ta përqasja dot, me atë fytyrë që kisha përpara tani: të vuajtur, të ligur e të tretur. Ishte një shkretëtirë zbehtësie! Të gjithë eshtrat mbizotëronin pamjen. Hunda, harkatat e vetullave, mollëzat, qoshet e ballit dhe të nofullave, të tëra ngjanin sikur qenë përpjekur të kërcenin përmbi lëkurën e bardhë. E kjo ndeshje e tyre me lëkurën, dukej sikur pat vazhduar deri sa frymëmarrja pat rreshtur e gjithçka qe ngrirë. Buzët mishtore që mua më binin në sy më shumë nga çdo gjë, kur ai shfaqej në jetët tona të përditëshme, edhe ato qenë tretur. Unë po shihja ëndrrën më të frikshme, atë të pa parën ndonjëherë. Aq shumë duhet të isha shpërfytyruar, sa që edhe Çapajevi, që shfaqte vërtet një brengosje të thellë, u tërhoq me respekt përpara efektit që nuk pat parashikuar se do të shkaktonte tek unë, me atë lëvizje të çarçafit.”

Koha e mitit

Përdorimi i mitit në romanin e Kullës, është një domosdoshmëri parodike, duke e stiluar atë në labirinthet e njohura e të detajuara me faktin e një vdekjeje dilematike që bën autentikë mite të tjerë të lidhur me kulturën tradicionale shqiptare. Pëllumb Kulla vetë na paralajmëron se këtu mitet janë një arsye më shumë që të shthurren, pasi imagjinarja dhe fiktivja në roman, janë bashkëudhëtarë të vetë mitit në kohë tjetër. Ajo që Faruk Myrtaj shënon për romanin është më se kuptimplote. Ai e shënon kohën në dy kohë dhe natyrshëm me pak fjalë por me mjeshtërinë e tij e bën përcjedhjen tek udhëtimi imagjinar i ‘mitit’ të ditëlindjes si një përgjigje për të stisurit e vdekjes, apo për recencën e mendjes që ende lufton diku emrave. Kreu i dytë i romanit është pikërisht në këtë perifrazim emrash që riskojnë mitin, por që padashje janë pjesë e tij që në emër, se koha bëri të vetën. A nuk lexohen pikërisht kështu këta emra edhe sot pa asnjë ndryshim nga ajo vdekje? “Sekretari i Parë i partisë së rrethit, i thirri të katër burrat në zyrën e tij të dielën në mëngjes. Fatosi hyri i fundit e, megjithatë, ishte dhjetë minuta para orës që kishin caktuar . Aty, veç, Namikut, drejtorit të Pallatit të Kulturës, që pat përcjellë lajmërimet ndodhej Thoma Miloja, që ish në ato vite, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve për rrethin, regjisori i amatorëve, Ulvi Çiço dhe Moisi Dhëmblani, poeti më i njohur i atyre anëve. Fatosi u habit kur pa Moisiun. E paskëshin thirrur nga Shtëpia e Pushimit ku kish vajtur tok me të shoqen. Nga të partisë, veç të parit, ish edhe sekretari që mbulonte kulturën dhe artin në rreth, Ligoraq Belica. Ky bëri prezantimin e secilit, megjithëse Sekretari i Parë dukej se i njihte mirë të gjithë. Fatosit i hodhi një sy më të vëmendshëm, kur Ligoraqi i tha, që në Pallatin e Kulturës, Fatosi mbulonte sektorin e folklorit dhe kur pa që djali u ngrit, për respekt, në këmbë…”
“Me mitin është patjetër bashkëudhëtare edhe ajo që krijohet nën fuqinë e tij, që afron një mundësi më shumë për të qenë pranë lexuesit”, thotë në esenë e tij të famshme Benjamin. Këtu është me vend ajo që Vahid Hyzoti e thotë në mënyrë të përsosur: “Realizmi, penelat e shpejtë të portretizimit të personazheve, shikimi i thellë i situatave, grotesku, "temperatura" e vërtetë dhe ajo fallco në shtresat e ndryshme shoqërore, trajtimi i mirëfilltë artistik, gjuha e zgjedhur në varësi të situatave etj. bëjnë që romani i Pëllumb Kullës të lërë gjurmë, të ketë "zë të veçantë", të jetë tepër i mirëpritur nga lexuesi.”


Vazhdon…


Bibliografi:

Pëllumb Kulla (2008) “Vdekja e Enver Hoxhës”
Stephen Jay Gould (1987) “Time’s arrow, time’s cycle: Myth and Metaphor
Frederic Jameson (1988) “Modernism”
Homi K. Habba (1990) “Narrative and the margins of the modern”
Homi K. Habba (1989) “Dissemination”
James Joyce (1995) “Critique of modernism”
Walter Benjamin (1989) “Theory of cultural difference”
Faruk Myrtaj (2008) “Fjala e Lirë”
Vahid Hyzoti (2008) “Fjala e Lirë”

Nuk ka komente: