Deputeti i zonës së Vorës deklaroi se Shtabi i Emergjencës po punon në mënyrë intensive
Patozi: Strukturat e ngritura, ndihmë çdo banori
Astrit Patozi, deputeti i Partisë Demokratike në zonën e Vorës, ku dje ndodhi shpërthimi i një depoje municionesh që shkaktoi dëme të mëdha materiale dhe shumë banorë të plagosur, ndër ta dhe pesë viktima, sqaron se situata gradualisht po qetësohet dhe nuk ka më rreziqe për shpërthime të tjera. Deputeti Patozi bën të ditur se të gjitha strukturat e Ministrisë së Brendshme dhe të Mbrojtjes, si dhe emergjencat civile janë në gatishmëri për çdo banor që do të ketë nevojë për ndihmë. Gjithashtu, deputeti Patozi bën të ditur se të gjitha strukturat vendore janë shpërndarë nëpër të gjithë territorin, të shoqëruara nga forcat e ushtrisë dhe të policisë, për të bërë një lloj bilanci për çdo banor të munguar dhe të gjejmë vendndodhjen e tyre të saktë, në mënyrë që të gjitha shifrat që jepen në numrin e të plagosurve dhe viktimave të jenë të sakta. Ndër të tjera, deputeti Patozi konfirmon se mund të ketë shpërthime sporadike, të cilat, sipas tij, do të shuhen së shpejti dhe nuk ka rrezik për shpërthime të reja
-Zoti Patozi, mund të bëni një koment rreth situatës në zonën e shpërthimit?
Jam në Bashkinë e Vorës ku është vendosur shtabi i emergjencës për tragjedinë që ndodhi në Gërdec, pjesë e kësaj njësie vendore, pra e Bashkisë Vorë. Mund të them që është një armatë e tërë njerëzish, të gjitha strukturat shtetërore, forca të Ministrisë Brendshme, forca të Ministrisë së Mbrojtes, të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të emergjencave civile ndodhen në terren, në ndihmë të çdo të lënduari, të çdo banori dhe mund të them që situata është nën kontroll, dhe se ka rënë numri i shpërthimeve. Tani, shpërthimet janë sporadike, me sa duket e gjithë rezerva e municionit është duke u shterruar. Kjo është e rëndësishme për t'u theksuar, pasi nuk ka më vend për alarm. Ajo që kishte për të ndodhur, tashmë ka ndodhur. Janë me dhjetra dhe qindra banorët e evakuuar nga zona e rrezikshme, janë me dhjetra dhe qindra banorët e ndihmuar nga strukturat e sipërpërmenduara, dhe në këto çaste janë shumë banorë, të cilët po transferohen nga zonat e rrezikshme në zonat jashtë rreziku.
- Nga informacionet që kemi, konfirmohet se ka përfunduar largimi i të gjithë banorëve nga zona e rrezikut, janë tërhequr edhe forcat dhe strukturat e specializuara të shtetit, që po merren me operacionin dhe ndërkohë operacioni do të rifillojë sërish nesër në terren. Ju do të vazhdoni sërish të menaxhoni situatën sa banorë janë evakuuar ku po shkojnë dhe ku do drejtohen këta persona?
Nuk mund të jap shifra për këtë, mund të pyesni njerëz të specializuar se sa është numri i njerëzve që transportohen. Ajo që mund të them me siguri është se të gjitha strukturat e qeverisë janë të angazhuara në këtë operacion evakuimi dhe shpëtimi, po ashtu edhe organet e pushtetit lokal janë në ndihmë të çdo banori. Gjithashtu, të gjitha strukturat vendore janë shpërndarë nëpër të gjithë territorin të shoqëruara nga forcat e ushtrisë dhe të policisë për të bërë një lloj bilanci për çdo banor të munguar, dhe të gjejmë vendndodhjen e tyre të saktë, në mënyrë që të gjitha shifrat që jepen për numrin e të plagusorve dhe viktimave të jenë të sakta.
- Zoti Patozi, ju jeni deputet i kësaj zone dhe keni qëndruar gjithmonë pranë kësaj zone. Prania juaj është edhe më e domosdoshme në kushtet e kësaj tragjedie. Keni një mesazh për t'u dhënë të gjithë atyre banorëve që janë jashtë zonës së rrezikut por që kanë kontakte indirekte me banorët e zonës suaj?
Pavarësisht se kjo tragjedi ka ndodhur gjeografikisht në zonën që unë përfaqësoj. Unë mendoj se kjo është një tragjedi me përmasa kombëtare, është një tragjedi shumë e rëndë dhe unë do t'i bëja thirrje çdo qytetari që të mos alarmohet, të mos rrëmbehet nga paniku. Strukturat që drejtohen nga Shtabi i Emergjencave Civile dhe të gjitha strukturat lokale do të jenë në dispozicion.
- A ka të dhëna nëse edhe një viktimë tjetër e ka çuar në pesë numrin e të vdekurve në morgun e kryeqytetit?
Informacionet që unë kam, është se numri i viktimave, për fat të keq, është pesë dhe numri i të plagosurve rreth 145, por nuk flas me siguri.
- Si do të vazhdohet më tej me Shtabin e Emergjencës në Vorë dhe ju që gjendeni pranë këtij shtabi?
Shtabi i Emergjencës është i mbledhur dhe ka lënë mbledhje të shpeshta. Mbas 45 minutash do të kemi një mbledhje tjetër, ku të gjithë anëtarët e shtabit, por edhe strukturat vendore do të raportojnë mbi situatën.
- Zoti Patozi, a ekziston frika për ndonjë shpërthim natën?
Unë jam konsultuar me specialistë të Ministrisë së Mbrojtjes, të cilët kanë garantuar se nuk ekziston asnjë rrezik për një shpërthim tjetër. Mund të ketë shpërthime sporadike, të cilat do të shuhen së shpejti, nuk ka rrezik për shpërthime të reja.
- Si do të rifillojë puna?
Janë detaje që mund t'i shpjegojnë autoritetet e Emergjencave Civile, por, gjithsesi, ajo që mund të them është se shtabi është i vendosur që të qëndrojë gjithë natën në kontroll të situatës.
Në depon e shpërthimit nuk kishte raketa
Zyra e shtypit e kryeministrit ka marrë masat që qytetarët të njoftojnë për çdo të re në lidhje me ngjarjen, duke lajmëruar se për çdo emergjencë, Shtabi i Emergjencës ka vendosur në dispozicion të qytetarëve numrin e telefonit 129 të sallës së Qendrës Operative. Gjatë orëve të pasdites, numri i saktë i viktimave nuk ka qenë i qartë dhe i konfirmuar. Përsa i përket vendit të ngjarjes, Forcat e Policisë, me mjete të blinduara, kanë mbërritur atje, edhe pse shpërthimet kanë vazhduar. Pas njoftimeve të reja thuhet se policia, e cila ka hyrë me mjete të blinduara në zonën e shpërthimit, ka filluar të nxjerrë të plagosurit. Në lidhje me informacionet që kanë qarkulluar për mundësinë e të ekzistuarit ende municione e sidomos raketa në depon ku ka ndodhur shpërthimi, kryeministria ka reaguar duke e mohuar këtë fakt. "Zyra e shtypi e kryeministrit njofton se kategorikisht në depo nuk ka raketa tokë-tokë apo tokë-ajër, por vetëm municione që ndodhen aty për t'u çmontuar nga ekipet e specializuara", thotë njoftimi për shtyp i Kryeministrisë. Në orët e mëvonshme, mediat kanë filluar të japin versionet e tyre paraprake dhe të pakonfirmuara për numrin e viktimave. Për këtë arsye, zyra e shtypit pranë Kryeministrisë ka reaguar duke e mohuar këtë fakt. "Zyra e shtypit e kryeministrit përgënjeshtron lajmin e dhënë në disa media se ka 5 të vdekur në Spitalin Ushtarak. Deri tani, në Spitalin Ushtarak ka të plagosur rëndë, por asnjë të vdekur", thuhet në një informacion të dhënë nga kjo zyrë rreth orës 15 të ditës së djeshme. Por, më vonë është njoftuar se Forcat Speciale kanë nxjerrë nga vendi i ngjarjes 5 viktima dhe ndërkohë punohet për të nxjerrë sa më shpejt të plagosurit.
Nuk ka komente:
Posto një koment