e hënë, korrik 21, 2008

Lëvizje taktike diplomatike






Nga Ilir KALEMAJ


Letra e kryeministrit maqedonas Gruevski dërguar homologut të tij grek, Karamanlis, para disa ditësh, për shumëkënd në këto qoshe të Evropës Juglindore, u komentua si një rrufe në qiell të pastër. Kjo duke patur parasysh edhe problematikën maqedonase për cështjen e emrit e cila e bllokuar nga vetoja greke, ia ka mbyllur rrezen evropiane dhe të antarësimit në NATO pa u dakorduar pikë së pari me kushtëzimet e Athinës. Megjithatë ka një logjikë që duhet vënë re nga guximi në dukje ‘kokëkrisur’ i Gruevskit. Menjëherë pas zgjedhjeve të parakohshme në vendin fqinj që e rikthyen triumfator në krye të qeverisë duke i dhënë një maxhorancë solide, kryesisht në sajë të një platforme elektorale populiste dhe nacionaliste, atij i shërben një lëvizje taktike e tillë kryesisht në dy drejtime kryesore. Edhe për t`i dhënë një provë garancie të mëtejshme elektoratit sllavo-maqedonas që e ka zgjedhur, por edhe për të testuar ujërat ndërkomëbëtar dhe se sa mund të shtrihet mbështetja e ‘big brother-it” amerikan, i cili ka qenë një nga partnerët më konstantë dhe konseguentë në qëndrimin e tyre në favor të shtetit të vogël ballkanas.

Por në të njëjtën kohë që Gruevski i niste letrën gjysëm-kërcënuese dhe gjysëm realiste Karamanlisit, duke ngritur zërin në mbrojtje të ‘minoritetit’ maqedonas në Greqi, duke kërkuar hapjen e shkollave në gjuhën maqedonase për emigrantët e këtij vendi apo njohjen e dyshtetësisë, të cilën shteti grek nuk e njeh, presidenti Cernekovski zhvillonte një takim tête-à-tête me homologun e tij shqiptar Topi. Një takim ky aspak i rastësishëm po të njihesh me deklaratën e mëpasshme për shtyp ku ritheksohej dispozicioni i portit të Durrësit për nevojat e Maqedonisë, masë e cila e siguron vendin fqinjë nga cdo bllokadë hipotetike e marrëdhënieve tregtare nga ana e Greqisë, në një përsëritje të skenarit të Selanikut, vite më parë.

Megjithë marrëdhëniet e acaruara mes kryeministrit dhe presidentit maqedonas që coi edhe në një deklaratë të parapak ditëve nga ana e këtij të fundit për mos rikandidim për postin e presidentit pikërisht për shkak të këtij konflikti, kur vjen puna te interesat madhore kombëtare është për t`u admiruar solidariteti me të cilin sinkronizohen lëvizjet në marrëdhëniet me të tretët. Ndërkohë që pala shqiptare në cdo prononcim të sajin zyrtar për pronat e shqiptarëve në Greqi, apo ngritjen e zërit për të drejtat e minoritetit dhe emigrantëve shqiptarë atje, në rastin më të mirë i trajton si cështje të karakterit teknik, ndërsa shpeshherë ëdhe i anashkalon krejtësisht, duke iu prmbajtur me fanatizëm interesave meskine personale të cilat shpesh arrijnë të gjejnë satisfaksion momental. Një sjellje po aq infantile, në mos më tepër vihet re edhe në marrëdhëniet me maqedonasit, të cilët për pak sa nuk na mbyllën dhe portat krejtësisht duke imponuar viza të shtrenjta vecse pak kohë më parë, megjithëse ishin humbës neto të kësaj levizje absurde dhe të pakuptimtë.

Për t`iu rikthyer letrës së Gruevskit dhe efektit të saj, vlen të theksohet përgjigja e menjëhershme mohuese e Karamanlisit i cili jo vetëm hidhte poshtë si të paqëna argumentet maqedonase, por për më tepër tërhiqte vëmendjen e homologut të tij për tepri emocionale e cila mund të ishte fatale për rrugën e Maqdonisë për në BE dhe NATO. Ndërkohë që i referohej institucioneve të tilla gjykatave evropiane dhe asaj të Strasburgut për të drejtat e njeriut si institucione arbitrazhi te të cilat pala maqedonase mund të drejtohej nëse kishte cfarëdolloj pretendimi juridik.

Përfundimet e kësaj lëvizjeje taktike të Gruevskit, beneficet që rodhën apo mund të rrjedhin prej saj, të barazpeshuara me kostot, do kërkonin një analizë mjaft të gjatë dhe substanciale, ashtu sikundër përgjigja zyrtare greke që ravijëzon një qëndrim politik dhe diplomatik të caktuar, por që gjithsesi u munduan të cekeshin sadopak nëpërmjet këtij shkrimi. Diplomacia shqiptare duhet t`i studioj me kujdes këto lëvizje të cilat mund t`i sigurojnë një rol lidershipi, sado modest në këtë cep të Ballkanit Perëndimor dhe të përpiqet të dali përtej shërbesës së interesave të njërës apo tjetrës palë dhe të kuptoj se kush lëvizje i shërbën më mirë interesave të saj. Interesi kombëtar lidhet ngushtësisht me lëvizjet taktike në marrëshëniet bilaterale dhe shumëpalëshe dhe cdo lëvizje taktike dhet të jetë në funksion të strategjive paraprake që ndërtohen pas konsultimeve me ekspertë për mos t`u kapur gafil para cdo situate, sado e papritur të shfaqet ajo.

Nuk ka komente: