e shtunë, gusht 30, 2008

Frontistat e mi dhe porshistat e Enver Robellit

Ilir Levonja

Enver Robelli është një nga ata gazetarë, i cili të bën të jesh i vëmendshëm ndaj shtypit, ose e thënë më shkoqur, është ai lloj soji ku për hir të cilit ti detyrohesh të lexosh iks apo ypsilon gazetë, edhe pse nuk të pëlqen profili i saj. Nga ana tjetër, Enver Robelli është nga ato pena, nëpërmjetë së cilës, ne shohim shpresën për të mos pranuar degradimin e shtypit shqiptar në përgjithësi. Për të qënë më i qartë, po ju them se një nga arsyet që më shtyn të hap faqet e ''Shekullit'' përshembull, është rasti Enver Robelli, organ ky ku Robelli është më prezent, pasi si në tërësinë e gazetave të tjera edhe ''Shekulli'' nuk i ka shpëtuar sëmundjes së shtypit shqiptar, asaj i të të qënit Front i një pale.
Robelli i cili duket sheshit që është i edukuar me një këndëvështrim anglo-sakson, aq sa e ka shuar nevrikosjen e kosovarit dhe për çudinë e disave, duke më përfshirë edhe mua, ka arritur të depërtojë edhe në ato organe me profil tejet të dukshëm të njëanshmën.
Në gazetën ''Shqip'' të datës 30. 08. '08 në artikullin me titull ''Rreziku që vjen nga gazetaria e sahanlëpirësve'' ku ai me një strategji alla Robell përfshin veten në debatin për krizën e shtypit shqiptar, ai pohon, si i thonë fjalës, atë që i zoti i shtëpisë e merr vesh i fundit. Faktin që, karabinasë, i janë lëkundur themelet, i janë plasaritur muret e, i është rrënuar çatia. ''A duhet t'i besohet një gazetari, i cili nëpër rrugët e Tiranës defilon me ''Porsche Cayenne'', fund javën e kalon diku në vilën e tij në bregdetin shqiptar dhe përherë është i gatshmën që me ton dashamirës, t'i promovojë politikanët në pushtet, duke zhvilluar me ta intervista pa asnjë pyetje kritike''..., (E. Robelli, gazeta ''Shqip'' dt. 30. 08. '08.) Po, përkundër natyrës së tij, i kthjellët, i kulluar, si zakonisht, Robelli për herë të parë nuk thotë emër konkret, pasi në logjikën e artikullit të tij, lë të nënkuptohet se shtypi shqiptar nuk ka një dhe vetëm një të tillë, por shumë. Tjetër gjë që Robelli duket sikur është i stepur nga që druhet mos lëndon dikë, edhe pse duke sheshit që ai është përfshirë në debatin për krizën e shtypit në gazetën ''Shqip'', është fakti që ai mendon se në krizë nuk në të vërtetë shtypi, por gazetarët që drejtojnë ''Porsche Cayanne'', ata të cilët mendojmë se janë absolutisht të pagabueshmit në zhvillimet shoqërore të deritanishme në trevat shqiptare.
Kur unë shkruajta artikullin ''Deputeti Balla dhe Fronti kundër Kryeministrit'', pas incidentit të tyre në kuvend dhe e dergova atë në shumë organe të shtypit, artikull që sigurisht nuk e pa botimin edhe në ato gazeta ku kam shkruar rregullisht, përjashto vetëm ''Illyrian'' e shqiptarve në Nju Jork, trajtoja pikërisht vdekjen e përgjegjësisë së gazetarit.
Kjo për faktin se prej kohësh, shumë nga gazetarët janë vendosur në pozita fikse, me idenë fikse se vetëm ti ke të drejtë, duke e katandisur shtypin shqiptar në tërësi në situatë absurde. Kështu që, unë nuk u habita përse artikulli im nuk u botua, nuk ka më se si habitem sa kohë që ata të cilët demaskojnë vilat e Mediut në bregdetin shqiptar, ku paralelisht kanë ndërtuar dhe vilat e tyre, i bëjnë opozitë qeverive pa e vrarë mendjen fare se tek vetvetja ka nisur degradimi.
Nëse unë i quajta frontista Enver Robelli, porshista... E vërteta është se në Shqipëri, (Enver Robelli paralajmëron të njëjtin fat edhe të gazetave në Kosovë) gazetaria është futur tërësisht në atë që quhet krizë, po jo në krizë të shtypit, por në krizën e llojit të perandorve që e drejtojnë atë, pra të porshistave.
Ndonëse jo drejtpërsëdrejti, por në një anketim të ''Tirana Obresver'' dy a tri ditë më parë, i vetmi zë që e kish paralmëruar këtë fakt ishte analisti Ermal Hasimja, duke i vënë kapukun çështjes se panorama e shtypit në Shqipëri është kthyer në pronë e disa porshistave që i bëjnë analizat nga zyrat.
Në Shqipëri duket se edhe pse në rrafshe paralele, në kohë të ndryshme, regresojnë mentalite që kanë për bazë të drejtën personale dhe jo atë, universale. Përshembull, nëse do t'i kthehemi kohës së diktaturës së proletariatit, kishin nderin të përfitonin ofiqe ata të cilët promovonin vazhdimisht shtëpinë e tyre si bazë e luftës. Në këtë kontekst, edhe sot e kësaj dite, mendimi militant se drejta personale për shkak të meritës partiake, është detyrim i padiskutueshëm për të përfituar të mira materiale. Dhe shembulli më i mirë, është rasti i Mero Bazes me Berishën, ashtu siç ishte dje ai Kokëdhimës me Nanon, apo i Nikollë Lesit po me Nanon. Askush nuk patur kurajon të pohojë pikërisht se 1997, e cila nga porshistat iu faturua tërësisht Berishës, ishte faj kolektiv por edhe një pasojë e çoroditjes së shtypit, që në një farë mënyre në vend që t'i hidhte ujë zjarrit, i hodhi benzinë.
Në replikën e datës 29. 08. '08, Mustafa Nano, i cili konsiderohet si iniciusi apo zbuluesi i kësaj krize fallco, me Fatos Baxhakun, bënte një analizë ku në sfond nuk ishte e vështirë të kuptohej pikërisht merita për të drejtën personale, të Nanos në këtë rast, përballë asaj që quhet universale. Mustafa Nano, i cili mendon se vetëm ai ka të drejtën të quaj idiot zëdhënësin e një partie, i ankohej publikut se Fatos Baxhaku nuk ishte mirënjohës për faktin e pikërisht, të së drejtës personale dhe jo asaj universale. Dhe e tregonte me mburrje se ai shkruante vetëm nga shtëpia dhe jo ashtu si Baxhaku, i cili sipas Nanos ishte trullosur nga dielli në kalanë e Lezhës. Dhe për më tepër, Mustafa Nano i cëlësuar si analisti me një shqipe të ngatarruar me turqishten, i quan fletushka gazetat që publikojnë në faqe të parë kafazistat apo shtatzanitë e femrave vipe, harron pozat e tia veshur me të bardha po në faqet e para. Dhe fatkeqësia më e madhe, qëndron tek mentaliteti mbi shpërblimin për mirënjohje, sepse diversiteti, brënda faqeve të gazetës që një porshist drejton, është herezi. Sidoqoftë, për të qartësuar lexuesin, për atë që është në krizë shtypi apo frontista e mi dhe porshistat e Enver Robellit, shkrimin po e dërgojë në të gjithë organet. E thënë më shkoqur, nëse e shikoni të botuar në gazetat që përmenda më sipër, atëherë jam unë gabim.

Nuk ka komente: