Nga Fatmir Terziu
Përsëritja si një aksion poetik, jo aq si një kujtesë, udhëheq poezinë e Ilir Levonjës në mundësinë për të ekzaminuar tre koncepte: ditën, natën dhe një emër në shërbim të jetikes, dashurisë. Tre koncepte që lidhen me transferencën e jetës, përsëritjen dhe rezistencën normale të ditë-natësisë. Transferenca, ose kalimi i mendimit parësor nga realja e fjalës tek figurativja dhe imagjinarja është thjesht një pjesë e përsëritjes të cilën Levonja e realizon për të thënë më shumë te vargëzimi, për të krijuar fytyrën e poezisë. “Vetëm dashuria” është një e tillë, ashtu siç janë edhe disa poezi të këtij autori shqiptar. Tek poezia e cituar tipi i përsëritjes të cilin Frojdi e quan ‘transferencë të së shkuarës së harruar’ e gjejmë në një modulitet linear, ku parradhënia e kuptimit mbartet qetë, kuptueshëm dhe pa ndonjë kapërcim, pa shkëputje. Le t’a ndjekim më konkretisht. Autori e hap poezinë e tij me një siguracion, me një klishe të njohur dhe të stërmunduar në llojin e fjalës: “Vetëm dashuria nuk vdes”, që duket si një nëntitull, si një problem për poezinë. Dhe më tej pasohet nga minidetaje homologe, që shkallëzojnë transferencën e mendimit duke shtuar: “vetëm dashuria nuk humbet”. Kjo përsëritje, që në fakt mbart të njëjtin kuptim, vec anës homonime të mendimit ka edhe një diktim më të rrëndësishëm në fuqizimin e hyrjes, në shtrimin e poezisë. Autori nuk alarmohet më pas, por dalngadalë shmang atë përsëritje normale duke u ndeshur me një lloj rezistence tipike, ku fjala sqaron “gjithë sa mund të thuhet tjetër,/s’është veç një iluzion”. Respekti për rezistencën e fjalës në vargjet “është mohimi i ditëve të tua,/është ligji i vdekjes në mungesë” deshifron elementët e tjerë plotësues që në anën psikoanalitike, një nga anët më bashkëkohore të analizës, lejon të respektohet edhe imagjinata, shtysa për kuptime paralele, ndjesia e vetvetes, kuptimi i situatave lidhëse, natyra dhe simbolika. Më pas krijohet hapësira për ardhjen e tre koncepteve domethënës që sinjalizohen nga ‘dashuria me jehonat e dhimbjes’ dhe ‘ankthi e pritja’ për të siguruar themeloren:
“Është një ditë,
një natë,
një emër…”
Më tej autori mes epitetit lehtëson vargun dhe forcon fjalën: “një lule mimoze tashmë e tharë”. Natyrshëm për poetin kjo lule mimoze e tharë ka mbetur diku ‘mes faqeve të një libri’. Këtu nis të shfaqet poeti, këtu lind gjuha e fjalës, gjuha e poezisë. Kjo gjuhë është e qartë dhe tepër poetike:
“Është shëmbëllimi yt, ky imazh tronditës,
pas një fytyre kalimtare në bulevard”.
VAZHDON…
Nuk ka komente:
Posto një koment