Faruk Myrtaj
Braktisja e fëmijës është e fundit, më e dhimbshmja, në radhën e pamundësive të femrës për të realizuar nënën. Diçka që vështirë se falet, vështirë se justifikohet. Sepse vihet në dyshim instikti i saj, që është natyral. Por në këtë jetë-rropatje na ka ndodhur edhe një braktisje tjetër, jo më pak e dhimbshme, por shumë më e gjerë: nuk i bëhet vetëm një fëmije, por një populli të tërë, pasi I ke premtuar atij të bëhesh nënë për të. I braktisuri i Robert Martikos, në leximin tim, është dhimbja e dytë që përfshinë edhe të parën.
Kam pasur rastin të lexoj edhe dy librat e tjerë të Martikos. I quajta “libra” në kuptimin e “veprave”, “punëve”, “prononcimeve apo dëshmive me shkrim”, pa e parë të udhës e as të nevojshme të pohoj përkimin e tyre si realizim në një gjini të veçantë të artit të të bërit letërsi. Gjë që nuk e kam vënë në dyshim qysh në leximet e para të dukjeve të tij internetike. Gjithnjë sipas meje, prania e elementëve filozofikë (shqyrtime, reagime, polemizime) me paraardhës a bashkëkohës, vetëm i shton seriozitet letërsisë. “Dritëhije shpirtrash të humbur” dhe “Flijime të skajshme”, dy librat e mëparshëm të Robert Martikos, ishin më të denduruar me to. Më ndodh ta çmoj e ta shijoj shumë këtë lloj letërsie, jo prej vetisë joshëse të filozofisë, por pikërisht prej thirrjes së saj në ndihmë të artit të fjalës. Në këtë pamje, iu gëzova prozave të para të Martikos me tërë shpirt. Masën e subjektivitetit ma bënte të pakonsiderueshme fakti që as e njihja dhe as kisha lexuar gjë prej këtij autori. Dhe m’u shfaq njëherësh si Shkrimtar.
Disa miq të mi, që tashmë janë edhe të Robert Martikos, për shkak të leximit të tij, në krye të herës hezituan për pak: “a nuk bën pak si shumë përsiatje filozofike ky Martikua yt?! Dhe, a nuk është paksa i vështirë në lexim në librat e tij?!” Ishin të motivuara vështrimet e tyre. Sepse Robert Martiko ka fytyrën e tij, për shkak të jetës së tij. Jeta e njeriut tek krijuesi është stili i tij. Unë jam gati të shtoj edhe më: në librat e Martikos ka jo pak moral. Ai e ka shpallur: Mos e ndërto të mirën tënde në të keqen e tjetrit. Dhe Martiko nuk e ndan Njeriun prej Shkrimtarit. Ka plotë që e ndajnë, por me vullnet të Zotit, nuk shterojnë që s’shterojnë ata që e çmojnë moralin te Njeriu. Dikur i kanë quajtur idealistë. Vazhdojnë t’i quajnë idealistë. Duke nënkuptuar ata që besojnë e mbajnë gjallë shpirtin. E Njeriut. Dhe, për pasojë, të Njerëzimit. Në dy librat e mëparshëm, ka proza që duhen lexuar ngadalë, ose më shumë se një herë. Janë të rënda. Siç vjen edhe jeta. Nuk të lë të vraposh gjithnjë. Shpesh duhet ulur ritmi, detyrueshëm. Atëherë janë çastet kur nxiton mendimi, meditimi, mendja kërkon të merret në konsideratë më tepër se dora dhe këmba, madje edhe më shumë se zemra. Heronjtë e Martikos janë në shumicë të tillë. Por njerëzit, vetat, personazhet janë farëllojësh, siç i ka ndodhur t’i ndodhin në jetë. Nuk ka qenë e lehtë të jetoje me ta. Por ishte e pashmangshme. Pas tyre, mes tyre, do gëzoje dhe vuaje, prej tyre do inspiroheshe dhe nëse duhej, për shkak të tyre do hiqeshe mënjanë duke pritur që të njohin veten. Mënyra e marrë-dhënies me ta, mendoj se përcakton mënyrë-shkruarjen për ta. Gënjim-zhgënjimet prej tyre, jo më pak se përkushtim-admirimet për ta, pra pësimet dhe përfitimet fizike dhe materiale në këto korelacione, them se janë ato që ngrejnë e mbajnë gjallë devizën e një shkrimtari. Megjithatë, proza e mbrame e Robert Martikos, “I Braktisuri”, lehtësohet ca prej kësaj prirjeje të natyrshme për autorin. Nëse dy të mëparshmit mbase kërkonin edhe lexim të dytë, libri i mbramë (më shumë roman në kuptimin e parë të fjalës, se vëllezërit e vetë!) është më i drejtëpërdrejtë. Por nuk është më i lehtë-shkruar. Përkundrazi. Mbase është përpjekje e autorit për të arritur lexuesin aktiv, atë të pranishmin në publik, lexuesin që e shpreh konsideratën e tij. Është dicka e natyrshme. Mbase është kureshtje e autorit për aftësitë e shumëllojta brendavetes. Them se ka pasur sukses. Edhe duke qenë më i qartë. Megjithatë, bashkohem me deklarimin (kur bëhet natyrshëm-jo për pozë) të krijuesve që pohojnë se “nuk janë gati të gatuajnë për të gjithë”. Te prozat e Robert Martikos të joshin thelbet, më shumë se dukjet; të prekin situatat, më shumë se predikimet. Por, edhe dukjet edhe predikimet, kanë vendin e vetë: ftojnë të bëhesh më i mençur, jo si stoli qytetareske moderne, por pikërisht në arsyen e të jetuarit: të kuptuarin e jetës dhe fenomeneve. Vini re titujt e tri librave: fare lehtë i vendosa brenda një fjalie. Robert Martiko është papushim Vetja. Kështu e shpreh afërsinë apo
distancën me tjetrin. Gjithësekush, e gjen veten natyrshëm diku në këtë fushë të ngarkuar elektromanjetike.
(vijon)

Nuk ka komente:
Posto një koment