e premte, korrik 18, 2008

Jeta e një 17-vjeçari në lakun Kanunor





Nga Fatime Kulli



Ka 17-18 vjet që në Shqipëri, jeta e njerëzve të pafajshëm është kthyer në një makth të vërtetë, ata jetojnë çdo ditë, çdo orë të kërcënuar nën tundimin e fenomenit vrastar të gjakmarrjes. Ky fenomen kanunor ne shqiptarëve na kthen në kohë të mesjetës (para 600 viteve, kur tek ne s'ekzistonte shtet, s'ekzistonte ligj, u formulua ligji i Kanunit të Lek Dukagjinit, i cili vazhdoi gjatë për të disiplinuar "sedrën e burrave"). Dhe në atë kohë, Kanuni e kreu misionin e tij mjaft mirë. Por sot vazhdon të aplikohet hija e Kanunit, edhe pse jemi në shekullin e XXI, Kanuni i Lek Dukagjinit është degraduar, "fanatikët" e Kanunit kanë shtjer me pushkë edhe mbi gratë dhe mbi fëmijët. Nuk dua të bëj një listë me statistikë për vrasjet e turpshme të burrave që ngrenë tytën e pushkës dhe qëllojnë mbi gratë dhe të miturit, por dua të them se shoqëria jonë vuan, vuan, ne nuk kemi një shtet ligjor për të mbrojtur jetën e njerëzve të pafajshëm, që s'kanë kryer asnjë krim, s'kanë bërë asnjë shkelje ligjore, por i vetmi "faj" i këtyre njerëzve është se janë pjesëtarë të gjenezës të fisit të atyre që kanë bërë një vrasje dhe sot vuajnë dënimin sipas ligjeve të shtetit në fuqi.

Pikërisht, për këtë fenomen vrastar kanunor, po pasqyroj një rast konkret:

Një 17 vjeçar nga Bushati i Shkodrës, i quajtur Dritan Martin Marku (i ditëlindjes 19.11.1991), nxënës në vitin e dytë të Shkollës së Mesme e Bashkuar, nuk shkon në shkollë i lirë si të gjithë bashkëmoshatarët e tij. Dritan Marku shkon i shoqëruar nën masa të rrepta sigurie, pasi djaloshin 17 vjeçar e ndjek nga pas hija e frikës së gjakmarrjes, nga hasmi i fisit të tij. Një kushëriri i tij, Ndoc Marash Marku në vitin 1998 (para 10 jetësh) ka kryer një vrasje, për të cilën po kryen dënimin me 20 dhe 25 vjet heqje lirie. Për këtë është angazhuar e gjithë trupa pedagogjike e shkollës së mesme ku studion Dritani. Ja vendimi i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër që ka dhënë ndëshkimin ligjor për krimin e bërë nga kushëriri i babait të Dritanit, Ndoc Marash Marku.

2-Kërcënim për vrasje Dritanit, djalit të Martin Markut me dt.17.05.2006

Para dy vjetësh, në mediat lokale është pasqyruar një lajm i frikshëm, ngjarje kjo që tronditi opinionin e gjithë veriut shqiptar. Kur Martin Marku, po udhëtonte në punën e tij, në rrugë i bënë pritë me armë, (nga një njeri i pa identifikuar) duke qëlluar mbi automjetin e tij, atentat ky që paralajmëronte kërcënim serioz për jetën e tij dhe familjes së tij, në emër të gjakmarrjes. Pikërisht, ngjarja ka ndodhur me dt.17.05.2006 në orën 19.00 në rrugën Lezhë-Shkodër, vendi afër guroreve Torrovicë, ku Martin Marku po udhëtonte me automjetin e tij Benc me targa: SH 4768 L. Sipas kronikës së lajme të asaj kohe, (2006-ën) Martini në vend të parë ka pas djalin e tij Dritanin 14-15 vjeç rreth 200 m. nga rruga, kur nga mali është çuar nga prita një person që i ka drejtuar armën tek këmbët e djalit. Këto skena të llahtarshme ku qytetarët e botës i shohin vetëm nëpër filma horror, Martin Marku dhe djali i tij Dritani i kanë përjetuar realisht me ankthin e frikës së vdekjes, që vetëm Zoti i ka shpëtuar. Martini, i ati i Dritanit 14 vjeç-15, e ka ulur djalin tek këmbët e tij dhe e ka mbuluar me trupin e tij, me dorën e majtë ka mbajtur timonin drejt pa e parë rrugën prej 200 metrash (rrëfente atëherë Martin Marku në kronikën e lajmeve). Tek një vend i quajtur Bend ka takuar policin rrugor të shërbimit, i cili lajmëroi ekspertët ku u bënë procedurat rreth ngjarjes terrorizuese. Martini e mori djalin e vogël dhe e strehoi tek daja i tij, të traumatizuar i cili vazhdon në këtë gjendje edhe në sot, që po shkruajmë. Për momentin, rrëfente Martini (në atë kohë), mendonte se mund të ishin grabitës, por ai s'kishte qenë grabitës, pasi ai qëlloni me breshëri drejt automjetit të tij, duke e biruar nga plumbat. Ai ishte kërcënim i hapur për të paguar "haraçin" e krimit të kryer nga kushëriri i tyre (që po vuan dominim me burg). Megjithëse Martini, atëherë u shpreh se nuk njoha njeri, fakti i kërcënimit me armë ndaj djalit të tij, ishte dhe është evident për një hakmarrje të mundshme, pasi shteti është i pafuqishëm ndaj fenomenit kanunor.





3-Gjakmarrje, ky fenomen vdekje prurës

Si do t'i vijmë në ndihmë Dritanit 17 vjeçar, të jetojë i lirë, pa pasur frikën e "lakut" vdekjeprurës kanunor?

Gjakmarrje, ky fenomen vdekje prurës i shoqërisë sonë, nuk tregon aspak qytetari, zhvillim, por tregon fytyrën e një shteti të paralizuar, inkopetent për të zbatuar ligjet e Kushtetutës. Dhe ky fenomen mesjetar ka një origjinën të hershme, që s'i shkëputen vargonjtë e hijes së zezë të gjakmarrjes, që në kushtet e mos marrjes së përgjegjësisë nga shtetarët, politikanët që krekosen në tribunën e parlamentit, me kostume të modës së fundit, në fshatrat tona, në rrugë e bare njerëzit vrasin njëri tjetrin, sikur të ishin në fushëbetejë me armiqtë dhe këta njerëz pretendojnë se i kryejnë këto vrasje se marrin "hak" për gjakmarrje...

Këtë gjendje po e përjeton edhe 17 vjeçari Dritan Marku, në Bushat. Ai në vend që të jetojë jetën ashtu si bashkëmoshatarët e tij, vuan frikën se dikush do të shtjerë pushkën e gjakmarrjes mbi të, pa bërë asnjë mëkat në jetën e tij, e jo më ndonjë krim.

Gjakmarrja, kjo shtyllë kurrizore e kodit penal të Lekë Dukagjinit, i quajtur Kanun vazhdon të funksionojë krejt lirshëm edhe sot. Sipas shifrave zyrtare, në emër të Kanunit këtë vit janë të ngujuara mbi 1500 familje, (fakte këto të bëra prezent edhe nga gazeta prestigjioze "New York Times". Kjo lloj "vetë-drejtësie" nuk gjen asnjë lloj pengesë në çdo skaj të vendit. Por zëri i politikës është i asfiksuar përballë këtyre ngjarjeve, shteti është gjunjëzuar, s'ka më autoritet ligjor, s'ka më forcë ligjore e politika humane...

Në komunën e Bushatit dhe në disa fshatra të Nënshkodrës numërohen mbi 1500 familje që me lidhje fisnore nuk komunikojnë me njëri-tjetrin e as shkëmbejnë vizita për shkak të mosmarrëveshjeve, mbi 200 familje që janë të mbyllura ,brenda mureve ferr të ngujimit. Për hir të së vërtetës, policia i është gjendur pranë familjeve të ngujuara, por nuk mjafton kjo, kur shteti nuk ka një strategji për të ndaluar këtë fenomen të kobshëm. Mos serioziteti dhe përkushtimi i shumë qeverive në këto 17-18 vjet, nuk ka arritur t'i rikthejë autoritetin e ligjit për t'i thënë ndal vrasjeve hakmarrëse, ndal vetëgjyqësisë! Dhe kjo gjendje e amullt, kaotike e shtetit, e politikës shqiptare dhe e pafuqisë përballë fenomenit të gjakmarrjes ka ngjallur panik dhe pasiguri për jetën e njerëzve të pafajshëm.

4-Misioni i Pajtimit Mbarëkombëtar, i pamundur të pajtojë dy familjet në hasmëri

Për rastin e familjes Martin Marku, i cili më parë është kërcënuar me armë, dhe jeta e djalit të tij në Bushat, Shkodër është e pasigurt, ka qenë i pranishëm Misioni i Pajtimit Mbarëkombëtar "Nënë Tereza", i cili ka ndërhyrë disa herë që këto dy familje të pajtohen, (Pra familja e të ndjerit, viktimë e kushëririt të Martin Markut), ku familja e atij që ka bërë krimin janë larguar nga Shqipëria, mbetet i pranishëm gjithnjë rreziku për jetën e djaloshit 17 vjeçar, Dritan Marku, pasi ai është i vetmi "BURRË", sipas KANUNIT i fisit Marku që jeton në Bushat. Madje i ati i viktimës është shprehur para Misionarëve të Pajtimit: "Unë kisha vetëm një djalë që ma vranë edhe unë do të gjej një baba që ta lë pa djalë". Dhe për të qetësuar shpirtin e lënduar të të atit të viktimës, i vetmi baba që ka një djalë të vetëm në Shqipëri, është Martin Marku.
Por djali 17 vjeçar, Dritan Martin Marku kërkon të jetojë i lirë, pa ankthe, pa frikë se dikush mund t'i bëjë pritë në derë të shtëpisë, a në rrugë, pasi ai s'ka bërë asnjë faj, asnjë krim. Përse shteti nuk i siguron atij të drejtën më elementare sipas Konventës të Drejtave të Njeriut, atë të lirisë, duke e mbrojtur sipas ligjeve në fuqi. E kur shteti ligjor nuk është i aftë të mbrojë jetën e një minoreni siç është Dritan Marku, ku jeta e tij është në shënjestër të këtij fenomeni mesjetar e vrastar.

Nuk ka komente: