Miri Dhrami.
Papritur, dikush sëmuret dhe shtrohet në spital. Shkaku i sëmundjes ende nuk dihet, ndaj fisi derdhet në vizita pafund, me ankthin monopol të fytyrave. Dhoma është e heshtur dhe shtrati i dhimbjes i rrudhosur keq, thua se edhe ai vuan. Për një çast i dashuri zgjohet nga kllapia, luan pak kokën dhe buzëqesh lehtë. Vizitorët e urojnë, “O zot, me kaq!” Por ai ende ka ngjyrën e ftoit, dhe buzëqeshja shkëlqimin e hekurit. “Kam pasur temperaturë të vazhdueshme!” –belbëzon me aq forcë sa i ka mbetur. “Por në fund të javës shpresoj të dal!”-i bën një mbyllje të shpejtë bashkëbisedimit. Është entuziast.
“Hë mo, se mirë dukesh në fytyrë!” –e gënjejnë vizitorët për njerzllëk. “Më shpejt kanë për të të nxjerrë!”-vazhdojnë ti përsëritin si për t’i lehtësuar dhimbjen. Por ai vazhdon të ketë ngjyrën e ftoit të pjekur. Kështu vizitorët shkojnë dhe ai rrotullon anën. Gjithkush krijoi këndvështrimin e vet. Të shumtët besojnë se do shërohet. “Mund të zgjatë pak, por do shërohet!”-i thonë njëri tjetrit tek shkojnë, që të mos rrinë gojëqepur, vuvë. Ndonëse nuk e fshehin dhe ankthin.. Madje, këtë ua përforcon dikush prej vizitorëve, që ka lëshuar pak më parë një, “Eh, i gjori!” Mbas pak, ligështimit të vet ai i shton befas edhe një parashikim gogolik. “Vështirë ta hedhë!”-thotë. Askush nuk e kupton pse e thotë, ndaj e kalojnë portën e spitalit nën shikime të pjerrëta, teksa dikushi vazhdon të mërmëritë përsëri. “Nuk ka si të bëhet!”
Të tjerët humbasin toruan, ndërsa ai mbahet si zgjidhësi më i thjeshtë i hallit të porsalindur. Sigurisht që kundërshtohet, por gjithsesi ai ka këndvështrimin e vet. Kështu që vazhdon të këmbëngulë me bindje, se i sëmuri patjetër do vdesë. “E kish të shkruar në ballë!” –përsërit i palëkundur në pikëpamjen e vet.
Askush nuk mund ti kyçë gojën, ndaj ai bluan, ndërkohë i dashuri në spital, jep shenjat e para të përmirësimit. Ende nuk bëhet fjalë të dalë nga spitali, por përmirësohet nga dita në ditë. Dikushi vazhdon të ngulmojë; “Do vdesë, nuk mund ti ndodhë ndryshe!”
Mbas kaq kohe, stoik në këndvështrimin e vet, ai e ka të vështirë të pranojë të kundërtën. Sipas tij, “i dashuri” patjetër duhet të vdesë. Veç atëherë çështja do të ketë rrjedhë normale...
2008. Athinë
Nuk ka komente:
Posto një koment