Wilde thotë: “Ai e jeton poezinë që s’mund ta shkruajë. Të tjerët shkruajnë poezinë të cilën dëshirojnë ta realizojnë”. Ndërsa Elliot, është i prerë: “Gjëja më e rrëndësishme për poetët që të kryejnë është të shkruajnë sa më shkurt të jetë e mundur”.
Fatmir Terziu
Dy thënie të poetëve të lavdishëm me vlera botërore, bëjnë të përhumbesh në analizën e nisur. Është fjala për thëniet e dy poetëve Oscar Wilde dhe T.S. Elliot. Wilde thotë: “Ai e jeton poezinë që s’mund ta shkruajë. Të tjerët shkruajnë poezinë të cilën dëshirojnë ta realizojnë”. Ndërsa Elliot, është i prerë: “Gjëja më e rrëndësishme për poetët që të kryejnë është të shkruajnë sa më shkurt të jetë e mundur”. I pari, Oscar Wilde është një poet, novelist, dramaturg dhe kritik irlandez, që jetoi në periudhën 1854-1900. I dyti është i famshmi T.S.Elliot një amerikan, që tërë jetë ia kushtoi editimin të gjuhës angleze, skenarëve. Ai ishte poet dhe kritik në periudhën e jetës së tij më të vrulshme dhe ka jetuar nga viti i tij i lindjes 1888 deri në fund të jetës së tij që i prket vitit 1965.
Duke depërtuar në këto thënie piramidale, nis rrafshimi i mandaturës njohëse dhe riskohet artkritika në poezinë e lexuar. Këtë rradhë është vëllimi i ri poetik i Mensur Spahiut “Shpesh dal nga vetja”, botuar nga “Albin”. Shtatëdhjetë e pesë poezi të këtij autori, në këtë vëllim poetik të redaktuar nga poeti i mirënjohur elbasanas, Nexhip Ejupi, dhe Alida Sete Zenelaj, lexohen ngeshëm dhe shpeshherë arijnë të kapen lehtë. Arti grafik i Suela Bushkolajt, duket si një paralele artistike në këtë formatim poetik. Duke lexuar vëllimin e Spahiut, sado modest që ai paraqitet, në poezi të ndryshme pikëtakon thëniet e Wilde dhe Elliot. Në poezitë “Dhe hesht”; “U lodha…”; “Miqësisht”; Aty mbeç”, “Mundim i ri”; “S’ju premtoj dot”; “Bisedë për jetën” etj duket qartë ajo që nënvizon Wilde, ndërsa tek poezitë “Fluturim me trazim”; “Leksione të huaja”; “Kur ti svjen”; “Një petale”; “Digjem të mos i njoh”; “Fëmijët”; “Si medicin e rradhë”, “Dashuria është respekt” etj fjala tepër domethënëse e Elliot është ombrellë e autorit Spahiu. Më konkretisht ku riskohet dhe ku arrihet njëvlefshmëria e kësaj poezie në hapësirën e parathënë nga dy personalitetet me zë në arenën poetike-kritike botërore. Në hapësirën e krijuar brenda tematikës së larmishme të “Shpesh dal nga vetja” gjendet edhe tipikja e kësaj “diagnoze” profesionale. “Miqësisht” është një tipikpërkim poetik me tërë atë çka analiza akademike synon. E prekshme, e thjeshtë, sublime, kursimtare në fjalë, por tepër kuptimplote dhe domethënëse në realizim:
“Me fjalën: guxim-durim-gjëmim i pakthyeshëm,
dua të fshij njollat e murme në fytyrë të ditës!”
A nuk është jeta në këtë trinologji filozofike, si një guxim, që nënkupton lindjen, durim që nënkupton krijesën, dhe gjëmim, që sublimon mjeshtërisht ardhjen në jetë? Këtu triptiku jetik i Spahiut, fuqishëm pikëtakon lajtotivin jetik dhe diagnozën letrare të dy analistëve me famë botërore, Oscar Wilde dhe T.S. Elliot. Duke pikëtakuar preambulën e tyre poetike, leximi i poezisë “Kot pres” ndjeshëm të udhëton meditimin në një kriptosje shpirtërore ku vrulli mendor nuk gjen pikëtakim me fatin apo realitetin jetik.
Këtu vargjet:
“Shpesh e më shpesh zbrazet shpirti!
Jetoj duke duruar… Kot pres”;
kanë një sigël momentale tipike. Tipikja lidhet thjeshtë. Thjeshtësia buron nga gjuha. Gjuha vjen nga moduli i zgjedhur. Dhe vetë moduli realizon plotësinë dhe strukturën poetike.
Më tej duke rrëmuar në poezinë e Spahiut, rrjedha krijuese disi anohet. Animi është disi fizik. Këtu kuptimi fizik është i lidhur me gjeografinë e fjalës, bagazhin prodhues dhe njohës, analizën jetike, prekshmërinë jetësore të vargut dhe shumë detaje që lidhet me atë që Leonardo da Vinçi e ka përcaktuar qartë: “poeti shkon shumë më thellë se piktori për riprezantimin e gjërave, dhe shumë më thellë se muzikanti në padukshmërinë e gjërave”. Këtë depërtim të thellë e shohim tek poezitë “Një shekull s’kam qetësi”; “Vuan e gëzon…gëzon edhe vuan”; “Vëllai im i fjalës” e në poezitë “Në rrugën plot mundim”; “Cungtrung” apo më ndjeshëm tek poezia “Një petale”. Tek kjo e fundit, edhe pse autori ia kushton vajzës së tij Elonës, vargjet e tilla si:
“Brenda globit të vogël dhe të kristaltë,
varur në pasqyrën e makinës,
një petale…”;
gjejnë vegimin shpirtlidhës tek të gjithë, tek shumë prej atyre ku depërtimi magji-shpirt kushtëzohet me shikimin dhe vizionin e syve baba-bijë. Tek poezia “në rrugën plot mundim”, peneli i autorit depërton aq thellë sa paraqet “diellin që kalon nëpër re”. Këtu duket saktë ajo që folozofi social francez, Simon Ëeil e ka deklaruar me kohë se “poeti prodhon të bukurën, nëpërmjet fiksimit të tensionit të tij shpirtëror në gjëra reale”. Këto prodhime të bukura, apo këto gjëra reale, disaherë hyjnë në një udhuk të dukshëm vendimmarrës, ku shqisat paraprihen nga sentencimi logjik i paraardhëses në vëllim apo edhe prapambërritëses në rrjedhën e shtatëdhjetë e pesë poezive, që i ngjajnë një tufe të mbarë poetike. Udhëtimi i kësaj ‘tufe’ duket në rrugë të mbarë.
Nuk ka komente:
Posto një koment